Libra dhe Mësime
Kapitulli 28: Shërbimi


Kapitulli 28

Shërbimi

Pamja
Jesus Christ with the twelve apostles. Christ (depicted wearing a white robe with a yellow sash), is kneeling before one of the apostles as He washes the feet of that apostle. The other eleven apostles are gathered around a table (having just completed the last supper). They are watching Christ. (John 13:1-20)

Si Mund të Shërbejmë

  • Mendoni për mënyra se si ju kanë shërbyer njerëzit juve dhe pjesëtarëve të familjes suaj.

Jezusi tha: “Unë jam midis jush porsi ai që shërben” (Lluka 22:27). Si pasues të vërtetë të Jezusit, ne gjithashtu duhet t’u shërbejmë të tjerëve.

Shërbim do të thotë t’i ndihmojmë të tjerët që kanë nevojë për ndihmë. Shërbimi si i Krishtit vjen nga dashuria e pastër për Shpëtimtarin dhe dashuria e kujdesi për ata që Ai na jep mundësitë e na udhëzon t’i ndihmojmë. Dashuria është më tepër se një ndjenjë; kur i duam të tjerët, duam që edhe t’i ndihmojmë ata.

Të gjithë ne duhet të jemi të gatshëm për të shërbyer, pavarësisht nga të ardhurat tona, mosha, apo pozita shoqërore. Disa njerëz besojnë se vetëm të varfërit dhe njerëzit e thjeshtë duhet të shërbejnë. Të tjerë mendojnë se shërbimi duhet të jepet vetëm nga të pasurit. Por Jezusi na mësoi ndryshe. Kur nëna e dy prej dishepujve të Tij i kërkoi të nderonte bijtë e saj në mbretërinë e Tij, Jezusi iu përgjigj: “Secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj” (Mateu 20:26–27).

Ka shumë mënyra për të shërbyer. Ne mund t’i ndihmojmë të tjerët ekonomikisht, shoqërisht, fizikisht dhe shpirtërisht. Për shembull, mund t’u japim ushqim ose gjëra të tjera atyre që kanë nevojë për to. Ne mund t’u ndihmojmë nevojtarëve duke dhënë një ofertë agjërimi bujare. Mund të shoqërojmë një të porsaardhur. Mund të mbjellim një kopsht për një njeri të moshuar ose të kujdesemi për dikë që është sëmurë. Mund t’ia mësojmë ungjillin dikujt që ka nevojë për të vërtetën ose mund të ngushëllojmë dikë që është i trishtuar.

Ne mund të bëjmë vepra të vogla ose të mëdha shërbimi. Kurrë nuk duhet të heqim dorë nga ndihma për dikë, për shkak se nuk jemi në gjendje të bëjmë gjëra të mëdha. Një e ve tregoi për dy fëmijë që trokitën në derën e saj pak kohë pasi ishte transferuar në një qytet të ri. Fëmijët i sollën një shportë me ushqime dhe një shënim ku shkruhej: “Nëse keni nevojë që dikush t’ju ndihmojë për punët e shtëpisë, na telefononi.” E veja u gëzua nga kjo mirësi e vogël dhe kurrë nuk e harroi atë.

Megjithatë, ndonjë herë duhet të sakrifikojmë së tepërmi për t’i shërbyer dikujt. Shpëtimtari dha jetën e Tij për të na shërbyer ne.

  • Mendoni për njerëz në familjen apo komunitetin tuaj që janë në nevojë ekonomikisht, shoqërisht, fizikisht, apo shpirtërisht. Vrisni mendjen për gjëra që mund të bëni për t’u shërbyer atyre.

Përse Shpëtimtari Kërkon që t’u Shërbejmë të Tjerëve

  • Përse Zoti do që ne t’u shërbejmë të tjerëve?

Puna e Perëndisë kryhet nëpërmjet shërbimit të burrave e grave, djemve e vajzave. Presidenti Spenser W. Kimball shpjegoi: “Perëndia na shikon dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që ai i plotëson nevojat tona” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 82).

Gjatë gjithë jetës sonë ne varemi nga të tjerët për ndihmë. Kur jemi foshnja, prindërit na ushqejnë, na veshin dhe kujdesen për ne. Pa këtë kujdes do të kishim vdekur. Kur rritemi, njerëz të tjerë na mësojnë aftësi dhe sjellje. Shumë nga ne kanë pasur nevojë për kujdes kur kanë qenë të sëmurë ose për para në kriza financiare. Disa nga ne i kërkojnë Perëndisë të bekojë njerëzit që vuajnë dhe pastaj nuk bëjnë asgjë për ta. Ne duhet të kujtojmë se Perëndia punon nëpërmjet nesh.

Kur e ndihmojmë njëri-tjetrin, i shërbejmë Perëndisë. Mbreti Beniamin, një mbret i madh në kohën e Librit të Mormonit, i mësoi popullit të tij këtë parim nëpërmjet mënyrës se si jetoi. Ai u shërbeu atyre gjatë gjithë jetës, duke fituar jetesën e tij në vend që të mbahej nga populli. Në një predikim të frymëzuar ai shpjegoi pse e donte shërbimin me këto fjalë:

“Kur ju jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj. …

Dhe në qoftë se unë, të cilin ju e quani mbretin tuaj, punoj që t’ju shërbej, atëherë a nuk duhet që ju të punoni për t’i shërbyer njëri-tjetrit?” (Mosia 2:17–18).

  • Çfarë mund të bëjmë që të jemi të gatshëm të plotësojmë nevojat e të tjerëve?

Ne Marrim Bekime Nëpërmjet Shërbimit

  • Çfarë bekimesh marrim nëpërmjet shërbimit ndaj të tjerëve?

Kur u shërbejmë të tjerëve fitojmë bekime të rëndësishme. Nëpërmjet shërbimit, rrisim aftësinë për të dashur. Bëhemi më pak egoistë. Ndërsa mendojmë për problemet e të tjerëve, problemet tona duken më pak serioze. Ne duhet t’u shërbejmë të tjerëve që të fitojmë jetën e përjetshme. Perëndia ka thënë se ata që jetojnë me Të duhet t’i duan dhe t’u shërbejnë fëmijëve të Tij (shih Mateu 25:34–40).

Kur mendojmë për jetën e njerëzve që shërbejnë me vetëmohim, mund të shikojmë se ata fitojnë më tepër se japin. Një njeri i tillë ishte një shenjtor i ditëve të mëvonshme i quajtur Pol, i cili humbi që të dy këmbët në një aksident. Në të tilla raste disa njerëz mund të mbushen me zemërim dhe të bëhen të pavlefshëm, por përkundrazi Poli zgjodhi të mendonte për të tjerët. Ai mësoi një zanat dhe fitoi mjaft para sa bleu një shtëpi. Atje ai dhe e shoqja strehuan shumë të pastrehë dhe fëmijë të padëshiruar. Disa prej tyre kishin të meta të rënda fizike. Deri sa vdiq, njëzet vjet më vonë, ai u shërbeu këtyre fëmijëve dhe të tjerëve. Nga ana tjetër, ai vetë fitoi dashurinë e të tjerëve dhe nuk mendoi më për këmbët e tij të gjymtuara. Ai iu afrua më pranë Zotit.

Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Ne bëhemi më të pavarur kur u shërbejmë të tjerëve – vërtet, është më e lehtë të ‘gjejmë’ veten sepse ka shumë më tepër tek ne për të gjetur!” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball, f. 85–86).

Mundësi për të Shërbyer

Disa nga ne u shërbejnë vetëm atyre që u pëlqen t’u shërbejnë duke shmangur të gjithë të tjerët. Megjithatë, Jezusi na urdhëroi t’i duam dhe t’u shërbejmë të gjithëve. Ka shumë mundësi për të shërbyer (shih Mosia 4:15–19).

Mund t’u shërbejmë anëtarëve të familjeve tona. Bashkëshortët e bashkëshortet duhet të jenë të vetëdijshëm për nevojat e njëri-tjetrit. Prindërit duhet t’u shërbejnë fëmijëve të tyre jo vetëm duke i ushqyer dhe veshur, por edhe duke i mësuar, duke luajtur dhe punuar me ta. Fëmijët mund të shërbejnë duke ndihmuar në punët e shtëpisë dhe duke ndihmuar vëllezërit e motrat.

Bashkëshortët e bashkëshortet i shërbejnë dhe i ndihmojnë njëri-tjetrit. Ata mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin për t’u kujdesur për fëmijët dhe mund ta mbështesin njëri-tjetrin për interesat dhe aktivitetet e tyre. Një nënë dhe një baba mund të sakrifikojnë për të dërguar një fëmijë në mision. Një djalë më i madh mund të ngushëllojë një motër më të vogël që ka frikë nga errësira ose ta ndihmojë të mësojë të lexojë. Profetët tanë na kanë thënë se familja është njësia më e rëndësishme e shoqërisë. Ne duhet t’u shërbejmë mirë familjeve tona (shih Mosia 4:14–15).

Ne kemi shumë mundësi për t’u shërbyer fqinjëve e miqve tanë dhe madje të huajve. Nëse një fqinj po has vështirësi për të korrur prodhimet e tij para se të shpërthejë stuhia, ne mund ta ndihmojmë. Nëse një nënë është sëmurë, mund të kujdesemi për fëmijët e saj ose ta ndihmojmë për punët e shtëpisë. Nëse një i ri po largohet nga Kisha, mund ta sjellim sërish në Kishë. Nëse një fëmijë e vënë në lojë, mund të shoqërohemi me të dhe t’i bindim të tjerët të tregojnë mirësi. Nuk është e thënë t’i njohim njerëzit të cilëve u shërbejmë. Ne duhet të kërkojmë mundësi për t’u shërbyer sa më shumë fëmijëve të Atit tonë Qiellor që mundemi.

Nëse kemi talente të veçanta, duhet t’i përdorim ato për t’u shërbyer të tjerëve. Perëndia na bekon me talente dhe aftësi për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së të tjerëve.

Ne kemi mundësi për të shërbyer në Kishë. Një nga qëllimet e organizimit të Kishës është të na japë mundësi për të ndihmuar njëri-tjetrin. Anëtarët e Kishës shërbejnë duke kryer punë misionare, duke pranuar detyra udhëheqjeje, duke vizituar anëtarë të tjerë të Kishës, duke dhënë mësim në klasa të ndryshme dhe duke u marrë me punë të tjera të Kishës. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk ka kler profesionist, kështu që anëtarë të thjeshtë duhet të kryejnë të gjitha aktivitetet e Kishës.

  • Si mund t’i kushtojmë kohë të mjaftueshme familjes sonë, edhe me mundësitë tona të shumta për të dhënë shërbim në Kishë e komunitet?

Jezu Krishti Është Shembulli i Përkryer i Shërbimit

  • Cilat janë disa nga ndodhitë tuaja të parapëlqyera nga shkrimi i shenjtë në të cilat Shpëtimtari jep një shembull shërbimi?

Shpëtimtari na dha shembullin e përkryer të shërbimit. Ai shpjegoi se nuk erdhi në tokë për t’i shërbyer, por për t’u shërbyer të tjerëve dhe për të dhënë jetën e Tij për ne (shih Mateu 20:28).

Jezu Krishti na do të gjithëve më tepër nga ç’mund ta kuptojmë. Kur ishte në tokë Ai u shërbeu të varfërve, të paditurve, mëkatarëve, të përbuzurve. Ai ua mësoi ungjillin të gjithëve që e dëgjonin, ushqeu turma njerëzish të uritur që shkuan për ta dëgjuar, shëroi të sëmurët dhe ngriti të vdekurit.

Ai është Krijuesi i tokës dhe Shpëtimtari ynë, e megjithatë Ai kreu shumë akte të përulura shërbimi. Tamam para Kryqëzimit Ai u takua me dishepujt e Vet. Pasi u dha mësim atyre, mori legenin me ujë dhe një peshqir dhe u lau këmbët (shih Gjoni 13:4–10; shih gjithashtu figurën në këtë kapitull). Në atë kohë larja e këmbëve të një miku ishte një shenjë nderimi dhe zakonisht kryhej nga një shërbëtor. Jezusi e bëri këtë si një shembull të dashurisë dhe shërbimit. Kur ne u shërbejmë me dëshirë të tjerëve me një shpirt dashurie, bëhemi më tepër si Krishti.

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i shërbimit të Shpëtimtarit?

Shkrime të Shenjta të Tjera