Seminari
Njësia 5: Dita 3, Doktrina e Besëlidhje 19:1–22


Njësia 5: Dita 3

Doktrina e Besëlidhje 19:1–22

Hyrje

Në qershor 1829, Jozef Smithi punësoi tipografin Egbert B. Grandin, për të shtypur 5 000 kopje të Librit të Mormonit me një shpenzim prej 3 000 dollarësh. Megjithatë, Grandini nuk do ta fillonte shtypjen ose madje t’i blinte shkronjat derisa t’i garantohej pagesa për punën. Në zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 19, që ka të ngjarë të jetë dhënë në verën e vitit 1829, Zoti e urdhëroi Martin Harrisin që të “jep[te] një pjesë të pronës [së tij] … [dhe të] pagua[nte] borxhin që k[ishte] lidhur kontratë me tipografin” (DeB 19:34–35). Duke e përdorur një pjesë të fermës së tij si garanci, Martin Harrisi siguroi personalisht pagesën e shpenzimeve të shtypjes nëse shitjet e Librit të Mormonit nuk do t’i mbulonin shpenzimet.

Presidenti Jozef Filding Smith e përshkroi këtë zbulesë, me mësimet e saj mbi Shlyerjen, si “një nga zbulesat më të mëdha të dhëna në këtë periudhë ungjillore; ka vetëm pak me [rëndësi] më të madhe se kjo” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:85).

Doktrina e Besëlidhje 19:1–3

Shpëtimtari shpall se Ai kreu vullnetin e Atit

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 19:1–3 duke kërkuar çfarë tha Shpëtimtari për atë që Ai është dhe për atë që Ai bëri. Shenjoni fjalë ose fraza që japin mësim se Jezu Krishti plotësoi vullnetin e Atit të Tij dhe se Jezu Krishti do të na gjykojë sipas veprave tona.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përshkruani se si të diturit e këtyre të vërtetave rreth Shpëtimtarit mund ta ketë ndihmuar Martin Harrisin të ndiente paqe dhe t’i ketë dhënë forcë për të bërë vullnetin e Zotit.

Doktrina e Besëlidhje 19:4–12

Jezu Krishti shpjegon ndëshkimin e përjetshëm dhe të pafundëm

Zoti shpjegon disa të vërteta që mund të na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë flijimin e Tij shlyes. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 19:4 duke kërkuar fjalë që plotësojnë thënien vijuese doktrinore: Çdo person duhet ose . Ju mund të doni ta shenjoni këtë frazë në shkrimet tuaja të shenjta.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 19:5. Si e përshkroi Shpëtimtari vuajtjen e atyre që nuk pendohen dhe, si rrjedhojë, do të marrin gjykimet e Tij? Në ç’mënyrë dijenia për këtë të vërtetë na jep një arsye më tepër që të pendohemi për mëkatet tona?

Hidhini një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 19:6–7 dhe kërkoni frazat që përdoren nganjëherë për të përshkruar gjendjen e atyre që nuk pendohen. Shenjoni frazat “mundim i pafundëm” dhe “dënim i përjetshëm”. Çfarë mendoni kur i lexoni këto dy fraza?

Kërkoni informacion te Doktrina e Besëlidhje 19:8–12 që t’ju ndihmojë të kuptoni përse këto fraza nuk i referohen gjatësisë së kohës që do të vuajnë njerëzit për mëkatet e tyre.

A e vutë re se “i Pafundëm” është emri i Perëndisë? Kjo do të thotë se “ndëshkim i pafundëm” ose “ndëshkimi i përjetshëm” është “ndëshkimi i Perëndisë”. Si mendoni ju, çfarë do të thotë “ndëshkimi i Perëndisë”?

Pamja
Plaku Xhejms E. Talmixh

Plaku Xhejms E. Tallmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Për ferrin ka një dalje si edhe një hyrje. Ferri nuk është një vend në të cilin një gjykatës hakmarrës i dërgon të burgosurit për të vuajtur dhe për t’u ndëshkuar kryesisht për lavdinë e tij; por është një vend i përgatitur për mësimin, disiplinimin e atyre që dështuan të mësojnë këtu në tokë atë që duhej ta kishin mësuar. Është e vërtetë, ne lexojmë për ndëshkimin e përhershëm, vuajtjen e pafundme, dënimin e përjetshëm. Ajo është një shprehje e frikshme; por në mëshirën e tij, Zoti e ka bërë të qartë çfarë domethënieje kanë ato fjalë. ‘Ndëshkimi i përjetshëm’, thotë ai, është ndëshkimi i Perëndisë, sepse ai është i përjetshëm; dhe ai kusht ose gjendje apo mundësi do të ekzistojë gjithmonë për mëkatarin që e meriton, dhe me të vërtetë ka nevojë për një ndëshkim të tillë; por kjo nuk do të thotë që vuajtësi apo mëkatari është bërë të durojë dhe vuajë përjetësisht e përgjithmonë. Asnjë njeri nuk do të mbahet në ferr më gjatë sa është e nevojshme, për ta sjellë në formë për diçka më të mirë. Kur ai ta arrijë atë fazë, dyert e burgut do të hapen dhe do të ketë gëzim midis morisë që do ta mirëpresin në një gjendje më të mirë. Zoti nuk ka hequr as gjënë më të vogël të asaj që ka thënë në periudhat ungjillore më të hershme lidhur me zbatimin e këtij ligji dhe të ungjillit të tij, por ai na e ka bërë të qartë mirësinë dhe mëshirën e tij gjatë gjithë kohës, sepse është lavdia dhe vepra e tij që t’i sjellë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme njeriut” (në Conference Report, prill 1930, f. 97.)

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

Presidenti Jozef Filding Smith dha këtë këndvështrim: “I njëjti ndëshkim ndjek gjithmonë të njëjtën shkelje, sipas ligjeve të Perëndisë që është i përjetshëm ose i pafundëm, prandaj quhet ndëshkim i pafundëm dhe ndëshkim i përjetshëm, sepse është ndëshkimi që Perëndia ka caktuar sipas ligjit të pandryshueshëm. Një njeri mund të provojë mundim të pafundëm dhe kur të ketë paguar dënimin për shkeljen e tij, ai lirohet, por ndëshkimi mbetet dhe pret fajtorin tjetër, dhe kështu vazhdon përgjithmonë” (Doctrines of Salvation, përp. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:228).

Presidenti J. Ruben Klark, i Presidencës së Parë, dha një ide shtesë duke dhënë mësim për natyrën e vërtetë të Perëndisë. Ndërsa lexoni shpjegimin e tij, mendoni rreth mënyrës se si të kuptuarit e natyrës së Perëndisë na ndihmon të kuptojmë ndëshkimin e Perëndisë.

Pamja
Presidenti J. Ruben Klark

“Unë nuk mund të pajtohem me doktrinën moderne që Perëndia nuk ndëshkon, sepse nuk mund t’i hedh poshtë të gjitha shkrimet e shenjta që janë renditur për të arritur tek ai përfundim[, por] kam një ndjenjë se kur Zoti vjen për të na dhënë shpërblimin … dhe ndëshkimin tonë … ai do të japë atë ndëshkim i cili është pikërisht më i vogli që do të jetë i drejtë për shkeljen tonë. Unë besoj se ai do të sjellë në drejtësinë e tij të gjithë dashurinë e pafundme dhe bekimet dhe mëshirën e mirësinë dhe kuptueshmërinë që ai ka. …

Nga ana tjetër, unë besoj se kur të vijë puna për të dhënë shpërblime për sjelljen tonë të mirë, ai do të na japë maksimumin e asaj që është e mundur të japë, duke patur në mendje shkeljen që kemi bërë” (“As Ye Sow … ”, Fjalimet e Vitit në Universitetin “Brigam Jang” [3 maj 1955], f. 6–7).

Doktrina e Besëlidhje 19:13–22

Shpëtimtari flet për vuajtjen e Tij për mëkatin

Pamja
Krishti në Gjetseman

Shpëtimtari dëshiron që jeta jonë të bekohet e përmirësohet nëpërmjet flijimit të Tij shlyes. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 19:13–17 dhe plotësoni këtë thënie: Ata që zgjedhin të mos pendohen do të .

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na kujtoi që ne kemi një zgjedhje për të bërë: “Ne do të përfundojmë duke zgjedhur ose mënyrën e të jetuarit të Krishtit ose mënyrën e Tij të vuajtjes! Është ose të ‘vuajnë po aq sa unë’ (DeB 19:16–17), ose të fitojnë ‘sikurse … [Ai] fito[i] (Zbulesa 3:21)’” (“Overcome … Even As I Also Overcame”, Ensign, maj 1987, f. 72).

Përsiatni mbi vetë zgjedhjet tuaja. A po ju çojnë ato drejt një jete më shumë si të Krishtit, ose po ju çojnë drejt një të ardhmeje të vuajtjes për vetë mëkatet tuaja?

Shumica e rrëfimeve për vuajtjen e Jezu Krishtit janë dhënë nga dikush tjetër sesa nga Ai vetë (shih Mateu 26:36–39; Lluka 22:39–44). Doktrina e Besëlidhje 19 përmban rrëfimin vetjak të Shpëtimtarit për vuajtjen e Tij.

  1. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 19:15, 18–19 dhe përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si e përshkroi Shpëtimtari vuajtjen që Ai përjetoi në Gjetseman?

    2. Si ndiheni që Shpëtimtari vuajti dënimin për mëkatet tuaja?

    3. Si mund ta ketë nxitur Martin Harrisin dijenia rreth vuajtjes së Shpëtimtarit që të pendohej për mëkatet e tij, ashtu siç e udhëzoi Zoti të bënte në këtë zbulesë?

  2. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 19:20 dhe përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, përse tërheqja e Shpirtit do të çonte në vuajtje?

    2. Përse është e dobishme të kujtojmë rastet kur na u desh të vuanim pasojat e mëkateve tona?

Mendoni për rastet kur keni vuajtur për shkak të mëkateve tuaja dhe keni ndier nevojën për pendim. Ndërsa i përsiatni ato raste, sillni ndërmend kohën kur ndiet shoqërimin e Shpirtit dhe kohën kur ndiet tërheqjen e Shpirtit. Çfarë bëtë për ta gëzuar edhe një herë shoqërimin e Shpirtit?

  1. Përdorni Doktrinën e Besëlidhjet 19:13–16, 20 për t’iu përgjigjur pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’mënyrë është urdhërimi i Zotit për t’u penduar një provë e dashurisë së Tij për ne?

Diku gjatë javës së ardhshme, jepini një pjesëtari të familjes apo një shoku ose një shoqeje dëshminë tuaj për një prej doktrinave apo parimeve që mësuat ndërsa studiuat Doktrinën e Besëlidhjet 19:1–22. Merrni parasysh të dilni vullnetar për t’ia treguar përvojën tuaj mësuesin tuaj herën tjetër që takoheni.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Doktrina e Besëlidhje 19:16–19

Punoni për të mësuar përmendsh Doktrinën e Besëlidhjet 19:16–19, duke e shkruar fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë fjalë për fjalë në një fletë letre. Duke përdorur letrën tuaj, lexojeni fragmentin me zë të lartë disa herë. Pastaj mbuloni (ose fshini) disa fjalë apo fraza në letrën tuaj. Vazhdoni ta përsëritni fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë, duke i thënë përmendsh pjesët e mbuluara të letrës. Përsëriteni këtë proces gjersa ju të ndiheni rehat me thënien përmendsh të fragmentit në tërësinë e tij.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani aq sa të mundeni nga ajo që mësuat përmendsh nga ky fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 19:1–22 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: