Seminari
Njësia 2: Dita 3, Joseph Smith – Historia 1:27–54; Doktrina e Besëlidhje 2


Njësia 2: Dita 3

Joseph Smith – Historia 1:27–54; Doktrina e Besëlidhje 2

Hyrje

I riu Jozef Smith vazhdoi të pohonte se kishte parë një vegim dhe vazhdoi të përndiqej për të. Kur ishte 17 vjeç, një mbrëmje, ndërkohë që Jozefi po lutej, një engjëll, i quajtur Moroni, u shfaq dhe shpalli se Perëndia kishte një punë për Jozefin për ta bërë, përfshirë përkthimin e një anali të lashtë, të shkruar mbi fletë të arta. Ndërsa shpjegonte rolin e Jozefit në Rivendosjen e ungjillit, Moroni citoi një numër profecish nga Bibla, duke përfshirë profecinë e Malakias rreth kthimit të Elijas. Të nesërmen, Jozef Smithi shkoi te kodra ku Moroni kishte thënë se ishin groposur fletët e arta. Atje ai mori udhëzim të mëtejshëm nga Moroni.

Joseph Smith – Historia 1:27–29

Jozef Smithi lutet për falje për mëkatet e tij

Gjatë mësimit të sotëm ju do të mësoni më shumë rreth të riut Jozef Smith. Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:27–29 dhe i përqasni këto vargje me veten tuaj.

Përsiatni situatat dhe ndjenjat që përjetoi Jozef Smithi si një i ri. Në ç’mënyrë janë ato të ngjashme me ato që hasni ju?

Te Joseph Smith – Historia 1:28, Jozefi shkroi se, edhe pse nuk ishte fajtor për mëkate të mëdha, ai nuk veproi gjithmonë siç duhej të vepronte dikush që ishte thirrur nga Perëndia. Ne mund të mësojmë mësime të rëndësishme nga ajo që bëri Jozef Smithi në përgjigje të asaj që bëri gabim.

  1. Shqyrtoni fundin e Joseph Smith – Historisë 1:28 dhe më pas shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta atë që bëri Jozef Smithi në përgjigje të asaj që bëri gabim. Përveç kësaj, renditni një ose dy parime që mund t’i mësojmë nga shembulli i Jozefit.

Disa të vërteta që mund t’i mësojmë nga Joseph Smith – Historia 1:28, janë: Kur i dallojmë mëkatet tona dhe ndiejmë hidhërim për to, ne mund t’i lutemi Atit Qiellor për falje. Ne mund të lutemi për ta ditur qëndrimin tonë përpara Perëndisë.

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund t’ju ndihmojë të luturit për të ditur qëndrimin tuaj përpara Perëndisë?

Lexojeni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për të kuptuar më mirë se si lutja mund të na ndihmojë ta dimë qëndrimin tonë përpara Perëndisë dhe t’i dallojmë ndryshimet që Ai mund të na kërkojë të bëjmë:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Si mund të vendosim se ku duhet të përqendrohet pendimi ynë? … [Ne mund] t’i bëjmë kërkesë me përulësi Zotit: ‘Atë, çfarë do Ti që unë të bëj?’ Përgjigjet vijnë. Ne i ndiejmë ndryshimet që nevojitet të bëjmë. Zoti na e thotë në mendjen tonë dhe zemrën tonë.

Më pas lejohemi të zgjedhim: a do të pendohemi apo do t’i ulim perdet për ta mbuluar dritaren e hapur të qiellit?” (“Repent … That I May Heal You”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 41).

Kujtoni që Ati Qiellor është i gatshëm të na falë kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe kur bëjmë atë që është e domosdoshme për t’u penduar për mëkatet tona.

Joseph Smith – Historia 1:30–35

Engjëlli Moroni i shfaqet Jozef Smithit

Ndërsa Jozef Smithi po lutej për falje, engjëlli Moroni iu shfaq atij. Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:30–32 dhe përpiquni të përfytyroni se si do të kishte qenë kjo përvojë.

Pamja
Moroni i Shfaqet Jozef Smithit në Dhomën e Tij

Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:33 dhe gjeni mesazhin e Moronit dhënë Jozef Smithit. Ju mund të dëshironi të shenjoni fjalë ose fraza që tregojnë se Perëndia kishte një punë për Jozef Smithin për ta bërë. Përsiatni atë që mund të kishte ndier Jozefi, ndërkohë që mësoi për atë që Zoti do të kryente nëpërmjet tij.

  1. Moroni profetizoi se emri i Jozef Smithit do të flitej “si për mirë, edhe për keq mes gjithë popujve” (Joseph Smith – Historia 1:33). Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani rreth provave që keni dëshmuar, të cilat tregojnë se kjo profeci po përmbushet.

Moroni gjithashtu e mësoi Jozef Smithin rreth punës që ai duhej të kryente. Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:34–35 dhe përcaktoni se çfarë do të ishte ajo punë.

Joseph Smith – Historia 1:36–49; Doktrina e Besëlidhje 2

Moroni e udhëzon dhe paralajmëron Jozef Smithin

Te Joseph Smith – Historia 1:36–42 ne lexojmë që Moroni citoi shumë profeci nga Bibla për të shpjeguar se Rivendosja e ungjillit ishte gati për të filluar. Teksa i lexoni këto vargje, ju mund të dëshironi të shenjoni referencat për fragmentet e shkrimeve të shenjta që përmenden.

Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:38–39. Në vitin 1876 Brigam Jangu udhëzoi që fjalët e Moronit në këto vargje të shtoheshin te Doktrina e Besëlidhje si seksioni 2. Kjo profeci e kthimit të Elijas ishte një prej zbulesave më të hershme, të dhëna në këtë periudhë ungjillore, dhe është e një rëndësie të tillë sa ajo shfaqet edhe në Dhiatën e Vjetër (shih Malakia 4:5–6), në Dhiatën e Re (shih Lluka 1:17) dhe Librin e Mormonit (shih 3 Nefi 25:5–6). Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto referenca kryq pranë Joseph Smith – Historisë 1:38–39 dhe Doktrinës e Besëlidhjeve 2.

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring,

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha sa vijon rreth Elijas dhe fuqisë së priftërisë që ai do të rivendoste: “Është e rëndësishme të dimë përse Zoti premtoi të dërgonte Elijan. Elija ishte një profet i madhërishëm me një fuqi të madhërishme, të dhënë atij nga Perëndia. Ai mbajti fuqinë më të madhërishme që Perëndia ua jep fëmijëve të Tij: ai mbajti fuqinë vulosëse, fuqinë për të lidhur në tokë dhe për ta lidhur atë në qiell” (“Hearts Bound Together”, Ensign, maj 2005, f. 78).

Duke përdorur shpjegimin e Presidentit Ajring që t’ju ndihmojë, përmblidhni me fjalët tuaja kuptimin e Doktrinës e Besëlidhjeve 2:1:

Doktrina e Besëlidhje 2:2 u drejtohet premtimeve të bëra etërve. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, sqaroi se cilët janë këta etër dhe çfarë premtimesh iu bënë atyre: “Cilët janë etërit? Ata janë Abrahami, Isaku dhe Jakobi, të cilëve iu bënë premtimet. Cilat janë premtimet? Ato janë premtimet e një vazhdimësie të njësisë familjare në përjetësi” (The Millennial Messiah: The Second Coming of the Son of Man [1982], f. 267).

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi:

Përveçse që u drejtohet profetëve të Dhiatës së Vjetër, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, fjala “etërit” iu drejtohet të tjerëve, sikurse shpjegoi Presidenti Jozef Filding Smith: “Etërit janë paraardhësit tanë të vdekur, që vdiqën pa privilegjin e marrjes së ungjillit, por që morën premtimin se koha do të vinte kur ai privilegj do t’iu jepej atyre. Fëmijët janë ata që jetojnë tani, të cilët po i përgatisin të dhënat gjenealogjike dhe po i kryejnë ordinancat mëkëmbëse në tempuj” (Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:127).

Duke përdorur shpjegimet e dhëna më lart, përmblidhni me fjalët tuaja kuptimin e Doktrinës e Besëlidhjeve 2:2:

Doktrina e Besëlidhje 2:3 thotë se toka do të shkatërrohej tërësisht nëse Elija nuk vinte. Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi përse do të ndodhte kjo: “Përse do të shkatërrohej toka? Thjesht sepse, nëse nuk ka një lidhje të pandashme midis etërve dhe fëmijëve – që është puna për të vdekurit – atëherë ne të gjithë do të jemi të flakur; e gjithë puna e Perëndisë do të dështojë dhe do të shkatërrohet tërësisht” (Doctrines of Salvation, 2:122; shih edhe DeB 128:17–18).

Duke përdorur këtë shpjegim, përmblidhni me fjalët tuaja kuptimin e Doktrinës e Besëlidhjeve 2:3:

Në vijim janë disa shembuj të së vërtetave që mund të keni përcaktuar te Doktrina e Besëlidhje 2:1–3. Përkojeni të vërtetën me vargun e duhur ku ajo jepet mësim.

  1. Perëndia do ta dërgonte Elijan për të rivendosur fuqinë vulosëse në tokë përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.

  1. DeB 2:1

  1. Zemrat tona mund të kthehen te pjesëtarët e familjeve tona dhe ne mund të kryejmë ordinanca që na bashkojnë me ta përjetësisht.

  1. DeB 2:2

  1. Nëse familjet nuk bashkohen nëpërmjet fuqisë vulosëse, toka do të shkatërrohet në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

  1. DeB 2:3

  1. Bazuar në atë që keni mësuar nga Doktrina e Besëlidhje 2, shënoni disa fjali në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta duke shpjeguar ndjenjat tuaja rreth rëndësisë së kthimit të Elijas.

Në studimin tuaj të Doktrinës e Besëlidhjeve 110 më vonë këtë vit, ju do të mësoni se si kjo profeci u përmbush kur Elija u kthye dhe e dha fuqinë vulosëse mbi Profetin Jozef Smith.

Pasi Moroni i mësoi Jozef Smithit rreth kthimit të Elijas, citoi profeci të tjera për Rivendosjen dhe i dha udhëzime të mëtejshme rreth fletëve të arta, ai u largua (shih Joseph Smith – Historia 1:42–43). Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:44–45 dhe përcaktoni se çfarë ndodhi pas largimit të Moronit.

Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:46–49 dhe kërkoni se sa herë Moroni e përsëriti mesazhin e tij dhënë Jozef Smithit. Në tërësi, sa herë ia dha Moroni mesazhin e tij Jozef Smithit?

Një e vërtetë që mësojmë nga kjo, është që Zoti dhe shërbëtorët e Tij i përsëritin shpesh mësimet e rëndësishme.

Merrni parasysh lutjet e sakramentit. Përse përsëriten ato çdo javë fjalë për fjalë? Mendoni për mësime që i keni dëgjuar të përsëriten në shkrimet e shenjta dhe gjatë konferencave të përgjithshme.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta renditni disa shembuj të mësimeve që i keni dëgjuar të përsëriten dhe më pas shpjegoni si mendoni, përse Zoti dhe shërbëtorët e Tij i përsëritin shpesh mësimet. Sigurohuni që të përshkruani se si mund ta vini në jetë këtë të vërtetë sivjet.

Joseph Smith – Historia 1:50–54

Jozefi shkon te kodra dhe zbulon analin, Urimin e Thumimin dhe parzmoren

Joseph Smith – Historia 1:50–51 shpjegon se, pasi i tregoi babait të tij rreth vizitave të Moronit, Jozefi shkoi te kodra ku ishin groposur fletët e arta.

  1. Përfytyroni se si do të ndiheshit nëse ishit Moroni dhe po e vizitonit Jozef Smithin, pasi kishit pritur për më shumë se 1 400 vjet për fletët që të zbuloheshin e përktheheshin. Teksa e përfytyroni këtë, lexoni Joseph Smith – Historinë 1:52–54 dhe më pas shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që mund të kishit ndier gjatë kësaj përvoje.

Në mësimin e ardhshëm ju do të zbuloni atë që ndodhi në fund të periudhës katërvjeçare të pritjes.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Joseph Smith – Historinë 1:27–54 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: