Seminari
Njësia 27: Dita 4, Doktrina e Besëlidhje 128:12–25


Njësia 27: Dita 4

Doktrina e Besëlidhje 128:12–25

Hyrje

Ky mësim trajton pjesën e mbetur të një letre që Profeti Jozef Smith ua shkroi shenjtorëve në fillim të shtatorit të vitit 1842. Në këtë pjesë të letrës, Profeti dha mësim rreth shpëtimit të të gjallëve dhe të të vdekurve. Ai gjithashtu i nxiti shenjtorët të ishin besnikë në punën e tyre për të vdekurit dhe shprehu gëzimin e tij për Rivendosjen e ungjillit.

Doktrina e Besëlidhje 128:12–18

Jozef Smithi na jep mësim rreth shpëtimit të të gjallëve dhe të të vdekurve

Pamja
vaskë pagëzimi në tempull

Përfytyroni sikur po merrni pjesë në një shtëpi të hapur të një tempulli me një shok i cili nuk është anëtar i Kishës. Teksa ecni përmes pagëzores, shoku juaj pyet: “Përse pagëzoheni për njerëz të vdekur?” Shoku juaj gjithashtu pyet: “A diskutohet në Bibël pagëzimi për të vdekurit?”

Ndërsa e studioni mësimin e sotëm, ju do të zbuloni parime që mund të ndihmojnë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve.

Ju mund të kujtoni nga mësimi i mëparshëm se në shtator të vitit 1842, Profeti Jozef Smith po fshihej nga njerëz që po kërkonin ta arrestonin në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë që ishte i fshehur, ai u shkroi një letër shenjtorëve. Në këtë letër, ai u dha mësim atyre rreth pagëzimit për të vdekurit.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:12–13, duke kërkuar atë që dha mësim Jozef Smithi rreth simbolikës të pagëzimit.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani disa rreshta që shpjegojnë se si mund t’i përdorni mësimet në vargjet 12–13 për ta ndihmuar dikë që të kuptojë arsyen përse pagëzimi bëhet me anë të zhytjes.

Ndërsa lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 128:14, vini re se si Jozef Smithi theksoi rëndësinë e mbajtjes së një anali të pranueshëm përpara Zotit lidhur me punën e shpëtimit për të vdekurit.

Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:15, duke kërkuar arsyet përse ne kryejmë pagëzime për të vdekurit.

vargun 15, fraza “ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur” do të thotë se, paraardhësit tanë që vdesin pa ungjillin, nuk mund të përparojnë drejt përsosurisë derisa ordinancat shpëtuese të ungjillit të jenë kryer për ta.

Lexojeni informacionin vijues, duke shenjuar frazat që tregojnë se si mund t’i ndihmoni paraardhësit tuaj që vdiqën pa e marrë ungjillin:

“Paraardhësit tuaj të vdekur jetojnë në një vend të quajtur bota shpirtërore. Atje ata kanë mundësinë për ta dëgjuar dhe pranuar ungjillin e Jezu Krishtit. Megjithatë, ata nuk mund t’i marrin ordinancat e ungjillit për veten e tyre dhe nuk mund të përparojnë derisa të tjerët t’i sigurojnë këto ordinanca për ta.

Privilegji dhe përgjegjësia juaj është t’ua jepni paraardhësve tuaj këtë dhuratë duke i gjetur ata dhe duke siguruar që ordinancat të kryhen në emër të tyre brenda në tempull. Ata mund të zgjedhin më pas nëse e pranojnë punën që është bërë” (Udhëzuesi i Anëtarëve për Punën në Tempull dhe Historinë Familjare [2009], f. 2).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mendoni se ndihen paraardhësit tuaj kundrejt jush kur pagëzoheni për ta? Nëse keni pasur mundësinë të merrni pjesë në pagëzimet për të vdekurit, shkruani gjithashtu rreth ndjenjave që keni pasur gjatë asaj përvoje.

Shqyrtojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:15, duke kërkuar një arsye tjetër përse ne kryejmë pagëzime për të vdekurit. Në bazë të asaj që mësoni, plotësoni doktrinën vijuese: Shpëtimi i paraardhësve tanë të vdekur është për shpëtimin tonë.

Ndërsa vazhdoni ta studioni Doktrinën e Besëlidhjet 128, përsiatni mbi arsyen përse bërja e punës së historisë familjare dhe asaj në tempull për paraardhësit tanë të vdekur është thelbësore për shpëtimin tonë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:16–17, duke kërkuar mësime të dhëna nga një Apostull në Dhiatën e Re dhe një profet në Dhiatën e Vjetër. Përse mund të jetë e dobishme të dini se Bibla përfshin mësime rreth punës për të vdekurit?

A e keni parë ndonjëherë nga afër një zinxhir metali? Për ta bërë një zinxhir të fortë, secila hallkë saldohet pasi lidhet brenda një hallke tjetër.

Pamja
hallka zinxhirësh

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:18, duke kërkuar se si lidhen hallkat e një zinxhiri me mësimet e dhëna nga Profeti Jozef Smith rreth pagëzimit për të vdekurit. (Mbani mend se një periudhë ungjillore është një periudhë kohore kur Zoti zbulon doktrinat, ordinancat dhe priftërinë e Tij [shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Periudhë”, f. 146]. Në këtë varg, fjala fëmijëve na drejtohet neve dhe fjala etërve iu drejtohet paraardhësve tanë.)

Ju mund të doni ta shkruani doktrinën vijuese në shkrimet tuaja të shenjta pranë vargut 18: Pagëzimi për të vdekurit ndihmon që të na lidhë përjetësisht me paraardhësit tanë.

Përveç pagëzimit, ordinancat e tjera shpëtuese – konfirmimi, shugurimi në priftërinë Melkizedeke (për meshkujt), dhurimi [indaumenti] në tempull dhe ordinanca vulosëse – janë gjithashtu thelbësore për të siguruar hallkat lidhëse midis paraardhësve tanë dhe vetes sonë.

Për ta shtuar kuptueshmërinë tuaj për të vërtetat te Doktrina e Besëlidhje 128, studioni thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Disa anëtarë të Kishës e kanë pyetur veten se çfarë donin të thoshin fjalët e Profetit se, pa të vdekurit tanë ne nuk mund të bëhemi të përsosur. A nuk do të marrë përsosje një njeri i cili i zbaton urdhërimet e Zotit, i cili është besnik dhe i vërtetë për aq sa ka lidhje me atë vetë? Po, me kusht që njerëzit e tij të vdekur e të denjë të marrin gjithashtu të njëjtat privilegje, sepse duhet të ketë një organizim familjar, një njësi familjare dhe secili brez duhet të lidhet me zinxhirin që krijohet më parë, me qëllim që të sillet përsosmëri në organizimin familjar. Në këtë mënyrë, më së fundi, ne do të jemi një familje e madhe me Adamin në krye, Mikaelin, kryeengjëllin, duke kryesuar mbi pasardhësit e tij” (Doctrines of Salvation, përm. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:175).

Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 128:18, përse është e rëndësishme të jemi pjesë e këtij zinxhiri të njerëzve që janë lidhur ose vulosur së bashku?

Thëniet vijuese mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se kujt i drejtohet mallkimi në vargun 18:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

Presidenti Jozef Filding Smith tha: “Nëse nuk ka një lidhje të pandashme midis etërve dhe fëmijëve – që është puna për të vdekurit – atëherë ne të gjithë do të flakemi; e gjithë puna e Perëndisë do të dështojë dhe do të shkatërrohet tërësisht” (Doctrines of Salvation, 2:122).

Pamja
Plaku L. Tom Peri

Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi: “Familja e përjetshme është qendra e ungjillit të Shpëtimtarit tonë. Nuk do të kishte asnjë arsye për Të që të kthehej në tokë për të sunduar e mbretëruar mbi mbretërinë e Tij, në qoftë se njësia e familjes së përjetshme nuk themelohet për Atin tonë te fëmijët e Qiellit. Kur e kuptojmë rolin e përjetshëm të familjes, ushqimi shpirtëror dhe zhvillimi i lidhjeve të forta familjare marrin rëndësi edhe më të madhe” (“Youth of the Noble Birthright”, Ensign, nëntor 1998, f. 74).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Nisur nga ajo që keni lexuar nga studimi juaj i Doktrinës e Besëlidhjeve 128, përse janë thelbësore për shpëtimin tonë puna për historinë familjare dhe puna në tempull?

Doktrina e Besëlidhje 128:19–25

Jozef Smithi shpreh gëzim në Rivendosjen e ungjillit dhe i nxit shenjtorët të jenë besnikë ndërkohë që punojnë për shpëtimin e të vdekurve

Mendoni për një rast kur ju keni qenë të lumtur të dëgjoni një njoftim vërtet të mirë. Kur e dëgjuat atë, a donit ta ndanit me të tjerët? Përse?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:19. Fjala lajme në këtë varg është një fjalë tjetër për njoftime. Kërkojini lajmet që Profeti Jozef Smith tha se ne i kemi marrë.

