Seminari
Njësia 23: Dita 1, Doktrina e Besëlidhje 106; 107:1–20


Njësia 23: Dita 1

Doktrina e Besëlidhje 106; 107:1–20

Hyrje

Më 25 nëntor 1834, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 106. Në këtë zbulesë, Zoti e thirri Uorren Kaudërin që të kryesonte mbi Kishën në Fridom të Nju-Jorkut dhe në komunitetet përreth. Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 107 u shënua në vitin 1835, por Zoti i dha Jozef Smithit pjesë të caktuara të saj në kohë të ndryshme. Në kohën kur u shënua zbulesa, anëtarët e Kuorumit të sapoorganizuar të Dymbëdhjetë Apostujve po përgatiteshin që të niseshin për në misione. Ky është mësimi i parë i tri mësimeve për Doktrinën e Besëlidhjet 107.

Doktrina e Besëlidhje 106

Zoti e thërret Uorren Kaudërin si priftin e lartë kryesues në Fridom të Nju-Jorkut.

Mendoni për një rast kur një peshkop apo një president i ri dege është thirrur. Si mendoni se u ndie ai person?

Në vitin 1834, Kisha përjetoi rritje domethënëse në komunitetin e Fridomit në Nju-Jork, rreth 322 kilometra nga Kirtlandi në Ohajo. Zoti thirri një udhëheqës priftërie që të kryesonte mbi anëtarët atje. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 106:1 për të zbuluar se kë caktoi Zoti që të kryesonte.

Pamja
hartë, Nju-Jork dhe Ohajo

Uorren Kaudëri qe vëllai më i madh i Oliver Kaudërit. Kur Uorren Kaudëri mori thirrjen për të shërbyer si një prift i lartë kryesues, ndjenjat e tij mund të kenë qenë të ngjashme me ato të një peshkopi apo presidenti të ri të degës sot. Zoti tha fjalë ngushëlluese teksa Vëllai Kaudëri e pranoi thirrjen e tij të re. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 106:2–3, duke kërkuar atë që Zoti i tha Vëllait Kaudëri të bënte, ndërsa kryesonte mbi anëtarët e Kishës në zonën e Fridomit në Nju-Jork.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 106:6 dhe gjeni se çfarë kishte bërë Uorren Kaudëri që solli gëzim në qiell. Ndërsa lexoni, vini re se një skeptër është një shkop që mbahet nga familja mbretërore. Ai është simbol i autoritetit. Në këtë varg, fraza “iu përkul skeptrit tim” i drejtohet Vëllait Kaudëri që e përuli veten e tij përpara fuqisë së Perëndisë dhe, fraza “e veçoi veten nga dredhitë e njerëzve”, ka gjasa t’i drejtohet Vëllait Kaudëri, i cili e largoi veten nga veprimtaritë e kota dhe të padrejta.

Merrni në shqyrtim atë që mund të bëni për ta përulur veten tuaj përpara Perëndisë dhe për ta veçuar veten tuaj nga veprimtari të padrejta.

Te Doktrina e Besëlidhje 106:7–8, ne lexojmë këshillën e Zotit drejtuar Uorren Kaudërit dhe premtimin e Tij për ta bekuar Uorrenin për ndjekjen e asaj këshille. Lexojini këto vargje dhe përmblidheni premtimin e Zotit duke i plotësuar vendet bosh që vijojnë: Nëse veten tonë përpara Zotit, atëherë Ai do të ketë mëshirë për ne, do të na ngrejë dhe do të na japë .

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Në çfarë mënyrash i lartëson Zoti ata që e përulin veten e tyre përpara Tij?

    2. Kur e keni parë dikë të ngrihet për shkak se ai qe i përulur përpara Zotit?

Doktrina e Besëlidhje 107:1–20

Zoti jep mësim rreth Priftërisë Melkizedeke dhe asaj Aarone

Përpiquni të gjeni se cili profet i Dhiatës së Vjetër është përshkruar në paragrafin vijues:

Ky profet “ishte një njeri i besimit që solli drejtësi; dhe, kur ishte fëmijë, ai e kishte frikë Perëndinë dhe u zuri gojët luanëve dhe e fiku fuqinë e zjarrit” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:26 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Si mbret i Salemit, ai “vendosi paqe në tokë në ditët e tij; prandaj ai u quajt princi i paqes” (Alma 13:18). Profeti Abraham i pagoi atij të dhjetat (shih Alma 13:15).

