Seminari
Njësia 28: Dita 1, Doktrina e Besëlidhje 129; 130:1–11, 22–23


Njësia 28: Dita 1

Doktrina e Besëlidhje 129; 130:1–11, 22–23

Hyrje

Më 9 shkurt 1843, Profeti Jozef Smith bëri të njohur “tre çelësa të mëdh[enj]” (DeB 129:9) për të dalluar natyrën e engjëjve dhe të shpirtrave shërbestarë. Këto udhëzime shënohen te Doktrina e Besëlidhje 129. Doktrina e Besëlidhje 130 përmban mësimet e Profetit për doktrina të ndryshme, ndërkohë që po takohej me shenjtorët në Ramus të Ilinoisit, më 2 prill 1843.

Doktrina e Besëlidhje 129

Profeti Jozef Smith jep udhëzime lidhur me natyrën e engjëjve dhe të shpirtrave shërbestarë

Në qoftë se dikush do t’ju pyeste nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë tek engjëjt, çfarë do t’iu thoshit atyre?

Lexojeni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Që prej fillimit e deri te periudhat ungjillore, Perëndia ka përdorur engjëj si përfaqësues të Tij, për të përcjellë dashurinë dhe shqetësimin për fëmijët e Tij. …

Zakonisht qenie të tilla nuk shihen. Nganjëherë ata shihen. Por të shikuar ose jo, ata janë përherë pranë. Nganjëherë detyrat e tyre janë shumë të madhërishme dhe kanë rëndësi për të gjithë botën. Nganjëherë mesazhet janë më personale. Herë-herë pikësynimi engjëllor është për të paralajmëruar. Por më së shpeshti është për të ngushëlluar, për të siguruar një formë përkujdesjeje zemërgjerë, udhëheqje në kohë të vështira” (“Shërbesa e Engjejve”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 29).

Duke filluar nga viti 1839 e duke vazhduar deri në vitin 1843, Profeti Jozef Smith u dha udhëzime disa njerëzve që t’i ndihmonte ata të dinin se si të dallonin natyrën e engjëjve dhe të shpirtrave shërbestarë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 129:1–3, duke kërkuar një ndryshim të rëndësishëm midis engjëjve dhe shpirtrave. (Mund të jetë e dobishme të dini se fjala të drejtë do të thotë [njerëz që veprojnë me] drejtësi.) Si janë engjëjt të ndryshëm nga shpirtrat?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 129:4–7, duke kërkuar një mënyrë për të bërë dallimin midis engjëjve dhe shpirtrave të drejtë.

Për ta kuptuar tërësisht vargun 7, mbani mend se, ngaqë shpirtrat nuk kanë trupa prej mishi e kockash, ata nuk mund t’ua shtrëngojnë dorën qenieve të vdekshme. Nëse shpirtrat shtiren se kanë një aftësi, të cilën nuk e zotërojnë, ky do të ishte një mashtrim, dhe një shpirt që do të përpiqej ta bënte këtë, nuk do të ishte një “njeri i drejtë”. Si rrjedhim, shpirtrat e njerëzve të drejtë, të bërë të përsosur, nuk do të përpiqen ta shtrëngojnë dorën kur ajo zgjatet drejt tyre. Nga Doktrina e Besëlidhje 129:7, ne mësojmë se lajmëtarët e vërtetë, të dërguar nga Ati Qiellor nuk do të na mashtrojnë.

Djalli nganjëherë përpiqet të shfaqet si “një engjëll i dritës” me qëllim që t’i mashtrojë njerëzit (shih DeB 129:8). Përveç kësaj, “shkrimet e shenjta flasin gjithashtu për engjëjt e djallit. Këta janë ata shpirtra që e ndoqën Luciferin dhe që u zbuan nga prania e Perëndisë në jetën paratokësore dhe u flakën në tokë (Zbulesa 12:1–9; 2 Nefi 9:9, 16; DeB 29:36–37)” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Engjëj”, scriptures.lds.org).

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 129:8–9, duke kërkuar se si ta dalloni një shpirt të lig, i cili kërkon të mashtrojë duke u shfaqur si një engjëll i dritës. (Mund të jetë e dobishme të dini se fjala administrimvargun 9 i referohet një shfaqjeje ose vizite nga një engjëll apo një shpirt.)

Pamja
Jozef Smithi

Thënia vijuese nga Profeti Jozef Smith mund t’ju ndihmojë të kuptoni përse shpirtrat e ligj gjithmonë do të veprojnë sipas udhëzimeve te Doktrina e Besëlidhje 129: “Duket … që shpirtrat e ligj kanë caqet, kufizimet dhe ligjet e tyre, nëpërmjet të cilave qeverisen e kontrollohen, dhe e dinë fatin e tyre të ardhshëm” (në History of the Church, 4:576).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, përmblidhni atë që keni mësuar nga Doktrina e Besëlidhje 129 rreth ndryshimit midis engjëjve, shpirtrave të drejtë dhe shpirtrave të ligj. Shpjegoni se çfarë tjetër, përveç udhëzimit në këto vargje, ju ka dhënë Ati Qiellor për t’ju ndihmuar që t’i dalloni mashtrimet e Satanit.

Doktrina e Besëlidhje 130:1–11, 22–23

Profeti Jozef Smith qartëson doktrina të ndryshme

Më 2 prill 1843, Profeti Jozef Smith mbajti një konferencë kunji me shenjtorët në Ramus të Ilinoisit, që ishte rreth 32 kilometra në juglindje të Navusë. Gjatë një mbledhjeje të mëngjesit, Plaku Orson Hajd, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, bëri një predikim dhe dha mësim një interpretim të shkrimit të shenjtë që nuk ishte i saktë, të cilin ai e kishte mësuar nga shoqërimi i tij i mëparshëm në një kishë tjetër. Çfarë përgjegjësie pati Profeti në këtë situatë?

Udhëheqësit kryesues në Kishë, të tillë si profetët, presidentët e kunjeve dhe peshkopët, kanë përgjegjësinë për të siguruar që në mjediset e Kishës jepet mësim doktrina e saktë. Pas mbledhjes së mëngjesit, Jozef Smithi, Orson Hajdi dhe disa njerëz të tjerë hëngrën drekë në shtëpinë e motrës së Jozefit, Sofronias. Gjatë drekës, Profeti i tha Plakut Hajd se ai “do të ofronte disa korrigjime për predikimin e tij”. Plaku Hajd u përgjigj: “Ato do të pranohen plot mirënjohje” (në History of the Church, 5:323).

Pamja
Orson Hajdi

Orson Hajdi

Në fjalimin e tij të mëngjesit, Orson Hajdi e kishte keqinterpretuar Gjonin 14:23. Gjeni një çast që ta studioni këtë varg.

Pasi Orson Hajdi iu referua këtij vargu, ai u tha njerëzve se “është privilegji ynë që Ati dhe Biri banojnë në zemrat tona” (në History of the Church, 5:323). Doktrina e Besëlidhje 130 përmban korrigjimin e Profetit Jozef Smith për këtë ide. Ai seksion përfshin gjithashtu disa mësime shtesë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 130:1–3, duke kërkuar arsyen përse ishte e pasaktë thënia e Orson Hajdit lidhur me domethënien e Gjonit 14:23.

Shumë njerëz sot ose nuk kanë asnjë ide për Perëndinë, ose ndoshta ashtu si Orson Hajdi, i cili ishte dikur një predikues kambelit, kanë një ide të pasaktë të natyrës së Hyjnisë për shkak të traditave të rreme. Ne mund t’i ndihmojmë të tjerët që ta kuptojnë natyrën e vërtetë të Atit Qiellor dhe marrëdhënien e tyre me Të.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Në bashkëbisedime me njerëzit që kanë tradita ose bindje të rreme për Perëndinë, si mund të jeni të mirësjellshëm dhe të kuptueshëm kur tregoni atë që ju dini rreth natyrës së vërtetë të Perëndisë – se si është Ai në të vërtetë?

Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 130:22–23, duke kërkuar të vërtetat që na mësoi Profeti Jozef Smith rreth Kreut-Perëndi. (Doktrina e Besëlidhje 130:22–23 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme që t’ju ndihmojë ta gjeni në të ardhmen.)

  1. Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Nga ajo që mësoni te Doktrina e Besëlidhje 130:22–23, shkruani dy ose tre doktrina rreth Kreut-Perëndi.

    2. Shkruani një ose dy fjali duke shpjeguar se si mund t’i përdorni të vërtetat e dhëna mësim te vargjet 22–23 për t’u mësuar të tjerëve rreth Kreut-Perëndi.

    3. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të kuptojmë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë individë më vete, me trupa prej mishi e kockash?

Shumë tradita rreth Perëndisë, Atit, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë bazohen te idetë e menduara nga burra e gra të vdekshme. Disa nga këto ide janë zhvilluar si rrjedhim i debateve midis udhëheqësve fetarë. Dituria jonë për Kreun-Perëndi vjen nëpërmjet zbulesës nga Perëndia, dhënë profetëve të Tij. Thëniet vijuese përmbledhin të vërtetat e zbuluara rreth Kreut-Perëndi. Teksa lexoni, shenjoni fjalë dhe fraza që ju bëjnë përshtypje.

Pamja
Vegimi i Parë

Perëndia, Ati: Në përgjithësi është Ati, ose Elohimi, të cilit i referohemi me titullin Perëndi. Ai quhet Ati, sepse Ai është ati i shpirtrave tanë. … Perëndia, Ati, është sundimtari më i lartë i gjithësisë. Ai është i gjithëfuqishëm … , di gjithçka … dhe është i pranishëm kudo nëpërmjet Shpirtit të tij. … Njerëzimi ka një lidhje të veçantë me Perëndinë, e cila e veçon njeriun nga të gjitha gjërat e tjera të krijuara: burrat dhe gratë janë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Perëndi, Kokë e Perëndisë”, scriptures.lds.org).

Perëndia, Biri: Perëndia i njohur si Jehova është Biri, Jezu Krishti. … Jezusi vepron nën drejtimin e Atit dhe është në harmoni të plotë me Të. Tërë njerëzit janë vëllezërit dhe motrat e tij, sepse ai është më i vjetri nga fëmijët shpirtërorë të Elohimit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Perëndi, Kokë e Perëndisë”, scriptures.lds.org). Ai është Shëlbuesi dhe vuajti mëkatet dhe dhembjet e gjithë njerëzimit dhe e mposhti vdekjen fizike për të gjithë.

Perëndia, Fryma e Shenjtë: Fryma e Shenjtë është gjithashtu një Perëndi dhe quhet Shpirti i Shenjtë, Shpirti dhe Shpirti i Perëndisë, së bashku me emra dhe tituj të tjerë të ngjashëm [të tillë si Ngushëlluesi]. Me ndihmën e Frymës së Shenjtë, njeriu mund të njohë vullnetin e Perëndisë, Atit, dhe të dijë se Jezusi është Krishti” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Perëndi, Kokë e Perëndisë”, scriptures.lds.org). Roli kryesor i Frymës së Shenjtë është të japë dëshmi për Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin. Fryma e Shenjtë e jep mësim dhe e pohon të vërtetën.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani disa fjali të cilat përmbledhin atë që keni mësuar rreth Kreut-Perëndi. Shpjegoni se cilat të vërteta ju bëjnë më shumë përshtypje dhe përse. Ju gjithashtu mund të doni të përfshini dëshminë tuaj për Kreun-Perëndi.

Rishikojeni Doktrinën e Besëlidhjet 130:2. Ndërsa e bëni këtë, ju mund të doni të shenjoni fjalët që iu mësojnë thënien vijuese doktrinore: Marrëdhëniet që ne mund t’i kemi në qiell janë të njëjta me ato që gëzojmë në tokë, por do të përfshijnë lavdi të përjetshme. (Fjala shoqërimivargun 2 i referohet natyrës së ndërveprimeve dhe marrëdhënieve tona vetjake.)

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring,

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha dëshminë e tij për këto marrëdhënie të përjetshme: “Për shkak të rivendosjes së njohurisë për familje të përjetshme, ne kemi më shumë shpresë dhe jemi më të dashur në të gjitha marrëdhëniet tona familjare. Gëzimet më të mëdha në këtë jetë përqendrohen tek familja, siç do të jetë në botën që do të vijë. Jam tepër mirënjohës për sigurinë që kam që, nëse jemi besnikë, po ai shoqërim që gëzojmë këtu në këtë jetë, do të jetë përgjithmonë me ne në botën që do të vijë, në lavdi të përjetshme. [Shih DeB 130:2.]” (“Kisha e Vërtetë dhe e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 22).

  1. Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese: Si ndikon te ndërveprimet tona me të tjerët njohuria se marrëdhëniet tona në tokë vazhdojnë në lavdi të përjetshme në qiell?

    2. Mendoni rreth një gjëje që mund të bëni për t’i forcuar marrëdhëniet tuaja me të tjerët, veçanërisht me pjesëtarët e familjes suaj. Më pas shkruani një synim për ta bërë këtë.

Disa doktrina shtesë, të dhëna mësim nga Profeti Jozef Smith në Ramus të Ilinoisit, përfshihen te Doktrina e Besëlidhje 130:4–11. Lexojini këto vargje, duke kërkuar mësimet e dhëna nga Profeti rreth engjëjve dhe rreth së ardhmes së tokës. Sipas vargjeve 10–11, të gjithë ata që e trashëgojnë mbretërinë çelestiale, do të marrin një Urim e Thumim për t’i ndihmuar që të mësojnë rreth gjërave qiellore dhe t’i kuptojnë ato. Profeti nuk e shtjelloi me hollësi këtë temë.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Doktrina e Besëlidhje 130:22–23

  1. Plaku Xhefri R. Holland tha: “Ne deklarojmë se vetëkuptohet nga shkrimet e shenjta se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë persona të veçantë, tri qenie hyjnore” (“I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 41). Për të kuptuar se si jepet mësim qartësisht doktrina e Kreut-Perëndi në shkrimet e shenjta, gjeni të paktën tri fragmente në Dhiatën e Re që na e mësojnë doktrinën e përshkruar nga Plaku Holland. Përdorimi i mjeteve ndihmëse për studimin e shkrimeve të shenjta, të tilla si Topical Guide [Udhëzuesi Tematik], indeksi në shkrimet e shenjta dhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, do të ishte i dobishëm. Shkruajini referencat për fragmentet që gjeni në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni gjithashtu t’i shkruani ato në shkrimet tuaja të shenjta pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 130:22–23.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 129; 130:1–11, 22–23 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: