Libra dhe Mësime
Kapitulli 3: Jezu Krishti, Udhëheqësi dhe Shpëtimtari Ynë i Zgjedhur


Kapitulli 3

Jezu Krishti, Udhëheqësi dhe Shpëtimtari Ynë i Zgjedhur

Pamja
Cropped portion of Carl Bloch's painting depicting Christ sitting at a table with the two men with whom He walked on the road to Emmaus.

Nevojitej një Shpëtimtar dhe një Udhëheqës

  • Përse na duhej të largoheshim nga prania e Atit Qiellor? Përse na duhet një Shpëtimtar?

Kur plani për shpëtimin tonë na u paraqit në botën para lindjes të shpirtrave, ne qemë aq të lumtur saqë lëshuam britma gëzimi (shih Jobi 38:7).

E kuptuam se do të na duhej të largoheshim për disa kohë nga shtëpia jonë qiellore. Nuk do të jetonim në praninë e Atit tonë Qiellor. Ndërkohë që do të ishim larg Tij, ne të gjithë do të mëkatonim dhe disa prej nesh do të shkonin në udhë të gabuar. Ati ynë Qiellor e njihte dhe e donte secilin prej nesh. Ai e dinte se ne do të kishim nevojë për ndihmë, prandaj planifikoi një mënyrë për të na ndihmuar.

Ne kishim nevojë për një Shpëtimtar që të paguante për mëkatet tona dhe të na mësonte si të riktheheshim tek Ati ynë Qiellor. Ati ynë tha: “Kë të dërgoj?” (Abrahami 3:27). Jezu Krishti, i cili quhej Jehova, tha: “Ja ku jam, dërgomë mua” (Abrahami 3:27; shih gjithashtu Moisiu 4:1–4).

Jezusi ishte i gatshëm të vinte në tokë, të jepte jetën e Tij për ne dhe të merrte mbi Vete mëkatet tona. Ai, ashtu si Ati ynë Qiellor, dëshironte që ne të zgjidhnim nëse do t’u bindeshim urdhërimeve të Atit Qiellor. Ai e dinte se ne duhet të ishim të lirë të zgjidhnim me qëllim që të provoheshim të denjë për ekzaltim. Jezusi tha: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë” (Moisiu 4:2).

Satani, i cili quhej Lucifer, u ofrua gjithashtu duke thënë: “Vër re, ja ku jam unë, dërgomë mua, unë do të jem biri yt dhe do ta shëlboj gjithë njerëzimin, që asnjë shpirt të mos humbasë, dhe sigurisht do ta bëj atë; si rrjedhim, ma jep mua lavdinë tënde” (Moisiu 4:1). Satani donte të na detyronte të gjithëve të zbatonim vullnetin e tij. Sipas planit të tij, ne nuk do të na lejohej të zgjidhnim. Ai do të na mohonte lirinë e zgjedhjes që Ati ynë na kishte dhënë. Satani donte të kishte të gjithë nderimin për shpëtimin tonë. Sipas propozimit të tij, qëllimi ynë i ardhjes në tokë do të pengohej (shih Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 207).

Jezu Krishti u Bë Udhëheqësi dhe Shpëtimtari ynë i Zgjedhur

  • Kur të lexoni këtë seksion, mendoni për ndjenjat që keni për Shpëtimtarin.

Pasi i dëgjoi fjalët e të dy bijve, Ati Qiellor tha: “Do të dërgoj të parin” (Abrahami 3:27).

Jezu Krishti u zgjodh dhe u parashugurua të ishte Shpëtimtari ynë. Shumë shkrime të shenjta na tregojnë për këtë (shih për shembull 1 Pjetrit 1:19–20; Moisiu 4:1–2). Një shkrim na tregon se shumë kohë para se Jezusi të lindte, Ai iu shfaq një profeti të Librit të Mormonit të njohur si vëllai i Jaredit dhe i tha: “Vër re, unë jam ai që u përgatit nga krijimi i botës të shëlbojë popullin tim. Vër re, unë jam Jezu Krishti. … Në mua, i tërë njerëzimi do të ketë jetë dhe atë do ta ketë përjetësisht, madje, ata që do të besojnë në emrin tim” (Ethëri 3:14).

Kur Jezusi jetoi në tokë, Ai na mësoi: “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar. … Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit” (Gjoni 6:38, 40).

Lufta në Qiell

Meqenëse Ati ynë Qiellor zgjodhi Jezu Krishtin të ishte Shpëtimtari ynë, Satani u zemërua dhe u rebelua. U bë luftë në qiell. Satani dhe pasuesit e tij luftuan kundër Jezu Krishtit dhe pasuesve të Tij. Pasuesit e Shpëtimtarit “fituan [mbi Satanin] me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre” (Zbulesa 12:11).

Në këtë rebelim të madh, Satani dhe të gjithë shpirtrat që e ndoqën atë u dëbuan nga prania e Perëndisë dhe u flakën nga qielli. Një e treta e ushtrive të qiellit u ndëshkuan, sepse ndoqën Satanin (shih DeB 29:36). Atyre iu mohua e drejta për të marrë trupa të vdekshëm.

Meqenëse jemi këtu në tokë dhe kemi trupa të vdekshëm, ne e dimë se zgjodhëm të ndiqnim Jezu Krishtin dhe Atin tonë Qiellor. Satani dhe pasuesit e tij janë gjithashtu në tokë, por si shpirtra. Ata nuk e kanë harruar se kush jemi ne dhe janë rreth nesh çdo ditë, duke na tunduar dhe joshur të bëjmë gjëra që nuk janë të kënaqshme për Atin tonë Qiellor. Në jetën tonë para lindjes, ne zgjodhëm të ndjekim Jezu Krishtin dhe të pranojmë planin e Perëndisë. Ne duhet të vazhdojmë të ndjekim Jezu Krishtin këtu në tokë. Vetëm duke ndjekur Atë mund të kthehemi në shtëpinë tonë qiellore.

  • Në çfarë mënyrash vazhdon sot Lufta në Qiell?

Ne Kemi Mësimet e Shpëtimtarit që Duhet t’i Ndjekim

  • Mendoni se si ju kanë ndikuar mësimet e Shpëtimtarit.

Që nga fillimi, Jezu Krishti ka zbuluar ungjillin, i cili na tregon se çfarë duhet të bëjmë për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor. Në kohën e caktuar Ai erdhi Vetë në tokë. Ai na mësoi planin e shpëtimit dhe ekzaltimit nëpërmjet fjalës së Tij dhe mënyrës se si jetoi. Ai krijoi Kishën dhe priftërinë e Tij në tokë. Ai mori mbi Vete mëkatet tona.

Duke ndjekur mësimet e Tij, mund të trashëgojmë një vend në mbretërinë çelestiale. Ai e kreu pjesën e Tij për të na ndihmuar të kthehemi në shtëpinë tonë qiellore. Tani varet nga secili prej nesh të bëjmë pjesën tonë dhe të bëhemi të denjë për ekzaltim.

Shkrime të Shenjta të Tjera