Në çfarë mënyrash është ungjilli i Jezu Krishtit një zë gëzimi si për të gjallët ashtu edhe për të vdekurit?

Doktrinën e Besëlidhjet 128:20–21, ne lexojmë për disa prej përvojave që pati Jozef Smithi me lajmëtarët qiellorë ndërsa ungjilli u rivendos nëpërmjet tij.

Një e vërtetë që mësojmë në këto vargje është që çelësat, fuqitë dhe autoriteti i periudhave të kaluara ungjillore, janë rivendosur në periudhën e plotësisë së kohëve. Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë.

Pamja
Presidenti Xhon Tejlor

Presidenti Xhon Tejlor tha: “Nëse do ta pyesje Jozefin se ç’pamje kishte Adami, do të ta thoshte menjëherë; ai do të të thoshte përmasat dhe pamjen e tij të jashtme dhe gjithçka për të. Ju mund ta kishit pyetur se ç’pamje kishin Pjetri, Jakobi e Gjoni dhe ai do të mund t’ua thoshte. Përse? Sepse ai i kishte parë ata” (në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 107).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si ndikon në besimin tuaj dhe dëshminë tuaj për Rivendosjen njohuria se ungjilli u rivendos në tokë nëpërmjet lajmëtarëve qiellorë?

Doktrina e Besëlidhje 128:22–23 përmban shprehjet e gëzimit që Profeti Jozef Smith ndjeu ngaqë çelësat e priftërisë ishin rivendosur dhe ngaqë shenjtorët mund të ndihmonin për t’i shëlbuar të vdekurit. Teksa i studioni këto vargje, ju mund të doni t’i shenjoni frazat që janë domethënëse për ju.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:24, duke kërkuar një blatim që Profeti i udhëzoi shenjtorët t’ia bënin Zotit. Çfarë mund të bëni për të dhënë ndihmesë në këtë “libër”?

Përsiatni të vërtetën vijuese: Kur bëjmë punë për historinë familjare dhe marrim ordinanca në tempull për paraardhësit tanë, ne i ofrojmë një blatim të drejtë Zotit. Ndërsa mendoni për këtë të vërtetë, lexoni thënien vijuese, në të cilën Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi rolin tuaj në punën për shpëtimin e të vdekurve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Shumë prej jush mund të mendojnë se puna e historisë familjare duhet të kryhet kryesisht nga njerëz më të rritur. Por unë nuk di të përshkruhet asnjë kufi moshe në shkrimet e shenjta apo në udhëzimet e shpallura nga udhëheqës të Kishës, që e kufizon këtë shërbesë të rëndësishme tek personat plotësisht të rritur. Ju jeni bij dhe bija të Perëndisë, fëmijë të besëlidhjes dhe ndërtues të mbretërisë. Ju nuk duhet të prisni derisa të arrini një moshë të kërkuar, që të përmbushni përgjegjësinë tuaj për të ndihmuar në punën e shpëtimit për familjen njerëzore. …

Nuk është rastësi që … kanë dalë mjete në një kohë kur të rinjtë janë kaq të familjarizuar me një gamë të gjerë teknologjish të informacionit dhe të komunikimit. … Aftësitë dhe prirjet e dukshme mes shumë të rinjve të sotëm janë një përgatitje për të kontribuar në punën e shpëtimit.

I ftoj të rinjtë e Kishës që të mësojnë për Shpirtin e Elijas e ta përjetojnë atë. Ju inkurajoj që të studioni, t’i gjeni paraardhësit tuaj e të përgatiteni për të kryer pagëzime mëkëmbëse në shtëpinë e Zotit për të vdekurit e farefisit tuaj (shih DeB 124:28–36). Dhe ju nxit që t’i ndihmoni njerëzit e tjerë t’i gjejnë historitë e tyre familjare” (“Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 26–27).

Pamja
të rinj duke ecur drejt tempullit
  1. Për ta vënë në jetë atë që keni mësuar sot, bëni një plan për t’i ndihmuar disa prej paraardhësve tuaj që të marrin ordinanca tempulli. Ju mund të doni të punoni me prindërit tuaj ose me një këshillues të lagjes apo degës për historinë familjare ndërkohë që e bëni këtë plan. Shkruajeni planin tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë siç vijon:

    1. Plani im për të gjetur emrat e paraardhësve që kanë nevojë për ordinanca tempulli:

    2. Plani im për të kryer punë në tempull për paraardhësit e mi: (Nëse është e mundur, bëni një plan për ta frekuentuar tempullin që të merrni pagëzime dhe konfirmime për paraardhësit që gjeni.)

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 128:12–25 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: