Libra dhe Mësime
Kapitulli 22: Dhuratat e Shpirtit


Kapitulli 22

Dhuratat e Shpirtit

Pamja
Two elder missionaries in Korea talking to a young man. They are standing on a sidewalk.

Dhuratat e Shpirtit

  • Çfarë dhuratash shpirtërore na jep Zoti?

Pas pagëzimit, secilit prej nesh na vendosen duart në kokë për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Nëse jemi besnikë, mund ta kemi ndikimin e Tij vazhdimisht me vete. Nëpërmjet Tij, secili nga ne mund të bekohet me disa fuqi shpirtërore që quhen dhuratat e Shpirtit. Këto dhurata u jepen atyre që janë besnikë ndaj Krishtit. “Gjithë këto dhurata vijnë nga Perëndia, për përfitimin e fëmijëve të Perëndisë” (DeB 46:26). Ato na ndihmojnë të njohim e të japim mësim të vërtetat e ungjillit. Ato do të na ndihmojnë të bekojmë të tjerët. Ato do të na drejtojnë përsëri tek Ati ynë Qiellor. Që t’i përdorim dhuratat tona me mençuri, duhet të dimë se cilat janë ato, si mund t’i zhvillojmë dhe si të dallojmë imitimet që Satani u bën atyre.

Shkrimet e shenjta përmendin shumë dhurata të Shpirtit. Këto dhurata u janë dhënë anëtarëve të Kishës së vërtetë sa herë ajo ka qenë mbi tokë (shih Marku 16:16–18). Dhuratat e Shpirtit përfshijnë sa vijon:

Dhurata e Gjuhëve (DeB 46:24)

Ndonjëherë është e domosdoshme ta ndajmë ungjillin në një gjuhë që nuk është e njohur për ne. Kur ndodh kjo, Zoti mund të na bekojë me aftësinë për ta folur atë gjuhë. Shumë misionarë kanë marrë dhuratën e gjuhëve (shih figurën në këtë kapitull). Për shembull, Plaku Alonco A. Hinkli ishte një misionar në Holandë i cili kuptonte e fliste vetëm fare pak holandisht megjithëse ishte lutur dhe kishte studiuar shumë. Kur u kthye në një shtëpi të cilën e kishte vizituar më parë, një zonjë hapi derën dhe iu drejtua me një ton tepër të ashpër në holandisht. Për habinë e tij ai mund të kuptonte çdo fjalë. Ai ndjeu një dëshirë të fuqishme për t’i dhënë dëshmi asaj në holandisht. Filloi të fliste dhe fjalët i dolën nga goja shumë qartë në holandisht. Por kur u kthye që t’i tregonte presidentit të misionit që mund të fliste holandisht, aftësia për të folur ishte larguar prej tij. Shumë anëtarë besnikë janë bekuar me dhuratën e gjuhëve. (Shih Joseph Fielding Smith, Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. [1957–1966], 2:32–33.)

Dhurata e Interpretimit të Gjuhëve (DeB 46:25)

Kjo dhuratë na jepet ndonjëherë kur nuk mund ta kuptojmë një gjuhë dhe na duhet të marrim një mesazh të rëndësishëm nga Perëndia. Për shembull, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei kishte një dëshirë të madhe t’u fliste shenjtorëve në Zelandën e Re pa përkthyes. Ai u tha atyre se shpresonte që Zoti do t’i bekonte që ata të mund ta kuptonin. Ai foli anglisht. Mesazhi i tij zgjati rreth 40 minuta. Ndërsa fliste, ai mundi të kuptonte nga shprehja në fytyrat e shumëve prej tyre dhe lotët në sytë e tyre se ata po e kuptonin mesazhin e tij. (Shih Answers to Gospel Questions, 2:30–31.)

Dhurata e Përkthimit (DeB 5:4)

Nëse jemi thirrur nga udhëheqësit e Kishës për të përkthyer fjalën e Zotit, mund të marrim dhuratën e përkthimit përtej aftësive tona të natyrshme. Ashtu si me të gjitha dhuratat, ne duhet të jetojmë drejtësisht, të studiojmë shumë dhe të lutemi për ta marrë atë. Kur i bëjmë këto gjëra, Zoti do të bëjë që të ndiejmë një zjarr brenda nesh për sa i përket saktësisë së përkthimit (shih DeB 9:8–9). Jozef Smithi kishte dhuratën e përkthimit kur përktheu Librin e Mormonit. Ai e merrte këtë dhuratë vetëm kur ishte në harmoni me Shpirtin.

Dhurata e Urtësisë (DeB 46:17)

Disa nga ne janë bekuar me aftësinë për të kuptuar njerëzit dhe parimet e ungjillit ndërsa zbatohen në jetën tonë. Na është thënë:

“Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.

Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.

Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti” (Jakobi [Bibla] 1:5–7).

Zoti tha: “Mos kërkoni pasuri, por urtësi dhe vini re, misteret e Perëndisë do t’ju shpalosen” (DeB 6:7).

Dhurata e Diturisë (DeB 46:18)

Gjithkush që bëhet si Ati Qiellor përfundimisht i di të gjitha gjërat. Dituria për Perëndinë dhe ligjet e Tij zbulohet me anë të Frymës së Shenjtë (shih DeB 121:26). Ne nuk mund të shpëtohemi nëse nuk i dimë këto ligje (shih DeB 131:6).

Zoti zbuloi: “Dhe në qoftë se një njeri fiton më shumë dije dhe inteligjencë në këtë jetë, nëpërmjet zellit dhe bindjes, sesa një tjetër, ai do të ketë po aq më shumë përparësi në botën që vjen” (DeB 130:19). Zoti na ka urdhëruar të mësojmë sa më shumë të mundemi rreth punës së Tij. Ai dëshiron që ne të mësojmë rreth qiejve, tokës, gjërave që kanë ndodhur ose që do të ndodhin, gjërave që ndodhin brenda dhe jashtë vendit tonë (shih DeB 88:78–79). Megjithatë, ka disa që përpiqen të fitojnë dituri vetëm nëpërmjet studimit të tyre. Ata nuk kërkojnë ndihmën e Frymës së Shenjtë. Këta janë ata që mësojnë gjithmonë duke mos arritur kurrë tek e vërteta (shih 2 Timoteut 3:7). Kur marrim dituri me anë të zbulesës nga Fryma e Shenjtë, Shpirti i Tij u flet mendjeve dhe zemrave tona (shih DeB 6:15, 22–24; 8:2; 9:7–9).

Dhurata për të Dhënë Mësim Dituri e Njohuri (Moroni 10:9–10)

Disa njerëzve iu është dhënë një aftësi e veçantë për të shpjeguar dhe dëshmuar për të vërtetat e ungjillit. Kjo dhuratë mund të përdoret kur i japim mësim një klase. Ajo mund të përdoret nga prindërit për të mësuar fëmijët e tyre. Kjo dhuratë na ndihmon gjithashtu për të udhëzuar të tjerët që edhe ata të mund të kuptojnë ungjillin.

Dhurata e Njohjes se Jezu Krishti Është Biri i Perëndisë (DeB 46:13)

Kjo ka qenë dhurata e profetëve dhe apostujve që janë thirrur si dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit. Megjithatë, edhe të tjerëve u është dhënë kjo dhuratë. Çdo person mund të ketë një dëshmi me anë të pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë. Presidenti Dejvid O. Mek-Kei dha mësim: “Disave u jepet, thotë Zoti në Doktrina e Besëlidhje, të dinë me anë të Frymës së Shenjtë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se Ai u kryqëzua për mëkatet e botës [shih DeB 46:13]. Kësaj i referohem që [ata] qëndrojnë të paepur mbi shkëmbin e zbulesës në dëshminë që i japin botës” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 166).

Dhurata e të Besuarit të Dëshmisë së të Tjerëve (DeB 46:14)

Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ne mund të dimë të vërtetën e të gjitha gjërave. Në qoftë se duam të dimë nëse dikush tjetër po thotë të vërtetën, duhet ta pyesim Perëndinë me besim. Nëse ajo për të cilën po lutemi është e vërtetë, Zoti do të na flasë paqe në mendje (shih DeB 6:22–23). Në këtë mënyrë ne mund të dimë se kur dikush tjetër, madje edhe profeti, ka marrë zbulesë. Nefi i kërkoi Zotit që ta lejonte të shikonte, ndiente dhe dinte se ëndrra e të atit ishte e vërtetë (shih 1 Nefi 10:17–19).

Dhurata e Profecisë (DeB 46:22)

Ata që marrin zbulesa të vërteta rreth së kaluarës, së tashmes apo së ardhmes kanë dhuratën e profecisë. Profetët e kanë këtë dhuratë, por edhe ne mund ta kemi atë për të na ndihmuar për të qeverisur jetën tonë (shih 1 Korintasve 14:39). Ne mund të marrim zbulesa nga Perëndia për vete dhe për thirrjet tona, por kurrë për Kishën ose udhëheqësit e saj. Është në kundërshtim me rendin e qiellit që një njeri të marrë zbulesë për dikë që nuk e kryeson. Nëse e kemi me të vërtetë dhuratën e profecisë, nuk do të marrim asnjë zbulesë që nuk përputhet me atë që Zoti ka thënë në shkrimet e shenjta.

Dhurata e Shërimit (DeB 46:19–20)

Disa kanë besimin për të shëruar dhe të tjerët kanë besim për t’u shëruar. Ne të gjithë mund të ushtrojmë besim për t’u shëruar kur jemi të sëmurë (shih DeB 42:48). Shumë nga ata që mbajnë priftërinë kanë dhuratën e shërimit të të sëmurëve. Të tjerëve mund t’u jepet njohuria si të kurojnë sëmundje.

Dhurata e Kryerjes së Mrekullive (DeB 46:21)

Zoti e ka bekuar popullin e Tij shumë herë nëpërmjet mrekullive. Kur pionierët në Juta mbollën drithërat e tyre të para, një epidemi karkalecash pothuajse i shkatërroi ato. Pionierët u lutën që Zoti t’i shpëtonte drithërat e tyre dhe Ai dërgoi pulëbardhat për të ngrënë karkalecat. Kur kemi nevojë për ndihmë dhe lutemi me besim, nëse është për të mirën tonë Zoti do të bëjë mrekulli për ne (shih Mateu 17:20; DeB 24:13–14).

Dhurata e Besimit (Moroni 10:11)

Vëllai i Jaredit kishte besim të madh. Për shkak të besimit të tij, ai mori edhe dhurata të tjera. Besimi i tij ishte aq i madh saqë atij iu shfaq Shpëtimtari (shih Ethëri 3:9–15). Pa besim nuk mund të na jepet asnjë dhuratë. Moroni premton: “Kush beson në Krisht pa dyshuar asgjë, çdo gjë që i kërkon Atit në emrin e Krishtit do t’i jepet atij” (Mormoni 9:21). Ne duhet të përpiqemi për të rritur besimin tonë, për të gjetur dhuratat tona dhe për t’i përdorur ato.

Disa njerëz nuk kanë besim dhe e mohojnë faktin që këto dhurata të Shpirtit ekzistojnë. Atyre Moroni u thotë:

“Dhe përsëri unë ju flas juve që mohoni zbulesat e Perëndisë dhe thoni se ato nuk ndodhin më, se nuk ka më zbulesa, as profeci, as dhurata, as shërim, as të folur në gjuhë dhe interpretim gjuhësh;

Vini re, unë ju them juve se ai që i mohon këto gjëra, nuk e njeh ungjillin e Krishtit; po, ai nuk i ka lexuar shkrimet e shenjta; në qoftë se i ka lexuar, nuk i kupton” (Mormoni 9:7–8).

  • Përse Zoti na jep dhurata shpirtërore?

Ne Mund t’i Zhvillojmë Dhuratat Tona

  • Si mundemi ne të “[kërkojmë] me zell dhuratat më të mira”? (DeB 46:8).

Zoti ka thënë: “Sepse të gjithë nuk e kanë çdo dhuratë të dhënë atyre; sepse ka shumë dhurata dhe çdo njeriu i jepet një dhuratë me anë të Shpirtit të Perëndisë. Disave u jepet një dhuratë dhe disave u jepet një tjetër, me qëllim që të gjithë të mund të përfitojnë në këtë mënyrë” (DeB 46:11–12).

Për të zhvilluar dhuratat tona, ne duhet të zbulojmë se cilat dhurata kemi. Këtë e bëjmë duke u lutur dhe agjëruar. Ne duhet të kërkojmë dhuratat më të mira (shih DeB 46:8). Ndonjëherë bekimet patriarkale do të na tregojnë se cilat dhurata na janë dhënë.

Ne duhet të jemi të bindur dhe besnikë që të na jepen këto dhurata. Më pas duhet t’i përdorim ato për të kryer punën e Zotit. Ato nuk na janë dhënë për të na kënaqur kureshtjen ose për të na provuar diçka sepse na mungon besimi. Për dhuratat shpirtërore, Zoti tha: “Ato jepen për përfitimin e atyre që më duan e që i zbatojnë të gjitha urdhërimet e mia, dhe të atij që kërkon të bëjë kështu” (DeB 46:9).

  • Mendoni për disa dhurata shpirtërore që do t’ju forconin juve personalisht ose do t’ju ndihmonin t’i shërbenit Zotit dhe të tjerëve. Çfarë do të bëni për t’i kërkuar këto dhurata?

Satani Imiton Dhuratat e Shpirtit

  • Si mund t’i dallojmë dhuratat e vërteta të Shpirtit nga imitimet e Satanit?

Satani mund të imitojë dhuratat e gjuhëve, profecisë, vegimeve, shërimeve dhe mrekulli të tjera. Moisiut iu desh të hahej me imitimet e Satanit në oborrin e Faraonit (shih Eksodi 7:8–22). Satani do që ne të besojmë në profetët e tij të rremë, në shëruesit e rremë dhe në mrekullibërësit e rremë. Ata mund të na duken kaq të vërtetë saqë e vetmja mënyrë për të kuptuar është t’i kërkojmë Perëndisë dhuratën e dallimit. Vetë djalli mund të shfaqet si një engjëll drite (shih 2 Nefi 9:9).

Satani do të na verbojë ndaj të vërtetës dhe të na mbajë larg kërkimit të dhuratave të vërteta të Shpirtit. Shortarët, astrologët, parashikuesit e fatit dhe magjistarët janë të frymëzuar nga Satani edhe nëse pretendojnë se ndjekin Perëndinë. Veprat e tyre janë të neveritshme për Zotin (shih Isaia 47:12–14; Ligji i Përtërirë 18:9–10). Ne duhet të shmangim të gjitha shoqërimet me fuqitë e Satanit.

Duhet të Tregohemi të Kujdesshëm me Dhuratat Tona të Shpirtit

  • Si mund ta respektojmë shenjtërinë e dhuratave shpirtërore?

Zoti tha: “Por një urdhërim unë iu jap atyre, që ata nuk duhet të mburren për këto gjëra as t’i thonë ato përpara botës; sepse këto gjëra ju jepen juve për përfitimin tuaj dhe për shpëtim” (DeB 84:73). Ne duhet të kujtojmë se dhuratat shpirtërore janë të shenjta (shih DeB 6:10).

Në këmbim të dhënies së këtyre dhuratave, Zoti na kërkon që ne “t’i [japim] falënderime Perëndisë në Shpirt për çfarëdolloj bekimi me të cilin [jemi] bekuar” (DeB 46:32).

Shkrime të Shenjta të Tjera