Seminari
Njësia 21: Dita 1, Doktrina e Besëlidhje 98


Njësia 21: Dita 1

Doktrina e Besëlidhje 98

Hyrje

Më 20 korrik 1833, një grup prej 400–500 banorësh të Misurit kërkuan që të mos shpërnguleshin më shenjtorë për në kontenë Xhekson dhe që ata që jetonin tanimë atje, duhej të largoheshin. Përpara se shenjtorët në Misuri të mund të përgjigjeshin, një turmë filloi të shkatërronte pronat e tyre dhe të kërcënonte jetën e tyre. Më 6 gusht 1833, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 98, në të cilën Zoti i udhëzoi shenjtorët rreth mënyrës se si t’i përgjigjeshin përndjekjes. Ndonëse disa lajme për problemet në Misuri ndofta i kishin mbërritur Profetit në Kirtland të Ohajos, rreth 900 milje (1450 kilometra) larg, ai mund ta ketë kuptuar rëndësinë e situatës vetëm me anë të zbulesës. Në këtë zbulesë Zoti i pranoi vuajtjet e shenjtorëve, i këshilloi ata të zbatonin ligjin kushtetues të vendit dhe i udhëzoi që të mbanin besëlidhjet e tyre.

Doktrina e Besëlidhje 98:1–22

Zoti i këshillon shenjtorët t’i mbajnë besëlidhjet e tyre gjatë kohëve të vështira

Te Doktrina e Besëlidhje 98:1–22, Zoti i këshilloi shenjtorët e pikëlluar të jepnin falënderime në të gjitha gjërat dhe ta prisnin me durim Zotin.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 98:11–12 dhe gjeni urdhërimin që Zoti u dha shenjtorëve.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 98:13–15, duke kërkuar atë që Zoti u tha shenjtorëve rreth të qenit të sprovuar ose të provuar. Nga këto vargje ne mësojmë se ne e provojmë veten tonë para Zotit me anë të mbajtjes së besëlidhjeve tona, madje edhe kur është e vështirë për ta bërë këtë.

Mendoni rreth arsyes përse mund të ketë qenë e rëndësishme për shenjtorët që jetonin në Misuri në vitin 1833, të kujtonin rëndësinë e mbajtjes së besëlidhjeve të tyre, madje edhe kur ishte e vështirë për ta bërë këtë. Si mendoni ju, përse mund të jetë e rëndësishme sot që ne të kujtojmë rëndësinë e mbajtjes së besëlidhjeve tona gjatë kohëve të vështira?

Doktrina e Besëlidhje 98:23–32

Zoti zbulon se si shenjtorët duhet t’i përgjigjen përndjekjes

  1. Vizatoni tre kolona në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Titullojeni kolonën e parë Ligji i Zotit për Shpagimin (DeB 98:23–32), kolonën e dytë Ligji i Zotit për Luftën (DeB 98:33–38) dhe kolonën e tretë Ligji i Zotit për Faljen (DeB 98:39–48). Lini hapësirë në secilën kolonë për të shkruar parimet dhe doktrinat që zbuloni ndërsa e studioni këtë mësim. Ndërsa punoni gjatë mësimit, ju do të gjeni udhëzime në lidhje me atë që duhet të shkruani në këto kolona.

Si do të ndiheshit nëse dikush do t’ju lëndonte juve ose familjen tuaj? Si mendoni ju, përse disa njerëz mund të duan të shpaguajnë (të hakmerren) kundër një personi që i ka lënduar ata?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 98:23–27, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth hakmarrjes dhe shpagimit.

Ju mund të doni t’i shenjoni frazat “nuk do të thoni fjalë të rënda” dhe “i bëni ballë atij me durim” në këto vargje.

Bazuar në atë që Zoti u mësoi shenjtorëve në Misuri, ne mësojmë se, nëse e durojmë keqtrajtimin me durim dhe pa bërë shpagim, atëherë Zoti do të na shpërblejë. Shkruajeni këtë parim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, nën titullin “Ligji i Zotit për Shpagimin”.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, në çfarë mënyrash janë të dëmshme shpagimi ose kërkimi i hakmarrjes?

    2. Mendoni për dikë që ju e njihni (ose për të cilin keni lexuar), që ka treguar këmbëngulje ndërsa e duronte keqtrajtimin dhe nuk kërkoi hakmarrje. Çfarë bëri ky person për të treguar durimin e tij ose të saj pavarësisht se u keqtrajtua?

Kur u formua turma në kontenë Xhekson të Misurit, të shtunën më 20 korrik 1833, ajo jo vetëm që shkatërroi pronat, por kërkoi edhe që të lëndonte udhëheqësit e Kishës. Rrëfimi vijues tregon se si Peshkopi Eduard Partrixh dhe Çarls Aleni, një 27-vjeçar i kthyer rishtas në besim nga Pensilvania, iu përgjigjën keqtrajtimit nga turmat në Misuri.

Pamja
turmë në Misuri

Një turmë përleshet me udhëheqësit e Kishës në kontenë Xhekson të Misurit.

“Turma i kapi Peshkopin Eduard Partrixh dhe Çarls Alenin dhe i tërhoqi zvarrë përmes grumbullit të njerëzve të tërbuar, të cilët i fyen dhe i dhunuan ata përgjatë udhës drejt sheshit qendror. Atyre iu paraqitën dy alternativa: ose të hiqnin dorë nga besimi i tyre në Librin e Mormonit ose të largoheshin nga konteja. Ata nuk do ta mohonin Librin e Mormonit, as nuk do të pranonin që të largoheshin nga konteja. Peshkopi Partrixh, duke iu dhënë leja që të fliste, tha se shenjtorët kishin vuajtur përndjekje në të gjitha epokat e botës dhe se ai ishte i gatshëm të vuante për hir të Krishtit, ashtu siç kishin bërë shenjtorët në epokat e mëparshme; [ai tha] se nuk kishte bërë asgjë për të cenuar ndokënd dhe se, nëse e dhunonin, ata do të lëndonin një burrë të pafajshëm. Këtu zëri i tij u mbyt nga zhurma e turmës, shumë prej të cilëve po bërtitnin: ‘Thirri Perëndisë tënd të të çlirojë … !’ Të dy vëllezërve, Partrixh dhe Alen, ua zhveshën rrobat dhe i lyen [laturisën] me zift, të përzier me gëlqere ose kripë kaliumi, apo me një lloj tjetër acidi që gërryente mishin, dhe një sasi puplash u shpërndanë mbi ta. Ata e duruan këtë poshtërim dhe dhunim mizor me kaq shumë nënshtrim dhe butësi saqë turma u qetësua dhe u duk e çuditur nga ajo që po dëshmonte. Vëllezërve iu lejua të tërhiqeshin në heshtje” (B. H. Roberts, A Comprehensive History of the Church, 1:333; shih edhe Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës], 2003, f. 133).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë ju bën përshtypje nga mënyra se si Peshkopi Partrixh dhe Çarls Aleni reaguan ndaj përndjekjes që përjetuan?

    2. Çfarë mund të bëni për t’i ndjekur më mirë këshillat e Zotit në këtë aspekt?

Te Doktrina e Besëlidhje 98:28–32, Zoti i këshilloi shenjtorët që, nëse një armik i kishte lënduar ata tri herë pa e nxitur zemërimin e Perëndisë, ata duhej ta paralajmëronin armikun në emrin e Zotit që të mos i lëndonte sërish. Zoti shpjegoi më tej se, nëse armiku do të vazhdonte t’i lëndonte ata pas këtij paralajmërimi, atëherë shenjtorët ishin të justifikuar “[ta] shpërblen[in] atë sipas veprave të tij” (DeB 98:31). Megjithatë, shenjtorëve iu tha gjithashtu se, nëse i falnin armiqtë e tyre edhe pse ata ishin të justifikuar ndaj hakmarrjes, ata do të shpërbleheshin për drejtësinë e tyre.

Doktrina e Besëlidhje 98:33–38

Shpëtimtari shpjegon se kur justifikohet lufta

A keni ndonjë të afërm ose shok që ka shërbyer në luftë për vendin e tij? A e keni pyetur veten për atë që Zoti ka dhënë mësim për luftën?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 98:33–34, duke kërkuar atë që Zoti u tha pasuesve të Tij të dikurshëm për luftën.

Bazuar tek ajo që lexoni në vargun 33, plotësojini vendet bosh për ta përfunduar frazën vijuese: Ata duhej të shkonin në betejë kundër ndonjë kombi, fisi, gjuhe ose populli, Zoti ata. Ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, nën titullin “Ligji i Zotit për Luftën”. (Mbani mend se Zoti ua dha këtë ligj veçanërisht njerëzve që kishin jetuar në një kohë tjetër dhe në një kulturë tjetër. Ndonëse parimi i ligjit është i vërtetë, sot ne gjithashtu u nënshtrohemi ligjeve të kombeve në të cilat ne jetojmë [shih Nenet e Besimit 1:12].)

Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 98:34, çfarë duhej të bënin më parë ata pasues në lashtësi nëse dikush shpallte luftë kundër tyre? (Shkruajeni përgjigjen tuaj për këtë pyetje në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, nën titullin “Ligji i Zotit për Luftën”.)

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 98:35–38, duke kërkuar atë që Zoti u tha të bënin pasuesve të Tij në lashtësi nëse oferta e tyre e paqes nuk pranohej.

Nga këto vargje ne mësojmë se lufta mund të justifikohet nën rrethanat e përshkruara nga Zoti. Shkruajeni këtë të vërtetë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, nën titullin “Ligji i Zotit për Luftën”.

Kur shumë kombe u përfshinë në betejë gjatë Luftës II Botërore, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei shpjegoi rrethanat në të cilat pasuesit e Zotit justifikohen për të hyrë në luftë:

Pamja
Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei

“Lufta nuk përputhet me mësimet e Krishtit. Ungjilli i Jezu Krishtit është ungjilli i paqes. Lufta është antiteza [e kundërta] e tij dhe shkakton urrejtje. …

Megjithatë, ka dy kushte të cilat mund ta justifikojnë një burrë vërtet të krishterë që të hyjë [në luftë] – mbani vesh, unë them të hyjë, jo të fillojë – një luftë: 1) Një përpjekje [nga dikush] që ta zotërojë dhe t’ia heqë dikujt tjetër zgjedhjen e tij të lirë dhe 2) Besnikëria ndaj vendit të tij. Ndoshta ka një arsye të tretë, [që do të thotë]: Mbrojtja e një kombi të dobët që po shtypet padrejtësisht nga një komb i fortë, i pamëshirshëm” (në Conference Report, prill 1942, f. 71–72).

Doktrina e Besëlidhje 98:39–48

Zoti u mëson shenjtorëve mënyrën se si duhet t’u përgjigjen armiqve të tyre

I lidhur me ligjin e Zotit për luftën, është ligji i Zotit për faljen te Doktrina e Besëlidhje 98:39–48. Rrëfimi vijues i një ngjarjeje që ndodhi pas Luftës II Botërore, tregon ligjin e Zotit për faljen:

“Në Hollandë, gjatë Luftës II Botërore, familja Kasper ten Bum e përdori shtëpinë e tyre si një vend fshehjeje për ata që përndiqeshin nga nazistët. Kjo qe mënyra e tyre për të jetuar besimin e tyre të krishterë. Katër pjesëtarë të familjes humbën jetën e tyre sepse e dhanë këtë strehim. Korri ten Bumi dhe motra e saj Betsi, kaluan muaj të tmerrshëm në kampin famëkeq të përqendrimit në Ravensbruk. Betsi vdiq atje – Korri mbijetoi.

Në Ravensbruk, Korri dhe Betsi mësuan se Perëndia na ndihmon të falim. Pas luftës, Korri qe e vendosur ta jepte këtë mesazh. Në një rast, ajo sapo i kishte folur një grupi njerëzish në Gjermani që po vuanin nga rrënimet e luftës. Mesazhi i saj qe: ‘Perëndia fal’. Qe në atë çast që besnikëria e Korri ten Bumit solli bekimin e saj.

Një burrë iu afrua asaj. Ajo e njohu atë si një nga rojet më mizorë në kamp. ‘Ju përmendët Ravensbrukun në fjalën tuaj’, tha ai. ‘Unë isha roje atje. … Por qysh nga ajo kohë, … unë jam bërë i krishterë.’ Ai shpjegoi se i kishte kërkuar falje Perëndisë për gjërat mizore që kishte bërë. Ai shtriu dorën e tij dhe pyeti: ‘A do të më falësh?’

Korri ten Bumi tha pastaj:

‘Mund të mos kenë qenë shumë sekonda që ai qëndronte atje – me dorën të shtrirë – por mua m’u dukën orë, ndërsa luftoja me gjënë më të vështirë që më ishte dashur të bëja ndonjëherë.

… Mesazhi se Perëndia fal ka një … kusht: që ne të falim ata që na kanë dëmtuar. …

“… Ndihmomë!” u luta në heshtje. “Unë mund ta ngre dorën. Mund ta bëj kaq. Ti më jep ndjesinë.”

… Si e ngrirë, mekanikisht, ia shtriva dorën time asaj dore që më qe zgjatur mua. Kur e bëra këtë, ndodhi një gjë e pabesueshme. Një ndjenjë e fuqishme filloi në shpatullën time, u përhap poshtë te krahu im, hyri me forcë në duart e bashkuara. Dhe pastaj kjo ngrohtësi shëruese dukej se vërshoi në gjithë qenien time, duke më sjellë lot në sy.

“Të fal, vëlla!” thirra unë. “Me gjithë zemrën time.”

Për një çast të gjatë ne mbajtëm shtrënguar duart e njëri-tjetrit, ish-roja dhe ish-e burgosura. Unë kurrë nuk e kisha njohur dashurinë e Perëndisë aq intensivisht si atëherë.’ [Corrie ten Boom, Tramp for the Lord (1974), f. 54–55.]” (Keith B. Mek-Mullin, “Shtegu Ynë i Detyrës”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 13).

Çfarë ju mëson kjo histori rreth faljes?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 98:39–40, duke kërkuar ligjin e Zotit për faljen.

Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjmë kur dikush kërkon faljen tonë?

Fraza “deri shtatëdhjetë herë shtatë” në vargun 40 nënkupton që ne duhet t’i falim të tjerët po aq herë sa pendohen dhe kërkojnë faljen tonë pasi na kanë fyer ose lënduar. (Megjithëse ne jemi urdhëruar të falim, kjo nuk do të thotë që ne duhet t’i lejojmë të tjerët të vazhdojnë të na lëndojnë.)

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 98:41–43, duke kërkuar të vërtetat shtesë që Zoti u mësoi shenjtorëve lidhur me armiqtë e tyre që kryejnë shkelje kundër tyre dhe nuk pendohen.

Shkruani një përmbledhje të ligjit të Zotit për faljen në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, nën titullin “Ligji i Zotit për Faljen”.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, përse ne urdhërohemi që t’i falim të tjerët edhe nëse ata nuk e kërkojnë faljen tonë?

    2. Përse ne urdhërohemi t’i falim armiqtë tanë?

Mendoni rreth asaj që mund të bëni në jetën tuaj për të ndjekur ligjin e Zotit për faljen.

Te Doktrina e Besëlidhje 98:44–48, Zoti premtoi se nëse armiqtë e shenjtorëve do të pendoheshin, ata do t’i shpëtonin hakmarrjes së Tij.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 98 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: