Libra dhe Mësime
Kapitulli 4: Liria për të Zgjedhur


Kapitulli 4

Liria për të Zgjedhur

Pamja
Man standing at crossroads

Liria e Zgjedhjes Është një Parim i Përjetshëm

  • Nëse dikush do t’ju pyeste përse është e rëndësishme të kemi liri zgjedhjeje, çfarë do të thoshit?

“Ti mund të zgjedhësh vetë, sepse të është dhënë ty” (Moisiu 3:17).

Perëndia na ka treguar nëpërmjet profetëve të Tij se ne jemi të lirë të zgjedhim midis së mirës dhe së ligës. Ne mund të zgjedhim lirinë dhe jetën e përjetshme duke ndjekur Jezu Krishtin. Gjithashtu jemi të lirë të zgjedhim robërinë dhe vdekjen duke ndjekur Satanin. (Shih 2 Nefi 2:27.) E drejta për të zgjedhur midis së mirës e së ligës dhe për të vepruar për veten quhet liri e zgjedhjes.

Në ekzistencën tonë para lindjes, ne patëm liri zgjedhjeje morale. Një qëllim i jetës tokësore është të tregojë se çfarë zgjedhjesh do të bëjmë (shih 2 Nefi 2:15–16). Nëse do të detyroheshim të zgjidhnim të drejtën, nuk do të ishim në gjendje të tregonim se çfarë do të kishim zgjedhur vetë. Përveç kësaj, ne jemi më të lumtur në veprime kur veprojmë sipas zgjedhjeve tona.

Liria e zgjedhjes qe një nga çështjet parësore që u diskutua në Këshillin paralindjes në Qiell. Ajo ishte një nga shkaqet kryesore të konfliktit midis pasuesve të Krishtit dhe pasuesve të Satanit. Satani tha: “Vër re, ja ku jam unë, dërgomë mua, unë do të jem biri yt dhe do ta shëlboj gjithë njerëzimin, që asnjë shpirt të mos humbasë, dhe sigurisht do ta bëj atë; si rrjedhim, ma jep mua lavdinë tënde” (Moisiu 4:1). Duke thënë këtë, ai “ngriti krye kundër [Perëndisë] dhe kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur” (Moisiu 4:3). Oferta e tij u refuzua dhe ai u flak nga qielli bashkë me pasuesit e tij (shih DeB 29:36–37).

Liria e Zgjedhjes është një Pjesë e Domosdoshme e Planit të Shpëtimit

Liria e Zgjedhjes e bën jetën tonë në tokë një periudhë prove. Kur planifikoi krijimin tokësor të fëmijëve të Tij, Perëndia tha: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” (Abrahami 3:25). Pa dhuratën e lirisë së zgjedhjes, nuk do të kishim qenë në gjendje t’i tregonim Atit tonë Qiellor nëse do të bënim gjithçka që do të na urdhëronte Ai. Duke qenë se jemi në gjendje të zgjedhim, ne jemi përgjegjës për veprimet tona (shih Helamani 14:30–31).

Kur zgjedhim të jetojmë sipas planit të Perëndisë për ne, liria jonë e zgjedhjes forcohet. Zgjedhjet e drejta e rrisin fuqinë tonë për të bërë edhe më tepër zgjedhje të drejta.

Kur i bindemi secilit urdhërim të Atit tonë, ne rritemi në urtësi dhe në forcën e karakterit. Besimi ynë rritet. Ne e kemi më të lehtë të bëjmë zgjedhje të drejta.

Ne filluam të bëjmë zgjedhje si fëmijë shpirtërorë në praninë e Atit tonë Qiellor. Zgjedhjet tona atje na bënë të denjë të vinim në tokë. Ati ynë Qiellor do që ne të rritemi në besim, fuqi, dituri, urtësi dhe në gjithçka tjetër të mirë. Në qoftë se i mbajmë urdhërimet e Tij dhe bëjmë zgjedhje të drejta, do të mësojmë dhe do të kuptojmë. Ne do të bëhemi si Ai. (Shih DeB 93:28.)

  • Si na ndihmon bërja e zgjedhjeve të drejta për të bërë më shumë zgjedhje të drejta?

Liria e Zgjedhjes Kërkon Që të Ketë një Zgjedhje

  • Pse është i nevojshëm kundërshtimi?

Ne nuk mund të zgjedhim drejtësi po të mos vihen para nesh të kundërtat, e mira dhe e liga. Lehi, një profet i madh i Librit të Mormonit, i tha birit të tij Jakobit se, në mënyrë që të përmbushen qëllimet e përjetshme të Perëndisë, duhet të ketë “një kundërshtim në të gjitha gjërat. Po të mos ishte kështu, … drejtësi nuk mund të kishte, as ligësi, as shenjtëri ose mjerim, as të mirë ose të keqe” (2 Nefi 2:11).

Perëndia e lejon Satanin të kundërshtojë të mirën. Perëndia tha për Satanin:

“Unë bëra që ai të flakej tutje;

Dhe ai u bë Satani, po, madje djalli, ati i gjithë gënjeshtrave, për të mashtruar e verbuar njerëzit dhe për t’i çuar ata në robërinë e vullnetit të tij, madje të gjithë ata që nuk do t’i bindeshin zërit tim” (Moisiu 4:3–4).

Satani bën gjithçka që mundet për të shkatërruar punën e Perëndisë. Ai kërkon “mjerimin e të gjithë njerëzimit. … Ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë” (2 Nefi 2:18, 27). Ai nuk na do fare. Ai nuk dëshiron asgjë të mirë për ne (shih Moroni 7:17). Ai nuk do që ne të jemi të lumtur. Ai do që të na bëjë skllevërit e tij. Ai përdor shumë maskime për të na skllavëruar.

Kur ndjekim tundimet e Satanit, i kufizojmë zgjedhjet tona. Shembulli i mëposhtëm na sugjeron se si funksionon kjo. Përfytyroni sikur të shikoni një tabelë në breg të detit që thotë: “Rrezik – vorbull. Këtu ndalohet noti.” Ne mund të mendojmë se ky është një kufizim. Por a është kështu? Ne akoma kemi shumë zgjedhje. Jemi të lirë të notojmë diku tjetër. Jemi të lirë të ecim përgjatë detit dhe të mbledhim guacka. Jemi të lirë të shikojmë perëndimin e diellit. Jemi të lirë të shkojmë në shtëpi. Po kështu jemi të lirë të mos e përfillim tabelën dhe të notojmë në atë vend të rrezikshëm. Por pasi vorbulla të na ketë nën forcën e saj dhe të na tërheqë poshtë, atëherë na mbeten shumë pak zgjedhje. Mund të përpiqemi të largohemi, ose mund të thërresim për ndihmë, por mund të mbytemi.

Edhe pse jemi të lirë të zgjedhim veprimet tona, ne nuk jemi të lirë të zgjedhim pasojat e veprimeve tona. Pasojat, qofshin këto të mira ose të këqija, vijnë si një rezultat i natyrshëm i çfarëdo zgjedhjeje që bëjmë (shih Galatasve 6:7; Zbulesa 22:12).

Ati Qiellor na ka treguar se si t’i shpëtojmë robërisë së Satanit. Ne duhet të vigjëlojmë e të lutemi gjithmonë, duke i kërkuar Perëndisë të na ndihmojë t’u bëjmë ballë tundimeve të Satanit (shih 3 Nefi 18:15). Ati ynë Qiellor nuk do të na lejojë të tundohemi përtej fuqisë sonë për të rezistuar (shih 1 Korintasve 10:13; Alma 13:28).

Urdhërimet e Perëndisë na drejtojnë larg rrezikut dhe drejt jetës së përjetshme. Duke zgjedhur me urtësi, ne do të fitojmë ekzaltimin, do të përparojmë përjetësisht dhe do të gëzojmë lumturi të përkryer (shih 2 Nefi 2:27–28).

  • Cilët janë disa shembuj veprimesh që kufizojnë zgjedhjet tona? Cilët janë disa shembuj veprimesh që na japin më shumë liri?

Shkrime të Shenjta të Tjera