Seminari
Njësia 7: Dita 3, Doktrina e Besëlidhje 28


Njësia 7: Dita 3

Doktrina e Besëlidhje 28

Hyrje

Midis prillit dhe shtatorit të vitit 1830, disa anëtarë të Kishës i keqkuptuan parimet që e drejtojnë zbulesën në Kishë. Këto keqkuptime krijuan sfida për Profetin Jozef Smith. Në zbulesën që përfshihet te Doktrina e Besëlidhje 28, Zoti zbuloi të vërteta që dhanë zgjidhje për këto sfida.

Doktrina e Besëlidhje 28:1–7

Zoti shpjegon se zbulesa për të qeverisur Kishën e Tij jepet përmes profetit të Tij të caktuar

Ka shumë shembuj në botë të gjërave që janë thjesht imitime të gjërave që janë të mirëfillta, reale dhe më të mira. Kur mund të jetë e dëmshme të ngatërrohet një imitim për diçka që është reale?

Imitimet shpirtërore janë një rrezik i rëndësishëm. Plaku Dallin H. Ouks, i Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi: “Djalli është ati i gënjeshtrave dhe ai përherë dëshiron të pengojë punën e Perëndisë nëpërmjet imitimeve të tij të shkathta” (“Dy Linja Komunikimi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 84).

Lexoni hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 28 në shkrimet tuaja të shenjta. Ndërsa lexoni, kërkoni një imitim që e përdori Satani për të mashtruar disa nga anëtarët e parë të Kishës. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Për shkak të ngjashmërive në dukje midis pretendimeve të Hajrëm Pejxhit për marrjen e zbulesës nëpërmjet një guri dhe mënyrës se si mendonin që Perëndia ia zbulonte të vërtetën Profetit Jozef Smith, anëtarë të Kishës, përfshirë Oliver Kaudërin, ka më shumë të ngjarë që të besonin në zbulesat e rreme që Satani ia përçoi Hajrëm Pejxhit. Ndërsa studioni fjalët e Zotit për Oliverin te Doktrina e Besëlidhje 28, kërkoni të vërtetat që mund t’ju ndihmojnë të shmangni të qenit të mashtruar nga imitimet apo sajesat e Satanit.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 28:1–5. Një e vërtetë e rëndësishme që ne mësojmë është se Presidenti i Kishës është i vetmi person që mund të marrë zbulesë për të gjithë Kishën. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në anë të shkrimeve tuaja të shenjta pranë këtyre vargjeve.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni pyetjeve vijuese:

    1. Si mund t’i ndihmojë anëtarët e Kishës njohja e këtij parimi për të shmangur të qenit të mashtruar?

    2. Cilët ishin ndryshimet midis përgjegjësive të Oliver Kaudërit si plaku i dytë i Kishës dhe përgjegjësive të Jozef Smithit si President i Kishës?

Jo shumë kohë përpara se Zoti të jepte zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 28, ndodhi diçka që tregoi se si Oliver Kaudëri ende nuk i kishte kuptuar plotësisht ndryshimet midis përgjegjësive të tij në Kishë dhe rolit të Jozef Smithit si profet dhe President i Kishës.

Ndërsa po jetonte në Harmoni të Pensilvanisë, Jozef Smithi mori një letër nga Oliver Kaudëri, i cili ishte në Fajet të Nju-Jorkut. Profeti shënoi:

Pamja
Vëllai Jozef

“Ai më shkroi për të më informuar se kishte zbuluar një gabim në një prej urdhërimeve [në zbulesën që tani gjendet te seksioni 20 i Doktrinës e Besëlidhjeve], dhe shtoi: ‘Unë ju urdhëroj në emër të Perëndisë që t’i fshini ato fjalë, që të mos ketë intriga të priftërinjve mes nesh!’

I ktheva menjëherë përgjigje, në të cilën e pyeta se me çfarë autoriteti ai merrte përsipër të më urdhëronte të ndryshoja ose të fshija, të shtoja apo të zvogëloja një zbulesë apo urdhërim nga Perëndia i Amshuar.

Pak ditë më pas, unë vizitova atë dhe familjen e z. Uitmer, kur e gjeta familjen në shqetësim të përgjithshëm lidhur me fjalët … , dhe nuk ishte pa punë e këmbëngulje që munda t’i bind secilin prej tyre për të arsyetuar qetësisht mbi temën. Megjithatë, … përfundimisht,…unë pata sukses që jo vetëm familja Uitmer, por edhe Oliver Kaudëri ta pranonin se e kishin pasur gabim” (në Histories of the Church, 1:105).

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 28:6–7 dhe përcaktoni udhëzimin e Zotit për Oliver Kaudërin. Vargu 6 na ndihmon të kuptojmë se në Kishën e Jezu Krishtit, anëtarët individualë nuk mund të marrin zbulesë për të udhëzuar dikë që kryeson mbi ta.

Pamja
Jozef Smith

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Është në kundërshtim me rendin e Perëndisë që ndonjë anëtar i Kishës, ose cilido, të marrë udhëzime për ata që janë në autoritet, më të lartë se vetja; prandaj ju do ta shihni papërshtatshmërinë për t’ua vënë veshin atyre; por, nëse ndonjë person ka një vegim ose një vizitë nga një lajmëtar qiellor, kjo duhet të jetë për dobinë dhe udhëzimin e vet; sepse parimet themelore, qeverisja dhe doktrina e Kishës kontrollohen nga çelësat e mbretërisë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 207).

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si na ndihmon të kuptuarit dhe ndjekja e parimeve të qeverisjes për marrjen e zbulesës në Kishë, në përkrahjen dhe mbështetjen e udhëheqësve tanë të Kishës?

Doktrina e Besëlidhje 28:8–10

Zoti e thërret Oliver Kaudërin për t’u predikuar ungjillin lamanitëve

Shikoni rolet dhe thirrjet e renditura më poshtë dhe qarkoni ato për të cilat ju mendoni se individët kanë të drejtë të marrin zbulesë për t’i ndihmuar në përgjegjësitë e tyre.

Prind

Autoritet i Përgjithshëm

Mësues i shtëpisë ose mësuese e vizitave mësimore

Peshkop ose president i degës

Mësues në Shkollën e së Dielës

Misionar

Presidente e klasës së Trëndafilave ose president i kuorumit të mësuesve

Presidente e Shoqatës së Ndihmës

Nga ajo që Zoti i tha Oliver Kaudërit te Doktrina e Besëlidhje 28:8–10, ne mund të mësojmë se cili ka të drejtë të marrë zbulesë për t’i ndihmuar ata në përgjegjësitë e tyre. Lexojini këto vargje dhe gjeni atë që Zoti e thirri Oliverin të bënte.

Në Librin e Mormonit, termi lamanitë i referohet një grupi të veçantë njerëzish, disa prej të cilëve ishin pasardhës të Lamanit, birit më të madh të Lehit. Termi lamanitë te Doktrina e Besëlidhje 28:8 u drejtohet indianëve të Amerikës që jetojnë në kufirin perëndimor në Shtetet e Bashkuara, disa prej të cilëve mund të kenë qenë pasardhës të njerëzve në Librin e Mormonit.

Shenjoni premtimin dhe këshillën që Zoti i dha Oliverit te Doktrina e Besëlidhje 28:8, që do të na ndihmojnë të dimë se cili ka të drejtë të marrë zbulesë për t’i ndihmuar në përgjegjësitë e tyre.

Zoti i tha Oliver Kaudërit se ai mund të merrte zbulesë për ta ndihmuar atë në punën e tij misionare. Doktrina e Besëlidhje 28:8 na ndihmon të kuptojmë se ne mund të marrim zbulesë për vetë përfitimin tonë dhe për të na ndihmuar në thirrjet dhe detyrat që na janë dhënë.

Ju mund të kishit qarkuar çdo rol dhe thirrje të renditur në fillim të këtij seksioni, sepse secili prej atyre individëve ka të drejtën të marrë zbulesë për përgjegjësitë e tij ose të saj përkatëse. Për kë mendoni ju do të ishte e dobishme që këta individë të merrnin zbulesë? Si mund t’i ndihmojë ata marrja e zbulesës për ata mbi të cilët kanë përgjegjësi?

Mendoni se si mund t’ju ndihmojë zbulesa në jetën tuaj vetjake ose në një thirrje apo detyrë që keni në Kishë.

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi se zbulesa vetjake nuk e kualifikon një njeri që të marrë zbulesë për të udhëzuar dikë që kryeson mbi të dhe dha këshillë rreth zbulesës vetjake:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Zbulesa në Kishë vjen sipas një mënyre të rregullt. Ne kemi të drejtë për zbulesë vetjake. Megjithatë, nëse nuk jemi të veçuar për disa detyra kryesuese, ne nuk do marrim zbulesë në lidhje me atë që të tjerët duhet të bëjnë.

Zbulesa në Kishë u vjen atyre që janë thirrur, mbështetur, shuguruar ose veçuar si duhet. …

Një përvojë e pazakontë shpirtërore nuk duhet të shikohet si një thirrje vetjake për t’i drejtuar të tjerët. Është bindja ime që përvojat e një natyre të veçantë, të shenjtë janë individuale dhe duhet të mbahen për vete.

Pak gjëra i trazojnë kanalet e zbulesës pothuaj kaq efektshmërisht sa ata që mashtrohen dhe e shikojnë veten si të zgjedhur për t’i udhëzuar të tjerët kur nuk janë të zgjedhur” (“Revelation in a Changing World”, Ensign, nëntor 1989, f. 14–15).

Doktrina e Besëlidhje 28:11–16

Zoti e udhëzon Oliver Kaudërin që ta korrigjojë Hajrëm Pejxhin dhe të ndihmojë për të vendosur rregull në Kishë

Rishikoni hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 28. Pastaj lexoni udhëzimet e Zotit për Oliver Kaudërin te Doktrina e Besëlidhje 28:11–14. Çfarë u udhëzua Oliveri të bënte për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit me Hajrëm Pejxhin?

Nga Doktrina e Besëlidhje 28:11–14 ne mësojmë se udhëheqësit e Kishës kanë përgjegjësinë të korrigjojnë ata që po i çojnë të tjerët në rrugë të gabuar. Vini re frazën “ti duhet ta marrësh vëllanë tënd, Hiram Page-n, vetëm për vetëm” (DeB 28:11). Kjo na mëson se korrigjimi duhet të bëhet në fshehtësi dhe me kujdes.

Doktrina e Besëlidhje 28:13 gjithashtu na jep mësim se në Kishën e Jezu Krishtit, të gjitha gjërat duhet të bëhen me rregull.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 28:15–16 për të mësuar këshillën përmbyllëse të Zotit për Oliver Kaudërin. Pak kohë pasi Profeti Jozef Smith mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 28, u mbajt një konferencë. Jozef Smithi shkroi: “U diskutua tema e gurit të përmendur më parë dhe, pas një shqyrtimi mjaft të madh, Vëllai [Hajrëm] Pejxh, si dhe të gjithë anëtarët e Kishës që ishin të pranishëm, hoqën dorë nga guri në fjalë dhe gjithë gjërat e lidhura me të, për kënaqësinë dhe lumturinë tonë të madhe, të përbashkët” (në History of the Church, 1:115).

  1. Për t’ju ndihmuar të zbatoni parimet dhe doktrinat e dhëna mësim te Doktrina e Besëlidhje 28, lexoni secilin prej skenarëve të mëposhtëm dhe pastaj, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një nga të vërtetat me germa të zeza nga mësimi i sotëm që ju ndieni se gjen zbatim më mirë. Të parës i është dhënë përgjigje për ju si shembull.

    1. Ju po përgatiteni për të folur në mbledhjen e sakramentit dhe keni gjetur shumë shkrime të shenjta, citime dhe histori që mund t’i përfshini në bisedën tuaj. Nuk jeni të sigurt se cilat të përdorni apo çfarë duhet të thoni.

      Parimi: Ne mund të marrim zbulesë për vetë përfitimin tonë dhe për të na ndihmuar në thirrjet dhe detyrat që na janë dhënë.

    2. Ju merrni një mesazh elektronik që pretendon se ka informacion rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Megjithatë, informacioni nuk është në harmoni me mësimet e profetit të gjallë.

    3. Një shoqe është e mërzitur me peshkopin e saj, i cili sapo ka thirrur një presidente të re të Të Rejave në lagjen e saj. Shoqja juaj ndien se duhej të ishte thirrur një motër tjetër.

    4. Motra juaj më e madhe po del në takime me një anëtar të Kishës. Ai i tha asaj se, si mbajtës i priftërisë, ai ka marrë zbulesë se ajo duhet të martohet me të. Megjithatë, ajo është lutur për këtë vendim dhe nuk ka marrë një përgjigje të qartë, por është ndier e turbulluar dhe nën shtytje.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 28 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: