Libra dhe Mësime
Kapitulli 27: Puna dhe Përgjegjësia Personale


Kapitulli 27

Puna dhe Përgjegjësia Personale

Pamja
A man working indoors on a lathe.

Puna Është një Parim i Përjetshëm

  • Çfarë përvojash keni patur që ju kanë treguar rëndësinë e punës?

Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti na kanë treguar me anë të shembullit dhe mësimeve të Tyre se puna është e rëndësishme në qiell dhe në tokë. Perëndia punoi për të krijuar qiejt dhe tokën. Ai bëri që detet të grumbulloheshin në një vend dhe të shfaqej tera. Ai bëri të mbijë mbi tokë gjelbërimi, bari dhe drurët. Ai krijoi diellin, hënën dhe yjet. Ai krijoi çdo gjallesë në det apo në tokë. Më pas Ai e vendosi Adamin dhe Evën në tokë për t’u kujdesur për të dhe për të sunduar mbi gjithë qeniet e tjera. (Shih Zanafilla 1:1–28.)

Jezusi tha: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj” (Gjoni 5:17). Ai gjithashtu tha: “Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar” (Gjoni 9:4).

Ne Jemi Urdhëruar të Punojmë

Puna ka qenë mënyra e jetesës në tokë që kur Adami dhe Eva u larguan nga Kopshti i Edenit. Zoti i tha Adamit: “Do të hash bukën me djersën e ballit” (Zanafilla 3:19). Adami dhe Eva punuan në fusha për të përmbushur nevojat e tyre dhe të fëmijëve të tyre (shih Moisiu 5:1).

Zoti i tha popullit të Izraelit: “Do të punosh gjashtë ditë” (Eksodi 20:9).

Në ditët e para të kishës së rivendosur, Zoti u tha shenjtorëve të ditëve të mëvonshme: “Tani, unë, Zoti, nuk jam i kënaqur me banorët e Sionit, sepse ka dembelë mes tyre” (DeB 68:31).

Një profet i Perëndisë ka thënë: “Puna duhet të rikurorëzohet si një parim sundues në jetën e anëtarësisë së Kishës sonë” (Heber J. Grant, Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant [2002], f. 115).

Përgjegjësia Familjare

  • Cilat janë disa përgjegjësi që kanë etërit, nënat dhe fëmijët për të mirëmbajtur shtëpinë? Çfarë mund të bëjnë pjesëtarët e familjes që ta ndajnë punën?

Prindërit punojnë së bashku për të siguruar mirëqenien fizike, shpirtërore dhe emocionale të familjes së tyre. Ata nuk duhet të presin kurrë që dikush tjetër ta marrë përsipër këtë përgjegjësi në vend të tyre. Apostulli Pal shkroi: “Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin” (1 Timoteut 5:8).

Çiftet duhet të kërkojnë frymëzim nga Zoti dhe të ndjekin këshillën e profetëve kur vendosin përgjegjësitë individuale. Krijimi i një shtëpie ku parimet e ungjillit mësohen çdo ditë dhe ku ka me bollëk dashuri dhe rregull është po aq i rëndësishëm sa sigurimi i domosdoshmërive bazë për ushqim dhe veshmbathje.

Fëmijët duhet të bëjnë pjesën e tyre në punën e familjes. Është e nevojshme që fëmijëve t’u caktohen detyra që u përshtaten aftësive të tyre. Ata duhen përgëzuar për suksesin e tyre. Qëndrimi i mirë ndaj punës, zakonet dhe aftësitë mësohen nëpërmjet përvojave të suksesshme në shtëpi.

Ndonjëherë njerëzit hasin vështirësi kur përpiqen për të siguruar të mirat materiale për familjet e tyre. Sëmundje kronike, humbja e një bashkëshorti, ose prania e një prindi të moshuar mund t’i shtojnë përgjegjësitë në shtëpi. Ati ynë Qiellor i kujton familjet në të tilla situata dhe u jep atyre forcë për të përmbushur detyrat e tyre. Ai do t’i bekojë ata gjithmonë nëse i luten Atij me besim.

Ne Mund të Gëzohemi në Punën Tonë

  • Si ndikon në punë qëndrimi që kemi ndaj saj?

Për disa njerëz puna është angari. Për të tjerë ajo është një pjesë e gëzueshme e jetës. Një mënyrë për të gëzuar në plotësi të mirat e jetës është të mësojmë ta duam punën.

Jo të gjithë mund ta zgjedhin llojin e punës që bëjnë. Disa punojnë me orare të zgjatura për të siguruar thjesht gjërat e nevojshme të jetesës. Është e vështirë të na pëlqejë një punë e tillë. E megjithatë njerëzit më të lumtur kanë mësuar ta pëlqejnë punën e tyre, cilado qoftë ajo.

Ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin në punën tonë. Edhe barra më e rëndë bëhet më e lehtë kur e ndajmë atë.

Qëndrimi që mbajmë ndaj punës është shumë i rëndësishëm. Historia e mëposhtme tregon se si një njeri arriti të shikonte përtej punës së tij të përditshme. Një udhëtar kaloi pranë një guroreje dhe pa tre burra duke punuar. Ai e pyeti secilin nga ata se çfarë bënte. Përgjigjja e secilit prej tyre zbuloi një qëndrim të ndryshëm ndaj së njëjtës punë. “Po pres gurë”, tha i pari. I dyti u përgjigj: “Po fitoj tre monedha ari në ditë.” I treti buzëqeshi dhe tha: “Po ndihmoj për të ndërtuar një shtëpi të Perëndisë.”

Në çdo punë të ndershme ne mund t’i shërbejmë Perëndisë. Mbreti Beniamin, një profet nefit, tha: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17). Nëse puna jonë siguron vetëm sa për domosdoshmëritë bazë të jetës për veten dhe familjet tona, ne ende jemi duke ndihmuar disa nga fëmijët e Perëndisë.

  • Si mund ta përmirësojmë qëndrimin tonë ndaj punës?

Perëndia e Dënon Përtacinë

Zoti nuk është i kënaqur me ata që janë dembelë ose përtacë. Ai tha: “Dembeli nuk do të ketë vend në kishë, në qoftë se nuk pendohet dhe nuk i korrigjon mënyrat e tij” (DeB 75:29). Ai gjithashtu urdhëroi: “Mos ji dembel; sepse ai që është dembel nuk duhet të hajë bukën, as duhet të veshë rrobat e punëtorit” (DeB 42:42).

Që nga ditët e para të Kishës, profetët i kanë mësuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme të jenë të pavarur, të mbështeten te vetja dhe të shmangin përtacinë. Shenjtorët e vërtetë të ditëve të mëvonshme nuk do ta hiqnin nga shpatullat me dashje barrën për mbështetjen e tyre. Për aq kohë sa janë të aftë fizikisht, ata do të sigurojnë domosdoshmëritë e jetës për vete dhe familjet e tyre.

Për aq sa janë në gjendje, të gjithë anëtarët e Kishës duhet të pranojnë përgjegjësinë për t’u kujdesur për të afërmit e tyre që nuk kanë mundësinë të sigurojnë jetesën për vete.

  • Si ndikon përtacia tek një individ, një familje, një komunitet?

Puna, Zbavitja dhe Çlodhja

  • Përse është e rëndësishme të ruajmë ekuilibrin në jetë midis punës, zbavitjes dhe çlodhjes?

Secili prej nesh duhet të gjejë ekuilibrin e duhur midis punës, zbavitjes dhe çlodhjes. Ekziston një thënie e vjetër: “Të mos bësh asgjë është puna më e rëndë nga të gjitha, sepse kurrë nuk mund të ndalesh për t’u çlodhur.” Pa punë, çlodhja dhe pushimi nuk kanë kuptim.

Jo vetëm që është e këndshme dhe e nevojshme të çlodhesh, por ne jemi urdhëruar të pushojmë në ditën e Shabatit (shih Eksodi 20:10; DeB 59:9–12). Kjo ditë çlodhjeje pas çdo gjashtë ditë pune sjell çlodhje për ditët në vazhdim. Zoti gjithashtu u premton “plotësinë e tokës” atyre që e respektojnë ditën e Shabatit (shih DeB 59:16–20; shih edhe kapitullin 24 në këtë libër).

Në ditët e tjera të javës, përveç punës, mund të kalojmë kohë për të përmirësuar talentet tona e për t’u kënaqur me gjërat që na pëlqejnë, për t’u zbavitur apo për të bërë aktivitete të tjera që do të na çlodhin.

  • Çfarë mund të bëjmë për të mbajtur një ekuilibër të mirë midis punës, zbavitjes dhe çlodhjes? Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ta mbajnë këtë ekuilibër?

Bekimet e Punës

  • Cilat janë disa bekime që vijnë nga puna e ndershme?

Perëndia i zbuloi Adamit: “Do të hash bukën me djersën e ballit” (Zanafilla 3:19). Përveç se është një ligj tokësor, ky ishte gjithashtu një ligj për shpëtimin e shpirtit të Adamit. Nuk ekziston një ndarje e vërtetë midis punës shpirtërore, mendore dhe fizike. Puna është thelbësore për secilin nga ne për rritjen, zhvillimin e karakterit dhe kënaqësi të shumta që dembeli nuk i njeh kurrë.

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tha: “Le ta kuptojmë se privilegji për të punuar është një dhuratë, se fuqia për të punuar është një bekim, se dashuria për punën është sukses” (Pathways to Happiness [1957], f. 381).

“Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25). Puna është një çelës për gëzim të plotë në planin e Perëndisë. Nëse jemi të drejtë, do të kthehemi për të jetuar me Atin tonë Qiellor dhe do të kemi ende punë për të bërë. Ndërsa bëhemi si Ai, puna jonë do të bëhet si puna e Tij. Puna e Tij është: “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Shkrime të Shenjta të Tjera