Seminari
Njësia 31: Dita 1, Lufta e Jutës dhe Masakra e Livadheve Malore


Njësia 31: Dita 1

Lufta e Jutës dhe Masakra e Livadheve Malore

Hyrje

Gjatë viteve 1850, tensioni dhe keqkomunikimi midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe zyrtarëve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara çuan drejt Luftës së Jutës në vitet 1857–1858. Në shtator të vitit 1857, lindën gjithashtu mosmarrëveshje midis disa shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe anëtarëve të një vargu me karro emigrantësh që po kalonin përmes Jutës. Të shtyrë nga zemërimi e frika, disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Jutën jugore planifikuan dhe kryen masakrën e rreth 120 emigrantëve që udhëtonin drejt Kalifornisë. Kjo mizori tani njihet si Masakra e Livadheve Malore. Për më shumë informacion, shkoni te LDS.org, zgjidhni Gospel Topics [Tema të Ungjillit] dhe kërkoni për Mountain Meadows Massacre [Masakra e Livadheve Malore].

Krijohet Gjendje e Tensionuar midis Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Më 24 korrik 1857, Presidenti Brigam Jang ishte me një grup shenjtorësh duke festuar përvjetorin e 10-të të mbërritjes së tyre në luginën e Solt-Lejkut, kur ata morën pohimin e lajmit të mëparshëm se një ushtri e dërguar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara po vinte drejt Solt-Lejk-Sitit. Në vitet e shkuara, mosmarrëveshjet dhe keqkomunikimi kishin çuar në një gjendje të tensionuar në rritje midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe zyrtarëve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Shenjtorët donin të qeveriseshin nga udhëheqës që do t’i zgjidhnin vetë dhe nuk i kishin pranuar udhëheqësit e caktuar federalë, të cilët nuk kishin të njëjtat vlera me ta. Kjo bëri që disa zyrtarë federalë t’i konsideronin ata se po ngrinin krye kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Pa miratim nga Kongresi, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhejms Bjukenën, dërgoi rreth 1.500 trupa drejt Solt-Lejk-Sitit për t’i detyruar banorët e Jutës që t’i pranonin zyrtarët e rinj.

Nëse do të kishit qenë një shenjtor i ditëve të mëvonshme në vitin 1857 dhe të dëgjonit se një ushtri e madhe po i afrohej qytetit tuaj, çfarë shqetësimesh mund të kishit pasur? Mbani mend se kujtimet e të qenit të dëbuar me dhunë nga Ohajo, Misuri dhe Ilinoisi ishin ende të freskëta në mendjen e shumë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Shumë njerëz kishin humbur zotërime të vlefshme dhe tokë; dhe disa shenjtorë ishin vrarë ose kishin vdekur nga shkaqe që lidheshin me këto përndjekje. Lajmi i afrimit të ushtrisë krijoi shqetësime se ngjarje të tilla mund të ndodhnin edhe në Juta.

Në predikimet drejtuar shenjtorëve, Presidenti Jang dhe udhëheqës të tjerë të Kishës i përshkruan trupat që po afroheshin si armiq. Presidenti Jang, i cili prej vitesh u kishte kërkuar shenjtorëve të kursenin drithëra, i përsëriti udhëzimet e tij me qëllim që ata të kishin ushqime për të ngrënë nëse do t’u nevojitej të largoheshin prej trupave. Si guvernator i Territorit të Jutës, ai gjithashtu e udhëzoi milicinë e territorit që të përgatitej për ta mbrojtur territorin. (Një milici është një grup qytetarësh që mund të organizohen për shërbim ushtarak në raste të ngutshme.)

Krijohen Mosmarrëveshje midis Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe Anëtarëve të një Vargu Emigrantësh me Karro

Pamja
hartë, nga Arkansasi deri në Kaliforni

Një varg emigrantësh me karro duke udhëtuar drejt perëndimit nga Arkansasi për në Kaliforni, hyri në Juta ndërkohë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme po përgatiteshin për ta mbrojtur territorin nga trupat që po vinin prej Shteteve të Bashkuara. Ndërsa lexoni paragrafët vijues, nënvizoni arsyet për ndjenjat armiqësore ndërmjet disa prej anëtarëve të vargut të karrove dhe disa shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Disa anëtarë të vargut me karro u mërzitën ngaqë patën një kohë të vështirë për të blerë pajisje dhe drithëra aq të nevojshme nga shenjtorët, të cilët ishin udhëzuar ta vinin në ruajtje drithin e tyre. Emigrantët gjithashtu patën mosmarrëveshje me shenjtorët të cilët nuk donin që kuajt dhe qetë e vargut të karrove të përdornin burimet e ushqimit dhe të ujit që shenjtorëve u nevojiteshin për kafshët e veta.

Gjendja e tensionuar shpërtheu në Sidër-Siti, kolonia e fundit në Juta rrugës për në Kaliforni. Ndodhën përplasje ndërmjet disa prej anëtarëve të vargut të karrove dhe disa prej shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Disa anëtarë të vargut të karrove kërcënuan se do të bashkoheshin me trupat në ardhje të qeverisë kundër shenjtorëve. Edhe pse kapiteni i vargut të karrove i qortoi shokët e tij që i bënë këto kërcënime, disa udhëheqës dhe kolonë në Sidër-Siti i panë emigrantët si armiq. Kompania e karrove u largua nga qyteti vetëm gati një orë pasi mbërriti, por disa nga kolonët dhe udhëheqësit në Sidër-Siti deshën t’i ndiqnin dhe t’i ndëshkonin burrat që i kishin fyer.

Mendoni për rastet kur ju keni përjetuar mosmarrëveshje me një njeri apo një grup tjetër njerëzish. Lexojeni 3 Nefin 12:25, duke kërkuar një parim që Jezu Krishti dha mësim, i cili mund të na udhëheqë kur përjetojmë mosmarrëveshje me të tjerë.

Çfarë mendoni se do të thotë “merru vesh shpejt me kundërshtarin tënd”? Plaku Dejvid E. Sorensen, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim se fraza do të thotë t’i “zgjidhim në kohë mospajtimet tona, përndryshe pasionet e çastit përshkallëzohen deri në egërsi fizike ose emocionale dhe ne bëhemi robër të zemërimit tonë” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 11).

Bazuar në mësimet e Zotit te 3 Nefi 12:25 dhe te shpjegimi i Plakut Sorensen, ne mësojmë se nëse e zgjidhim mosmarrëveshjen me të tjerët sipas mënyrës së Zotit, atëherë ne mund t’i shmangim pasojat e dëmshme të grindjes.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Si mund t’i kishte ndihmuar bindja ndaj parimit te 3 Nefi 12:25 shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ishin zemëruar me anëtarë të vargut të karrove?

    2. Në ç’mënyrë të kërkuarit për t’i zgjidhur mospajtimet në mënyrën e Zotit, ju ka ndihmuar juve ose dikë që ju e njihni t’i shmangë ndikimet e dëmshme të grindjes?

Për shkak se disa kolonë të Sidër-Sitit nuk e zgjidhën mosmarrëveshjen e tyre me emigrantët në mënyrën e Zotit, gjendja u bë shumë më e rëndë. Ndërsa ju vazhdoni të studioni, merrni parasysh rreziqet e të vepruarit nga zemërimi ose hakmarrja.

Isak Heiti, kryetari i bashkisë së Sidër-Sitit, major i milicisë dhe president i kunjit, kërkoi leje nga komandanti i milicisë që jetonte në koloninë aty pranë në Parouan, që të thërriste milicinë për t’u ballafaquar me njerëzit që i kishin fyer nga vargu i karrove. Komandanti i milicisë, Uilliam Dejmi, e këshilloi Isak Heitin që t’i shpërfillte kërcënimet e emigrantëve. Në vend që t’ia vinte veshin kësaj këshille, Isak Heiti dhe udhëheqës të tjerë të Sidër-Sitit vendosën t’ua mbushnin mendjen disa indianëve vendas që ta sulmonin vargun e karrove dhe t’ua vidhnin gjedhët, si një mënyrë ndëshkimi për emigrantët. Isak Heiti i kërkoi Xhon D. Lisë, një anëtari vendor të Kishës dhe major i milicisë, që ta udhëhiqte këtë sulm dhe që të dy planifikuan që t’ua hidhnin fajin indianëve për veprimin.

Çfarë duhej të kishin bërë udhëheqësit në Sidër-Siti kur Uilliam Dejmi i këshilloi të mos e përdornin milicinë? Në çfarë i çoi të bënin më pas mospranimi i këshillës?

Një parim që mësojmë nga shembulli i këtyre udhëheqësve të Sidër-Sitit është që nëse e shpërfillim këshillën për të bërë atë që është e drejtë, atëherë ne bëhemi më të cenueshëm që të bëjmë zgjedhje të gabuara. Kërkoni provën e këtij parimi ndërsa vazhdoni të mësoni rreth veprimeve të këtyre udhëheqësve. Ndërkohë që ju lexoni paragrafët vijues, nënvizoni mënyrat në të cilat udhëheqësit e Sidër-Sitit vazhduan të bënin zgjedhje të këqija pasi e shpërfillën këshillën që kishin marrë:

Isak Heiti ia paraqiti planin për ta sulmuar vargun e karrove një këshilli të udhëheqësve vendorë në Kishë, komunitet dhe milici. Disa anëtarë të këshillit nuk ishin aspak dakord me planin dhe i kërkuan Heitit nëse ishte këshilluar me Presidentin Brigam Jang lidhur me çështjen. Duke thënë se nuk ishte këshilluar, Heiti ra dakord të dërgonte një lajmëtar, Xhejms Haslamin, për në Solt-Lejk-Siti me një letër që shpjegonte gjendjen dhe që kërkonte se çfarë duhej të bëhej. Megjithatë, ngaqë Solt-Lejk-Siti është rreth 400 km larg nga Sidër-Siti, do të duhej për lajmëtarin rreth një javë kalërimi të shpejtë me kalë për të arritur në Solt-Lejk-Siti dhe për t’u kthyer në Sidër-Siti me udhëzimet e Presidentit Jang.

Pak kohë përpara se Isak Heiti të dërgonte letrën e tij me lajmëtarin, Xhon D. Lija dhe një grup indianësh e sulmuan kampin e emigrantëve në një vend të quajtur Livadhet Malore. Lija e udhëhoqi sulmin, por e fshehu identitetin e tij, që të dukej sikur u përfshinë vetëm indianët. Disa emigrantë u vranë ose u plagosën, por pjesa e mbetur i luftuan sulmuesit e tyre, duke i detyruar Linë dhe indianët të tërhiqeshin. Emigrantët i tërhoqën shpejt karrot e tyre në një rreth të ngushtë, ose në një vathë, për mbrojtje. Dy sulme shtesë pasuan gjatë një rrethimi pesëditor mbi vargun e karrove.

Pamja
kodra dhe livadhe

Në një rast, milicët e Sidër-Sitit mësuan për dy burra emigrantë që ishin jashtë vathës së karrove. Milicët qëlluan mbi ta, duke e vrarë njërin. Burri tjetër shpëtoi dhe ia solli lajmin kampit të karrove që burra të bardhë ishin të përfshirë në sulmet kundër tyre. Ata që i planifikuan sulmet, u zunë tani në mashtrimin e tyre. Nëse emigrantët lejoheshin të shkonin në Kaliforni, lajmi do të përhapej që shenjtorët e ditëve të mëvonshme ishin përgjegjës për sulmin ndaj vargut të karrove. Komplotuesit patën frikë se ky lajm do të sillte pasoja të këqija mbi ata vetë dhe njerëzit e tyre.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Në këtë pikë, çfarë zgjedhjesh ishin të mundshme për ata që qenë përgjegjës për sulmet mbi emigrantët?

    2. Çfarë duhej të kishin bërë ata? Përse?

Duke bërë zgjedhje të këqija, këta burra vepruan në kundërshtim me përgjegjësitë e tyre të priftërisë. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 121:36–37 dhe shenjoni paralajmërimin e Zotit ndaj udhëheqësve të priftërisë që veprojnë në mënyrë të padrejtë.

Mendoni për atë që ju bëni pasi keni bërë diçka të gabuar. A e rrëfeni se ç’keni bërë gabim dhe i pranoni pasojat, apo përpiqeni ta fshihni mëkatin nëpërmjet mashtrimit?

Disa Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme Planifikojnë dhe Kryejnë Masakrën e Livadheve Malore

Anëtarët e Kishës, të përfshirë në sulmet kundër emigrantëve, zgjodhën të përpiqeshin t’i fshihnin mëkatet e tyre. Në përpjekje për të ndalur përhapjen e lajmit që shenjtorë të ditëve të mëvonshme ishin përfshinë në sulmet ndaj vargut të karrove, Isak Heiti, Xhon D. Lija dhe udhëheqës të tjerë vendorë të Kishës e të milicisë bënë plan që t’i vrisnin të gjithë emigrantët e mbetur, me përjashtim të fëmijëve të vegjël. Duke e vënë në zbatim këtë plan, Xhon D. Lija iu afrua emigrantëve dhe u tha se milicia do t’i mbronte nga sulmet e mëtejshme, duke i drejtuar ata që të ktheheshin përsëri të sigurt drejt Sidër-Sitit. Ndërsa emigrantët po ecnin drejt Sidër-Sitit, milicët u kthyen dhe qëlluan mbi ta. Disa indianë u vërsulën nga vendet e fshehjes për t’u bashkuar me sulmin. Nga rreth 140 emigrantë që ishin pjesë e vargut të karrove, u kursyen vetëm 17 fëmijë të vegjël.

Pamja
pllakë guri shenjuese

Monumenti që kujton tragjedinë e Livadheve Malore

Dy ditë pas masakrës, Xhejms Haslami mbërriti në Sidër-Siti me mesazhin e përgjigjes nga Presidenti Jang që i udhëzonte udhëheqësit vendorë ta lejonin vargun e karrove të largohej në paqe. Kur Heiti i lexoi fjalët e [Presidentit] Jang, ai derdhi lot si fëmijë dhe mundi të thoshte vetëm fjalët: ‘Shumë vonë, shumë vonë’” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 20).

Zgjedhjet e disa prej udhëheqësve dhe kolonëve shenjtorë të ditëve të mëvonshme në territorin jugor të Jutës çuan në masakrën tragjike të Livadheve Malore. Në dallim nga kjo, udhëheqësit e Kishës dhe të territorit në Solt-Lejk-Siti e zgjidhën mosmarrëveshjen me qeverinë e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet bisedimeve paqësore dhe negociatave në vitin 1858. Gjatë këtij konflikti – më vonë të quajtur Lufta e Jutës – trupat e Shteteve të Bashkuara dhe milicët e Jutës u përfshinë në vepra sulmi, por kurrë në betejë.

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Duke folur për Masakrën e Livadheve Malore, Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha: “Ungjilli i Jezu Krishtit që ne përkrahim, e urren vrasjen gjakftohtë të burrave, grave dhe fëmijëve. Në të vërtetë, ai përkrah paqen dhe faljen. Çfarë u bë [te Livadhet Malore] shumë kohë më parë nga anëtarë të Kishës sonë përfaqëson një largim të tmerrshëm dhe të pajustifikueshëm nga mësimet dhe sjellja e krishterë” (“150th Anniversary of Mountain Meadows Massacre”, 11 shtator 2007, mormonnewsroom.org/article/150th-anniversary-of-mountain-meadows-massacre).

Masakra e Livadheve Malore jo vetëm që shkaktoi vdekjen e rreth 120 viktimave, por shkaktoi edhe vuajtje të madhe për fëmijët që mbijetuan dhe për të afërmit e tjerë të viktimave. Indianët pajutë gjithashtu vuajtën ngaqë u fajësuan padrejtësisht për krimin. Përveç këtyre, ata “që kryen masakrën, u munduan gjatë pjesës së mbetur të jetës së tyre nga ndjenja e tmerrshme e fajit dhe e ëndrrave të këqija, të herëpashershme për atë që kishin bërë e parë” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, f. 20).

  1. Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Përmblidhni gabimet që çuan drejt masakrës së Livadheve Malore.

    2. Shkruani një parim ose mësimin që mund të mësojmë nga kjo tragjedi rreth zgjedhjes për t’i fshehur mëkatet tona.

    3. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese: Çfarë mund të bëni ju në të ardhmen për t’u siguruar që t’i ndiqni këshillat e udhëheqësve dhe të shmangni fshehjen e mëkateve që ju mund të kryeni? Çfarë bekimesh mund të përjetoni nga marrja e përgjegjësive për gabimet tuaja dhe mospërpjekja për t’i fshehur mëkatet tuaja?

Në qoftë se keni filluar të ecni nëpër një shteg gabimesh dhe mëkati, ju mund ta parandaloni dhembjen dhe pendesën e së ardhmes duke u kthyer te Zoti tani dhe duke u penduar për mëkatet tuaja.

Pamja
Jezu Krishti

Ngaqë disa shenjtorë vendorë të ditëve të mëvonshme ishin përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e masakrës së Livadheve Malore, disa njerëz e kanë lejuar këtë ngjarje të ndikojë për keq në këndvështrimin e tyre për Kishën. Diçka e ngjashme ndodhi në Librin e Mormonit, kur biri misionar i Almës dhunoi ligjin e dëlirësisë dhe të tjerët nuk do t’i besonin fjalët e Almës për shkak të sjelljes së birit të tij (shih Alma 39:11).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Përse është e rëndësishme të kuptojmë se veprimet e gabuara të disa anëtarëve të Kishës nuk e përcaktojnë vërtetësinë e ungjillit?

Lexojeni Helamanin 5:12, duke kërkuar atë që mund të bëjmë ne për t’i zhvilluar e ruajtur dëshmitë tona, me qëllim që gjatë kohëve të vështira, të tilla si rastet kur mësojmë që anëtarë të Kishës kanë dështuar të jetojnë sipas mësimeve të Jezu Krishtit, besimi ynë nuk do të lëkundet. Përmblidheni atë që gjeni:

Një parim që mund të mësojmë nga Helamani 5:12 është se, ne mund të zhvillojmë dëshmi të forta duke e ndërtuar besimin tonë mbi themelin e Jezu Krishtit.

Shembulli vijues e ilustron këtë parim: “Xhejms Sanders është stërnipi i … një prej fëmijëve që i mbijetuan masakrës [dhe është gjithashtu anëtar i Kishës]. ‘Ende ndjej dhembje; ende ndihem i zemëruar dhe i trishtuar që ndodhi masakra’, tha Vëllai Sanders. ‘Por e di se njerëzit që e bënë këtë, do të jenë përgjegjës përpara Zotit dhe kjo më sjell paqe.’ [Ai] tha se të mësuarit që paraardhësi i tij ishte vrarë në masakër ‘nuk ndikoi në besimin tim, sepse ai bazohet te Jezu Krishti, jo te ndonjë njeri në Kishë’” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, f. 21).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Si mund të na forcojë besimi ynë te Jezu Krishti ndërsa mësojmë për raste kur anëtarë të Kishës kanë dështuar të jetojnë sipas mësimeve të Shpëtimtarit?

    2. Cilat janë disa nga gjërat që bëni, të cilat ju ndihmojnë për ta ngritur besimin tuaj mbi themelin e Jezu Krishtit?

    3. Cila është një gjë që ju do të bëni këtë javë, për ta ngritur më shumë besimin tuaj mbi themelin e Jezu Krishtit? (Ju mund të shkruani më shumë se një gjë që do të bëni.)

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar mësimin “Lufta e Jutës dhe Masakra e Livadheve Malore” dhe e përfundova atë më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: