Libra dhe Mësime
Kapitulli 37: Përgjegjësitë Familjare


Kapitulli 37

Përgjegjësitë Familjare

Pamja
An Asian family gathered for scripture study. They are sitting on sofas and the floor.

Përgjegjësitë e Prindërve

  • Çfarë përgjegjësish kanë së bashku bashkëshortët e bashkëshortet për rritjen e fëmijëve të tyre?

Çdo njeri ka një vend të rëndësishëm në familjen e tij ose të saj. Me anë të profetëve Zoti na ka shpjeguar si duhet të sillen dhe të ndihen kundrejt njëri-tjetrit baballarët, nënat dhe fëmijët. Si bashkëshortë, bashkëshorte dhe fëmijë ne duhet të mësojmë se çfarë pret nga ne Zoti, që të përmbushim qëllimin tonë si familje. Nëse ne të gjithë bëjmë pjesën tonë, do të jemi të bashkuar përjetësisht.

Në përgjegjësitë e shenjta të prindërisë, “etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign, nëntor 1995, f. 102). Ata duhet të punojnë së bashku për të siguruar nevojat shpirtërore, emocionale, intelektuale dhe fizike të familjes.

Disa përgjegjësi duhen ndarë midis bashkëshortit e bashkëshortes. Prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve ungjillin. Zoti paralajmëroi se nëse prindërit nuk i mësojnë fëmijët e tyre rreth besimit, pendimit, pagëzimit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë, mëkati do të mbetet mbi kokën e prindërve. Prindërit duhet gjithashtu t’u mësojnë fëmijëve të luten dhe t’u binden urdhërimeve të Zotit. (Shih DeB 68:25, 28.)

Një nga mënyrat më të mira se si prindërit mund t’i mësojnë fëmijët është nëpërmjet shembullit. Bashkëshortët e bashkëshortet duhet të tregojnë dashuri e respekt për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre si me anë të veprave edhe të fjalëve. Është e rëndësishme të mbajmë mend se secili anëtar i familjes është një fëmijë i Perëndisë. Prindërit duhet t’i trajtojnë fëmijët me dashuri e respekt, duke qenë të vendosur, por edhe të dashur me ta.

Prindërit duhet të kuptojnë se ndonjëherë fëmijët do të bëjnë zgjedhje të gabuara madje edhe pasi u është mësuar e vërteta. Kur kjo ndodh, prindërit nuk duhet të dorëzohen. Ata duhet të vazhdojnë t’i mësojnë fëmijët, t’u shprehin dashuri, të jenë shembuj të mirë për ta dhe të agjërojnë e të luten për ta.

Libri i Mormonit na tregon se si lutjet e një babai ndihmuan një bir rebel të kthehej në udhën e Zotit. Alma i Riu ishte larguar nga mësimet e babait të tij të drejtë, Almës, dhe përpiqej të shkatërronte Kishën. I ati u lut me besim për të birin. Almën të Riun e vizitoi një engjëll dhe u pendua për mënyrën e ligë si jetonte. Ai u bë një udhëheqës i madh i Kishës. (Shih Mosia 27:8–32.)

Prindërit mund të sigurojnë një mjedis nderimi dhe respekti në shtëpi nëse i mësojnë dhe i udhëheqin fëmijët e tyre me dashuri. Prindërit duhet gjithashtu të sigurojnë përvoja të lumtura për fëmijët e tyre.

  • Si mund të mbështesin njëri-tjetrin në rolet e tyre bashkëshortët e bashkëshortet? Kujt mund t’i drejtohen për mbështetje prindërit e vetëm?

Përgjegjësitë e Babait

  • Çfarë shembujsh pozitivë keni parë të etërve që rrisin fëmijët e tyre?

“Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre” (Ensign, nëntor 1995, f. 102). Një atë i denjë, që është anëtar i Kishës, ka mundësinë të mbajë priftërinë, gjë që e bën atë udhëheqësin e priftërisë të familjes së tij. Ai duhet ta udhëheqë familjen e tij me përulësi dhe mirësi e jo me dhunë ose ashpërsi. Shkrimet e shenjta na mësojnë se ata që mbajnë priftërinë duhet t’i udhëheqin të tjerët me anë të bindjes, zemërbutësisë, dashurisë dhe mirësisë (shih DeB 121:41–44; Efesianëve 6:4).

Babai ndan bekimet e priftërisë me anëtarët e familjes së tij. Kur një burrë mban Priftërinë Melkizedeke, ai mund t’i ndajë këto bekime duke u shërbyer të sëmurëve dhe duke dhënë bekime të veçanta priftërie. Nën drejtimin e një udhëheqësi kryesues të priftërisë, ai mund të bekojë foshnja, të pagëzojë, të konfirmojë dhe të kryejë shugurime në priftëri. Ai duhet të japë një shembull të mirë për familjen e tij duke mbajtur urdhërimet. Ai duhet gjithashtu të sigurojë që familja të lutet së bashku dy herë në ditë dhe të zhvillojë mbrëmje familjare.

Babai duhet të kalojë kohë individualisht me secilin nga fëmijët. Ai duhet t’u mësojë fëmijëve të tij parime të sakta, të flasë me ta rreth problemeve dhe shqetësimeve të tyre dhe t’i këshillojë me dashuri. Disa shembuj të mirë gjenden në Librin e Mormonit (shih 2 Nefi 1:14–3:25; Alma 36–42).

Është po ashtu detyra e babait të sigurojë nevojat fizike të familjes së tij duke bërë të mundur që ata të kenë ushqimin, strehimin, veshmbathjen dhe shkollimin e nevojshëm. Edhe nëse ai nuk është në gjendje ta sigurojë gjithë këtë mbështetje vetë, ai prapëseprapë nuk heq dorë nga përgjegjësia e kujdesit për familjen e tij.

Përgjegjësitë e Nënës

  • Çfarë shembujsh pozitivë keni parë të nënave që rrisin fëmijët e tyre?

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tha se mëmësia është më fisnikja nga thirrjet (shih Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 156). Ajo është një thirrje e shenjtë, një bashkëpjesëmarrje me Perëndinë për sjelljen në botë të fëmijëve të Tij shpirtërorë. Lindja e fëmijëve është një nga bekimet më të mëdha. Nëse nuk ka baba në shtëpi, nëna e kryeson familjen.

Presidenti Bojd K. Paker lëvdoi gratë që nuk mund të kenë fëmijë të tyre e megjithatë kujdesen për të tjerët. Ai tha: “Kur flas për nënat, nuk flas vetëm për ato gra që kanë lindur fëmijë, por edhe për ato që kanë birësuar fëmijë që u kanë lindur të tjerave dhe për shumë gra të cilat, duke mos pasur fëmijë të vetët, janë bërë si nëna për fëmijët e të tjerëve” (Mothers [1977], f. 8).

Profetët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë mësim: “Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre” (Ensign, nëntor 1995, f. 102). Një nënë duhet të kalojë kohë me fëmijët e saj dhe t’u mësojë atyre ungjillin. Ajo duhet të luajë dhe të punojë me ta kështu që ata të mund të zbulojnë botën përreth. Ajo gjithashtu duhet ta ndihmojë familjen e saj të dijë si ta bëjnë shtëpinë një vend të këndshëm. Nëse është e përzemërt dhe e dashur, ajo i ndihmon fëmijët e saj të ndihen mirë me veten.

Libri i Mormonit përshkruan një grup prej 2.000 të rinjsh që fituan madhështi, për shkak të mësimeve të nënave të tyre (shih Alma 53:16–23). Të udhëhequr nga profeti Helaman, ata shkuan në betejë kundër armiqve të tyre. Ata kishin mësuar nga nënat e tyre të ishin të ndershëm, trima dhe të besueshëm. Nënat e tyre u kishin mësuar gjithashtu se nëse nuk do të dyshonin, Perëndia do t’i shpëtonte (shih Alma 56:47). Ata të gjithë i mbijetuan betejës. Më vonë ata shprehën besimin në mësimet e nënave të tyre duke thënë: “Ne nuk dyshojmë që nënat tona e dinin atë” (Alma 56:48). Çdo nënë që ka një dëshmi mund të ketë një ndikim të thellë tek fëmijët e saj.

Përgjegjësitë e Fëmijëve

  • Si i ndihmojnë fëmijët prindërit e tyre për të ndërtuar një shtëpi të lumtur?

Fëmijët kanë bashkërisht me prindërit e tyre përgjegjësinë e ndërtimit të një shtëpie të lumtur. Ata duhet t’u binden urdhërimeve dhe të bashkëpunojnë me anëtarë të tjerë të familjes. Zoti nuk është i kënaqur kur fëmijët grinden (shih Mosia 4:14).

Zoti i ka urdhëruar fëmijët t’i nderojnë prindërit e tyre. Ai tha: “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën” (Eksodi 20:12). Të nderosh prindërit do të thotë t’i duash dhe t’i respektosh ata. Do të thotë gjithashtu t’u bindesh atyre. Shkrimet e shenjta u thonë fëmijëve: “binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë” (Efesianëve 6:1).

Presidenti Spenser W. Kimball tha se fëmijët duhet të mësojnë të punojnë dhe të ndajnë bashkërisht përgjegjësitë në shtëpi dhe në oborr. Atyre duhet t’u caktohen detyra për ta mbajtur shtëpinë të rregullt e të pastër. (Shih Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 120.)

  • Çfarë duhet të bëjnë fëmijët për të nderuar dhe respektuar prindërit e tyre?

  • Çfarë bënë prindërit tuaj që ju bënë juve t’i nderoni e t’i respektoni ata?

Pranimi i Përgjegjësive Sjell Bekime

  • Çfarë mund të bëjë secili pjesëtar i familjes për ta bërë shtëpinë një vend të lumtur?

Një familje e dashur dhe e lumtur nuk ndodh rastësisht. Çdonjëri në familje duhet të bëjë pjesën e vet. Zoti u ka dhënë përgjegjësi si prindërve ashtu edhe fëmijëve. Shkrimet e shenjta na mësojnë se duhet të jemi të vëmendshëm, të gëzueshëm dhe të kujdesshëm ndaj të tjerëve. Kur flasim, lutemi, këndojmë, ose punojmë së bashku mund të gëzojmë bekimet e harmonisë në familjet tona. (Shih Kolosianëve 3.)

  • Cilat janë disa tradita e praktika që mund ta bëjnë shtëpinë një vend të lumtur?

Shkrime të Shenjta të Tjera dhe Burime të Tjera

  • Fjalët e Urta 22:6 (mësoje fëmijën)

  • Efesianëve 6:1–3 (fëmijët duhet t’u binden prindërve)

  • DeB 68:25–28; Efesianëve 6:4 (përgjegjësitë e prindërve)

  • “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” (e disponueshme tek LDS.org dhe në shumë botime të Kishës, përfshirë Ensign, nëntor 1995, faqe 102; Për Forcën e Rinisë [artikulli numër 36550], faqe 44; dhe True to the Faith [artikulli numër 36863], faqet 59–61)

  • Family Guidebook [Libri Udhëzues i Familjes] (artikulli numër 31180)