Libra dhe Mësime
Kapitulli 2: Familja Jonë Qiellore


Kapitulli 2

Familja Jonë Qiellore

Pamja
Hubble image of the galaxy

Ne Jemi Fëmijë të Atit tonë Qiellor

  • Çfarë na mësojnë shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme mbi marrëdhënien tonë me Perëndinë?

Perëndia nuk është vetëm Sundimtari dhe Krijuesi ynë; Ai është gjithashtu Ati ynë Qiellor. Të gjithë burrat e gratë janë vërtet bijtë e bijat e Perëndisë. “Njeriu, si shpirt, u lind nga prindër qiellorë dhe arriti pjekurinë në banesat e përjetshme të Atit para se të vinte në tokë me një trup të përkohshëm [fizik]” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 335).

Çdo person që ka lindur ndonjëherë në tokë është vëllai ose motra jonë shpirtërore. Për shkak se jemi fëmijë shpirtërorë të Perëndisë, ne kemi trashëguar mundësinë që të zhvillojmë cilësitë e Tij hyjnore. Përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, mund të bëhemi si Ati ynë Qiellor dhe të marrim një plotësi gëzimi.

  • Si i ndikon mendimet, fjalët dhe veprimet tuaja dija se jeni një fëmijë i Perëndisë?

Ne Zhvilluam Karaktere dhe Talente Ndërsa Jetonim në Qiell

  • Mendoni për talentet dhe dhuntitë me të cilat jeni bekuar.

Shkrimet e shenjta na mësojnë se profetët u përgatitën për t’u bërë udhëheqës në tokë ndërkohë që ishin ende shpirtra në qiell (shih Alma 13:1–3). Para se të lindnin e të merrnin trupa të vdekshëm, Perëndia i parashuguroi (i zgjodhi) ata për të qenë udhëheqës në tokë. Jezusi, Adami dhe Abrahami ishin disa prej këtyre udhëheqësve. (Shih Abrahami 3:22–23.) Jozef Smithi na mësoi se “çdo njeri që ka një thirrje për t’u shërbyer banorëve të botës u [para]shugurua tamam për atë qëllim” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 511). Megjithatë, cilido në tokë është i lirë që ta pranojë apo refuzojë çfarëdo mundësie për të shërbyer.

Ne nuk ishim të gjithë njëlloj në qiell. Ne e dimë, për shembull, se qemë bij e bija të prindërve qiellorë – meshkuj e femra (shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Ensign, nëntor 1995, f. 102). Zotëronim talente e aftësi të ndryshme dhe ishim thirrur të bënim gjëra të ndryshme në tokë. Mund të mësojmë më shumë mbi “mundësitë e përjetshme” tonat kur marrim bekimet tona patriarkale (shih Thomas S. Monson, në Conference Report, tetor 1986, f. 82; ose Ensign, nëntor 1986, f. 66).

Një vel mbulon kujtimet e jetës tonë para lindjes, por Ati ynë në Qiell e di se cilët jemi dhe se çfarë bëmë para se të vinim këtu. Ai ka zgjedhur kohën dhe vendin e lindjes për secilin nga ne që të mund të mësojmë ato mësime për të cilat kemi nevojë personalisht dhe për të bërë të mirat maksimale me talentet dhe karakteret tona vetjake.

  • Si ju kanë bekuar juve talentet e njerëzve të tjerë? Si munden talentet dhe dhuntitë tuaja të bekojnë të tjerë?

Ati Ynë Qiellor na Paraqiti një Plan për Ne për t’u Bërë si Ai

  • Si na ndihmon jeta në tokë për t’u përgatitur për t’u bërë si Ati ynë Qiellor?

Ati ynë Qiellor e dinte se ne nuk mund të përparonim përtej një pike të caktuar në qoftë se nuk largoheshim prej Tij një farë kohe. Ai donte që ne të zhvillonim cilësitë e perëndishme që Ai ka. Për ta bërë këtë, ne duhej ta linim shtëpinë tonë para lindjes për t’u provuar dhe për të fituar përvojë. Shpirtrat tanë kishin nevojë të visheshin me trupa fizikë. Në vdekje ne do të na duhej t’i linim trupat tanë fizikë dhe të ribashkoheshim me ta në Ringjallje. Më pas do të merrnim trupa të pavdekshëm si ai i Atit tonë Qiellor. Nëse do t’i kalonim provat tona, do të merrnim plotësinë e gëzimit që ka marrë Ati ynë Qiellor. (Shih DeB 93:30–34.)

Ati ynë Qiellor thirri një Këshill të Madh për të paraqitur planin e Tij për përparimin tonë (shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith, f. 209, 511). Ne mësuam se, nëse do ta zbatonim planin e Tij, do të bëheshim si Ai. Ne do të ringjalleshim; do të kishim gjithë fuqinë në qiell e në tokë; do të bëheshim prindër qiellorë dhe do të kishim fëmijë shpirtërorë tamam siç ka Ai (shih DeB 132:19–20).

Ne mësuam se Ai do të krijonte një botë për ne ku do të mund të provoheshim (shih Abrahami 3:24–26). Një vel do të mbulonte kujtimet tona dhe ne do të harronim shtëpinë tonë qiellore. Kjo do të ishte e nevojshme që të mund të ushtronim lirinë tonë të zgjedhjes për të zgjedhur të mirën ose të ligën pa qenë të ndikuar nga kujtesa e jetës me Atin tonë Qiellor. Kështu ne do t’i bindeshim Atij për shkak të besimit tonë në Të, jo për shkak të njohurisë ose kujtesës sonë për Të. Ai do të na ndihmonte të njihnim të vërtetën kur ta dëgjonim atë përsëri në tokë (shih Gjoni 18:37).

Në Këshillin e Madh ne gjithashtu mësuam qëllimin e përparimit tonë: të kishim një plotësi gëzimi. Megjithatë, mësuam gjithashtu se disa nga ne do të mashtroheshin, do të zgjidhnin udhë të tjera dhe do të humbisnin. Ne mësuam se të gjithë do të kishim sprova në jetë: sëmundje, zhgënjim, dhembje, trishtim dhe vdekje. Por e kuptuam se këto do të na jepeshin për të fituar përvojë dhe për të mirën tonë (shih DeB 122:7). Nëse do ta lejonim, këto sprova do të na pastronin në vend që të na mposhtnin. Ato do të na mësonin të kishim qëndresë, durim dhe dashuri hyjnore (shih Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 15–16).

Në këtë këshill ne gjithashtu mësuam se, për shkak të dobësisë tonë, të gjithë përveç fëmijëve të vegjël do të mëkatonim (shih DeB 29:46–47). Mësuam se do të na sigurohej një Shpëtimtar që të mund të mposhtnim mëkatet tona dhe të mposhtnim vdekjen me anë të ringjalljes. Ne mësuam se, nëse e vendosnim besimin tonë në Të, duke iu bindur fjalës së Tij dhe duke ndjekur shembullin e Tij, do të ekzaltoheshim dhe do të bëheshim si Ati ynë Qiellor. Do të merrnim një plotësi gëzimi.

  • Renditni disa prej tipareve të Atit Qiellor. Si na ndihmon plani i shpëtimit që të zhvillojmë ato tipare?

Shkrime të Shenjta të Tjera