Seminari
Njësia 9: Dita 4, Në Ohajo


Njësia 9: Dita 4

Në Ohajo

Hyrje

Nga fundi i janarit të vitit 1831, Profeti Jozef Smith dhe bashkëshortja e tij, Ema, Sidni Rigdoni dhe Eduard Partrixhi u larguan nga Nju-Jorku për në Ohajo. Shumica e anëtarëve të tjerë të Kishës në Nju-Jork i ndoqën gjatë pesë muajve në vazhdim.

Ata shenjtorë që u mblodhën në Ohajo, u bekuan së tepërmi. Zbulesa të vazhdueshme nëpërmjet Profetit Jozef Smith i çuan ata drejt të kuptuarit të mëtejshëm të ungjillit të Jezu Krishtit. Përveç kësaj, ata i morën bekimet që erdhën prej ndërtimit të një tempulli dhe prej predikimit të ungjillit. Ndërkohë që Kisha u rrit në numër dhe forcë shpirtërore në Ohajo, u shtua edhe kundërshtimi i rëndë kundrejt Kishës dhe udhëheqësve të saj. Më së fundi, në janar të vitit 1838, shumë anëtarëve të Kishës iu desh të largoheshin me të shpejtë nga Ohajo dhe të bashkoheshin me shenjtorët që jetonin në Misuri. Ky mësim do t’ju japë një vështrim të përgjithshëm për përvojat e shenjtorëve në Ohajo. Ju do të mësoni më shumë hollësi në mësimet e ardhshme lidhur me këto ngjarje dhe çfarë mësojmë prej tyre.

Zoti i Urdhëron Shenjtorët të Mblidhen në Ohajo për të Marrë Bekimet e Premtuara

A keni lëvizur ndonjëherë ju ose dikush në familjen tuaj tek një shtëpi e re? Cilat ishin disa nga sfidat e përjetuara kur lëvizët? Çfarë bekimesh kanë ardhur si rezultat i lëvizjes?

Edhe pse arsyet që ata lëvizin mund të ndryshojnë, njerëzit shpesh e bëjnë një sakrificë që të lëvizin diku tjetër, ngaqë besojnë se jeta do të jetë më e mirë për ta në vendin e ri.

Kujtoni nga studimi juaj i Doktrinës e Besëlidhjeve 37–38 ngjarjet që e rrethuan urdhërimin e Zotit për shenjtorët që të largoheshin nga Nju-Jorku dhe të lëviznin drejt Ohajos. Kur Zoti i urdhëroi ata të mblidheshin në Ohajo, Ai gjithashtu premtoi se ata do të merrnin bekime të veçanta atje.

  1. Kopjoni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Premtime

    DeB 38:31–32

    a.

    b.

    c.

    d.

    DeB 38:33

    e.

    DeB 42:61

    f.

    Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 38:31–32 dhe renditni katër gjëra që Zoti tha se shenjtorët do të merrnin kur ata të mbërrinin në Ohajo, në kolonën “Premtimet” si përgjigje për pikat a deri në d.

    Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 38:33 dhe renditni se ku tha Zoti që Ai do të dërgonte misionarë si përgjigje për pikën e në tabelë.

    Pak kohë pasi Jozef Smithi mbërriti në Ohajo, ai mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 42. Hidhini një sy Doktrinës e Besëlidhjeve 42:61 dhe përcaktoni premtimin shtesë që dha Zoti. Shkruani “të marrësh zbulesë pas zbulese” si përgjigje për pikën f në tabelë.

Katër pjesët pasuese të këtij mësimi do t’ju ndihmojnë të mësoni më shumë rreth mënyrës se si Zoti i përmbushi këto premtime, ndërkohë që populli i Tij u mblodh në Ohajo nga viti 1831 deri në 1838.

“Do t’ju Jap Ligjin Tim” (DeB 38:32)

Zoti premtoi se Ai do t’ua jepte shenjtorëve ligjin e Tij kur të mblidheshin në Ohajo. Përse janë ligjet të rëndësishme? Si mendoni, përse janë të rëndësishme ligjet në Kishën e Zotit?

Lexoni hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 42. Pasi shenjtorët mbërritën në Ohajo në vitin 1831, Zoti e përmbushi premtimin e Tij dhe dha një zbulesë të referuar si ligji i Kishës. Ky ligj përfshin urdhërime dhe udhëzime që drejtojnë funksionet e Kishës.

Lexoni përmbledhjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 42 duke kërkuar disa prej ligjeve dhe urdhërimeve që Zoti ua dha shenjtorëve. (Përmbledhja e seksionit gjendet përpara vargut të parë. Ajo jep numrat e vargjeve dhe një përmbledhje të shkurtër të atyre vargjeve.) Teksa lexoni, ju mund të dëshironi ta shenjoni frazën “Ligje që qeverisin përkushtimin e pronave, caktohen”.

Në këtë zbulesë, Zoti dha ligjin e përkushtimit. Ky ligj është “një parim hyjnor me anë të të cilit burra dhe gra, në mënyrë vullnetare, ia përkushtojnë kohën, talentet dhe pasurinë e tyre materiale ngritjes dhe ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkushtoj, Ligj i Përkushtimit”, f. 149, scriptures.lds.org). Udhëheqësit e Kishës u urdhëruan të themelonin Ndërmarrjen e Bashkuar (gjithashtu e quajtur Urdhri i Bashkuar) për të organizuar interesat materiale ose të biznesit të Kishës, për t’u dhënë ndihmesë të varfërve dhe për të ndihmuar në mënjanimin e lakmisë nga mesi i shenjtorëve. Ky ishte një bekim për shenjtorët në këtë kohë, sepse shumë prej shenjtorëve që erdhën nga Nju-Jorku, iu desh të linin pas shtëpitë dhe pronën e tyre. Ndërmarrja e Bashkuar gjithashtu siguroi të ardhura për të financuar veprimtari të ndryshme të Kishës, të tilla si punën misionare dhe botimin e zbulesave. Ju do të mësoni rreth ligjit të përkushtimit dhe ndikimit të tij mbi shenjtorët në mësimet e ardhshme.

“Do t’ju Dhurohet Fuqi nga Lart” (DeB 38:32)

Zoti gjithashtu premtoi t’iu dhuronte shenjtorëve “fuqi nga lart” kur të mbërrinin në Ohajo (DeB 38:32). Një dhurim është dhënia e një dhurate. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 88:119 duke kërkuar urdhërimin që Zoti ua dha shenjtorëve në Ohajo. “Shtëpi[a]” për të cilën flitet në këtë varg, është një tempull. Tempulli i Kirtlandit, në Kirtland të Ohajos, ishte tempulli i parë i ndërtuar në këtë periudhë ungjillore. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 95:8 duke kërkuar për atë që Zoti tha se do t’ua dhuronte atyre në tempull.

Pamja
Tempulli i Kirtlandit

Tempullit të Kirtlandit iu deshën rreth tre vjet për t’u ndërtuar. Pasi ai u përkushtua në vitin 1836, Zoti filloi ta përmbushte premtimin e Tij për t’u dhuruar shenjtorëve fuqi dhe ata përjetuan bekime të mrekullueshme shpirtërore. Për shembull, Zoti dërgoi tre lajmëtarë qiellorë në Tempullin e Kirtlandit – Moisiun, Eliasin dhe Elijan – për të rivendosur çelësat jetikë të priftërisë në tokë. Këta çelësa do t’iu jepnin shenjtorëve autoritetin për të kryer ordinanca të tempullit dhe për t’i vulosur për përjetësinë familjet si të të gjallëve dhe të të vdekurve. Përveç kësaj, “çelësat e mbledhjes së Izraelit” u rivendosën në këtë kohë (DeB 110:11). Nëpërmjet këtyre çelësave, misionarëve u jepet fuqi për ta dhënë mësim ungjillin anembanë tokës.

Ju “Do të Shko[ni] mes Gjithë Kombeve” (DeB 38:33)

Pasi ishte përkushtuar Tempulli i Kirtlandit dhe ishin rivendosur çelësat e mbledhjes së Izraelit, ungjilli i Jezu Krishtit filloi të predikohej në më shumë vende. Kthehuni te Harta 3, “Zona e New York-ut, Pennsylvania-s dhe Ohio-s në SHBA”, në hartat e historisë së Kishës, të vendosura në pjesën e pasme të kombinimit tresh. Vini re se Kirtlandi në Ohajo ishte një vendndodhje e përsosur për ta filluar dërgimin e misionarëve në mbarë botën që ta jepnin mësim ungjillin “mes gjithë kombeve” (DeB 38:33). Kirtlandi ishte pranë disa prej udhëve kryesore të transportit në Shtetet e Bashkuara. Nga Kirtlandi, misionarët duhej vetëm të udhëtonin largësi të shkurtra për të përdorur avulloret në lumenjtë kryesorë të Amerikës dhe liqenin Erie. Ata gjithashtu kishin mundësi të përdornin një sistem rrugësh kombëtare drejt jugut dhe sistemin e kanaleve drejt veriut. Për shkak të kësaj, Kirtlandi ishte pika e nisjes për misione drejt Kanadasë, pjesëve të tjera të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Për shkak të punës misionare gjatë kësaj kohe, anëtarësia në Kishë anembanë botës u rrit me mijëra vetë. Në vitin 1837, Pleqtë Hibër C. Kimball dhe Orson Hajd, së bashku me pesë të tjerë, u thirrën në një mision për në Britaninë e Madhe, ku ata pagëzuan rreth 2 000 njerëz. Deri në 1838-ën, kur shenjtorët u larguan nga Kirtlandi për shkak të përndjekjes, kishte rreth 2 000 anëtarë të Kishës që jetonin në Kirtland, dhe pothuajse 18 000 anëtarë të Kishës anembanë botës.

“Do të Marrësh Zbulesë pas Zbulese” (DeB 42:61)

Kthehuni te rendi kronologjik i përmbajtjes së Doktrinës e Besëlidhjeve (i vendosur pas parathënies) dhe vini re vendin ku u morën shumica e zbulesave.

Siç mund ta shihni, më shumë zbulesa u morën në Ohajo se në çfarëdo vend tjetër. Premtimi i Zotit që shenjtorët do të merrnin zbulesë pas zbulese ndërkohë që mblidheshin në Ohajo, u përmbush.

  1. Lexoni hyrjen e seksionit dhe përmbledhjen e seksionit për secilin prej seksioneve vijuese. Më pas, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani pak fjalë duke përmbledhur se për çfarë është zbulesa dhe një ose dy fjali duke përshkruar se si zbulesa e ka bekuar Kishën dhe vetë jetën tuaj.

    1. DeB 76

    2. DeB 84

    3. DeB 89

Teksa shenjtorët ishin në Ohajo, Zoti gjithashtu e udhëzoi Profetin Jozef Smith të organizonte udhëheqjen e Kishës. Presidenca e Parë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Kuorumi i Të Shtatëdhjetëve u organizuan zyrtarisht gjatë asaj kohe. Gjatë po së njëjtës periudhë kohore, Jozef Smithi vazhdoi edhe punën e tij për përkthimin e Biblës.

Kundërshtimi dhe Braktisja Pllakosin Anëtarët Besnikë në Ohajo

Madje ndërkohë që Zoti po i bekonte shenjtorët në Ohajo, kundërshtimi ndaj Kishës gjithashtu po rritej. Sapo shenjtorët mbërritën në Kirtland, kritikuesit antimormonë filluan ta sulmojnë Kishën. Shumë prej sulmeve erdhën në formën e historive dhe artikujve shpifës së gazetave.

Pamja
Jozef Smith

Profeti Jozef Smith tha sa vijon lidhur me këto botime: “Shumë thënie të rreme, gënjeshtra dhe histori të marra u botuan në gazetat dhe qarkulluan në çdo drejtim, për t’i penguar njerëzit që ta hetonin veprën ose që ta përqafonin besimin” (në History of the Church, 1:158).

Pavarësisht nga këto dhe vështirësi të tjera, shenjtorët vazhduan të mblidheshin në Kirtland, veçanërisht gjatë viteve 1836–1838. Në vitin 1836, Jozef Smithi e ndjeu barrën e borxhit për shkak të shpenzimeve të ndërtimit të Tempullit të Kirtlandit. Edhe pse Kisha kishte në pronësi sasi të konsiderueshme toke, asaj i duheshin edhe të ardhura për të shlyer kreditë e papaguara. Për shkak të nevojave kreditore të Kishës dhe popullsisë në rritje në Kirtland, udhëheqësit e Kishës planifikuan të ngrinin një bankë vendore. Kërkesa e tyre që të ngrinin një bankë nuk u pranua nga legjislatura e shtetit të Ohajos. Në vend që të ngrinin një bankë, shenjtorët formuan një kompani të quajtur Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit, e cila funksiononte si një bankë.

Në vitin 1837, një panik ekonomik u përhap përmes Shteteve të Bashkuara. I tërë vendi i ndjeu ndikimet e panikut dhe mjaft banka falimentuan. Përveç kësaj, disa nga ata që u përfshinë për drejtimin e Shoqërisë së Sigurisë së Kirtlandit, nuk ishin të ndershëm në veprimet e tyre. Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit gjithashtu u detyrua të mbyllej dhe qindra prej individëve që kishin investuar në të, humbën pothuajse gjithçka që e kishin investuar. Humbjet e Jozef Smithit ishin më të mëdha se të kujtdo tjetër. Shumë shenjtorë e akuzuan Profetin të ishte përgjegjës për problemet e tyre financiare dhe një numër padish gjyqësore pasuan. Udhëheqësit e Kishës, të cilët ndihmuan për të krijuar Shoqërinë e Sigurisë së Kirtlandit, gabimisht kishin hamendësuar se individët kishin të drejtë ligjore të organizonin një kompani private që përfshihej në veprimtari bankare dhe një gjobë prej 1 000 dollarësh u caktua kundër tyre për shkeljen e ligjeve bankare të Ohajos.

Këto ngjarje të vështira i çuan disa anëtarë të Kishës drejt braktisjes. Përndjekja u bë kaq e fortë gjatë dimrit të vitit 1837 dhe pranverës së vitit 1838 sa shumica e shenjtorëve u detyruan të largoheshin nga Ohajo. Disa udhëheqësve të Kishës, përfshirë Jozef Smithin, Sidni Rigdonin dhe Brigam Jangun, iu desh të largoheshin me të shpejtë nga Kirtlandi për sigurinë e jetës së tyre.

  1. Bazuar në atë që keni mësuar në këtë mësim, shkruani disa fjali në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës që mendoni se do të ishit ndier po të jetonit në Ohajo gjatë kësaj kohe të historisë së Kishës. Përfshini në cilat gjëra mendoni se do të kishit dëshiruar të kishit marrë pjesë dhe cilat gjëra mendoni se do të kishin qenë një sfidë për ju.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar mësimin “Në Ohajo” dhe e përfundova më (datë).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: