Libra dhe Mësime
Kapitulli 12: Shlyerja


Kapitulli 12

Shlyerja

Pamja
Jesus Christ depicted leaning on a rock in the Garden of Gethsemane. The image depicts the Atonement of Christ.

Shlyerja Është e Domosdoshme për Shpëtimin Tonë

  • Përse Shlyerja është e domosdoshme për shpëtimin tonë?

Jezu Krishti “erdhi në botë … që të kryqëzohej për botën dhe të merrte mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia; Se nëpërmjet tij të gjithë mund të shpëtohen” (DeB 76:41–42). Sakrifica e madhe që bëri Ai për të paguar për mëkatet tona dhe për të mposhtur vdekjen quhet Shlyerje. Ajo është ngjarja më e rëndësishme që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit: “Pasi është e nevojshme që një shlyerje duhet bërë; pasi, sipas planit të madh të Perëndisë së Amshuar, duhet të bëhet një shlyerje, përndryshe i tërë njerëzimi do të mbarojë patjetër; … po, të gjithë kanë rënë dhe kanë humbur dhe duhet të mbarojnë po të mos ishte për shlyerjen” (Alma 34:9).

Rënia e Adamit solli dy lloj vdekjesh në botë: vdekjen fizike dhe vdekjen shpirtërore. Vdekja fizike është ndarja e trupit nga shpirti. Vdekja shpirtërore është ndarje nga Perëndia. Nëse këto dy lloj vdekjesh nuk do të ishin mposhtur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, do të rezultonin dy pasoja: trupat dhe shpirtrat tanë do të mbeteshin të ndarë përgjithmonë dhe nuk do të kishim mundësi të jetonim përsëri me Atin tonë Qiellor (shih 2 Nefi 9:7–9).

Por Ati ynë i urtë Qiellor përgatiti një plan të mrekullueshëm e të mëshirshëm për të na shpëtuar nga vdekja fizike dhe shpirtërore. Ai planifikoi që një Shpëtimtar të vinte në tokë për të na shpenguar (shëlbuar) nga mëkatet dhe vdekja. Për shkak të mëkateve tona dhe dobësisë së trupave tanë fizikë, ne nuk mund ta shpengojmë veten (shih Alma 34:10–12). Ai që do të ishte Shpëtimtari ynë duhej të ishte pa mëkat dhe të kishte fuqi mbi vdekjen.

Jezu Krishti Ishte i Vetmi Që Mund të Shlyente Mëkatet Tona

  • Përse Jezu Krishti ishte i vetmi që mund të shlyente mëkatet tona?

Ka disa arsye se përse Jezu Krishti ishte i vetmi që mund të ishte Shpëtimtari ynë. Një arsye është se Ati Qiellor e zgjodhi Atë të ishte Shpëtimtari. Ai ishte Biri i Vetëmlindur i Perëndisë dhe prandaj kishte fuqinë mbi vdekjen. Jezusi shpjegoi: “Unë e lë jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri” (Gjoni 10:17–18).

Jezusi gjithashtu plotësoi kërkesat për të qenë Shpëtimtari ynë, sepse Ai është i vetmi person që ka jetuar ndonjëherë në tokë dhe nuk ka mëkatuar. Kjo e bëri Atë një sakrificë të denjë për të paguar për mëkatet e të tjerëve.

Krishti Vuajti dhe Vdiq për të Shlyer Mëkatet Tona

  • Kur të lexoni këtë seksion, përfytyrojeni veten në Kopshtin e Gjetsemanit apo në kryq si dëshmitar i vuajtjes së Jezu Krishtit.

Shpëtimtari shleu mëkatet tona duke vuajtur në Gjetsemani dhe duke dhënë jetën e Tij në kryq. Është e pamundur që ne ta kuptojmë plotësisht se sa vuajti Ai për të gjitha mëkatet tona. Në Kopshtin e Gjetsemanit, pesha e mëkateve tona e bëri Atë të ndiente një agoni të tillë saqë i rrodhi gjak nga çdo por (shih DeB 19:18–19). Më pas, ndërsa e varën në kryq, Jezusi vuajti një vdekje të dhimbshme nëpërmjet një prej metodave më mizore të njohura nga njeriu.

Sa shumë na do Jezusi saqë vuajti një agoni të tillë shpirtërore dhe fizike për ne! Sa e madhe është dashuria e Atit Qiellor që dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të vuajtur dhe vdekur për gjithë fëmijët e tjerë të Tij! “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).

Shlyerja dhe Ringjallja Sjellin Ringjalljen e të Gjithëve

Në të tretën ditë pas Kryqëzimit, Krishti mori sërish trupin e Tij dhe u bë i pari person i ringjallur. Kur shokët shkuan për ta kërkuar, engjëjt që ruanin varrin e Tij u thanë: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall” (Mateu 28:6). Shpirti i Tij kishte hyrë sërish në trupin e Tij, për të mos u ndarë më kurrë.

Kështu Krishti mposhti vdekjen fizike. Për shkak të Shlyerjes së Tij, të gjithë ata që lindin në këtë tokë do të ringjallen (shih 1 Korintasve 15:21–22). Po ashtu si u ringjall Jezusi, edhe shpirtrat tanë do të ribashkohen me trupat tanë “që ata të mos vdesin më … për të mos u ndarë kurrë më” (Alma 11:45). Kjo gjendje quhet pavdekësi. Të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë në tokë do të ringjallen “si pleq dhe të rinj, si robër dhe të lirë, si meshkuj dhe femra, si … të këqijtë ashtu dhe … të drejtët” (Alma 11:44).

  • Si ju ka ndihmuar kjo njohuri për Ringjalljen?

Shlyerja Bën të Mundur për Ata Që Kanë Besim te Krishti që të Shpëtohen nga Mëkatet e Tyre

  • Mendoni se si shëmbëlltyra në këtë seksion na ndihmon të kuptojmë Shlyerjen. Cilin përfaqësojnë në jetën tonë njerëzit në shëmbëlltyrë?

Shlyerja e Shpëtimtarit bën të mundur që ne të mposhtim vdekjen shpirtërore. Megjithëse të gjithë njerëzit do të ringjallen, vetëm ata që pranojnë Shlyerjen do të shpëtohen nga vdekja shpirtërore (shih Nenet e Besimit 1:3).

Ne e pranojmë Shlyerjen e Krishtit duke e vendosur besimin tonë tek Ai. Nëpërmjet këtij besimi, ne pendohemi për mëkatet tona, pagëzohemi, marrim Frymën e Shenjtë dhe u bindemi urdhërimeve të Tij. Ne bëhemi dishepuj besnikë të Jezu Krishtit. Kështu ne falemi, dhe pastrohemi nga mëkati, dhe përgatitemi të rikthehemi të jetojmë përgjithmonë me Atin tonë Qiellor.

Shpëtimtari na thotë: “Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë … po aq sa unë” (DeB 19:16–17). Krishti bëri pjesën e Tij për të shlyer mëkatet tona. Për ta bërë Shlyerjen e Tij plotësisht efikase në jetën tonë, ne duhet të orvatemi t’i bindemi Atij dhe të pendohemi për mëkatet tona.

Presidenti Bojd K. Paker, i Këshillit të Të Dymbëdhjetëve, dha ilustrimin e mëposhtëm për të treguar se si Shlyerja e Krishtit bën të mundur që të shpëtohemi nga mëkati nëse bëjmë pjesën tonë.

“Më lejoni t’ju tregoj një histori – një shëmbëlltyrë.

Na ishte një herë një burrë që dëshironte diçka me gjithë zemër. Ajo dukej më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në jetë. Për ta realizuar dëshirën e tij, ai hyri në një borxh shumë të madh.

E kishin paralajmëruar të mos hynte në një borxh aq të madh dhe veçanërisht e kishin paralajmëruar për huadhënësin e tij. Por për të dukej kaq e rëndësishme të bënte atë që donte dhe të kishte atë që donte pikërisht në atë çast. Ishte i sigurt se mund ta paguante më vonë.

Kështu nënshkroi një kontratë. Do ta paguante borxhin me kalimin e kohës. Nuk u shqetësua shumë për këtë, sepse afati i pagesës dukej shumë larg. E kishte marrë atë që donte tani dhe kjo dukej të ishte më e rëndësishme.

Huadhënësi ishte gjithmonë diku aty në mendjen e tij dhe herë pas herë ai bëri disa pagesa simbolike duke menduar se në një farë mënyre dita kur të bëheshin llogaritë në të vërtetë nuk do të vinte kurrë.

Por siç ndodh gjithmonë, dita erdhi dhe kontrata skadoi. Borxhi nuk ishte paguar plotësisht. Huadhënësi u shfaq dhe i kërkoi pagesën e plotë.

Vetëm atëherë ai e kuptoi se huadhënësi i tij jo vetëm kishte fuqinë të konfiskonte çdo gjë që ai kishte, por edhe fuqinë për ta hedhur atë vetë në burg.

‘Nuk mund të të paguaj, sepse nuk kam mundësi’, pranoi ai.

‘Atëherë’, tha huadhënësi, ‘do ta zbatojmë kontratën, do të marrim çdo gjë që ke dhe ti do të shkosh në burg. Ti e pranove këtë. Ishte zgjedhja jote. Nënshkrove kontratën dhe tani ajo duhet zbatuar.’

‘A nuk mund ta shtysh afatin e pagesës, ose të ma falësh borxhin?’ lypi borxhliu. ‘Bëj të mundur që në një farë mënyre të mbaj atë që është e imja dhe të mos shkoj në burg. Sigurisht, ti beson në mëshirë, apo jo? A nuk do të tregosh mëshirë?’

Huadhënësi u përgjigj: ‘Mëshira është gjithmonë tepër e njëanshme. Do të të shërbente vetëm ty. Nëse unë tregoj mëshirë, nuk do të marr atë që më takon. Unë kërkoj vetëm drejtësi. A beson ti në drejtësi?’

‘Unë besoja në drejtësi kur e nënshkrova kontratën’, tha borxhliu. ‘Ajo ishte në anën time në atë kohë, sepse mendova se do të më mbronte. Në atë kohë nuk kisha nevojë për mëshirë, as nuk mendova se do të kisha nevojë ndonjëherë. Prandaj mendova se drejtësia do të na shërbente të dyve njësoj.’

‘Është drejtësia që kërkon nga ty ta paguash borxhin ose të vuash dënimin’, iu përgjigj huadhënësi. ‘Ky është ligji. Ti e ke pranuar dhe kështu duhet të jetë. Mëshira nuk mund ta grabisë drejtësinë.’

Ja ku ishin: njëri duke ushtruar drejtësi, tjetri duke u lutur për mëshirë. Asnjëri nuk mund të triumfonte përveçse në kurriz të tjetrit.

‘Po të mos ma falësh borxhin, s’do të ketë mëshirë’, u lut borxhliu.

‘Po të ta fal, nuk do të ketë drejtësi’, ishte përgjigjja.

Me sa dukej ishte e pamundur të zbatoheshin të dy ligjet. Ato janë dy ideale të përjetshme që duket se e kundërshtojnë njëri-tjetrin. A nuk ekziston një mënyrë që drejtësia të përmbushet dhe po kështu edhe mëshira?

Ka një mënyrë! Ligji i drejtësisë mund të kënaqet plotësisht dhe mëshira mund të jepet plotësisht – por kërkon dikë tjetër. Dhe kështu ndodhi këtë herë.

Borxhliu kishte një mik. Ai e ndihmoi. Ai e njihte mirë borxhliun. E dinte se ishte dritëshkurtër. Mendoi se ishte marrëzi që e kishte ngatërruar veten në një situatë të tillë. E megjithatë, ai donte ta ndihmonte mikun e tij sepse e donte. Ai u fut mes tyre, u drejtua nga huadhënësi dhe bëri ofertën e tij.

‘Do ta paguaj unë borxhin nëse e liron borxhliun nga kontrata e tij që të mund të mbajë pronat dhe të mos shkojë në burg.’

Ndërsa huadhënësi po mendohej për ofertën, ndërmjetësi shtoi: ‘Ti kërkove drejtësi. E megjithëse ai nuk mund të të paguajë, do të paguaj unë. Çdo gjë do të jetë në rregull për ty dhe nuk mund të kërkosh më tepër. Nuk do të ishte e drejtë.’

Dhe kështu huadhënësi pranoi.

Më pas ndërmjetësi u kthye nga borxhliu. ‘Nëse paguaj borxhin tënd, a do të më pranosh mua si huadhënësin tënd?’

‘Oh po, po’, thirri borxhliu. ‘Ti më shpëtove nga burgu dhe tregove mëshirë për mua.’

‘Atëherë’, tha mirëbërësi, ‘ti do të ma paguash mua borxhin dhe unë do të caktoj kushtet. Nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë e mundur. Unë do të siguroj një mënyrë. Nuk ka përse të shkosh në burg.’

Dhe kështu huadhënësin e paguan deri në qindarkën e fundit. Drejtësia i ishte zbatuar. Kontrata nuk ishte shkelur.

Nga ana tjetër borxhliut iu dha mëshira. Të dy ligjet u përmbushën. Meqenëse kishte një ndërmjetës, drejtësia mori pjesën e saj të plotë dhe mëshira u përmbush plotësisht” (në Conference Report, prill 1977, f. 79–80; ose Ensign, maj 1977, f. 54–55).

Mëkatet tona janë borxhet tona shpirtërore. Pa Jezu Krishtin, që është Shpëtimtari dhe Ndërmjetësi ynë, ne të gjithë do të paguanim për mëkatet tona duke vuajtur vdekjen shpirtërore. Por për shkak të Tij, nëse zbatojmë kushtet e vendosura prej Tij, që janë të pendohemi dhe të mbajmë urdhërimet e Tij, do të mund të rikthehemi për të jetuar me Atin tonë Qiellor.

Është e mrekullueshme që Krishti na ka dhënë një mënyrë për t’u shëruar nga mëkatet tona. Ai tha:

“Vini re, unë erdha në botë … për ta shpëtuar botën nga mëkati.

Prandaj, kushdo që pendohet dhe vjen tek unë si një fëmijë i vogël, atë do ta pranoj, pasi për të tillë është mbretëria e Perëndisë. Vini re, për këtë gjë unë dhashë jetën time dhe e mora përsëri; prandaj pendohuni dhe ejani tek unë, ju skaje të tokës dhe shpëtohuni” (3 Nefi 9:21–22).

  • Mendohuni se si mund të tregoni mirënjohje për dhuratën e Shlyerjes.

Shkrime të Shenjta të Tjera