Pamja
Melkizedeku duke shuguruar Abrahamin

Shkoni tek Alma 13:14–18 për të gjetur se kush është profeti. Më pas kërkoni Doktrinën e Besëlidhjet 107:1–4 dhe zbuloni përse Priftëria Melkizedeke u quajt sipas profetit Melkizedek.

Si quhej Priftëria Melkizedeke përpara kohës së Melkizedekut?

Merreni parasysh të shenjoni dy arsyet përse anëtarët e Kishës në kohët e lashta e quajtën këtë priftëri sipas Melkizedekut.

Ju gjithashtu mund të merrni parasysh të shenjoni thënien doktrinore vijuese te Doktrina e Besëlidhje 107:3: Priftëria Melkizedeke është sipas urdhrit të Birit të Perëndisë.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si duhet të shfaqet kjo doktrinë në jetën e mbajtësve të priftërisë: “Kur autoriteti i priftërisë ushtrohet siç duhet, mbajtësit e priftërisë bëjnë atë që Ai [Jezu Krishti] do të bënte nëse Ai do të ishte i pranishëm” (“Doktrina e Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 7).

Ju mund të doni ta shkruani këtë shpjegim në shkrimet tuaja të shenjta pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 107:3.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani për një rast kur ju e keni parë dikë ta ushtrojë priftërinë ashtu siç duhet, duke bërë atë që do të bënte Jezu Krishti.

Pa Priftërinë Melkizedeke, Kisha nuk do të ekzistonte. Shqyrtojeni Doktrinën e Besëlidhjet 107:5, 8–9, duke kërkuar fjalë ose fraza që japin mësim për mënyrën se si lidhet Priftëria Melkizedeke me organizatat e Kishës të tilla si Filloren, Shkollën e së Dielës, Të Rinjtë, Të Rejat dhe Shoqatën e Ndihmës. (Doktrina e Besëlidhje 107:8 është një varg i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që të mund ta gjeni më me lehtësi.)

Vini re te vargu 5 se këto organizata quhen shtesa. Një shtesë është pjesë e një trupi, e tillë si një krah ose një këmbë.

Me qëllim që të kuptoni të drejtën dhe autoritetin e Priftërisë Melkizedeke, drejtojuni Doktrinës e Besëlidhjeve 107:8 për të plotësuar thënien vijuese: Priftëria Melkizedeke ka të drejtën e , të fuqisë dhe autoritetit mbi dhe autoritetin për të administruar shpirtërore.

Shpjegoni se “administr[imi i] gjëra[ve] shpirtërore” përfshin administrimin e bekimeve, ordinancave dhe besëlidhjeve.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani për një rast kur ju u bekuat nëpërmjet autoritetit të Priftërisë Melkizedeke. Ju mund të shkruani për një rast kur morët një bekim, morët pjesë në një ordinancë apo bëtë një besëlidhje.

“Presidencia e Priftërisë së Lartë”, e përmendur te Doktrina e Besëlidhje 107:9, është Presidenca e Parë. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 107:10, duke kërkuar se kush ka të drejtën për të kryesuar nën drejtimin e Presidencës së Parë.

Presidencat e kunjit dhe peshkopatat janë shembuj të kryesimit të priftërinjve të lartë në vetë detyrën e tyre, nën udhëheqjen e Presidencës së Parë.

Doktrina e Besëlidhje 107:15–17 i referohet Peshkopatës Kryesuese të Kishës. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Kjo është detyra që mbajti Aaroni në lashtësi; e drejta për të është e trashëguar; ajo kalon nga një baba i denjë te një djalë i denjë. … Por në mungesë të një zbulese dhënë Presidentit të Kishës, që cakton linjën e prejardhjes dhe individin që do ta mbajë këtë detyrë të lartë të peshkopatës dhe presidencës Levitike, Presidenca e Parë zgjedh ‘një prift të lartë të Priftërisë Melkizedeke’ për ta mbajtur detyrën. Në këtë rast thirren edhe dy këshilltarë për të shërbyer në Peshkopatën Kryesuese. (D. e B. 68:14–21; 107:15–17, 68–78.)

Si mbajtës i çelësave të presidencës mbi Priftërinë Aarone të Kishës dhe, si rrjedhim, mbi të gjithë peshkopët e tjerë, Peshkopi Kryesues është një nga Autoritetet e Përgjithshme të Kishës. Ai qëndron si një gjykatës në Izrael, është përgjegjës për shumë prej shqetësimeve të mbretërisë (D. e B. 107:68–74), merr kushtimet për kujdesin ndaj të varfërve të Zotit (D. e B. 42:31–33; 51:5, 12–13) dhe thirret për të udhëtuar e predikuar si një ndihmës për ngritjen e mbretërisë. (D. e B. 84:112–116)” (Mormon Doctrine, bot. 2-të. [1966], f. 592).

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 107:18 dhe shenjojeni thënien doktrinore vijuese: Prifëria Melkizedeke mban çelësat e të gjitha bekimeve shpirtërore të Kishës.

“Çelësat e priftërisë janë autoriteti që Perëndia u ka dhënë udhëheqësve të priftërisë për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur përdorimin e priftërisë së Tij në tokë. Ushtrimi i autoritetit të priftërisë qeveriset nga ata që [i] mbajnë çelësat e saj (shih DeB 65:2; 81:2; 124:123). Ata që [i] mbajnë çelësat e priftërisë, kanë të drejtën të kryesojnë dhe drejtojnë Kishën brenda një juridiksioni” (Manuali 2: Administrimi i Kishës [2010], 2.1.1). Një juridiksion është një zonë gjeografike ku njerëz të caktuar kanë autoritet. Për shembull, juridiksioni i një peshkopi është lagjja e tij.

Te Doktrina e Besëlidhje 107:8–9, 18, ne lexojmë për fuqinë, autoritetin dhe urdhrin e Priftërisë Melkizedeke. E drejta e presidencës shoqërohet me çelësat e priftërisë. Termi “çelësat e priftërisë” përdoret në të paktën tri mënyra: çelësat e dhënë Apostujve, çelësat e presidencës dhe një përdorim i gjerë i “çelësave të priftërisë”.

Çelësat e dhënë Apostujve. Atyre që shugurohen Apostuj, u jepen 1) çelësat apostolikë ose çelësat e mbretërisë – fuqia dhe autoriteti për të kryesuar mbi Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë në tokë (shih DeB 27:12–13); 2) çelësat e mbledhjes së Izraelit ose të punës misionare (shih DeB 110:11); 3) çelësat e periudhës së ungjillit të Abrahamit dhe të rivendosjes së të gjitha gjërave (shih DeB 110:12; shih edhe DeB 27:6–7); dhe 4) çelësat e fuqisë vulosëse (shih DeB 110:13–15). Vetëm Apostujt i kanë këto çelësa të priftërisë; ato nuk u jepen të tjerëve.

“Jezu Krishti mban të gjithë çelësat e priftërisë që i përkasin Kishës së Tij. Ai i ka dhënë secilit prej Apostujve të Tij të gjithë çelësat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë në tokë. Apostulli më i vjetër i gjallë, Presidenti i Kishës, është i vetmi person në tokë i autorizuar t’i ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë (shih DeB 43:1–4; 81:2; 107:64–67, 91–92; 132:7).

Të Shtatëdhjetët veprojnë me caktim dhe me delegim të autoritetit nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Presidentët e Zonave caktohen t’i administrojnë zonat nën autorizimin e Presidencës së Parë dhe të Të Dymbëdhjetëve. Presidenca e Të Shtatëdhjetëve veçohet dhe i jepen çelësat për të kryesuar mbi Kuorumet e Të Shtatëdhjetëve” (Manuali 2, 2.1.1).

Pamja
një burrë duke marrë një bekim priftërie

Çelësat e presidencës. “Presidenti i Kishës iu delegon çelësa priftërie udhëheqësve të tjerë të priftërisë që ata të mund të kryesojnë në fushat e tyre të përgjegjësisë. Çelësat e priftërisë iu jepen presidentëve të tempujve, të misioneve, të kunjeve dhe të distrikteve; peshkopëve; presidentëve të degëve; dhe presidentëve të kuorumeve. Ky autoritet kryesues është i vlefshëm vetëm për përgjegjësitë e përcaktuara dhe brenda juridiksionit gjeografik të thirrjes së secilit udhëheqës” (Manuali 2, 2.1.1).

Me marrjen e këtyre çelësave të priftërisë, një udhëheqës priftërie ka autoritetin për të shërbyer si një drejtues kryesues. Për shembull, një peshkop shërben si prift i lartë kryesues në një lagje dhe gjithashtu si president i Priftërisë Aarone për lagjen. Udhëheqësve të priftërisë që i marrin çelësat, u jepet gjithashtu e drejta për dhurata ose fuqi të veçanta, të tilla si [dhurata] e dallimit. Për shembull, një peshkop shërben si një gjykatës i zakonshëm dhe merr aftësinë shpirtërore për t’i ndihmuar anëtarët që kanë nevojë për këshillë lidhur me probleme të rëndësishme vetjake, përfshirë shkelje të rënda.

“Kur udhëheqësit e priftërisë lirohen nga thirrjet e tyre, ata nuk i mbajnë më çelësat përkatës.

Këshilltarët e udhëheqësve të priftërisë nuk marrin çelësa. Ata veçohen dhe funksionojnë në thirrjet e tyre me anë të caktimit dhe autoritetit të deleguar.

Të gjitha organizatat ndihmëse të lagjes e të kunjit veprojnë nën drejtimin e peshkopit ose të presidentit të kunjit, i cili mban çelësat për të kryesuar. Presidentët e organizatave ndihmëse dhe këshilltarët e tyre nuk marrin çelësa. Ata marrin autoritet të deleguar për të funksionuar në thirrjet e tyre” (Manuali 2, 2.1.1).

Përdorimi i përgjithshëm i “çelësave të priftërisë”. Përdorimi i përgjithshëm i termit “çelësat priftërore” ose “çelësat e priftërisë” mund të kuptohet si të drejta që i përkasin dhe janë në dispozicion për udhëheqësit e priftërisë, ose në shumë raste, për anëtarët në përgjithësi. Këto të drejta duhet të përcaktohen në kontekstin e tyre përkatës. Për shembull, çelësat e shërbesës së engjëjve janë në dispozicion për të gjithë mbajtësit e Priftërisë Aarone, të cilëve sipas së drejtës, u takojnë t’i kenë (shih DeB 13:1). Çelësat e mistereve të mbretërisë (shih DeB 84:19–20; 128:14) janë në dispozicion në tempull. Çelësat e shpëtimit janë doktrinat dhe ordinancat e ungjillit dhe i jepen kërkuesit të së vërtetës e drejtësisë. Për secilin prej këtyre çelësave [mbajtësi] duhet të kualifikohet dhe t’i kërkojë, në mënyrë që ato të shfaqen në jetën e individit.

Te Doktrina e Besëlidhje 107:19, ne lexojmë për disa bekime që vijnë nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke. Lexojeni këtë varg dhe përcaktojini ato bekime.

Pamja
Jozef Smithi

Profeti Jozef Smith shpjegoi rëndësinë e Priftërisë Melkizedeke në marrjen e bekimeve: “Priftëria Melkizedeke … është kanali nëpërmjet të cilit zbulohet nga qielli gjithë njohuria, doktrina, plani i shpëtimit dhe çdo çështje e rëndësishme” (në History of the Church, 4:207).

Të gjithë anëtarët e Kishës mund t’i marrin bekimet që shoqërohen me Priftërinë Melkizedeke. Këto bekime janë në dispozicion për të gjithë ata që i marrin ordinancat e tempullit dhe qëndrojnë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre.

Mendoni për dikë që ju e njihni, i cili mban Priftërinë Aarone. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 107:13–14, 20, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth autoritetit të Priftërisë Aarone.

Në bazë të asaj që keni mësuar nga këto vargje, plotësoni thënien vijuese: Priftëria Aarone mban çelësat e dhe të administrimit në ordinancat e jashtme.

Çfarë ordinance përmendet te vargu 20? Çfarë ordinancash të tjera administrohen nga autoriteti i Priftërisë Aarone?

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi marrëdhënien midis shërbesës së engjëjve dhe ordinancave të pagëzimit e sakramentit:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Këto ordinanca të Priftërisë Aarone janë … jetike për shërbesën e engjëjve.

‘Fjala “engjëll” përdoret në shkrimet e shenjta për cilëndo qenie qiellore që e mbart mesazhin e Perëndisë’ (George Q. Cannon, Gospel Truth, përzgj. Jerreld L. Newquist [1987], f. 54). Shkrimet e shenjta përmendin raste të shumta ku një engjëll u shfaq personalisht. … Kur isha i vogël, mendoja se shfaqje të tilla vetjake ishin i vetmi kuptim i shërbesës së engjëjve. Si një mbajtës i ri [në moshë] i Priftërisë Aarone, nuk mendoja se do të shihja një engjëll dhe e pyesja veten se ç’lidhje kishin shfaqje të tilla me Priftërinë Aarone.

Por shërbesa e engjëjve mund të jetë edhe e padukshme. Mesazhet engjëllore mund të jepen nga një zë apo thjesht nga mendimet ose ndjenjat e komunikuara në mendje. …

… Pjesa më e madhe e komunikimeve engjëllore ndihen ose dëgjohen më shumë sesa shihen.

Në përgjithësi, bekimet e shoqërimit dhe të komunikimit shpirtëror janë në dispozicion vetëm për ata që janë të pastër. … Nëpërmjet ordinancave të pagëzimit dhe sakramentit [të administruara] nga Priftëria Aarone, ne pastrohemi nga mëkatet tona dhe na premtohet se, nëse i mbajmë besëlidhjet tona, do ta kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne. Unë besoj se ai premtim nuk i referohet vetëm Frymës së Shenjtë, por edhe shërbesës së engjëjve, sepse ‘engjëjt flasin nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë; prandaj, ata flasin fjalët e Krishtit’ (2 Nefi 32:3). Prandaj, ata që e mbajnë Priftërinë Aarone, hapin derën për të gjithë anëtarët e Kishës, të cilët e marrin denjësisht sakramentin, që të gëzojnë shoqërimin e Shpirtit të Zotit dhe të shërbesës së engjëjve” (“The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Ensign, nëntor 1998, f. 38–39).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani rreth mënyrës se si jeni bekuar nëpërmjet autoritetit të Priftërisë Aarone. (Ju mund të doni të mendoni rreth pagëzimit tuaj dhe përvojave tuaja në marrjen e sakramentit.)

Në tabelën e mëposhtme shkruajeni secilën nga detyrat vijuese të priftërisë nën titullin e saj të duhur: plak, prift i lartë, patriark, i Shtatëdhjetë, Apostull, dhjak, mësues, prift, peshkop. (Dy detyra të priftërisë, Apostull dhe peshkop, tashmë janë vendosur në vendet e tyre të duhura.)

Priftëria Melkizedeke

Priftëria Aarone

Apostull

Peshkop

Ju do t’i drejtoheni kësaj tabele gjatë dy mësimeve të ardhshme, ndërsa mësoni më shumë rreth detyrave të priftërisë.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Doktrina e Besëlidhje 107:8

  1. Për t’u njohur më shumë me Doktrinën e Besëlidhjet 107:8, lexoni me zë të lartë fjalën e parë, “Priftëria”. Pastaj lexojini me zë të lartë dy fjalët e para “Priftëria Melkizedeke”. Vazhdojeni këtë model derisa ta keni lexuar të gjithë vargun. Mbyllini shkrimet tuaja të shenjta dhe përpiquni që ta thoni përmendsh të gjithë vargun. Nëse nuk mundeni, hapini sërish shkrimet tuaja të shenjta dhe përsëriteni procesin. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shënoni se kur e përfunduat këtë detyrë.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 106; 107:1–20 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: