Libra dhe Mësime
Kapitulli 15: Populli i Besëlidhjes së Zotit


Kapitulli 15

Populli i Besëlidhjes së Zotit

Pamja
The Old Testament prophet Abraham kneeling in prayer. Abraham is holding a staff in one hand and is looking toward the heavens as he prays. Sarah, the wife of Abraham, is depicted watching and with a look of humor on her face, from a tent portrayed in the background. Abraham and Sarah are depicted as elderly people.

Natyra e Besëlidhjeve

  • Çfarë është një besëlidhje? Pse shenjtorët e ditëve të mëvonshme quhen popull i besëlidhjes?

Që nga fillimi, Zoti ka bërë besëlidhje me fëmijët e Tij në tokë. Kur populli i Tij bën besëlidhje (ose premtime) me Të, ata e dinë çfarë pret Ai prej tyre dhe çfarë bekimesh mund të presin prej Tij. Ata mund ta kryejnë më mirë punën e Tij mbi tokë. Njerëzit që besëlidhin me Zotin dhe me të cilët Zoti bën besëlidhje njihen si populli i besëlidhjes së Zotit. Anëtarët e Kishës janë pjesë e popullit të besëlidhjes së Zotit.

Brenda ungjillit, një besëlidhje do të thotë një marrëveshje e shenjtë ose një premtim reciprok midis Perëndisë dhe një personi ose një grupi njerëzish. Kur bëhet një besëlidhje, Perëndia premton një bekim kundrejt bindjes ndaj urdhërimeve të veçanta. Ai vendos kushtet e besëlidhjeve të Tij dhe ia zbulon këto kushte profetëve të Tij. Nëse ne zgjedhim t’u bindemi kushteve të besëlidhjes, marrim bekimet e premtuara. Nëse zgjedhim të mos bindemi, Ai i tërheq bekimet dhe në disa raste jepet edhe një ndëshkim.

Për shembull, kur bashkohemi me Kishën ne bëjmë disa besëlidhje me Perëndinë (shih kapitullin 20 në këtë libër). Në pagëzim ne besëlidhim me Shpëtimtarin të marrim mbi vete emrin e Tij. Ai na premton se “sa vetë të pendohen dhe të pagëzohen në emrin tim, që është Jezu Krishti, dhe të durojnë deri në fund, të gjithë do të shpëtohen” (DeB 18:22). Ne besëlidhim me Zotin kur marrim sakramentin (shih kapitullin 23 në këtë libër). Ne premtojmë të marrim mbi vete emrin e Tij, ta kujtojmë Atë dhe t’u bindemi urdhërimeve të Tij. Na premtohet se Shpirti i Shenjtë do të jetë me ne. (Shih DeB 20:77–79.) Kur marrim ordinanca të tempullit, bëjmë premtime të tjera të shenjta dhe na premtohet ekzaltimi për bindje besnike (shih DeB 132; shih gjithashtu kapitullin 47 në këtë libër).

Perëndia ka bërë gjithashtu besëlidhje të veçanta me persona ose me grupe të veçantë. Ai bëri besëlidhje të veçantë me Adamin, Enokun, Noeun, fëmijët e Izraelit dhe Lehin (shih Moisiu 6:31–36, 52; Zanafilla 9:9–17; Eksodi 19:5–6; 2 Nefi 1). Ai bëri një besëlidhje të veçantë me Abrahamin dhe me pasardhësit e tij që bekon sot anëtarët e Kishës dhe gjithë kombet e tokës.

  • Mendoni për besëlidhjet që keni bërë me Perëndinë dhe bekimet që ju ka premtuar Ai për mbajtjen e këtyre besëlidhjeve.

Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin dhe Pasardhësit e Tij

  • Çfarë është besëlidhja e Abrahamit?

Abrahami, një profet i Dhiatës së Vjetër, ishte një njeri shumë i drejtë (shih figurën në këtë kapitull). Ai nuk pranoi të adhuronte idhujt e të atit. Ai mbajti të gjitha urdhërimet e Zotit. Për shkak të drejtësisë së Abrahamit, Zoti bëri një besëlidhje me të dhe pasardhësit e tij.

Zoti i premtoi Abrahamit se do të kishte pasardhës të panumërt. Ai i premtoi se të gjithëve atyre do t’u jepej mundësia të merrnin ungjillin, bekimet e priftërisë dhe të gjitha ordinancat e ekzaltimit. Këta pasardhës, nëpërmjet fuqisë së priftërisë, do t’ia çonin ungjillin të gjitha kombeve. Me anë të tyre, të gjitha familjet e tokës do të bekoheshin (shih Abrahami 2:11). Perëndia më tej premtoi se nëse ata do të ishin të drejtë, Ai do ta vendoste besëlidhjen e Tij me të gjithë brezat e fëmijëve të Abrahamit (shih Zanafilla 17:4–8).

  • Si zbatohen për ne urdhërimet dhe premtimet e besëlidhjes së Abrahamit? (Merrni parasysh se si zbatohet kjo pyetje në mjedise të ndryshme, si në shtëpi, në vendin e punës, në komunitet, apo si misionarë.)

Anëtarët e Kishës Janë një Popull i Besëlidhjes

  • Çfarë bekimesh dhe përgjegjësish i vijnë sot popullit të besëlidhjes së Perëndisë?

Pasardhësit e drejtpërdrejtë të Abrahamit nuk janë i vetmi popull që Perëndia e quan popullin e Tij të besëlidhjes. Duke i folur Abrahamit, Perëndia tha: “Të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të quhen sipas emrit tënd e do të llogariten si fara [pasardhja] jote dhe do të ngrihen e do të të bekojnë ty, si atin e tyre” (Abrahami 2:10). Kështu, dy grupe njerëzish përfshihen në besëlidhjen e bërë me Abrahamin: (1) Pasardhësit e drejtpërdrejtë të Abrahamit dhe (2) ata që adoptohen në pasardhjen e tij duke pranuar dhe jetuar ungjillin e Jezu Krishtit (shih 2 Nefi 30:2).

Kur pagëzohemi në Kishë, ne hyjmë në besëlidhjen që Zoti bëri me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin (shih Galatasve 3:26–29). Nëse jemi të bindur, ne trashëgojmë bekimet e asaj besëlidhjeje. Ne kemi të drejtën për të marrë ndihmë dhe udhëheqje nga Fryma e Shenjtë. Meshkujt e denjë kanë të drejtën të mbajnë priftërinë. Familjet mund të marrin bekimet e priftërisë. Mund të fitojmë jetën e përjetshme në mbretërinë çelestiale. Nuk ka bekime më të mëdha se këto.

Bashkë me këto bekime që marrim si populli i besëlidhjes së Zotit, ne kemi edhe përgjegjësi të mëdha. Zoti i premtoi Abrahamit se nëpërmjet pasardhësve të tij ungjilli do t’i çohej mbarë botës. Ne po e përmbushim këtë përgjegjësi me anë të programit të misionarëve kohë-plotë të Kishës dhe punës misionare të kryer nga anëtarët. Kjo mundësi për t’ia predikuar ungjillin mbarë botës i përket vetëm Kishës së Zotit dhe popullit të Tij të besëlidhjes.

Si populli i besëlidhjes së Zotit ne duhet të mbajmë urdhërimet e Tij. Zoti tha: “Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim” (DeB 82:10). Nëse e mohojmë besëlidhjen tonë pasi ta kemi pranuar ungjillin, besëlidhja bëhet e pavlefshme dhe ne do të qëndrojmë të dënuar para Perëndisë (shih DeB 132:4). Ai ka thënë: “Largohuni nga mëkati, përndryshe gjykime të ashpra bien mbi kokat tuaja. Sepse atij që shumë i është dhënë, shumë i kërkohet; dhe ai që mëkaton kundër dritës më të madhe, do ta marrë dënimin më të madh” (DeB 82:2–3).

Besëlidhja e Re dhe e Përjetshme

  • Çfarë premtojmë të bëjmë ne kur pranojmë ungjillin? Çfarë bekimesh na jep Ati Qiellor kur i mbajmë këto premtime?

Plotësia e ungjillit quhet besëlidhja e re dhe e përjetshme. Ajo përfshin besëlidhjet e bëra në pagëzim, gjatë sakramentit, në tempull dhe në çfarëdo raste të tjera. Zoti e quan atë të përjetshme sepse është shuguruar nga një Perëndi i përjetshëm dhe sepse besëlidhja nuk do të ndryshojë kurrë. Ai ia dha po këtë besëlidhje Adamit, Enokut, Noeut, Abrahamit dhe profetëve të tjerë. Në këtë kuptim ajo nuk është e re. Por Zoti e quan atë të re sepse, sa herë që ungjilli rivendoset në tokë pasi është hequr nga toka, ajo është e re për njerëzit që e marrin atë (shih Jeremia 31:31–34; Ezekieli 37:26).

Kur e pranojmë besëlidhjen e re dhe të përjetshme, ne pranojmë të pendohemi, të pagëzohemi, të marrim Frymën e Shenjtë, të marrim indaumentet tona, të marrim besëlidhjen e martesës në tempull dhe të ndjekim e t’i bindemi Krishtit deri në fund të jetës sonë. Kur mbajmë besëlidhjet tona, Ati ynë Qiellor na premton se do të marrim ekzaltim në mbretërinë çelestiale (shih DeB 132:20–24; shih gjithashtu kapitullin 47 në këtë libër).

Madhështia e atij premtimi është e vështirë për t’u kuptuar nga njerëzit e vdekshëm. Urdhërimet që Ai na jep janë për të mirën tonë dhe ndërsa jemi besnikë ne mund të ndajmë përgjithmonë bekimet dhe bukuritë e qiellit dhe të tokës. Ne mund të jetojmë në praninë e Tij dhe të marrim nga dashuria, dhembshuria, fuqia, madhështia, njohuria, urtësia, lavdia dhe sundimi i Tij.

  • Si lidhet qenia populli i besëlidhjes së Zotit me mënyrën si vishemi, veprojmë dhe mbajmë urdhërimet e Perëndisë?

Shkrime të Shenjta të Tjera dhe Burime të Tjera

  • 1 Pjetrit 2:9–10 (popull i veçantë)

  • DeB 54:4–6 (efekte të besëlidhjeve të mbajtura dhe të thyera)

  • DeB 132:7 (besëlidhjet e bëra nëpërmjet autoritetit të duhur)

  • DeB 133:57–60 (qëllimi i besëlidhjeve)

  • DeB 35:24 (premtime për bindje ndaj besëlidhjeve)

  • Hebrenjve 8:6 (Jezu Krishti është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë)

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besëlidhje”, f. 14