Seminari
Njësia 16: Dita 2, Doktrina e Besëlidhje 75


Njësia 16: Dita 2

Doktrina e Besëlidhje 75

Hyrje

Në një konferencë të Kishës të mbajtur më 25 janar 1832, Profeti Jozef Smith mori dy zbulesa, të cilat gjenden të dyja te Doktrina e Besëlidhje 75. Zbulesa e parë, e shënuar te vargjet 1–22, iu dha një grupi pleqsh që i kishin paraqitur emrat e tyre për shërbim misionar. Zoti i udhëzoi këta pleq lidhur me detyrat e tyre misionare dhe u caktoi atyre shokë misioni. Zbulesa e dytë, e shënuar te vargjet 23–36, iu dha një grupi të dytë pleqsh që donin të dinin vullnetin e Zotit lidhur me ta. Zoti i udhëzoi këta pleq që të siguroheshin se familjet e tyre do të kishin përkujdesje dhe që të pranonin një thirrje për të predikuar ungjillin.

Doktrina e Besëlidhje 75:1–5

Zoti u drejtohet atyre që dëshirojnë të predikojnë ungjillin

Edhe sa vite duhen derisa ju të keni të drejtën për të shërbyer një mision kohëplotë? Ndërsa ju mendoni rreth mundësisë për të shërbyer një mision kohëplotë, çfarë bekimesh do të prisnit që të merrnit nga ndarja e ungjillit me të tjerët? Në hapësirën e dhënë, shkruani disa nga ato bekime:

Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 75, Zoti u premtoi shumë bekime atyre të cilët Ai i thirri për të predikuar ungjillin. Ai gjithashtu u dha atyre udhëzime për t’i ndihmuar që të ishin të suksesshëm. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 75:1–4, duke kërkuar atë që Zoti donte që këta pleq të bënin ndërkohë që predikonin ungjillin. Ju mund të doni ta shenjoni atë që zbuloni në shkrimet tuaja të shenjta.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përse ju mendoni se është e rëndësishme që misionarët ta predikojnë ungjillin në mënyrën që Zoti përshkroi në këto vargje.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 75:5, duke kërkuar atë që Zoti u premtoi pleqve nëse ata do ta shpallnin besnikërisht ungjillin e Tij. Mund të jetë e dobishme të dini se fjala duaj u referohet kërcejve të drithit që priten dhe lidhen në dengje. Të paturit e “shumë duaj[ve]” do të thotë të kesh një të korrë të bollshme. Çfarë mendoni se mund të përfaqësojnë “duaj[t]” në punën misionare?

Pamja
duaj në fushë

Duaj në fushë

Përveç bekimit të marrjes së fryteve të punëve tona ndërsa flasim për ungjillin me të tjerët, Zoti premtoi bekime të përjetshme te Doktrina e Besëlidhje 75:5. Si mund t’ju nxitin premtimet e Zotit te vargu 5 për të folur për ungjillin me të tjerët?

  1. Duke përdorur atë që mësoni te vargu 5, plotësojeni parimin vijues në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Nëse jemi besnikë në shpalljen e ungjillit, Zoti do të na bekojë me …

Doktrina e Besëlidhje 75:6–22

Zoti thërret dhe udhëzon dyshet misionare

Pasi Zoti u dha udhëzime dhe premtime pleqve që do të shërbenin në misione, Ai i grupoi ata në dyshe misionare dhe i dha secilës dyshe udhëzime të veçanta.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 75:6–12, për të mësuar rreth dyshes së parë misionare dhe premtimit që Zoti u dha atyre nëse e shpallnin besnikërisht ungjillin.

Mund të jetë e dobishme të dini se më 29 tetor 1831, Uilliam E. Mek-Lelini kishte marrë një thirrje për të shërbyer një mision në lindje të Shteteve të Bashkuara dhe Samuel H. Smithi u thirr si shoku i tij (shih DeB 66:5–8). Uilliami fillimisht iu bind kësaj thirrjeje. Misioni i tij përfundoi herët dhe ai u kthye në Kirtland të Ohajos, në fund të dhjetorit 1831. Siç është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 75:6–12, Zoti e qortoi Uilliam Mek-Lelinin për mërmëritjet e tij, i hoqi thirrjen për të shërbyer në shtetet e lindjes dhe e thirri Orson Hajdin ta zëvendësonte atë si shokun e Samuel Smithit. Megjithatë, Zoti plot mëshirë i dha Uilliamit një thirrje tjetër për të shpallur ungjillin në jug të Shteteve të Bashkuara, me Luk Xhonsonin si shokun e tij. Uilliami e pranoi thirrjen për të shërbyer, por ai nuk vazhdoi besnikërisht. Ai shpejt bëri sikur ishte tepër i sëmurë për ta vazhduar misionin e tij. Pasi e la misionin e tij, ai udhëtoi për në Hajrëm të Ohajos dhe u martua me Emili Millerin.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 75:11, 13–14, duke kërkuar premtimin që përsëriti Zoti për secilin prej atyre dysheve misionare nëse do të ishin besnikë në shpalljen e ungjillit. Ju mund të doni t’i shenjoni frazat në këto vargje që na sigurojnë se nëse jemi besnikë në shpalljen e ungjillit, Zoti do të jetë me ne.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një përvoje që keni pasur ju apo dikush që ju njihni, që ju siguron se Zoti do të jetë me ne kur flasim besnikërisht për ungjillin e Tij me të tjerët.

  2. Përfytyroni sikur keni një mik ose pjesëtar të familjes që po has vështirësi ndërkohë që po shërben një mision kohëplotë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruajini një letër nxitjeje këtij personi, duke përdorur parimet që keni mësuar në mësimin e sotëm. Në letrën tuaj, tregoni atë që mund të bëjnë misionarët për ta shpallur më besnikërisht ungjillin dhe se cilat janë disa nga bekimet që u vijnë atyre që e bëjnë këtë. (Nëse njihni një misionar/e kohëplotë, ju mund t’ia shkruani letrën atij apo asaj. Më pas shkruani një shënim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta duke thënë që ju e bëtë atë.)

Pamja
Gordon B. Hinkli si misionar i ri

Gordon B. Hinkli si misionar në Angli, duke predikuar në Parkun Hajd të Londrës

Ne mund të hasim sfida në përpjekjet tona për të qenë besnikë në shpalljen e ungjillit. Në një artikull rreth Presidentit Gordon B. Hinkli, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi rreth një vështirësie që hasi Presidenti Hinkli ndërsa shërbente si një misionar i ri në Angli:

“Plaku Hinkli hasi ca nga ai shkurajim i zakonshëm për misionarët që përballen me rrethana të reja në një tokë të re. Ai nuk ishte mirë fizikisht dhe ndërsa po shkonte në takimin e tij të parë në rrugë … , ai kujton: ‘Isha i tmerruar. Hipa në atë mbajtëse të vogël dhe pashë nga ajo turmë njerëzish që ishin mbledhur. … Ata dukeshin në një farë shkalle kërcënues dhe të ligj, por unë ngeca disi në atë që kisha për të thënë.’

Duke qenë disi i shkurajuar dhe duke mos pasur sukses në përpjekjet misionare, Gordoni i shkroi një letër babait të tij, ku thoshte: ‘Unë po harxhoj kohën time dhe paratë e tua. Nuk shoh ndonjë arsye për qëndrimin tim këtu.’ Në kohën e duhur, erdhi një përgjigje e butë, por e përmbledhur nga babai i tij. Ajo letër shkruante: ‘I dashur Gordon. Unë e kam letrën tënde [të filan date]. Unë kam vetëm një sugjerim. Harroje veten tënde dhe shko të punosh. Me dashuri, babai yt.’

Presidenti Hinkli thotë për atë çast: ‘E përsiata përgjigjen e tij dhe pastaj mëngjesin vijues në klasën tonë të shkrimeve të shenjta, ne lexuam atë thënie të madhe të Zotit: “Sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë” (Marku 8:35)’.

Ajo thënie e thjeshtë, ai premtim më preku. U ula në gjunjë dhe bëra një besëlidhje me Zotin se do të përpiqesha ta harroja veten time dhe do të shkoja të punoja. E vlerësoj atë si ditën e vendimit në jetën time. Çfarëdo gjë e mirë që më ka ndodhur qysh atëherë, mund ta lidh me vendimin që mora në atë kohë” (“President Gordon B. Hinckley: Stalwart and Brave He Stands”, Ensign, qershor 1995, f. 8).

Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 75:15–22, Zoti i udhëzoi misionarët t’i bekonin vatrat familjare të atyre që i pranonin ata. Ai gjithashtu u mësoi atyre se çfarë të bënin kur refuzoheshin nga ata me të cilët flitnin për ungjillin. Shkundja e pluhurit nga këmbët e tyre si një dëshmi kundër atyre që nuk i pranojnë ata, nuk praktikohet nga misionarët sot.

Doktrina e Besëlidhje 75:23–29

Zoti shpjegon se si duhet të mbështeten familjet e atyre që Ai i thirri për të shërbyer misione

Zbulesa e dytë te Doktrina e Besëlidhje 75, e shënuar te vargjet 23–36, iu dha një grupi të ndryshëm pleqsh. Në vitet e hershme të Kishës, shumë burra që qenë thirrur për të shërbyer misione, kishin gra dhe fëmijë që vareshin nga ata për mbështetje. Pranimi i thirrjes për të shërbyer ishte një sakrificë e madhe për të gjithë familjen. Një shqetësim i natyrshëm për shumë pleq do të kishte qenë ajo që do t’u ndodhte familjeve të tyre nëse e pranonin një thirrje për të predikuar ungjillin larg shtëpisë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 75:24–28, duke kërkuar udhëzimet e Zotit për pleqtë që nevojiteshin për të predikuar ungjillin, por që kishin familje për të cilat duhej të kujdeseshin.

Në këto vargje, Zoti tha se Kisha duhet ta ndihmojë familjen, kur një baba ose bashkëshort e pranon thirrjen për t’u larguar që të shërbejë një mision. Në vargun 26 vini re atë që Zoti i udhëzoi pleqtë të bënin nëse do të ishin në gjendje të gjenin një vend ku familjet e tyre do të mbështeteshin.

vargun 28, Zoti u tha pleqve që nuk arritën të gjenin mbështetje tjetër për familjet e tyre, se ata shfajësoheshin nga udhëtimi dhe Ai i siguroi se ata nuk do ta humbnin mundësinë e tyre për të marrë jetën e përjetshme. Nga këta pleq ende pritej që të punonin në Kishë, në nivel vendor.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 75:29, duke kërkuar këshillën që Zoti u dha të gjithë këtyre burrave. Mund të jetë e dobishme të dini se një dembel është një individ që nuk është i gatshëm të punojë dhe se “të je[sh] i zellshëm në gjithçka” do të thotë të jesh i qëndrueshëm, këmbëngulës, i vëmendshëm dhe punëtor.

Ju mund të doni ta shenjoni udhëzimin e Zotit në vargun 29 që na mëson parimin vijues: Zoti na urdhëron të jemi të zellshëm në gjithçka.

  1. Përsiatni për disa aspekte të jetës tuaj në të cilat ndieni se ju mund të jeni më të zellshëm. Në një fletë të veçantë letre, shkruani një qëllim të një gjëje që ju do ta bëni për të qenë më të zellshëm. Afishojeni këtë qëllim atje ku mund ta shihni çdo ditë. Kur ta keni bërë këtë, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Unë e kam shkruar synimin tim dhe e vendosa atje ku mund ta shoh çdo ditë.

Doktrina e Besëlidhje 75:30–36

Zoti i cakton pleqtë që të shërbejnë si dyshe misionare

Në fund të zbulesës së dytë të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 75, Zoti e caktoi këtë grup pleqsh në dyshe misionare.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 75 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: