Seminari
Njësia 31: Dita 4, Doktrina e Besëlidhje 138


Njësia 31: Dita 4

Doktrina e Besëlidhje 138

Hyrje

Më 3 tetor 1918, Presidenti Jozef F. Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 138. Në këtë vegim, ai e pa Shpëtimtarin e ringjallur t’iu shërbente shpirtrave të drejtë që prisnin çlirimin nga lidhjet e vdekjes.

Doktrina e Besëlidhje 138:1–11

Presidenti Jozef F. Smith përsiat mbi shkrimet e shenjta dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit

A ju ka vdekur ndonjë njeri i dashur ose a njihni ndonjë mik të cilit i ka vdekur një njeri i dashur? Kur një person vdes, shpirti dhe trupi ndahen dhe shpirti i tij ose i saj shkon në botën e shpirtrave. Si mendoni se është bota e shpirtrave?

Pamja
Presidenti Jozef F. Smith

Presidenti Jozef F. Smith

Presidenti Jozef F. Smith, Presidenti i gjashtë i Kishës, mori një zbulesë rreth botës së shpirtrave. Lexojeni hyrjen për Doktrinën e Besëlidhjet 138, duke kërkuar atë që përjetoi Presidenti Smith gjatë muajve përpara konferencës së përgjithshme të tetorit të vitit 1918.

Gjatë atyre muajve, Presidenti Jozef F. Smith po vajtonte humbjen e birit të tij, Hajrëm Mek Smithit, i cili kishte shërbyer si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Hajrëm Mek Smithi kishte vdekur në fillim të atij viti nga plasja e apendicitit në moshën 45-vjeçare.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:1–4, duke kërkuar doktrinën që Presidenti Jozef F. Smithi po përsiaste më 3 tetor 1918.

Te vargu 4, ne mësojmë se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe me anë të bindjes ndaj parimeve të ungjillit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:5, duke kërkuar atë që përjetoi Presidenti Smith ndërsa përsiaste mbi Shlyerjen.

A ju ka ardhur ndonjëherë në mendje një shkrim i shenjtë ndërsa keni përsiatur për një aspekt të ungjillit? Duke vazhduar ta studioni fjalën e Perëndisë dhe fragmente kyç të zotërimit të shkrimit të shenjtë, ju do të zbuloni se Fryma e Shenjtë mund t’ua sjellë në mendje kur është e nevojshme.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:6–10, duke kërkuar mësimet që i bënë përshtypje Presidentit Smith.

Presidenti Smith i hapi shkrimet e tij të shenjta dhe lexoi fragmente të shkrimit të shenjtë te 1 Pjetër 3 dhe 4. Në këto fragmente, Pjetri shpjegoi se Jezu Krishti vizitoi botën e shpirtrave pasi Ai vdiq. Shpëtimtari e dha mësim ungjillin në botën e shpirtrave në mënyrë që çdokush të mund të gjykohej drejtësisht.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:11, duke kërkuar atë që pa Presidenti Smith ndërsa përsiaste mbi shkrimet e shenjta.

Përpara se të mësoni rreth vegimit të Presidentit Smith për botën e shpirtrave, vini re procesin e zbulesës që ai përshkroi: Ndërkohë që po përsiaste mbi shkrimet e shenjta, ai mendoi për doktrinën e Shlyerjes dhe dashurinë e treguar nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për ardhjen e Shpëtimtarit në botë. Këto mendime i sollën në mendje fjalët e Pjetrit. Më pas, ndërkohë që lexoi dhe përsiati sërish fjalët e Pjetrit, “sytë e të kuptuarit [të tij] u hapën”, (DeB 138:11), Fryma e Shenjtë qëndroi mbi të dhe ai pa botën e shpirtrave. Një parim që mund të mësojmë nga ky rrëfim është që kur i lexojmë dhe i përsiatim shkrimet e shenjta, ne e përgatitim veten tonë për të marrë zbulesë.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Në ç’mënyrë ndihmojnë leximi dhe përsiatja e shkrimeve të shenjta për ta ftuar zbulesën?

    2. Përshkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë një përvojë kur ju e ndoqët këtë model. Si e ndryshoi ndjekja e këtij modeli përvojën tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë?

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi mënyrën se si duhet t’i studiojmë shkrimet e shenjta. Ndërsa e lexoni përshkrimin e tij, shenjoni ndonjë ide që ju mund ta zbatoni ndërsa i studioni shkrimet e shenjta.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Kur unë them ‘studioni’, dua të them diçka më shumë se leximi. … Ju shoh ndonjëherë të lexoni disa vargje, të ndaloni për t’i përsiatur ato, duke i lexuar me kujdes vargjet sërish dhe ndërsa mendoni rreth kuptimit të tyre, duke u lutur për kuptueshmëri, duke bërë pyetje në mendjen tuaj, duke pritur për mbresa shpirtërore dhe duke i hedhur në letër mbresat dhe pikëpamjet që ju vijnë, në mënyrë që ju të mund t’i kujtoni dhe të mësoni më shumë” (“When Thou Art Converted”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 11)

Merreni parasysh që këtë javë të vendosni një synim për t’i lexuar dhe përsiatur shkrimet e shenjta në mënyrën që e përshkoi Plaku Kristoferson.

Doktrina e Besëlidhje 138:12–24, 38–50.

Jozef F. Smithi i shikon të vdekurit e drejtë duke pritur ringjalljen e tyre

Cilën ngjarje të ardhshme po e prisni me padurim? Pse jeni të emocionuar për të?

Kur Presidenti Jozef F. Smith pa botën e shpirtrave në vegim, ai pa një grup të madh shpirtrash të mbledhur së bashku. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:12–13, duke kërkuar se çfarë lloj shpirtrash u mblodhën. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:38–49, duke kërkuar emrat e disa individëve të mbledhur në këtë kuvend.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:15–16, 50. Çfarë lloj çlirimi po prisnin këta shpirtra të drejtë? Përsiatni për një çast përse ribashkimi i shpirtit dhe trupit të tyre do të ishte si një çlirim për këta shpirtra të drejtë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:17, për të gjetur bekimet që marrin shpirtrat e drejtë pas ribashkimit të shpirtit dhe trupit të tyre.

Nga Doktrina e Besëlidhje 138:16–17 ne mësojmë doktrinat vijuese: Nëpërmjet hirit të Perëndisë, Atit dhe Jezu Krishtit, ne do të çlirohemi nga lidhjet e vdekjes. Ne mund të marrim një plotësi gëzimi nëpërmjet ringjalljes.

Ndërsa lexoni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kërkoni përse trupi ynë është thelbësor në marrjen e plotësisë së ungjillit:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Trupat tanë fizikë bëjnë të mundur një llojshmëri, thellësi dhe fuqi përvoje që thjesht nuk mund të fitohet në ekzistencën tonë para lindjes. Kështu, marrëdhëniet tona me njerëz të tjerë, zotësia jonë për të njohur dhe vepruar në përputhje me të vërtetën dhe aftësia jonë për t’iu bindur parimeve e ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit, përforcohen nëpërmjet trupave tanë fizikë. …

Plani i Atit është hartuar që të sigurojë drejtim për fëmijët e Tij, t’i ndihmojë ata të bëhen të lumtur dhe t’i kthejë të sigurt në shtëpi tek Ai, me trupa të ringjallur e të ekzaltuar” (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 41, 43).

Mendoni rreth pyetjes vijuese për një çast: Përse na duhet një trup fizik që të marrim një plotësi të gëzimit?

Një plotësi gëzimi është lloji i gëzimit që përjeton Ati Qiellor. Ati Qiellor ka një trup prej mishi e kockash (shih DeB 130:22). Kur shpirti dhe trupi ynë ndahen, ne nuk jemi si Ai dhe nuk mund të marrim një plotësi të gëzimit (shih DeB 93:33–34). Kur bëhemi si Ai, ne mund të përjetojmë të njëjtat bekime, paqen dhe gëzimin që përjeton Ai.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:51–52, duke kërkuar fraza shtesë që përshkruajnë atë që ringjallja do t’i lejojë shpirtrat e drejtë të bëjnë. Merreni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.

  1. Përfytyroni sikur një nga miqtë tuaj ju kërkon t’i shpjegoni përse ringjallja është e rëndësishme në planin e Atit Qiellor. Duke e përdorur atë që keni mësuar deri tani te Doktrina e Besëlidhje 138 dhe nga thënia e Plakut Bednar, shkruani një shpjegim për mikun tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë.

Të drejtët në botën e shpirtrave po prisnin për “ngjarjen” ose mbërritjen e Birit të Perëndisë që t’i çlironte ata dhe t’i rivendoste në “një formë të përsosur” (DeB 138:16–17). Përfytyroni atë që po ndodhte në tokë kur u mblodhën këta shpirtra të drejtë. Jezu Krishti po vuante në Gjetseman dhe në kryq. Disa nga shpirtrat e drejtë në botën e shpirtrave kishin pritur mijëra vjet për çlirimin e tyre nga vdekja. Sakrifica e Jezu Krishtit siguroi shpëtimin nga vdekja fizike për ta, dhe së fundi, për të gjithë njerëzit.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:18–24 dhe përfytyroni se si mund të ketë qenë ngjarja e përshkruar në këto vargje.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Çfarë do të kishit menduar ose si do të ishit ndier nëse do të kishit qenë atje duke e dëgjuar Shpëtimtarin të predikonte në botën e shpirtrave?

    2. Si do të kishit reaguar ndaj Shpëtimtarit, i cili sapo e kishte kryer Shlyerjen për ju?

Doktrina e Besëlidhje 138:25–37

Presidenti Jozef F. Smith mëson se si predikohet ungjilli në botën e shpirtrave

Ju mund të keni vënë re te Doktrina e Besëlidhje 138:20–22, se kishte disa shpirtra që nuk ishin në gjendje ta shikonin Shpëtimtarin kur Ai e vizitoi botën e shpirtrave. Ndërsa Presidenti Jozef F. Smith po përsiaste fragmente nga 1 Pjetër, Zoti i zbuloi atij mënyrën se si njerëzit në burgun e shpirtrave do të kenë mundësinë për t’i marrë bekimet e ungjillit. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:29–31, duke kërkuar mënyrën se si shpirtrat në burg do ta merrnin njohurinë e ungjillit. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, përdorni atë që mësuat në vargjet 29–31, për të shkruar një shpjegim të shkurtër të mënyrës se si jepet mësim ungjilli në botën e shpirtrave.

Te Doktrina e Besëlidhje 138:32–37, Presidenti Jozef F. Smith shkroi se ai e pa ungjillin e Jezu Krishtit t’u mësohej dy lloj shpirtrave në burg: atyre që kishin vdekur pa njohurinë e ungjillit dhe atyre që nuk i kishin pranuar profetët në vdekshmëri. Këta shpirtra, që ishin në burgun e shpirtrave, do të merrnin të gjithë një mundësi për t’u penduar dhe për ta pranuar ungjillin nëpërmjet mësimeve të lajmëtarëve të zgjedhur të Zotit.

Doktrina e Besëlidhje 138:53–60

Presidenti Smith sheh shpirtrat e mëdhenj dhe fisnikë që do të predikonin ungjillin në burgun e shpirtrave

Mendoni për pjesëtarët ose paraardhësit e drejtë të familjes suaj që kanë vdekur. A e keni menduar ndonjëherë se çfarë po bëjnë ata në botën e shpirtrave?

Si pjesë të këtij vegimi, Presidenti Jozef F. Smith pa atin e tij, Hajrëm Smithin; xhaxhain e tij, Jozef Smithin dhe shpirtra të tjerë të zgjedhur. Të gjithë këta shpirtra fisnikë ndihmuan në punën e Zotit në vdekshmëri. Ata dhe shumë të tjerë u përgatitën përpara se të lindeshin për të kryer gjëra të mëdha në tokë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:57, duke kërkuar atë do të vazhdojnë të bëjnë pleqtë besnikë pasi të vdesin. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Pamja
Presidenti Jozef F. Smith

Presidenti Jozef F. Smith shpjegoi gjithashtu se puna në botën e shpirtrave nuk kufizohet tek ata që mbajnë Priftërinë Melkizedeke: “Motra të mira që janë veçuar, shuguruar për punën [dhe] thirrur për ta bërë atë, … do të jenë plotësisht të autorizuara dhe të fuqizuara për ta predikuar ungjillin” (Gospel Doctrine, bot. 5-të [1939], f. 461).

Një nga të vërtetat që mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 138:57 dhe nga thënia e Presidentit Smith është se pas jetës së vdekshme, shenjtorët besnikë do ta vazhdojnë punën e tyre për predikimin e ungjillit.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 138:60, duke kërkuar dëshminë e Presidentit Jozef F. Smith për të vërtetat që ai shënoi.

Është një bekim i mrekullueshëm të dish se të gjithë fëmijët e Atit Qiellor do të kenë një mundësi për ta pranuar dhe jetuar ungjillin. Puna që ne bëjmë për të vdekurit në tempull, u jep atyre aftësinë që të pastrohen nga mëkatet e tyre, të shëlbehen nga burgu i shpirtrave dhe t’i bashkohen punës së madhe të shëlbimit në botën e shpirtrave.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 138 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: