Libra dhe Mësime
Kapitulli 6: Rënia e Adamit dhe e Evës


Kapitulli 6

Rënia e Adamit dhe e Evës

Pamja
Adam and Eve walking together after leaving the Garden of Eden. There are storm clouds in the sky, and plant growth along the path they are walking. There is a waterfall in the background.

Adami dhe Eva Ishin të Parët që Erdhën në Tokë

  • Cilat prova na ndihmojnë të dimë që Adami dhe Eva qenë shpirtra të guximshëm?

Perëndia përgatiti këtë tokë si një shtëpi për fëmijët e Tij. Adami dhe Eva u zgjodhën të ishin njerëzit e parë që do të jetonin në tokë (shih Moisiu 1:34; 4:26). Roli i tyre në planin e Atit tonë ishte të sillnin në botë vdekshmërinë. Ata do të ishin prindërit e parë. (Shih DeB 107:54–56.)

Adami dhe Eva ishin mes fëmijëve më fisnikë të Atit tonë. Në botën e shpirtrave Adami quhej Mikael kryeengjëlli (shih DeB 27:11; Judeut 1:9). Ai u zgjodh nga Ati ynë Qiellor për të udhëhequr të drejtët në betejë kundër Satanit (shih Zbulesa 12:7–9). Adami dhe Eva u parashuguruan për t’u bërë prindërit tanë të parë. Zoti i premtoi Adamit bekime të mëdha: “Unë të kam caktuar të jesh në krye; një mori kombesh do të vijë prej teje dhe ti je një princ mbi ta përgjithmonë” (DeB 107:55).

Eva qe “nëna e tërë të gjallëve” (Moisiu 4:26). Perëndia i solli së bashku në martesë Adamin dhe Evën sepse “nuk ishte mirë që njeriu të ishte i vetëm” (Moisiu 3:18; shih gjithashtu 1 Korintasve 11:11). Ajo kishte të njëjtën përgjegjësi si Adami dhe do të ketë gjithashtu të njëjtat bekime të përjetshme si edhe ai.

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembujt e Adamit dhe të Evës?

Kopshti i Edenit

  • Në çfarë kushtesh jetuan Adami dhe Eva në Kopshtin e Edenit?

Kur Adami dhe Eva u vendosën në Kopshtin e Edenit, ata nuk ishin ende të vdekshëm. Në këtë gjendje, “ata nuk do të kishin pasur fëmijë” (2 Nefi 2:23). Vdekja nuk ekzistonte. Ata kishin jetë fizike, sepse shpirtrat e tyre ishin vendosur brenda trupave fizikë të krijuar nga pluhuri i tokës (shih Moisiu 6:59; Abrahami 5:7). Ata kishin jetë shpirtërore, sepse ishin në prani të Perëndisë. Ata ende nuk kishin bërë një zgjedhje midis së mirës dhe së ligës.

Perëndia i urdhëroi ata të kishin fëmijë. Ai tha: “Jini të frytshëm dhe shumëzohuni e mbushni tokën dhe nënshtrojeni atë, dhe kini sundim mbi … çdo gjallesë që lëviz mbi tokë” (Moisiu 2:28). Perëndia u tha se ata mund të hanin lirisht nga çdo pemë e kopshtit përveç njërës, pemës së njohjes të së mirës dhe së ligës. Për atë pemë Perëndia tha: “Në ditën që do të hash prej saj, ti me siguri do të vdesësh” (Moisiu 3:17).

Satani, duke mos e njohur mendjen e Perëndisë, por duke kërkuar të shkatërronte planin e Perëndisë, shkoi te Eva në Kopshtin e Edenit. Ai e tundoi atë të hante frutin e pemës të njohjes të së mirës dhe së ligës. Ai e siguroi atë se ajo dhe Adami nuk do të vdisnin, por se do të bëheshin “si perënditë, duke njohur të mirën dhe të keqen” (Moisiu 4:11). Eva iu dorëzua tundimit dhe hëngri frutin. Kur Adami mësoi se ç’kishte ndodhur, edhe ai zgjodhi të merrte nga ai frut. Ndryshimet që i ndodhën Adamit dhe Evës si pasojë e ngrënies së frutit u quajtën Rënie.

Ndarja e Adamit dhe e Evës nga Perëndia

  • Çfarë ndryshimesh fizike e shpirtërore i ndodhën Adamit dhe Evës si rezultat i shkeljes së tyre?

Meqenëse Adami dhe Eva kishin ngrënë frutin e pemës së njohjes të së mirës dhe së ligës, Zoti i dëboi ata nga Kopshti i Edenit për në botë. Gjendja e tyre fizike ndryshoi si pasojë e ngrënies prej tyre të frutit të ndaluar. Siç kishte premtuar Perëndia, ata u bënë të vdekshëm. Ata dhe fëmijët e tyre do të provonin sëmundjen, dhembjen dhe vdekjen fizike.

Për shkak të shkeljes së tyre, Adami dhe Eva gjithashtu vuajtën vdekjen shpirtërore. Kjo do të thoshte se ata dhe fëmijët e tyre nuk do mund të ecnin dhe të bisedonin ballë për ballë me Perëndinë. Adami dhe Eva bashkë me fëmijët e tyre u ndanë nga Perëndia si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht.

Nga Shkelja Rezultuan Bekime të Mëdha

  • Si mundet që Rënia siguron mundësi që ne të bëhemi si Ati ynë Qiellor?

Disa njerëz besojnë se Adami dhe Eva kryen një mëkat serioz kur hëngrën nga pema e njohjes të së mirës dhe së ligës. Megjithatë, shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme na ndihmojnë të kuptojmë se Rënia e tyre ishte një hap i domosdoshëm në planin e jetës dhe një bekim i madh për të gjithë ne. Për shkak të Rënies, ne jemi bekuar me trupa fizikë, me të drejtën për të zgjedhur midis së mirës dhe së ligës, si edhe me mundësinë për të fituar jetë të përjetshme. Ne nuk do të kishim asnjë nga këto privilegje në qoftë se Adami dhe Eva do të kishin qëndruar në kopsht.

Pas Rënies Eva tha: “Po të mos ishte për shkeljen tonë, ne kurrë nuk do të kishim patur farë [fëmijë] dhe kurrë nuk do të kishim njohur të mirën dhe të keqen, dhe gëzimin e shëlbimit tonë, dhe jetën e përjetshme që Perëndia ua jep gjithë të bindurve” (Moisiu 5:11).

Profeti Lehi shpjegoi:

“Dhe tani, vini re, nëse Adami nuk do të kishte shkelur, ai nuk do të kishte rënë [të largohej nga prania e Perëndisë], por ai do të kishte qëndruar në kopshtin e Edenit. Dhe të gjitha gjërat që ishin krijuar, do të kishin qëndruar në të njëjtën gjendje që ato ishin pasi u krijuan; …

Dhe ata nuk do të kishin pasur fëmijë; prandaj ata do të kishin qëndruar në një gjendje pafajësie, pa patur gëzim, pasi ata nuk njihnin mjerim; duke mos bërë të mirë, pasi ata nuk njihnin mëkat.

Por, vini re, të gjitha gjërat janë bërë në diturinë e atij që i di të gjitha gjërat.

Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:22–25).

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të dimë për Rënien dhe ndikimin e saj mbi ne?

Shkrime të Shenjta të Tjera