Seminari
Njësia 25: Dita 2, Doktrina e Besëlidhje 113–114


Njësia 25: Dita 2

Doktrina e Besëlidhje 113–114

Hyrje

Pasi mbërriti në Far-Uest të Misurit, në mars të vitit 1838, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 113. Në zbulesë, Zoti iu përgjigj pyetjeve rreth fragmenteve nga libri i Isaias. Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 114 më 17 prill 1838. Në këtë zbulesë Zoti e udhëzoi Dejvid W. Patenin, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që të përgatitej për të shërbyer në një mision.

Doktrina e Besëlidhje 113

Zoti iu përgjigjet pyetjeve rreth fragmenteve nga libri i Isaias

A e keni të vështirë nganjëherë që ta kuptoni atë që lexoni në shkrimet e shenjta?

Disa profeci në shkrimet e shenjta përdorin simbole që janë të vështira për t’u kuptuar. Në Far-Uest të Misurit, disa vëllezër i kërkuan Profetit Jozef Smith që të sqaronte fragmente në librin e Isaias. Përgjigjet e dhëna nga Zoti për ato pyetje janë shënuar te Doktrina e Besëlidhje 113.

Pamja
Isaia duke shkruar

Isaia

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, renditni pyetjet te Doktrina e Besëlidhje 113 dhe përmblidhni përgjigjet e Zotit.

Te Doktrina e Besëlidhje 113:1–2, kuptimi i fjalës trung është i qartë. Informacioni vijues mund të ndihmojë për ta shtuar kuptueshmërinë tuaj për atë simbol: Jezu Krishti ishte pasardhës i shtëpisë së Isait, atit të Davidit. Fjala trungu tek Isaia 11:1 përkthehet nga një fjalë hebraike që i referohet cungut të një peme – qoftë i një peme që është prerë apo i një peme që është mbjellë.

Përsiatini kuptimet e fjalëve degëz dhe rrënjë, të përmendura te Doktrina e Besëlidhje 113:3–6. Merreni parasysh interpretimin vijues, të dhënë nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “A e kemi gabim të themi se profeti që përmendet këtu, është Jozef Smithi, të cilit iu dha priftëria, i cili mori çelësat e mbretërisë dhe i cili ngriti emblemën për mbledhjen e popullit të Zotit në periudhën tonë ungjillore? Dhe a nuk është ai gjithashtu ‘shërbëtor[i] në duart e Krishtit, i cili është pjesërisht pasardhës i Isait, sikurse edhe i Efraimit ose i shtëpisë së Jozefit, mbi të cilin është vendosur shumë fuqi’? (DeB 113:4–6.) Ata, veshët e të cilëve janë në harmoni me pëshpëritjet e Të Pafundimit, do ta dinë kuptimin e këtyre gjërave” (The Millennial Messiah: The Second Coming of the Son of Man [1982], f. 339–340).

Pamja
trung

Cilat janë disa gjëra që Jozef Smithi i ka bërë “si shërbëtor në duart e Krishtit” (DeB 113:4)?

Ndërsa merrni në shqyrtim kuptimin e fjalës rrënja, studioni Doktrinën e Besëlidhjet 113:5–6.

Si mund ta përfaqësojë rrënja Jozef Smithin?

Plotësojeni thënien vijuese të doktrinës duke u bazuar tek ajo që mësoni prej vargut 6: Jozef Smithi i mori çelësat e mbretërisë, për dhe për në ditët e fundit. Ju mund të doni të bëni një referencë-kryq të vargut 6 me Doktrinën e Besëlidhjet 110:11.

Pasi Zoti zbuloi përgjigjet për pyetjet rreth Isaias 11, Elias Higbi bëri pyetje lidhur me Isaian 52.

Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 113:7–10 dhe plotësojeni tabelën vijuese:

Doktrina e Besëlidhje 113:7–8

Doktrina e Besëlidhje 113:9–10

Çfarë duhet të “vesh[im]” ne?

Çfarë u premton Zoti atyre që kthehen tek Ai?

Çfarë mendoni se do të thotë kjo?

Çfarë mendoni se do të thotë kjo për popullin e shpërndarë të Izraelit?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, renditni mënyra se si Zoti mund të sigurojë udhërrëfim dhe forcë për njerëzit që po përpiqen të kthehen tek Ai.

Doktrina e Besëlidhje 114

Zoti e urdhëron Dejvid W. Patenin të përgatitet për të shërbyer në një mision

Një njeri të cilin Zoti e zgjodhi për të ndihmuar në forcimin e Sionit, ishte një burrë i quajtur Dejvid W. Paten.

Dejvid W. Pateni u bashkua me Kishën më 15 qershor 1832. Ai u shugurua Apostull në vitin 1835. Ai kishte dhuntinë e shërimit dhe ishte një burrë me kurajë e fuqi të madhe. Ai ishte i patrembur në mbrojtjen e tij ndaj besimit dhe Profetit Jozef Smith. Në mbrojtjen e shenjtorëve kundër turmave në Misuri, Dejvid Pateni njihej si “Kapiteni S’Kam Frikë”. (Shih Lycurgus A. Wilson, Life of David W. Patten: The First Apostolic Martyr [1900], f. 5–8, 14–17, 48–49, 62.)

Plaku Paten i tha Profetit Jozef Smithin që të kërkonte një zbulesë në emër të tij. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 114:1, duke kërkuar atë që Zoti donte që Plaku Paten të bënte.

Në vjeshtën e vitit 1838, gjashtë muaj pas zbulesës në të cilën Plaku Paten u urdhërua të përgatitej për një mision, ai u përfshi në betejën e lumit Krukid, që ndodhej pranë kolonive të shenjtorëve në Misurin perëndimor e qendror. Më 25 tetor 1838, turmat i sulmuan shtëpitë e disa prej shenjtorëve, duke i urdhëruar anëtarët të largoheshin nga shteti dhe duke marrë tre burra si të burgosur. Kur e dëgjoi lajmin se turma kishte ndërmend t’i vriste të burgosurit atë natë, milicia e shenjtorëve u organizua në dy grupe për t’i shpëtuar të burgosurit. Plaku Dejvid W. Paten udhëhoqi njërin prej grupeve. Në të gdhirë, ndërkohë që kompania e Plakut Paten iu afrua lumit Krukid për ta kapërcyer, anëtarë të turmës, të cilët kishin qenë të fshehur aty pranë, hapën zjarr. Pasoi një përleshje e shpejtë dhe disa burra nga secila palë u plagosën, përfshirë Plakun Paten.

Pamja
skena e betejës

Beteja në lumin Krukid në Misuri

Plaku Paten vdiq disa orë më vonë. Besimi i tij në ungjillin e rivendosur ishte kaq i fortë sa një herë ai i kishte shprehur Profetit Jozef Smith dëshirën që të vdiste me vdekjen e një martiri. “Profeti, tepër i emocionuar, shprehu hidhërim të thellë, ‘sepse’, i tha ai Dejvidit, ‘kur një burrë që ka besim si ti, i kërkon Zotit diçka, në përgjithësi ai e merr atë’.” Në ceremoninë e varrimit të Plakut Paten në Far-Uest, dy ditë pas betejës, Jozef Smithi i thuri lavde atij: “Atje shtrihet një burrë që ka bërë ashtu siç tha se do të bënte – ai dha jetën e tij për miqtë e vet”. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të. [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 199–200; duke cituar Life of David W. Patten, f. 53; History of the Church, 3:175).

Në kohën kur Plaku Paten vdiq, ai po përgatitej, nëpërmjet besnikërisë së tij, që të shërbente në një mision. Ai ishte gjithashtu i shqetësuar rreth bashkëshenjtorëve të tij, përfshirë disa anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të cilët nuk kishin qenë besnikë. Kur ishte në shtratin e vdekjes, ai thirri: “O sikur ata të ishin në gjendjen time! Ngaqë e ndiej se e kam ruajtur besimin, e kam mbaruar udhën time, prandaj është ruajtur një kurorë për mua, të cilën Zoti, Gjykatësi i drejtë, do të ma japë [shih 2 Timoteut 4:7–8].” Gruas së tij, ai i tha: “Çfarëdo që të bësh, o, mos e moho besimin” (cituar nga Hibër C. Kimballi, në Life of David W. Patten, f. 69).

Një e vërtetë që mund ta mësojmë nga përvoja e Dejvid Patenit është që nëse ia vëmë veshin udhëzimit të Zotit, ne do të jemi të përgatitur për çfarëdo gjëje që Ai ka planifikuar për ne.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Kur e keni ndjekur këshillën e Zotit dhe keni mësuar se ajo ju përgatiti për diçka që nuk e kishit pritur? Nëse nuk e keni pasur këtë përvojë, diskutojeni pyetjen me një pjesëtar/e të familjes ose një shok/qe. Shkruani se çfarë mësoni nga ai ose ajo.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 114:2, duke kërkuar atë që Zoti tha se do të ndodhë kur disa njerëz e mohojnë emrin e Tij. (Në këtë varg, termi detyrën i drejtohet përgjegjësisë së një njeriu, jo një peshkopi apo këshilltarëve të tij. Shih Psalmeve 109:9; Veprat e Apostujve 1:20; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Peshkop”, f. 147.)

Kur disa anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve nuk qëndruan besnikë, të tjerë u thirrën për të shërbyer në vend të tyre. Këta Apostuj të rinj përfshinin Xhon Tejlorin dhe Uilford Udrafin, të cilët shërbyen besnikërisht misione në Angli dhe sollën mijëra shpirtra në njohurinë e ungjillit të rivendosur.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani një paragraf të shkurtër duke përshkruar atë që mund të bëni për ta ndjekur këshillën e Zotit dhe për t’i përmbushur pritshmëritë që Ai ka për ju.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 113–114 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: