Libra dhe Mësime
Kapitulli 40: Puna në Tempull dhe Historia Familjare


Kapitulli 40

Puna në Tempull dhe Historia Familjare

Pamja
The east spires of the Salt Lake Temple with the Angel Moroni and clouds in the sky.

Ati Qiellor Dëshiron që Fëmijët e Tij të Kthehen tek Ai

Shlyerja e Jezu Krishtit na siguron të gjithëve se do të ringjallemi dhe do të jetojmë përgjithmonë. Por që të jetojmë përgjithmonë me familjet tona në prani të Atit Qiellor, duhet të bëjmë çdo gjë që Shpëtimtari na urdhëron. Kjo përfshin edhe pagëzimin e konfirmimin dhe marrjen e ordinancave në tempull.

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, secili prej nesh është pagëzuar dhe konfirmuar nga dikush që mban autoritetin e duhur të priftërisë. Secili nga ne mund të shkojë në tempull gjithashtu për të marrë ordinancat shpëtuese të priftërisë që kryhen aty. Por shumë nga fëmijët e Perëndisë nuk i kanë pasur këto mundësi. Ata jetuan në një kohë apo vend kur nuk mund ta kishin ungjillin.

Ati Qiellor do që të gjithë fëmijët e Tij të kthehen dhe të jetojnë me Të. Për ata që kanë vdekur pa u pagëzuar ose pa marrë ordinancat e tempullit, Ai ka siguruar një mënyrë që këto gjëra të kryhen. Ai na ka kërkuar që ne t’i kryejmë këto ordinanca për paraaadhësit tanë në tempuj.

Tempujt e Zotit

  • Pse janë tempujt të rëndësishëm në jetën tonë?

Tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë ndërtesa të veçanta që i janë përkushtuar Zotit. Anëtarë të denjë të Kishës mund të shkojnë atje për të marrë ordinanca të shenjta dhe për të bërë besëlidhje me Perëndinë. Ashtu si pagëzimi, këto ordinanca e besëlidhje janë të domosdoshme për shpëtimin tonë. Ato duhen kryer në tempujt e Zotit.

Ne shkojmë në tempull edhe për të mësuar më tepër rreth Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Aty ne fitojmë një kuptim më të mirë të qëllimit të jetës dhe marrëdhënies sonë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Mësojmë rreth ekzistencës para lindjes, kuptimit të jetës në tokë dhe jetës pas vdekjes.

Ordinancat e Tempullit i Vulosin Familjet së Bashku Përgjithmonë

  • Çfarë do të thotë të vulosesh?

Të gjitha ordinancat e tempullit kryhen nëpërmjet fuqisë së priftërisë. Me anë të kësaj fuqie, ordinancat që kryhen në tokë vulosen, ose lidhen, në qiell. Shpëtimtari u mësoi Apostujve të Tij: “Gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej” (Mateu 16:19; shih gjithashtu DeB 132:7).

Vetëm në tempull ne mund të vulosemi së bashku si familje përgjithmonë. Martesa në tempull bashkon një burrë e një grua përjetësisht si bashkëshort e bashkëshorte nëse ata i nderojnë besëlidhjet e tyre. Pagëzimi dhe të gjitha ordinancat e tjera na përgatisin për këtë ngjarje të shenjtë.

Kur një burrë e një grua martohen në tempull, fëmijët e tyre që lindin pas kësaj, gjithashtu bëhen pjesë e familjes së tyre të përjetshme. Çiftet që kanë pasur një martesë civile mund t’i marrin këto bekime duke përgatitur veten dhe fëmijët për të shkuar në tempull dhe për t’u vulosur me njëri-tjetrin. Prindërit që birësojnë zyrtarisht fëmijë, mund të vulosen me ata fëmijë.

  • Çfarë duhet të bëjë një çift që ta bëjë të efektshme fuqinë vulosëse në martesën tij?

Paraardhësit Tanë Kanë Nevojë për Ndihmën Tonë

  • Çfarë përgjegjësish kemi kundrejt paraardhësve tanë që kanë vdekur pa i marrë ordinancat e priftërisë?

Mario Kanamela u martua me Maria Vitën në vitin 1882. Ata jetuan në Tripani, në Itali ku rritën familjen e tyre dhe ndanë shumë vite të mrekullueshëm së bashku. Mario dhe Maria nuk e dëgjuan mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit gjatë jetës së tyre. Ata nuk u pagëzuan. Ata nuk patën mundësinë të shkonin në tempull dhe të vuloseshin së bashku si një familje e përjetshme. Me vdekjen, martesa e tyre përfundoi.

Mbi një shekull më vonë ndodhi një ribashkim i mrekullueshëm. Pasardhësit e Marios dhe Marias shkuan në Tempullin e Los Anxhelosit, ku një nga stërnipërit e tyre dhe bashkëshortja e tij u gjunjëzuan para altarit dhe shërbyen si mëkëmbës për vulosjen e Marios dhe Marias. Sytë iu mbushën me lotë ndërsa u ndjenë pjesë e gëzimit të Marios dhe Marias.

Shumë nga paraardhësit tanë janë midis atyre që kanë vdekur pa e dëgjuar ungjillin ndërsa ishin ende në tokë. Tani ata jetojnë në botën e shpirtrave (shih kapitullin 41 në këtë libër). Atje atyre u mësohet ungjilli i Jezu Krishtit. Ata që e kanë pranuar ungjillin presin që ordinancat e tempullit të kryhen për ta. Kur ne i kryejmë këto ordinanca në tempull për paraardhësit tanë, bëhemi pjesë e gëzimit të tyre.

  • Si e tregon doktrina e shpëtimit për të vdekurit drejtësinë, dhembshurinë dhe mëshirën e Perëndisë?

  • Çfarë përvojash keni patur ju kur keni kryer punë në tempull për paraardhësit tuaj?

Historia Familjare – Si Fillojmë t’i Ndihmojmë Paraardhësit Tanë

  • Cilët janë hapat bazë për të bërë punë të historisë familjare?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nxiten të marrin pjesë në veprimtaritë për historinë familjare. Nëpërmjet këtyre veprimtarive mësojmë rreth paraardhësve tanë në mënyrë që të mund të kryejmë ordinancat për ta. Historia familjare përfshin tre hapa bazë:

  1. Të identifikojmë paraardhësit tanë.

  2. Të zbulojmë se cilët nga paraardhësit kanë nevojë që t’u kryhen ordinancat në tempull.

  3. Të sigurohemi që ordinancat të kryhen për ta.

Shumë lagje e degë kanë këshillues për historinë familjare që mund t’u përgjigjen pyetjeve dhe të na drejtojnë tek burimet që na nevojiten. Nëse një lagje ose degë nuk ka një këshillues për historinë familjare, atëherë peshkopi ose presidenti i degës mund të japin drejtim.

Të Identifikojmë Paraardhësit Tanë

Që të kryejmë ordinancat e tempullit për paraardhësit tanë, duhet të dimë emrat e tyre. Shumë burime të mrekullueshme na janë vënë në dispozicion sot për të na ndihmuar të gjejmë emrat e paraardhësve tanë.

Një mënyrë e mirë për të filluar të mbledhim informacionin për paraardhësit është të shohim se çfarë kemi tashmë në shtëpi. Mund të kemi certifikata lindjeje, martese ose vdekjeje. Mund të kemi gjithashtu bibla familjare [me shënime], njoftime vdekjeje, histori familjare ose ditare. Përveç këtyre, mund t’i pyesim të afërmit për ndonjë informacion që ata mund të kenë. Pasi të mbledhim informacion në shtëpitë tona dhe prej të afërmve tanë, mund të bëjmë kërkime në burime të tjera, të tilla si FamilySearch.org. Gjithashtu mund të vizitojmë një prej qendrave vendore të historisë familjare të Kishës.

Sasia e asaj që do të mësojmë do të varet në atë se çfarë informacioni kemi në dispozicion. Mund të kemi vetëm fare pak informacion familjar dhe ndoshta nuk do të jemi në gjendje të bëjmë më tepër sesa të identifikojmë prindërit dhe gjyshërit. Nëse tashmë kemi një koleksion të madh të dokumenteve familjarë, mund të jemi në gjendje të identifikojmë paraardhësit në brezat e kaluar.

Informacionin që mbledhim mund ta shënojmë në dokumentet e grupit familjar dhe tabelat e prejardhjes familjare.

Të Zbulojmë se Cilët nga Paraardhësit Kanë Nevojë që t’u Kryhen Ordinancat në Tempull.

Ordinancat e tempullit për të vdekurit janë kryer që në ditët e para të Kishës. Për pasojë, disa ordinanca për paraardhësit tanë mund të jenë kryer tashmë. Për të zbuluar se cilët paraardhës kanë nevojë për ordinancat e tempullit mund të kontrollojmë në dy vende. Dokumentet tona familjare mund të kenë informacion për atë që është bërë për ta. Në qoftë se jo, Kisha ka një dokument të të gjitha ordinancave që janë kryer në tempull. Këshilluesi i historisë familjare të lagjes ose degës suaj mund t’ju ndihmojë për këtë përpjekje.

Të Sigurohemi që Ordinancat të Kryhen

Shumë nga paraardhësit tanë në botën e shpirtrave mund të presin me padurim për të marrë ordinancat e tyre të tempullit. Sapo t’i kemi identifikuar këta paraardhës, duhet të bëjmë të mundur që të kryhet kjo punë për ta.

Një nga bekimet e punës së historisë familjare vjen nga vajtja në tempull dhe kryerja e ordinancave në emër të paraardhësve tanë. Ne duhet të përgatitemi për të marrë një rekomandim tempulli, kështu që kur të jetë e mundur, të mund ta kryejmë këtë punë. Nëse fëmijët tanë janë 12 vjeç e lart, ata mund të jenë pjesë e këtyre bekimeve duke u pagëzuar dhe konfirmuar për paraardhësit e tyre.

Nëse nuk është e mundur që të shkojmë në tempull për të marrë pjesë në këto ordinanca, tempulli do të marrë masa që ordinancat të kryhen nga anëtarë të tjerë të Kishës.

  • Si ju ka ndihmuar Zoti juve apo pjesëtarë të familjes suaj që të gjeni informacion mbi paraardhësit tuaj?

Mundësi të Tjera për Histori Familjare

  • Cilat janë disa mënyra të thjeshta që dikush me shumë përgjegjësi të tjera të marrë pjesë në punën e historisë familjare?

Përveç kryerjes së ordinancave të tempullit për paraardhësit tanë që kemi identifikuar, ne mund t’i ndihmojmë ata që ndodhen në botën e shpirtrave në shumë mënyra të tjera. Ne duhet të kërkojmë udhëheqjen e Shpirtit ndërsa me lutje mendohemi se çfarë mund të bëjmë. Në varësi të rrethanave, mund të bëjmë sa më poshtë:

  1. Të shkojmë në tempull sa më shpesh të mundemi. Pasi të kemi shkuar në tempull për vete, mund të kryejmë ordinanca shpëtuese për të tjerë që po presin në botën e shpirtrave.

  2. Të bëjmë kërkime për të identifikuar ata paraardhës që janë më të vështirë për t’u gjetur. Këshilluesit e historisë familjare mund të na drejtojnë në burime të dobishme.

  3. Të ndihmojmë për programin e indeksimit të Kishës. Nëpërmjet këtij programi, anëtarët përgatisin informacion gjenealogjik për t’u përdorur në programet kompjuterike të Kishës për historinë familjare. Këto programe na e bëjnë më të lehtë të identifikojmë paraardhësit tanë.

  4. Të kontribuojmë për informacionin e historisë familjare në programet e sotme kompjuterike të Kishës për historinë familjare. Këto programe përmbajnë gjenealogji që janë kontribut i njerëzve në mbarë botën. Ato u lejojnë njerëzve të ndajnë bashkërisht informacionin e familjes së tyre. Këshilluesit e historisë familjare mund të japin më tepër informacion rreth programeve kompjuterike të Kishës.

  5. Të marrim pjesë në organizimet familjare. Mund të bëjmë shumë më tepër për paraardhësit tanë ndërsa punojmë së bashku me anëtarët e tjerë të familjes.

  • Mendoni për atë çfarë mund të bëni që ta shtoni pjesëmarrjen tuaj në punën e tempullit dhe të historisë familjare.

Shkrime të Shenjta të Tjera