Libra dhe Mësime
Kapitulli 11: Jeta e Krishtit


Kapitulli 11

Jeta e Krishtit

Pamja
Jesus Christ at the home of Jairus. Christ is standing beside the bed of the twelve-year-old daughter of Jairus. The girl's father and mother are standing on the other side of the bed. Christ is holding the hand of the girl as He helps her rise from her bed. The girl, who had been declared dead, is looking up at Christ. Light from a window is shining on the girl's face, and on the back of Christ.

Për Jetën e Krishtit u Profetizua Shumë Kohë para Lindjes së Tij

Çdo person që vjen në tokë mbështetet tek Jezu Krishti për përmbushjen e premtimit që Ai bëri në qiell për të qenë Shpëtimtari ynë. Pa Të, plani i shpëtimit do të kishte dështuar. Meqenëse misioni i Tij ishte i domosdoshëm, të gjithë profetët që nga Adami e deri te Krishti dëshmuan se Ai do të vinte (shih Veprat e Apostujve 10:43). Të gjithë profetët qysh nga Krishti kanë dëshmuar se Ai vërtet erdhi. Të gjithë ne duhet ta studiojmë jetën e Shpëtimtarit dhe ta ndjekim Atë me besnikëri gjatë gjithë jetës sonë.

Adami mësoi se emri i Shpëtimtarit do të ishte Jezu Krishti (shih Moisiu 6:51–52). Enoku pa se Jezusi do të vdiste në kryq dhe do të ringjallej (shih Moisiu 7:55–56). Noeu dhe Moisiu gjithashtu dëshmuan për Të (shih Moisiu 1:11; 8:23–24). Rreth 800 vjet para se Shpëtimtari të lindte në tokë, Isaia e parashikoi jetën e Tij. Kur Isaia pa dhembjen dhe vuajtjen që Shpëtimtari do të provonte për të paguar çmimin për mëkatet tona, ai thirri:

“I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes. …

… Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; …

Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; …

I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore” (Isaia 53:3–5, 7).

Nefi gjithashtu pa një vegim të lindjes dhe misionit të ardhshëm të Shpëtimtarit. Ai pa një virgjëreshë të bukur dhe një engjëll i shpjegoi: “Vër re, virgjëresha që ti shikon është nëna e Birit të Perëndisë, sipas mënyrës së mishit” (1 Nefi 11:18). Më pas Nefi pa virgjëreshën të mbante në krahë një fëmijë. Engjëlli shpalli: “Shiko Qengjin e Perëndisë, po, madje Birin e Atit të Amshuar!” (1 Nefi 11:21).

Rreth 124 vjet para se të lindte Jezusi, Mbreti Beniamin, një tjetër profet nefit, gjithashtu parashikoi jetën e Shpëtimtarit:

“Pasi vini re, koha vjen dhe nuk është shumë e largët, që me fuqi Zoti i Plotfuqishëm që mbretëron, i cili ishte dhe është nga gjithë përjetësia në përjetësi, do të vijë poshtë nga qielli mes fëmijëve të njerëzve dhe do të banojë në një tabernakull prej argjile; dhe do të shkojë përpara mes njerëzve, duke punuar mrekulli të mëdha, të tilla si shërimin e të sëmurëve, ngritjen e të vdekurve, bërjen që ulokët të ecin, të verbrit të marrin shikimin e tyre dhe të shurdhrit të dëgjojnë, dhe duke kuruar të gjitha llojet e sëmundjeve.

Dhe ai do të dëbojë djajtë ose shpirtrat e ligj që banojnë në zemrat e fëmijëve të njerëzve.

Dhe vini re, ai do të durojë tundime dhe dhembje të trupit, uri, etje dhe lodhje, madje më shumë se sa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje; pasi shikoni, gjaku del nga çdo por, kaq e madhe do të jetë dhembja e tij për ligësinë dhe neveritë e popullit të tij.

Dhe ai do të quhet Jezu Krisht, Biri i Perëndisë, Ati i qiellit dhe i tokës, Krijuesi i të gjitha gjërave nga fillimi; dhe nëna e tij do të quhet Maria” (Mosia 3:5–8).

  • Cilat janë disa profeci të lashta për Jezu Krishtin?

Ai Ishte i Vetëmlinduri i Atit

  • Çfarë trashëgoi Jezu Krishti nga Ati i Tij? Çfarë trashëgoi Ai nga e ëma?

Historia e lindjes dhe e jetës së Shpëtimtarit gjendet në Dhiatën e Re në librat e Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit. Nga përshkrimet e tyre ne mësojmë se Jezusi lindi nga një virgjëreshë që quhej Marie. Ajo qe fejuar me Jozefin kur engjëlli i Zotit iu shfaq. Engjëlli i tha se ajo do të ishte nëna e Birit të Perëndisë. Ajo e pyeti se si do të ndodhte kjo (shih Lluka 1:34). Ai i tha asaj: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë” (Lluka 1:35). Kështu, Perëndia Ati u bë Ati i vërtetë i Jezu Krishtit.

Jezusi është i vetmi person në tokë që ka lindur nga një nënë e vdekshme dhe një Atë i pavdekshëm. Për këtë arsye Ai është quajtur Biri i Vetëmlindur. Ai trashëgoi fuqi hyjnore nga Ati i tij. Nga nëna e Tij Ai trashëgoi vdekshmërinë dhe ishte i prekshëm nga uria, etja, lodhja, dhembja dhe vdekja. Askush nuk mund t’ia merrte jetën Shpëtimtarit në qoftë se Ai vetë nuk donte. Ai kishte pushtetin për ta lënë dhe pushtetin për ta marrë përsëri trupin e Tij pasi të vdiste. (Shih Gjoni 10:17–18.)

Ai Jetoi një Jetë të Përkryer

  • Ç’domethënie ka jeta e Shpëtimtarit për ne?

Që nga rinia e Tij, Jezusi iu bind gjithçkaje që iu kërkua Atij nga Ati ynë Qiellor. Nën kujdesin e Maries dhe Jozefit, Jezusi u rrit ngjashëm me të gjithë fëmijët e tjerë. Ai e donte dhe i bindej së vërtetës. Lluka na thotë: “Fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të” (Lluka 2:40; shih gjithashtu DeB 93:12–14).

Kur arriti moshën 12 vjeç, Jezusi ishte rritur në kuptim të Tij se ishte dërguar për të bërë vullnetin e Atit të Tij. Ai shkoi me prindërit e Tij në Jeruzalem. Kur prindërit e Tij po ktheheshin në shtëpi, vunë re se Ai nuk ishte me grupin e tyre. Ata u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar. “Pas tre ditësh, ata e gjetën atë në tempull, të ulur në mes të doktorëve të ligjit, dhe ata po e dëgjonin dhe po i bënin pyetje” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 2:46). “Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarsia e tij dhe nga përgjigjet e tij” (Lluka 2:47).

Jozefi dhe Maria u lehtësuan kur e gjetën, por “mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: ‘Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!’” Jezusi iu përgjigj asaj duke i thënë: “A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim [Qiellor]?” (Lluka 2:48–49).

Me qëllim që të përmbushte misionin e Tij, Jezusi duhej të bënte vullnetin e Atit të Tij në Qiell. “Nuk bëj asgjë prej vetvetes”, shpalli Ai, “por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar. … Sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë” (Gjoni 8:28–29).

Kur Jezusi ishte 30 vjeç, Ai shkoi tek Gjoni Pagëzori për t’u pagëzuar në Lumin Jordan. Gjoni ngurroi ta pagëzonte Jezusin, sepse e dinte se Jezusi ishte më i madh se ai. Jezusi i kërkoi Gjonit ta pagëzonte me qëllim që të “përmbush[ej] çdo drejtësi”. Gjoni e pagëzoi Shpëtimtarin duke e zhytur Atë plotësisht në ujë. Kur Jezusi u pagëzua, Ati i Tij foli nga qielli, duke thënë: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.” Fryma e Shenjtë zbriti mbi të, siç tregohet nga shenja e pëllumbit. (Shih Mateu 3:13–17.)

Pak pasi Jezusi u pagëzua, Ai agjëroi për 40 ditë e 40 netë për të qenë me Perëndinë. Pas kësaj, Satani erdhi për ta tunduar Atë. Jezusi u bëri ballë me vendosmëri të gjitha tundimeve të Satanit dhe më pas e urdhëroi Satanin të largohej. (Shih Mateu 4:1–11; shih gjithashtu Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 4:1, 56, 89, 11.) Jezu Krishti mbeti pa mëkat, e vetmja qenie e përsosur që eci ndonjëherë mbi tokë (shih Hebrenjve 4:15; 1 Pjetrit 2:21–22).

  • Cilat relacione nga jeta e Shpëtimtarit janë veçanërisht kuptimplota për ju?

Ai na Mësoi Si ta Duam dhe t’i Shërbejmë Njëri-Tjetrit

  • Si na mësoi Shpëtimtari si ta duam dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit?

Pas agjërimit të Tij dhe takimit me Satanin, Jezusi filloi shërbesën e Tij publike. Ai erdhi në tokë jo vetëm që të vdiste për ne, por edhe për të na mësuar se si të jetojmë. Ai na mësoi se ka dy urdhërime të mëdha: së pari, ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë; dhe i dyti, t’i duam të tjerët porsi vetveten (shih Mateu 22:36–39). Jeta e Tij është një shembull se si duhet t’u bindemi këtyre dy urdhërimeve. Nëse e duam Perëndinë, do të kemi besim tek Ai e do t’i bindemi ashtu siç bëri Jezusi. Nëse i duam të tjerët, do t’i ndihmojmë ata të plotësojnë nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore.

Jezusi e kaloi jetën e Tij duke iu shërbyer të tjerëve. Ai i shëroi ata nga sëmundjet. Ai e bëri të verbrin të shikojë, të shurdhrin të dëgjojë dhe të çalin të ecë. Një herë kur po shëronte një të sëmurë, u bë vonë dhe njerëzit ishin të uritur. Në vend që t’i linte të shkonin, Ai bekoi pesë bukë e dy peshq dhe nëpërmjet një mrekullie mundi të ushqejë një turmë prej 5.000 burrash. (Shih Mateu 14:14–21.) Ai na mësoi se sa herë shohim njerëz të uritur, në të ftohtë, të zhveshur, ose të vetmuar, duhet të bëjmë gjithçka që mundim për t’i ndihmuar. Kur ndihmojmë të tjerët, i shërbejmë Zotit. (Shih Mateu 25:35–46.)

Jezusi i donte të tjerët me gjithë zemër. Shpesh zemra e Tij ishte plot dhembshuri saqë Ai qau. Ai i donte fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe të varfërit, njerëzit e thjeshtë që besonin tek Ai. Ai i donte ata që kishin mëkatuar dhe me dhembshuri të madhe u mësoi atyre të pendoheshin e të pagëzoheshin. Ai na mësoi: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6).

Jezusi donte madje edhe ata që mëkatonin kundër tij dhe nuk pendoheshin. Në fund të jetës së Tij, ndërsa qëndronte i varur në kryq, Ai iu lut Atit për ushtarët që e kishin kryqëzuar, duke u përgjëruar: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluka 23:34). Ai na mësoi: “Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve” (Gjoni 15:12).

  • Në ç’mënyra mund t’i tregojmë Zotit se e duam?

Ai Organizoi Kishën e Vetme të Vërtetë

  • Përse Shpëtimtari organizoi Kishën e Tij dhe shuguroi Apostuj?

Jezusi donte që ungjilli i Tij t’u mësohej njerëzve në mbarë tokën, kështu Ai zgjodhi dymbëdhjetë Apostuj që të dëshmonin për Të. Ata ishin udhëheqësit e parë të Kishës së Tij. Ata morën autoritetin për të vepruar në emrin e Tij dhe për të bërë veprat që e kishin parë të bënte Ai. Ata që e morën autoritetin prej tyre mundnin që gjithashtu të jepnin mësim, të pagëzonin dhe të kryenin ordinanca të tjera në emrin e Tij. Pas vdekjes së Tij, ata vazhduan të bënin punën e Tij derisa njerëzit u bënë aq të ligj sa që i vranë Apostujt.

Ai na Shëlboi nga Mëkatet Tona dhe na Shpëtoi nga Vdekja

  • Ndërsa studioni këtë seksion, kaloni kohë duke u menduar mbi ngjarjet e Shlyerjes.

Nga fundi i shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezusi u përgatit të bënte sakrificën përfundimtare për të gjithë mëkatet e njerëzimit. Ai ishte dënuar me vdekje, sepse u kishte dëshmuar njerëzve se ishte Biri i Perëndisë.

Natën para kryqëzimit të Tij, Jezusi shkoi në një kopsht të quajtur Gjetsemani. Shpejt Ai u rëndua nga hidhërimi i thellë dhe qau kur u lut. Apostulli i ditëve të mëvonshme Orson F. Uitni u lejua të shihte vuajtjet e Shpëtimtarit në një vegim. Duke e parë Shpëtimtarin të qante, ai tha: “U preka aq shumë nga ajo që pashë saqë fillova të qaja edhe unë, nga keqardhja. E gjithë zemra ime u mbush me dhembshuri për Të; e desha me gjithë shpirt dhe dëshiroja me gjithë zemër të isha me Të më shumë se ç’kisha dëshiruar çdo gjë tjetër” (“The Divinity of Jesus Christ,” Improvement Era, janar 1926, f. 224–225; shih gjithashtu Ensign, dhjetor 2003, f. 10). Jezusi “shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ‘Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti’” (Mateu 26:39).

Në një zbulesë të ditëve tona Shpëtimtari përshkroi se sa e madhe ishte vuajtja e Tij, saqë e bëri: “të [dridhej] për shkak të dhembjes e [t’i dilte] gjak nga çdo por dhe të [vuante] si në trup e në shpirt” (DeB 19:18). Ai vuajti “sipas mishit”, duke marrë përsipër dhembjet, sëmundjet, dobësitë dhe mëkatet tona (shih Alma 7:10–13). Asnjë njeri i vdekshëm nuk mund ta kuptojë tamam sa e madhe ishte kjo barrë. Askush tjetër nuk do të mund ta duronte një agoni të tillë të trupit dhe shpirtit. “Ai zbriti nën gjithçka … që ai mund të jetë në të gjitha dhe përmes të gjitha gjërave, drita e së vërtetës” (DeB 88:6).

Por vuajtja e Tij nuk kishte përfunduar ende. Të nesërmen, Jezusin e rrahën, e poshtëruan dhe e pështynë. Atij i kërkuan ta mbante kryqin e vet deri mbi kodër; më pas e kryqëzuan dhe e gozhduan mbi të. Atë e torturuan në një nga mënyrat më mizore që ka shpikur njeriu. Pas vuajtjes në kryq, Ai thirri në agoni: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Marku 15:34). Në orën më të hidhur të Jezusit, Ati ish tërhequr prej Tij që Jezusi të mund të përfundonte vuajtjen e dënimit për mëkatet e gjithë njerëzimit, që Jezusi të mund të kishte fitore të plotë mbi forcat e mëkatit dhe vdekjes (shih James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 660–661).

Kur Shpëtimtari e dinte se sakrifica e Tij ishte pranuar nga Ati, bërtiti me zë të lartë: “U krye!” (Gjoni 19:30). “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim” (Lluka 23:46). Ai uli kokën dhe me dëshirë e dha shpirtin e Tij. Shpëtimtari vdiq. Një tërmet i fuqishëm tundi dheun.

Disa miq të tij e çuan trupin e Shpëtimtarit në një varr ku qëndroi për tre ditë. Gjatë kësaj kohe shpirti i Tij shkoi dhe organizoi punën misionare për shpirtrat e tjerë që kishin nevojë të merrnin ungjillin e Tij (shih 1 Pjetrit 3:18–20; DeB 138). Të tretën ditë, një të dielë, Ai u rikthye në trupin e Tij duke e marrë sërish. Ai ishte i pari që mposhti vdekjen. Profecia ishte përmbushur se “ai duhet të ringjallej së vdekurish” (Gjoni 20:9).

Pak kohë pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari iu shfaq nefitëve dhe krijoi Kishën e Tij në kontinentin amerikan. Ai u dha mësim njerëzve dhe i bekoi ata. Ky tregim prekës gjendet në 3 Nefi 11 deri 28.

Sakrifica e Tij Tregoi Dashurinë e Tij për Atin e Tij dhe për Ne

Jezusi na mësoi: “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij. Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj” (Gjoni 15:13–14). Ai shkoi me dëshirë dhe përulësisht përmes dhembjes në Gjetsemani dhe vuajtjes në kryq që ne të mund të merrnim të gjitha bekimet e planit të shpëtimit. Për t’i marrë këto bekime, ne duhet të shkojmë tek Ai, të pendohemi për mëkatet tona dhe ta duam Atë me gjithë zemër. Ai tha:

“Dhe ky është ungjilli që ju kam dhënë – se unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim, sepse Ati im më dërgoi.

Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë … që … [të gjykohen] për veprat e tyre. …

Pasi atë që më keni parë të bëj, madje atë duhet të bëni ju. …

Prandaj, çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:13–15, 21, 27; janë shtuar germat e pjerrëta).

  • Cilat janë ndjenjat tuaja kur mendoheni për sakrificën e Shpëtimtarit për ju?

Shkrime të Shenjta të Tjera dhe Burime të Tjera