Seminari
Njësia 22: Dita 4, Doktrina e Besëlidhje 105


Njësia 22: Dita 4

Doktrina e Besëlidhje 105

Hyrje

Në bindje ndaj udhëzimeve të Zotit, Profeti Jozef Smith dhe rreth 200 vullnetarë e rekrutë të tjerë, formuan atë që u bë i njohur si Kampi i Sionit, për të shkuar në ndihmë të shenjtorëve që ishin dëbuar nga konteja Xhekson në Misuri. Më 22 qershor 1834, ndërsa po fushonin pranë lumit Fishing në Misuri, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 105. Në këtë zbulesë, Zoti dha udhëzime lidhur me shëlbimin e Sionit.

Doktrina e Besëlidhje 105:1–19

Zoti i udhëzon shenjtorët që të presin për shëlbimin e Sionit

Pamja
violinistë

Përfytyroni sikur jeni pjesëtar i një orkestre. Në mes të shfaqjes, disa violinistë vendosin që të luajnë një fletë të ndryshme muzike nga pjesa tjetër e orkestrës. Pikërisht përpara se të fillojnë ta bëjnë këtë, disa flautistë vendosin që të luajnë më shpejt. Në të njëjtin çast, e gjithë trupa e instrumenteve të frymës vendos që të mos luajë në mënyrë të përbashkët.

Si pjesëtar i kësaj orkestre, si do të ndikoheshit nga këto vendime? Cili do të jetë rezultati në shfaqje? Përse është thelbësore të qenit të bashkuar në qëllim dhe në të punuarit së bashku, që një orkestër të krijojë muzikë të bukur?

Kujtoni se në shkurt të vitit 1834, Zoti i udhëzoi Profetin Jozef Smith dhe të tjerët që të mblidhnin burime materiale dhe të rekrutonin vullnetarë për t’i ndihmuar shenjtorët, të cilët ishin dëbuar nga konteja Xhekson në Misuri, që ta rimerrnin tokën e tyre. Ndërsa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet 105, kërkoni rolin që luajti uniteti në përpjekjet e shenjtorëve për ta rimarrë tokën e Sionit.

Në një zbulesë të mëparshme (shih DeB 103:30–34), Zoti shpalli dëshirën e Tij që 500 vullnetarë të merrnin pjesë në Kampin e Sionit. Nëse nuk mund të gjendeshin 500, minimuni që Ai kërkoi ishte 100 vullnetarë. Përgjigja ndaj përpjekjeve të Profetit Jozef Smith dhe të të tjerëve për të rekrutuar vullnetarë dhe për të gjetur burime materiale për Kampin e Sionit nuk ishte aq e suksesshme siç ishte shpresuar. Deri në kohën kur kampi e nisi marshimin e tij në fillim të majit 1834, vetëm 122 njerëz kishin dalë vullnetarë për të shkuar. Kampi i Sionit rekrutoi vullnetarë të tjerë rrugës për në Misuri. Kur grupi që Hajrëm Smithi dhe Liman Uajti kishin rekrutuar nga Territori i Miçiganit u takua me kompaninë e Jozefit në fillim të qershorit 1834, Kampi i Sionit përbëhej nga pak më shumë se 200 burra, 12 gra dhe 9 fëmijë (shih Alexander L. Baugh, “Joseph Smith and Zion’s Camp”, Ensign, qershor 2005, f. 45).

Mosha mesatare e burrave në Kampin e Sionit ishte 29 vjeç. Anëtari më i ri i kampit ishte 14 vjeç dhe më i madhi ishte 79 vjeç. Jozef Smithi, i cili qe zgjedhur për të qenë “kryekomandanti i ushtrive të Izraelit” (në History of the Church, 2:39), ishte vetëm 28 vjeç.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 105:7–8, duke kërkuar një arsye përse disa anëtarë të Kishës vendosën të mos i ndihmonin bashkëshenjtorët e tyre në Misuri.

Disa anëtarë të Kishës po prisnin të shikonin nëse Perëndia do të ndërhynte dhe do t’i ndihmonte shenjtorët në Misuri përpara se ata vetë t’u jepnin ndihmë apo mbështetje financiare bashkanëtarëve të tyre të Kishës. Si mendoni ju, çfarë nuk shkon me këtë lloj qëndrimi?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 105:1–6, duke kërkuar mënyrën se si kishte ndikuar mosbindja dhe mungesa e unitetit tek anëtarët e Kishës. Mund të jetë e dobishme të kuptojmë se “ligji [i] mbretërisë çelestiale”, i përmendur te vargjet 4–5, përfshin të gjitha ligjet dhe parimet që duhet t’u bindemi, ordinancat që duhet të marrim dhe besëlidhjet që duhet të mbajmë për të trashëguar mbretërinë çelestiale.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth asaj që duhet të bëjmë me qëllim që të ndërtohet Sioni?

    2. Si mendoni ju, përse kërkohet unitet dhe bindje për ta ndërtuar Sionin?

    3. Cilat përvoja ju kanë ndihmuar që ta kuptoni rëndësinë e unitetit të anëtarëve të Kishës?

Ata që dolën vullnetarë për Kampin e Sionit, përjetuan shumë sfida dhe mrekulli gjatë gjithë ekspeditës së tyre. Përsiatni mbi mënyrën se si mund t’u ishit përgjigjur disa prej sfidave të mëposhtme:

Kampi i Sionit marshoi rreth 1.450 kilometra përmes katër shteteve, duke udhëtuar nga 32 deri në 64 kilometra në ditë, për 45 ditë. Anëtarët e kampit përjetuan këmbë me flluska, kushte moti të nxehta e të lagështa, mungesa në ushqim dhe ushqim jo të shëndetshëm. (Shih Alexander L. Baugh, “Joseph Smith and Zion’s Camp”, f. 44; Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 143–144.) Me raste, etja e madhe i bëri disa anëtarë të kampit të pinin ujë moçali, nga i cili qenë filtruar larva mushkonjash (ndonjëherë duke përdorur dhëmbët e tyre) ose të pinin ujë nga gjurmët e kuajve pas një stuhie shiu. Gjatë gjithë ekspeditës, Kampi i Sionit shpesh u kërcënua edhe me dhunë nga të tjerët. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 144–145.)

Përveç sfidave të tyre, Kampi i Sionit u bekua që të përjetonte mrekulli të shumta gjatë ekspeditës së tyre. Për shembull, një ditë të nxehtë, në qershor të vitit 1834, kampi kishte udhëtuar gjithë ditën dhe kishte qenë pa ujë që nga mëngjesi. Pasi e pa vuajtjen e burrave dhe të kafshëve të tyre, Profeti kërkoi një lopatë, zgjodhi një vend dhe gërmoi një pus të cekët. Ai u mbush menjëherë me ujë dhe mbeti plot edhe pasi ishin freskuar të gjithë anëtarët e kampit dhe kafshët e tyre.

Në mes të qershorit 1834, Kampi i Sionit fushoi në një degë të lumit Fishing në Misuri. Pesë burra të armatosur nga Misuri shkuan në kamp dhe u betuan se anëtarët e Kampit të Sionit “do ta shihnin ferrin përpara agimit” (në History of the Church, 2:103). Ata thanë se ishte mbledhur një turmë me më shumë se 300 burra nga konte të ndryshme dhe po përgatiteshin ta kapërcenin lumin Misuri që t’i shkatërronin ata. Disa nga burrat në Kampin e Sionit donin të luftonin, por Profeti premtoi se Zoti do t’i mbronte ata. Profeti shpalli: “Qëndroni të qetë dhe shihni shpëtimin e Perëndisë” (cituar nga Joseph Holbrook, “History of Joseph Holbrook, 1806–1885”, f. 15, në Church History in the Fulness of Timesf. 148.)

Pamja
Lumi Fishing

Lumi Fishing, Misuri

Disa minuta pasi njerëzit nga Misuri u larguan, në qiell u shfaq një re e vogël e zezë. Ajo lëvizte drejt lindjes, duke u shpalosur si një pergamenë, duke i mbuluar qiejt me errësirë. Filloi një stuhi e dendur shiu, breshëri, ere, bubullime dhe vetëtime. Në Kampin e Sionit çadrat u braktisën dhe ata gjetën strehim në një shtëpi të vogël mbledhjesh baptiste atje pranë. Kur Jozef Smithi hyri, ai thërriti: “Djema, kjo e ka një kuptim. Perëndia ka dorë në këtë stuhi”. Keqbërësit që u përpoqën ta kapërcenin lumin Misuri, u ndaluan nga stuhia. Stuhia e furishme i qulli municionet e keqbërësve, duke i bërë të papërdorshme. Ajo gjithashtu i frikësoi dhe i shpërndau kuajt e tyre dhe e ngriti nivelin e lumit Fishing disa metra, duke i penguar ata që ta sulmonin Kampin e Sionit. (Shih Church History in the Fulness of Timesf. 148; shih edhe History of the Church, 2:104–105.)

  1. Këto përvoja ilustrojnë mënyrat domethënëse dhe të mrekullueshme se si Zoti e ndihmoi Kampin e Sionit. Ai i ndihmoi ata edhe në mënyra të thjeshta. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani për një rast kur Zoti ju ka ndihmuar juve apo dikë që ju e njihni t’i përmbushë qëllimet e Tij.

Përpara se Kampi i Sionit të largohej nga Kirtlandi në Ohajo, udhëheqësit e Kishës kishin marrë një premtim nga Daniel Danklini, guvernatori i Misurit se, nëse gjykatësit e paqes të kontesë Xhekson nuk do të jepnin siguri për shenjtorët, ai do të përdorte mjete të tjera për ta zbatuar ligjin. Ai gjithashtu tha se do të nevojitej milicia e shtetit për t’i ndihmuar shenjtorët që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Pasi anëtarët e Kampit të Sionit mbërritën në Misuri, ata mësuan se guvernatori Danklin nuk do ta mbante premtimin e tij për t’i ndihmuar shenjtorët. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 135, 146–147.) Pavarësisht nga ky lajm shkurajues, Kampi i Sionit vazhdoi drejt kontesë Xhekson, duke pritur udhëzim shtesë nga Zoti.

Ky udhëzim i nevojshëm erdhi në një zbulesë nga Zoti më 22 qershor 1834, pasi Kampi i Sionit kishte udhëtuar pothuaj shtatë javë dhe ishte vetëm 16–32 kilometra larg kontesë Xhekson. Kjo zbulesë shënohet te Doktrina e Besëlidhje 105. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 105:9–14, duke kërkuar atë që Zoti tha se do të bënte lidhur me shëlbimin e Sionit.

Pamja
burra duke tërhequr një karrocë

Përfytyroni sikur jeni anëtar i Kampit të Sionit. Pasi keni mbërritur deri këtu, ju mësoni se do t’ju duhet të prisni “për një stinë të vogël” përpara se Sioni të shëlbehet. Si do të ndiheshit?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, renditni dy nga arsyet që dha Zoti te Doktrina e Besëlidhje 105:9–14 se përse Sioni nuk do të shëlbehej në atë kohë. Për secilën nga këto arsye, shpjegoni se çfarë do të duhej të ndreqej ose të ndodhte përpara se Sioni të mund të shëlbehej dhe arsyen përse.

Mbani mend se shëlbimi i Sionit nuk është thjesht rifitimi i zotërimit të tokës së Sionit. Megjithëse Sioni është një vendndodhje fizike, ai është edhe një shoqëri e përbërë nga një lloj i caktuar njerëzish. Populli i Zotit duhet të bëhet i shenjtëruar dhe i denjë për ta rimarrë dhe për ta ngritur qytetin e Sionit.

Shumica e anëtarëve të Kampit të Sionit i pranuan udhëzimet e Zotit në këtë zbulesë, por disa mërmëritën dhe nuk vazhduan të ishin besnikë, pasi mësuan se nuk do të luftonin në Misuri. Ata nuk arritën ta kuptonin se qëllimi më i madh i Kampit të Sionit nuk ishte të përfshiheshin në betejë ose ta rifitonin zotërimin e tokës së Sionit në kontenë Xhekson me anë të fuqisë ushtarake. Burrat e kampit ishin përgatitur që të luftonin nëse jeta e tyre do të kërcënohej, por Zoti nuk kishte për qëllim ta shëlbente Sionin me anë të fuqisë së njeriut (shih DeB 103:15–18; 105:14). Si rezultat i kësaj zbulese, e cila i urdhëronte ata të prisnin dhe të mos luftonin, disa burra u rebeluan hapur dhe më vonë e braktisën Kishën.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 105:18–19, duke kërkuar arsyen pse Zoti e solli Kampin e Sionit deri në Misuri dhe më pas, sapo mbërritën, zbuluan se nuk duhej të vepronin për t’i rivendosur shenjtorët në tokat e tyre në Sion në atë kohë. (Mund të jetë e dobishme të kuptoni se një sprovë besimi mund t’i referohet një prove nëse ne do të zgjedhim t’i mirëbesojmë dhe bindemi Zotit ose jo, pavarësisht se cilat janë rrethanat.)

Merreni parasysh t’i shenjoni frazat te vargjet 18–19, të cilat japin mësim të vërtetën se Perëndia ka përgatitur bekime për ata që janë besnikë gjatë sprovave të tyre.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Kur keni përjetuar juve ose dikush që ju njihni një provë besimi?

    2. Në ç’mënyrë qe prova e besimit një përgatitje për bekime të ardhshme?

Një nga bekimet që morën shumë anëtarë të Kampit të Sionit erdhi si mundësi për të shërbyer në mbretërinë e Zotit. Në shkurt të vitit 1835, u organizuan Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Kuorumi i Parë i Të Shtatëdhjetëve. Nëntë prej Apostujve të parë dhe të gjithë anëtarët e Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve shërbyen në Kampin e Sionit. (Shih Church History in the Fulness of Timesf. 151.)

Pamja
Jozef Smithi

Profeti Jozef Smith dha mësim rreth rolit që pati Kampi i Sionit në përgatitjen e këtyre burrave për detyrat e tyre udhëheqëse: “Perëndia nuk donte që ju të luftonit. Ai nuk mund ta organizonte mbretërinë e Tij me dymbëdhjetë burra për t’u hapur derën e Ungjillit kombeve të tokës dhe, me shtatëdhjetë burra nën drejtimin e tyre për t’i ndjekur gjurmët e tyre, nëse Ai nuk do t’i merrte ata nga një grup burrash të cilët kishin ofruar jetën e tyre dhe që kishin bërë një sakrificë po aq të madhe siç bëri Abrahami” (në History of the Church, 2:182).

Më vonë udhëheqësit e Kishës shprehën mirënjohje për përvojat që patën si anëtarë të Kampit të Sionit. Për shembull, kur Brigam Jangu u kthye në Kirtland të Ohajos, një burrë e pyeti atë: “Epo, çfarë fituat nga ky udhëtim i padobishëm për në Misuri me Jozef Smithin?” Brigam Jangu u përgjigj: “Gjithçka për të cilën shkuam”. Ai shtoi: “Unë nuk do ta shkëmbeja përvojën që fitova në atë ekspeditë me gjithë pasurinë e kontesë Geixh” (në B. H. Roberts, “Brigham Young: A Character Sketch”, Improvement Era, qershor 1903, f. 567). Në atë kohë, Kirtlandi ishte pjesë e kontesë Geixh.

Doktrina e Besëlidhje 105:20–41

Zoti u mëson shenjtorëve atë që duhet të bëjnë përpara se Sioni të shëlbehet

Te Doktrina e Besëlidhje 105:20–37, ne lexojmë që Zoti u tregoi shenjtorëve në Misuri mënyrën se si duhej të reagonin ndaj përndjekjes që po përjetonin ndërsa prisnin shëlbimin e ardhshëm të Sionit. Ai i këshilloi ata të përuleshin dhe ta shmangnin nxitjen e grindjeve. Ai shpjegoi se ata duhej të shenjtëroheshin në përgatitje për shëlbimin përfundimtar të Sionit. Siç Ai kishte thënë më herët në të njëjtën zbulesë, ata duhej të “mësohe[shin] në mënyrë më të përsosur dhe të k[ishin] përvojë e të di[nin] në mënyrë më të përsosur lidhur me detyrën e tyre dhe gjërat që [Ai kërkonte] nga duart e tyre” (DeB 105:10).

Zoti e përmbylli këtë zbulesë duke i udhëzuar shenjtorët të bënin diçka jo vetëm për ata të cilët i kishin përndjekur, por për të gjithë botën. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 105:38–41, duke kërkuar atë që Ai i udhëzoi ata të bënin. (Ndërsa e lexoni, mund të jetë e dobishme të dini se apel do të thotë të kërkosh dhe një flamur është një banderolë ose sinjal.)

  1. Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Bazuar në mësimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 105:38–41, shkruani një parim rreth bekimit që mund të vijë nëse kërkojmë të vendosim paqe me të tjerët.

    2. Renditni katër ose pesë gjëra që mund të bëjnë anëtarët e Kishës në kohën tonë që të kërkojnë të vendosin paqe me të tjerët, veçanërisht me ata njerëz që mund t’i përndjekin ata.

    3. Zgjidheni njërën prej gjërave që renditët dhe shkruani një synim për ta zbatuar atë në jetën tuaj.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 105 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: