Libra dhe Mësime
Kapitulli 31: Ndershmëria


Kapitulli 31

Ndershmëria

Pamja
Two men shaking hands

Ndershmëria Është një Parim i Shpëtimit

  • Si do të ishte shoqëria në se të gjithë do të ishin përsosmërisht të ndershëm?

Neni i 13-të i besimit thotë: “Ne besojmë në qenien të ndershëm.” Libri i Mormonit na tregon rreth një grupi njerëzish që “u dalluan gjithashtu për zellin e tyre ndaj Perëndisë, si edhe ndaj njerëzve; pasi ishin krejtësisht të ndershëm dhe të drejtë për çdo gjë; dhe ishin të vendosur në besimin e Krishtit, madje deri në fund” (Alma 27:27). Për shkak të ndershmërisë së tyre, këta njerëz u dalluan nga të afërmit e tyre dhe nga Perëndia. Është e rëndësishme të mësojmë se çfarë është ndershmëria, në ç’mënyra tundohemi për të qenë të pandershëm dhe si mund ta mposhtim këtë tundim.

Ndershmëria e plotë është e domosdoshme për shpëtimin tonë. Presidenti Brigam Jang tha: “Nëse e pranojmë shpëtimin me kushtet që na ofrohet, ne duhet të jemi të ndershëm në çdo mendim, në përsiatjet tona, në shqyrtimet tona, në rrethet tona private, në marrëveshjet tona, në deklaratat tona dhe në çdo veprim të jetës sonë” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 293).

Perëndia është i ndershëm dhe i drejtë në të gjitha gjërat (shih Alma 7:20). Që të bëhemi si Ai edhe ne duhet të jemi të ndershëm në të gjitha gjërat. Vëllai i Jaredit dëshmoi: “Po, Zot, unë e di që … ti je një Perëndi i së vërtetës dhe nuk mund të gënjesh” (Ethëri 3:12). Krejt ndryshe, djalli është një gënjeshtar. Në fakt, ai është ati i të gjitha gënjeshtrave (shih 2 Nefi 9:9). “Ata që zgjedhin t’ua hedhin të tjerëve, të gënjejnë, të mashtrojnë dhe t’i paraqesin ndryshe faktet bëhen skllevër të tij” (Mark E. Petersen, në Conference Report, tetor 1971, f. 65; ose Ensign, dhjetor 1971, f. 73).

Njerëzit e ndershëm e duan të vërtetën dhe drejtësinë. Ata janë të ndershëm në fjalët dhe veprimet e tyre. Ata nuk gënjejnë, nuk vjedhin dhe nuk mashtrojnë.

Të Gënjesh Është e Pandershme

Të gënjesh do të thotë t’i mashtrosh të tjerët me paramendim. Dhënia e një dëshmie të rreme është një formë e gënjeshtrës. Zoti u dha këtë urdhërim fëmijëve të Izraelit: “Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd” (Eksodi 20:16). Jezusi dha mësim gjithashtu të njëjtën gjë kur ishte në tokë (shih Mateu 19:18). Ekzistojnë edhe shumë forma të tjera të gënjeshtrës. Kur themi gjëra që nuk janë të vërteta, jemi fajtorë për gënjeshtër. Gjithashtu mund të mashtrojmë të tjerët me qëllim me anë të një gjesti ose vështrimi, duke heshtur ose duke treguar vetëm një pjesë të së vërtetës. Sa herë bëjmë që njerëzit të besojnë diçka që nuk është e vërtetë, nuk tregohemi të ndershëm.

Zoti nuk është i kënaqur me një pandershmëri të tillë dhe ne do të na duhet të japim llogari për gënjeshtrat tona. Satani do të donte që ne të besonim se nuk ka asgjë të keqe po të gënjejmë. Ai thotë: “Po, gënjeni pak, … nuk ka gjë të keqe në këtë” (2 Nefi 28:8). Satani na nxit t’ia përligjim vetes gënjeshtrat tona. Njerëzit e ndershëm i dallojnë tundimet e Satanit dhe do thonë të gjithë të vërtetën, madje edhe në se është në dëm të tyre.

Të Vjedhësh Është e Pandershme

Jezusi na mësoi: “Mos vidh” (Mateu 19:18). Të vjedhim do të thotë të marrim diçka që nuk na përket. Kur marrim atë që i përket dikujt tjetër, ose një dyqani, ose komunitetit pa marrë në fillim leje, atëherë po vjedhim. Të marrësh mallra ose mjete nga një punëdhënës është gjithashtu vjedhje. Kopjimi i muzikës, filmave, figurave, apo tekstit të shkruar pa lejen e pronarëve të së drejtës së autorit është e pandershme dhe një formë vjedhjeje. Të pranosh më tepër kusur ose mallra nga sa duhet të marrim është e pandershme. Të marrim më tepër nga sa na takon do të thotë të vjedhim.

Të Mashtrosh Është e Pandershme

Ne mashtrojmë kur japim më pak nga sa detyrohemi, ose kur marrim diçka që nuk e meritojmë. Disa punonjës i mashtrojnë punëdhënësit e tyre duke mos punuar me orar të plotë; e megjithatë pranojnë pagesën e plotë. Disa punëdhënës nuk janë të ndershëm me punonjësit e tyre; i paguajnë ata më pak nga sa duhet. Satani thotë: “Përfitoni nga ndonjë për shkak të fjalëve të tij, hapini gropën fqinjit” (2 Nefi 28:8). Të fitosh epërsi padrejtësisht është një formë pandershmërie. Dhënia e një shërbimi ose malli të dobët është gjithashtu mashtrim.

Ne Nuk Duhet ta Shfajësojmë Pandershmërinë Tonë

  • Çfarë na ndodh shpirtërisht kur shfajësojmë pandershmërinë tonë?

Njerëzit përdorin shumë shfajësime për qenien të pandershëm. Njerëzit gënjejnë për të mbrojtur veten dhe që të tjerët të mendojnë mirë për ta. Disa e shfajësojnë veten kur vjedhin, duke menduar se e meritojnë atë që morën, se mendojnë ta kthejnë përsëri ose se kanë nevojë për të më tepër se pronari. Disa mashtrojnë për të marrë nota më të mira në shkollë, ose sepse “të gjithë të tjerët e bëjnë atë”, ose për të marrë hak.

Këto shfajësime dhe shumë të tjera jepen si arsye për mungesën e ndershmërisë. Për Zotin këto nuk janë arsye të pranueshme. Kur e shfajësojmë veten, mashtrojmë veten tonë dhe Shpirti i Perëndisë nuk është më me ne. Ne bëhemi sa vjen e më tepër mëkatarë.

Ne Mund të Jemi Plotësisht të Ndershëm

  • Çfarë do të thotë të jesh plotësisht i ndershëm?

Për t’u bërë plotësisht të ndershëm, ne duhet ta analizojmë me kujdes jetën tonë. Nëse ka mënyra në të cilat po tregohemi qoftë edhe fare pak të pandershëm, duhet të pendohemi për to menjëherë.

Kur jemi plotësisht të ndershëm, nuk mund të korruptohemi. Ne qëndrojmë të vërtetë ndaj çdo besimi, detyre, marrëveshjeje ose besëlidhjeje, madje edhe nëse do të na kushtojë para, miq ose jetën. Atëherë mund të përballemi me Zotin, veten dhe të tjerët pa na ardhur turp. Presidenti Jozef F. Smith këshilloi: “Le të jetë jeta e çdo njeriu e tillë që karakteri i tij të durojë edhe shqyrtimin më të imët dhe që të mund të shihet si një libër i hapur, kështu që nuk do të kemi asgjë nga e cila të zmbrapsemi ose për të cilën të na vijë turp” (Gospel Doctrine, bot. 5-të [1939], f. 252).

  • Në çfarë mënyrash ndershmëria apo pandershmëria ndikojnë në ndjenjat që kemi për veten?

Shkrime të Shenjta të Tjera