Libra dhe Mësime
Kapitulli 44: Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit


Kapitulli 44

Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit

Pamja
The resurrected Jesus Christ (wearing white robes with a magenta sash) standing above a large gathering of clouds. Christ has His arms partially extended. The wounds in the hands of Christ are visible.

Pritja me padurim e Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit

Dyzet ditë pas Ringjalljes, Jezusi dhe Apostujt e Tij u mblodhën së bashku në Malin e Ullinjve. Kishte ardhur koha që Jezusi të largohej nga toka. Ai e kishte përfunduar të gjithë punën që duhej të bënte në atë kohë. Ai duhej të kthehej tek Ati ynë Qiellor deri sa të vinte koha për Ardhjen e Tij të Dytë.

Pasi i udhëzoi Apostujt, Jezusi u ngjit në qiell. Ndërsa Apostujt po vështronin lart në qiell, dy engjëj qëndruan pranë tyre dhe u thanë: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell” (Veprat e Apostujve 1:11).

Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, pasuesit e Jezu Krishtit e kanë pritur me padurim Ardhjen e Dytë.

Çfarë do të Bëjë Jezusi Kur të Vijë Sërish?

Kur Jezu Krishti të vijë përsëri në tokë, Ai do të bëjë gjërat e mëposhtme:

  1. Ai do të pastrojë tokën. Kur Jezusi të vijë përsëri, Ai do të vijë me fuqi dhe lavdi të madhe. Në atë kohë të ligjtë do të shkatërrohen. Të gjitha gjërat që janë të korruptuara do të digjen dhe toka do të pastrohet me zjarr (shih DeB 101:24–25).

  2. Ai do ta gjykojë popullin e Tij. Kur Jezusi të vijë përsëri, Ai do t’i gjykojë kombet dhe do t’i ndajë të drejtët nga të ligjtë (shih Mateu 25:31–46; shih gjithashtu kapitullin 46 në këtë libër). Gjon Zbuluesi shkroi rreth këtij gjykimi: “Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha pushteti që të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për dëshminë e Jezusit dhe për fjalën e Perëndisë. … Këta u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet.” Ai pa se të ligjtë “nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet” (Zbulesa 20:4–5; shih gjithashtu DeB 88:95–98).

  3. Ai do të nisë Mijëvjeçarin. Mijëvjeçari është një periudhë prej një mijë vjetësh kur Jezusi do të mbretërojë mbi tokë. Të drejtët do të rrëmbehen për të takuar Jezusin në ardhjen e Tij (shih DeB 88:96). Ardhja e Tij do të fillojë mbretërimin mijëvjeçar. (Shih kapitullin 45 në këtë libër.)

    Presidenti Brigam Jang tha:

    “Gjatë Mijëvjeçarit, kur Mbretëria e Perëndisë të vendoset mbi tokë me fuqi, lavdi e përsosmëri, dhe mbretëria e ligësisë që ka mbisunduar kaq gjatë të nënshtrohet, shenjtorët e Perëndisë do të kenë privilegjin të ndërtojnë tempujt e tyre, dhe të hyjnë në ta, duke u bërë, siç ishin, shtylla në tempujt e Perëndisë [shih Zbulesa 3:12], dhe aty ata do të kryejnë ceremoni për të vdekurit e tyre. Atje do të shohim miqtë tanë të na afrohen dhe ndoshta disa me të cilët jemi njohur këtu. … Dhe do të kemi zbulesa për të njohur paraardhësit tanë deri tek Ati Adam e Nëna Evë, dhe do të hyjmë në tempujt e Perëndisë për të kryer ordinancat për ta. Atëherë [fëmijët] do të vulosen me [prindërit] deri sa zinxhiri të bëhet i përsosur deri tek Adami, kështu që do të ketë një zinxhir të përkryer Priftërie nga Adami deri në ditët e fundit” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 333–334).

  4. Ai do të përfundojë Ringjalljen e Parë. Ata që kanë marrë privilegjin e ringjalljes në ringjalljen e të drejtëve do të ngrihen nga varret e tyre. Ata do të rrëmbehen lart për t’u takuar me Shpëtimtarin ndërkohë që Ai do jetë duke zbritur nga qielli. (Shih DeB 88:97–98.)

    Pasi Jezu Krishti u ringjall nga të vdekurit, njerëz të tjerë të drejtë, që kishin vdekur, u ringjallën gjithashtu. Ata u shfaqën në Jeruzalem dhe gjithashtu në kontinentin amerikan. (Shih Mateu 27:52–53; 3 Nefi 23:9–10.) Ky ishte fillimi i Ringjalljes së Parë. Disa njerëz janë ringjallur që nga ajo kohë. Ata që tashmë janë ringjallur dhe ata që do të ringjallen në kohën e ardhjes së Tij do të trashëgojnë lavdinë e mbretërisë çelestiale (shih DeB 76:50–70).

    Pas ringjalljes së atyre që do të trashëgojnë lavdinë çelestiale, do të ringjallet një grup tjetër: ata që do të marrin një lavdi terrestriale. Kur të gjithë këta njerëz të jenë ringjallur, atëherë Ringjallja e Parë do të ketë përfunduar.

    Të ligjtë që do të jenë gjallë në kohën e Ardhjes së Dytë të Zotit do të shkatërrohen në mish. Atyre, së bashku me të ligjtë që kanë vdekur tashmë, do t’u duhet të presin deri në ringjalljen e fundit. E gjithë pjesa e mbetur e të vdekurve do të ngrihen për t’u takuar me Perëndinë. Ata ose do të trashëgojnë mbretërinë telestiale ose do të flaken në errësirën e përtejme me Satanin (shih DeB 76:32–33, 81–112).

  5. Ai do të zërë vendin që i takon si Mbreti i qiellit e i tokës. Kur Jezusi të vijë, Ai do të vendosë qeverinë e Tij mbi tokë. Kisha do të bëhet pjesë e asaj mbretërie. Ai do të qeverisë të gjithë popujt e tokës në paqe për 1.000 vjet.

    Kur erdhi për herë të parë në tokë Jezu Krishti, nuk erdhi me lavdi. Ai lindi në një grazhd të varfër dhe u shtri në një koritë kashte. Ai nuk erdhi midis ushtrive të mëdha ashtu siç e prisnin hebrenjtë Shpëtimtarin e tyre. Përkundrazi, Ai erdhi duke thënë: “Duani armiqtë tuaj, … u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin” (Mateu 5:44). Atë nuk e pranuan dhe e kryqëzuan. Por në Ardhjen e Dytë Ai nuk do të flaket “sepse çdo vesh do ta dëgjojë atë dhe çdo gju do të përkulet e çdo gjuhë do të rrëfejë” se Jezusi është Krishti (DeB 88:104). Atë do ta përshëndesin si “Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve” (Zbulesa 17:14). Atë do ta quajnë “Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes” (Isaia 9:6).

  • Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja ndërsa mendoheni për ngjarjet e Ardhjes së Dytë?

Si do ta Dimë se Kur do të Jetë Pranë Ardhja e Shpëtimtarit?

Kur lindi Jezu Krishti, vetëm pak njerëz e dinin se Shpëtimtari i botës kishte ardhur. Kur Ai të vijë përsëri, nuk do të ketë asnjë dyshim se kush do të jetë Ai. Askush nuk e di kohën e saktë kur Shpëtimtari do të vijë përsëri. “Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im” (Mateu 24:36; shih gjithashtu DeB 49:7).

Zoti përdori një shëmbëlltyrë për të na dhënë idenë e ardhjes së Tij:

“Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër.

Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera” (Marku 13:28–29).

Zoti gjithashtu na ka dhënë disa shenja për të na bërë të ditur se kur do të jetë afër koha e ardhjes së Tij. Pasi zbuloi këto shenja, Ai paralajmëroi:

“Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj. …

… Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mateu 24:42, 44).

Për më tepër informacion mbi mënyrën se si do ta marrim vesh se kur do të jetë pranë Ardhja e Dytë e Jezusit, shihni kapitullin 43 në këtë libër.

Si Mund të Jemi Gati Kur të Vijë Shpëtimtari?

Mënyra më e mirë se si mund të përgatitemi për ardhjen e Shpëtimtarit është të pranojmë mësimet e ungjillit dhe t’i bëjmë ato pjesë të jetës sonë. Ne duhet ta jetojmë çdo ditë sa më mirë që mundemi, ashtu si Jezusi na mësoi kur ishte në tokë. Mund të kërkojmë udhëheqjen e profetit dhe të ndjekim këshillën e tij. Mund të jetojmë të denjë për të pasur udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Atëherë do ta presim ardhjen e Shpëtimtarit me lumturi e jo me frikë. Zoti tha: “Mos ki frikë, tufë e vogël, mbretëria është e jotja, derisa unë të vij. Vini re, unë vij shpejt. Madje kështu. Amen” (DeB 35:27).

  • Përse duhet të jemi më tepër të shqetësuar për gatishmërinë tonë, sesa për kohën e saktë të Ardhjes së Dytë?

Shkrime të Shenjta të Tjera