Libra dhe Mësime
Kapitulli 45: Mijëvjeçari


Kapitulli 45

Mijëvjeçari

Pamja
A male lion and lamb lying peacefully next to each other in a grassy field. Rolling hills are in the background. There are clouds in the sky. The image portrays the peace among animal life that will exist during the Millennium.

Njerëzit në Tokë gjatë Mijëvjeçarit

  • Kush do të jetë në tokë gjatë Mijëvjeçarit?

Një mijë vjet paqeje, dashurie dhe gëzimi do të fillojnë në tokë me Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Kjo periudhë prej një mijë vjetësh quhet Mijëvjeçari. Shkrimet e shenjta dhe profetët na ndihmojnë të kuptojmë se si do të jetë jeta në tokë gjatë Mijëvjeçarit.

Për shkak të shkatërrimit të të ligjve në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, vetëm njerëzit e drejtë do të jetojnë në tokë në fillim të Mijëvjeçarit. Këta do të jenë ata që kanë jetuar jetë të virtytshme e të ndershme. Këta njerëz do të trashëgojnë ose mbretërinë terrestriale ose mbretërinë çelestiale.

Gjatë Mijëvjeçarit, njerëzit do të jetojnë ende në tokë dhe do të vazhdojnë të kenë fëmijë ashtu si ne tani (shih DeB 45:58). Jozef Smithi tha se qeniet e pavdekshme do ta vizitojnë shpesh tokën. Këto qenie të ringjallura do të ndihmojnë për qeverisjen dhe punë të tjera. (Shih Teachings of the Prophet Joseph Smith, zgjedh. Joseph Fielding Smith [1976], f. 268.)

Njerëzit ende do ta kenë lirinë e zgjedhjes dhe, për një periudhë kohe, shumë njerëz do të jenë të lirë të vazhdojnë me besimet e idetë e tyre. Përfundimisht gjithkush do ta pohojë se Jezu Krishti është Shpëtimtari.

Gjatë Mijëvjeçarit, Jezusi do të “mbretërojë personalisht mbi tokë” (Nenet e Besimit 1:10). Jozef Smithi shpjegoi se Jezusi do të “mbretërojë mbi shenjtorët dhe do të zbresë e do të udhëzojë” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 258).

Puna e Kishës gjatë Mijëvjeçarit

  • Cilat janë dy punët e mëdha që do të kryhen gjatë Mijëvjeçarit?

Gjatë Mijëvjeçarit do të ketë dy punë të mëdha për anëtarët e Kishës: puna në tempull dhe puna misionare. Puna në tempull përfshin ordinancat që janë të domosdoshme për ekzaltim. Këto përfshijnë pagëzimin, vendosjen e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe ordinancat e tempullit – indaumentin, martesën në tempull dhe vulosjen së bashku të njësive familjare.

Shumë njerëz kanë vdekur pa i marrë këto ordinanca. Njerëzit në tokë duhet t’i kryejnë këto ordinanca për ta. Kjo punë tani po kryhet në tempujt e Zotit. Ka ende shumë punë sa të mbarohet para se të fillojë Mijëvjeçari, prandaj kjo punë do të përfundojë gjatë asaj periudhe. Qeniet e ringjallura do të na ndihmojnë të korrigjojmë gabimet që kemi bërë gjatë kërkimeve në lidhje me paraardhësit tanë të vdekur. Ata do të na ndihmojnë gjithashtu për të gjetur informacionin që na duhet për të plotësuar dokumentet tona. (Shih Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:167, f. 251–252.)

Puna tjetër e madhe që do të ndodhë gjatë Mijëvjeçarit do të jetë puna misionare. Ungjilli do t’u mësohet me fuqi të madhe të gjithë njerëzve. Përfundimisht nuk do të jetë më e nevojshme t’u mësojmë të tjerëve parimet e para të ungjillit, sepse “‘të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi,’ thotë Zoti” (Jeremia 31:34).

  • Si mund të përgatitemi tani për punën gjatë Mijëvjeçarit?

Kushtet gjatë Mijëvjeçarit

  • Në çfarë mënyre jeta gjatë Mijëvjeçarit do të jetë e ndryshme nga jeta në tokë tani?

Profeti Jozef Smith dha mësim se gjatë Mijëvjeçarit, “toka do të ripërtërihet dhe do të marrë lavdinë e saj të parajsës” (Nenet e Besimit 1:10).

Satani do të Lidhet

Gjatë Mijëvjeçarit, Satani do të lidhet. Kjo do të thotë se ai nuk do të ketë fuqi për të tunduar ata që do të jetojnë në atë kohë (shih DeB 101:28). “Fëmijët … do të rriten pa mëkat deri në shpëtim” (DeB 45:58). “Dhe për shkak të drejtësisë së popullit të [Zotit], Satani nuk ka pushtet; prandaj, ai nuk do të mund të lirohet për hapësirën e shumë viteve; pasi ai nuk ka fuqi mbi zemrat e njerëzve, pasi ata jetojnë në drejtësi dhe i Shenjti i Izraelit mbretëron” (1 Nefi 22:26).

Paqe në Tokë

Gjatë Mijëvjeçarit, nuk do të ketë më luftëra. Njerëzit do të jetojnë në paqe e harmoni së bashku. Gjërat që ishin përdorur për luftë do të përdoren për qëllime të dobishme. “Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën” (Isaia 2:4; shih gjithashtu Isaia 11:6–7; DeB 101:26).

Qeverisje e Drejtë

Presidenti Xhon Tejlor dha mësim: “Zoti do të jetë mbret mbi tokën, dhe gjithë njerëzimi vërtet nën sovranitetin e tij, dhe çdo kombi nën qiejt do t’i duhet ta njohë autoritetin e tij, dhe t’i përkulet skeptrit të tij. Ata që shërbejnë me të në drejtësi do të kenë komunikime me Perëndinë dhe me Jezusin; do të kenë shërbesën e engjëjve, dhe do ta njohin të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen; dhe njerëzve të tjerë, që mund të mos u binden plotësisht ligjeve të tij, as të mos jenë plotësisht të udhëzuar për besëlidhjet e tij, megjithatë, do t’u duhet t’i binden plotësisht qeverisë së tij. Sepse do të jetë mbretëria e Perëndisë mbi tokë, dhe ai do të vërë në zbatim ligjet e tij, dhe do të urdhërojë atë bindje nga kombet e botës që është e drejta e tij e ligjshme” (Teachings of Presidents of the Church: John Taylor [2001], f. 225).

Nuk do të Ketë Vdekje

Gjatë Mijëvjeçarit, nuk do të ketë më vdekje siç e njohim ne tani. Kur njerëzit të kenë arritur në një moshë të vjetër, ata nuk do të vdesin dhe nuk do të varrosen. Përkundrazi, ata do të transformohen nga gjendja e tyre e vdekshme në gjendjen e pavdekshme “sa hap e mbyll sytë”. (Shih DeB 63:51; 101:29–31.)

Të Gjitha Gjërat do të Zbulohen

Disa të vërteta nuk na janë zbuluar. Të gjitha gjërat do të zbulohen gjatë Mijëvjeçarit. Zoti tha se Ai: “do t’i zbulojë gjithë gjërat. Gjëra që kanë kaluar dhe gjëra të fshehura të cilat askush s’i njeh, gjëra rreth tokës, me të cilat ajo u bë, dhe qëllimin dhe synimin e saj – Gjërat më të çmuara, gjëra që janë lart dhe gjëra që janë poshtë, gjëra që janë brenda në tokë e mbi tokë dhe në qiell” (DeB 101:32–34).

Veprimtari të Tjera të Mijëvjeçarit

Në shumë mënyra, jeta do të jetë siç është tani, përveç faktit që çdo gjë do të bëhet në drejtësi. Njerëzit do të hanë, do të pinë e do të vishen. (Shih Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 333.) Njerëzit do të vazhdojnë të mbjellin e të korrin dhe të ndërtojnë shtëpi (shih Isaia 65:21).

  • Cilat janë mendimet e ndjenjat tuaja rreth kushteve që do të ekzistojnë gjatë Mijëvjeçarit?

Një Luftë Përfundimtare pas Mijëvjeçarit

  • Cili do të jetë fati përfundimtar i tokës?

Në fund të 1.000 vjetëve, Satani do të lirohet për një kohë të shkurtër. Disa njerëz do të largohen nga Ati Qiellor. Satani do të mbledhë ushtritë e tij dhe Mikaeli (Adami) do të mbledhë ushtritë e qiellit. Në këtë luftë të madhe, Satani dhe pasuesit e tij do të flaken përgjithmonë. Toka do të transformohet në një mbretëri çelestiale. (Shih DeB 29:22–29; 88:17–20, 110–115.)

Shkrime të Shenjta të Tjera