Seminari
Njësia 8: Dita 1 Doktrina e Besëlidhje 29:31–50


Njësia 8: Dita 1

Doktrina e Besëlidhje 29:31–50

Hyrje

Pak përpara një konference të Kishës më 26 shtator 1830, Zoti dha zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 29 “në prani të gjashtë pleqve” (DeB 29, kreu i seksionit). Kur ju studiuat Doktrinën e Besëlidhjet 29:1–30 gjatë një mësimi më përpara, ju mësuat rreth mbledhjes së të zgjedhurve të Zotit dhe ndërtimit të Sionit. Ky mësim përqendrohet te natyra e Rënies së Adamit siç zbulohet te Doktrina e Besëlidhje 29:31–50.

Doktrina e Besëlidhje 29:31–35

Shpëtimtari shpjegon se të gjitha gjërat janë shpirtërore për Të

Përsiatni se si do të reagonit në situatat e mëposhtme:

Situata 1: Përfytyroni sikur një nga shokët tuaj po merr pjesë në një sjellje të papërshtatshme që ju e dini se është e dëmshme për të. Në një rast, ju përpiqeni ta nxitni shokun tuaj ta ndalojë këtë sjellje, por ai ju thotë se zgjedhjet e tij nuk janë ndonjë problem i madh për shkak se asgjë e keqe nuk i ka ndodhur. Cilat parime të ungjillit mund ta ndihmojnë shokun tuaj të kuptojë rëndësinë e zgjedhjeve të tij?

Situata 2: Përfytyroni sikur një nga shoqet tuaja vjen dhe ju thotë se ajo ndihet pak e shkurajuar. Ajo ju thotë se nuk e di nëse ia vlen përpjekja për mbajtjen e urdhërimeve. Ajo shpjegon se edhe pse ajo është përpjekur të bëjë atë që Perëndia ka urdhëruar, ajo shikon se rrethanat e saj nuk janë më të mira se të atyre bashkëmoshatarëve të saj që zgjedhin të mëkatojnë. Çfarë parimesh të ungjillit mund ta ndihmojnë shoqen tuaj të vazhdojë të jetë e bindur?

Ndërsa studioni pjesën e fundit të Doktrinës e Besëlidhjeve 29, kërkoni doktrinat e parimet që mund të përdoren për t’i ndihmuar individët në këto situata.

Në vitin 1830, Kisha e Jezu Krishtit u rivendos dhe u organizua sërish në tokë, dhe plotësia e ungjillit po u zbulohej anëtarëve të Kishës nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 29, Zoti i ndihmoi shenjtorët e hershëm të kuptonin më shumë rreth Rënies së Adamit dhe zbuloi disa nga qëllimet e urdhërimeve të Tij.

Doktrina e Besëlidhje 29:31–33 jep mësim se Perëndia i krijoi të gjitha gjërat shpirtërisht. Një kuptim i kësaj është që ato mund të ekzistonin në praninë e Tij dhe nuk ishin të nënshtruara ndaj vdekjes. Ai përgatiti një udhë që krijesat e Tij të bëheshin të përkohshme, duke nënkuptuar që ato do të ndaheshin nga prania e Tij dhe do t’i nënshtroheshin vdekjes. Perëndia gjithashtu përgatiti një mënyrë që krijesat e Tij ta mposhtnin vdekjen dhe të ktheheshin në praninë e Tij. E gjitha kjo është pjesë e planit të Tij për t’u dhënë fëmijëve të Tij mundësinë që të bëhen si Ai.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 29:34–35 duke kërkuar mënyrën se si i shikon Zoti urdhërimet që Ai na jep. Shenjojeni këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta: Të gjitha urdhërimet e Perëndisë janë shpirtërore. Çdo urdhërim që jep Perëndia e ka një synim shpirtëror dhe ka për qëllim të na ndihmojë të kthehemi në praninë e Tij.

  1. Si shembull i doktrinës që të gjitha urdhërimet e Perëndisë janë shpirtërore, merrni parasysh Fjalën e Urtësisë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni pyetjeve vijuese:

    1. Si mund të ndikojë fizikisht te ne bindja ndaj Fjalës së Urtësisë?

    2. Si mund të ndikojë shpirtërisht te ne bindja ndaj Fjalës së Urtësisë?

Mund të ketë pasoja fizike si rrjedhojë e mosbindjes ndaj Fjalës së Urtësisë, por pasojat më të mëdha janë shpirtërore në natyrë, veçanërisht për anëtarët e Kishës që kanë besëlidhur t’i binden atij urdhërimi. Për shkak se të gjitha urdhërimet nga Perëndia janë shpirtërore, përfshirë Fjalën e Urtësisë, bindja sjell bekime shpirtërore në jetën tonë. Nga ana tjetër, mosbindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë na pengon nga marrja e bekimeve shpirtërore ose na bën t’i humbasim ato.

Pamja
Adami dhe Eva

Përsiatni se si dijenia se urdhërimet e Perëndisë janë të gjitha shpirtërore, mund t’i ndihmojë individët në situatat që lexuat në fillim të këtij mësimi.

Doktrina e Besëlidhje 29:36–41

Rënia e Adamit solli vdekjen shpirtërore

Ndërsa Perëndia na jep urdhërime që të na bekojë shpirtërisht, te Doktrina e Besëlidhje 29:35 vini re se Ai na lejon të jemi vetëveprues. Kjo do të thotë se Perëndia u jep të gjithë fëmijëve të Tij liri veprimi dhe u lejon atyre të zgjedhin nëse do t’u binden urdhërimeve të Tij.

  1. Vizatoni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Më pas lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 29:36–41 dhe plotësoni zgjedhjet dhe pasojat e njerëzve ose të grupeve të njerëzve:

    Zgjedhjet

    Pasojat

    Djalli

    “Një e treta e ushtrive të qiellit”

    Adami

Merreni parasysh ta shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta: Perëndia na ka dhënë dhuratën e lirisë së zgjedhjes për të bërë zgjedhje dhe për të pranuar pasojat e atyre zgjedhjeve.

Përpara se Adami të hante frutin e ndaluar, ai jetonte në tokë në Kopshtin e Edenit dhe mund të jetonte në praninë e Perëndisë. Pasi hëngri frutin, ai mbeti në tokë, por nuk mund të qëndronte më në praninë e Perëndisë. Për shkak se Adami iu dha tundimit dhe hëngri nga fruti i ndaluar, të gjithë ne jemi në një gjendje të përkohshme (të nënshtruar ndaj vdekjes) dhe të ndarë nga prania e Perëndisë. Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 29:41, çfarë quhet kjo ndarje?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta vizatoni skicën e mëposhtme:

    Pamja
    skica e rënies

    Në skicë, nën frazën “Toka e Rënë (E Përkohshme)”, shkruani: Vdekja shpirtërore është të dëbohesh nga prania e Perëndisë. Pastaj përgjigjiuni pyetjes vijuese: Përse mendoni se është e nevojshme që ne të ndahemi nga prania e Perëndisë për njëfarë kohe?

Lexoni thënien vijuese për Rënien dhe përse ne duhet të ndahemi nga Perëndia për njëfarë kohe: “Rënia është një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për shpëtimin (shih 2 Nefi 2:15–16; 9:6). Ajo ka një drejtim të dyfishtë – zbritës por megjithatë që shkon përpara. Veç fillimit të vdekjes fizike dhe shpirtërore, ajo na dha mundësinë të lindemi mbi tokë dhe të mësojmë e të përparojmë” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 143; shih edhe 2 Nefi 2:25).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon rreth Rënies:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur apo do të ndodhin ndonjëherë në gjithë përjetësinë … janë Krijimi, Rënia dhe Shlyerja.

Përpara madje se ne të fillojmë të kuptojmë krijimin tokësor të të gjitha gjërave, ne duhet të dimë se si dhe në çfarë mënyre këto tri të vërteta të përjetshme – Krijimi, Rënia dhe Shlyerja – janë ndërthurur së bashku në mënyrë të pandashme për të formuar një plan shpëtimi. Asnjë nga ato nuk qëndron vetëm; secila prej tyre lidhet me dy të tjerat; dhe pa njohurinë për të gjitha, është e pamundur të dish të vërtetën rreth cilësdo prej tyre. …

… Le të mbahet mend, Shlyerja erdhi për shkak të Rënies. Krishti pagoi shpërblesën për shkeljen e Adamit. Nëse nuk do të kishte Rënie, nuk do të kishte Shlyerje së bashku me pavdekësinë dhe jetën e përjetshme që rrjedhin prej saj. Pra, me po aq siguri sa shpëtimi vjen për shkak të Shlyerjes, po ashtu vjen shpëtimi për shkak të Rënies.

Vdekshmëria dhe lindja e vdekja, të gjitha i kishin fillimet e tyre me Rënien” (“Christ and the Creation”, Ensign, qershor 1982, f. 9).

Doktrina e Besëlidhje 29:42–50

Shlyerja e Jezu Krishtit na shëlbon nga vdekja shpirtërore

Përsiatni pyetjen vijuese: Kush do të kthehet në praninë e Perëndisë?

Për të kuptuar mësimet e Zotit në Doktrina e Besëlidhje 29, është e rëndësishme të dimë se të gjithë njerëzit do të kthehen në praninë e Perëndisë pasi të ringjallen. Kjo është për shkak se Shlyerja e Jezu Krishtit e shëlben të gjithë njerëzimin nga ndikimet fizike dhe shpirtërore të Rënies (shih Helamani 14:15–18).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, në anën e djathtë të skicës, nën frazën “Prania e Perëndisë”, shkruani: Nëpërmjet Shlyerjes, i gjithë njerëzimi do të shëlbohet nga vdekja fizike dhe shpirtërore të shkaktuara nga Rënia e Adamit. Pastaj përgjigjiuni pyetjes vijuese: Nëse të gjithë ne do të sillemi përfundimisht në praninë e Perëndisë, si mendoni ju, përse ka rëndësi nëse bëjmë zgjedhje të mira ose jo këtu në tokë?

Pamja
Krishti në Gjetseman

Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti ofron falje dhe jetë të përjetshme për të gjithë ata që ushtrojnë besim në Të dhe pendohen për mëkatet e tyre. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 29:42–43 dhe kërkoni atë që duhet të bëjmë për të qenë të denjë të qëndrojmë në praninë e Perëndisë. Përsiatni se për cilat gjëra ju mund të keni nevojë të pendoheni që të mund të kualifikoheni për të qëndruar në praninë e Perëndisë një ditë.

Megjithëse i gjithë njerëzimi do të ringjallet e do të shëlbohet nga vdekja shpirtërore dhe do të sillet në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar, jo çdokush do të qëndrojë atje.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, në anën e djathtë të skicës, vizatoni një vijë të ndërprerë, me një shigjetë që tregon larg nga prania e Perëndisë. Pastaj lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 29:44–45 dhe përgjigjiuni pyetjeve vijuese:

    1. Cilat zgjedhje i bëjnë njerëzit të jenë të padenjë për të qëndruar në praninë e Perëndisë?

    2. Cilat janë pasojat e zgjedhjeve të tyre?

  2. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, pranë vijës së ndërprerë në skicë, shkruani: Ata që nuk ushtrojnë besim ose nuk pendohen, nuk mund të qëndrojnë përjetësisht në praninë e Perëndisë.

    Sa vijon tregon se si duhet të duket skica juaj në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta:

    Pamja
    skica e Rënies e plotësuar
  3. Rishikojini të dy situatat e përshkruara në fillim të këtij mësimi. Më pas, përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë mësuat sot që mund ta ndihmojë shokun në situatën 1?

    2. Çfarë mësuat sot që mund ta ndihmojë shoqen në situatën 2?

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 29:49 dhe mendoni rreth pritshmërive që ka Zoti për ju. Vendosni një synim që të vazhdoni ta zbatoni Shlyerjen e Jezu Krishtit në jetën tuaj duke u penduar për mëkatet tuaja dhe duke e përgatitur veten tuaj të jetoni në praninë e Perëndisë edhe një herë.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 29:31–50 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: