Seminari
Njësia 2: Dita 4, Joseph Smith – Historia 1:55–65


Njësia 2: Dita 4

Joseph Smith – Historia 1:55–65

Hyrje

Katër vjet pas marrjes së udhëzimeve nga engjëlli Moroni, Jozef Smithit iu dha përgjegjësia për fletët e arta dhe ai filloi të përkthente Librin e Mormonit. Martin Harrisi u lejua t’ua tregonte disa prej shkronjave të kopjuara nga fletët dhe përkthimin e tyre studiuesve në Nju-Jork. Vini re se si Jozef Smithi e mori me seriozitet përgjegjësinë e tij lidhur me fletët.

Joseph Smith – Historia 1:55–58

Jozefi përjeton ngjarje domethënëse në fillim të moshës së tij madhore

Mendoni rreth ngjarjeve domethënëse që kanë ndodhur në jetën e adoleshentëve që ju njihni. (Këto mund të përfshijnë bekimet patriarkale, punët, arsimimin, ndryshimin e gjendjeve familjare ose madje vdekje të njerëzve të dashur.) Çfarë është një ngjarje domethënëse që ju ka ndodhur në disa nga vitet e kaluara? Si mendoni se kjo ngjarje ka ndikuar në karakterin tuaj dhe të ardhmen tuaj?

Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:55–58 dhe përcaktoni ngjarje të rëndësishme në jetën e Jozef Smithit, të cilat ndodhën përpara se t’i merrte fletët e arta nga engjëlli Moroni.

Është e rëndësishme të dimë se gjatë kësaj kohe vdiq vëllai më i madh i Jozefit, Alvini. Kjo ngjarje luajti rol në zbulesat e ardhshme për të cilat do të mësoni më vonë gjatë vitit (shih DeB 137:1–6).

Një tjetër ngjarje e rëndësishme gjatë kësaj kohe ishte martesa e tij me Ema Hejlin. Nëna e Profetit, Lusi Mek Smithi, vërejti rreth martesës së birit të saj me Emën: “Ne ishim të kënaqur me zgjedhjen e tij dhe jo vetëm që ia dhamë pëlqimin për martesën e tij me të, por i kërkuam ta sillte atë me vete në shtëpi dhe të jetonin me ne” (History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 93).

Joseph Smith – Historia 1:59–62

Jozefi i merr fletët dhe fillon përkthimin

Përfytyroni që babai juaj ju mirëbesoi me një kopje të botimit të parë të Librit të Mormonit (që është me një vlerë afërsisht 180 000 dollarë me vlerën monetare të sotme). Si do ta trajtonit atë libër nëse e kuptonit vlerën e tij monetare? Si do ta trajtonit atë nëse mësonit se ishte kopja e fundit origjinale në ekzistencë e Librit të Mormonit?

Jozef Smithit iu besua diçka shumë domethënëse. Përsiatni për atë që mund të mësoni nga shembulli i tij teksa e studioni tregimin e tij. Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:59 dhe kërkoni objektet domethënëse që engjëlli Moroni ia mirëbesoi Jozefit (merrni parasysh t’i shenjoni këto objekte në shkrimet tuaja të shenjta).

Çfarë përgjegjësie mori Jozefi lidhur me këto objekte? Plotësojeni parimin vijues, bazuar në atë që Moroni i premtoi Jozefit, siç shënohet te Joseph Smith – Historia 1:59: Kur unë marr përgjegjësi për atë që Zoti më ka dhënë dhe e ruaj atë, Ai do të .

Një mënyrë se si mund ta përfundonit parimin është “më sigurojë mbrojtjen dhe ndihmën e Tij”.

Pamja
Jozef Smithi Merr Fletët e Arta

Lexoni Joseph Smith – Historinë 1:60 dhe kërkoni atë që ndodhi kur Jozefi mori në zotërim fletët e arta. Teksa lexoni, vini re se si Zoti e përmbushi premtimin e Tij, ndërkohë që Jozefi ishte besnik ndaj përgjegjësisë që i ishte dhënë.

Pasi Jozef Smithi i mori fletët nga Moroni, ai fillimisht i fshehu ato në një trung të prishur mështenke rreth pesë kilometra larg shtëpisë së tij. Për të kuptuar se si Zoti ia siguroi mbrojtjen dhe ndihmën e Tij, ndërkohë që Jozef Smithi e përdori gjithë fuqinë e tij për të qenë përgjegjës për fletët e arta, lexoni përshkrimin vijues nga nëna e Jozef Smithit rreth asaj që ndodhi pak kohë pasi ai i mori fletët nga Moroni te Kodra Kumorah:

Pamja
(Lusi Mek Smith)

“Jozefi, kur iu dhanë ato, i mori nga vendi i tyre i fshehtë dhe, duke i mbështjellë me pallton e tij të pëlhurës, i vuri nën krah dhe u nis drejt shtëpisë.

Pasi eci për një largësi të vogël, ai mendoi se do të ishte më i sigurt që ta linte rrugën dhe të shkonte përmes pyllit. Duke udhëtuar për një farë largësie pasi e la rrugën, ai arriti te një pemë e madhe, e rrëzuar nga era, dhe teksa po kërcente mbi trungun, një burrë i doli papritur nga pas dhe i dha një goditje të rëndë me pushkë. Jozefi u kthye dhe e rrëzoi përtokë duke e goditur me grusht, pastaj vrapoi me sa kishte fuqi. Rreth gjysmë kilometri më larg, ai u sulmua përsëri në të njëjtën mënyrë si më parë; e rrëzoi këtë burrë përtokë, në të njëjtën mënyrë si të parin, dhe vrapoi përsëri; dhe përpara se të arrinte në shtëpi, ai u sulmua për herë të tretë. Gjatë goditjes së burrit të fundit, atij i doli nga vendi gishti i madh i dorës, gjë të cilën, megjithatë, ai nuk e vuri re gjersa erdhi afër shtëpisë, kur u lëshua përtokë në cep të gardhit me qëllim që të rivendoste frymëmarrjen. Posa ishte në gjendje, u çua dhe erdhi te shtëpia. Ishte ende tërësisht i paaftë të fliste nga frika dhe lodhja prej të vrapuarit” (History of Joseph Smith by His Mother, f. 108).

Edhe pse mbrojtja e fletëve të arta nuk ishte kurrë e lehtë për Jozef Smithin, vëreni se si Perëndia e bekoi dhe e forcoi atë, që të ishte në gjendje ta përmbushte përgjegjësinë e tij. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha ca këshillë rreth mirëbesimeve të shenjta që Zoti ju ka dhënë juve:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Jini të mençur me atë që Zoti jua jep. Është një mirëbesim. …

Në vend që ta lini jetën tuaj të rrëshqasë në pakujdesshmëri, u bëftë ajo një jetë e përpikërisë duke u rritur në bindje. Shpresoj se do të mendoni dhe ndieni, visheni dhe veproni në mënyra që tregojnë nderim e respekt për gjërat e shenjta, vendet e shenjta, rastet e shenjta” (“A Sense of the Sacred”, New Era, qershor 2006, f. 31).

Mendoni rreth disa prej mirëbesimeve të shenjta që Ati Qiellor na ka dhënë, të tilla si trajtimin e trupave tanë me nderim, besëlidhjet e pagëzimit dhe të tempullit, autoritetin dhe detyrat e priftërisë, thirrjet në Kishë, përgjegjësinë për t’i ushqyer mendjet dhe shpirtrat tanë, përgjegjësitë dhe marrëdhëniet familjare, dhe këshillimin për ta shpërndarë ungjillin. Vlerësoni nëse në këtë kohë jeni të pakujdesshëm e mospërfillës apo të përgjegjshëm për ato gjëra që jua besuan juve. Përsiatni se cilat bekime mund t’ju vijnë kur përpiqeni t’i trajtoni të gjitha mirëbesimet tuaja të shenjta me përkujdesje më të madhe.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shënoni disa prej mirëbesimeve tuaja të shenjta, që mendoni se ju janë dhënë, dhe bekimet që mund t’ju vijnë kur i trajtoni ato mirëbesime me përkujdesje.

Për të parë se si Zoti i bekoi vazhdimisht Jozef dhe Ema Smithin për besnikërinë e tyre, lexoni Joseph Smith – Historinë 1:61–62. Nëpërmjet cilave mjete Zoti i bekoi Profetin dhe bashkëshorten e tij në këtë kohë?

Joseph Smith – Historia 1:63–65

Martin Harrisi ua paraqet shkronjat nga fletët studiuesve në Nju-Jork

Përfytyroni sikur të ishit lejuar të kopjonit disa prej shkronjave të mirëfillta nga fletët e arta. Çfarë do të bënit me kopjen? Çfarë do të bënit nëse do të donit t’i vërtetoni një shoku që fletët e arta ishin me të vërtetë të një origjine të lashtë, pikërisht siç e kishit thënë gjatë gjithë kokës?

Pamja
shkronja nga fletët e arta

Figura e mësipërme është një shembull i shkronjave që u shkruan mbi fletët e arta. Në vitin 1827, Jozef Smithi i kopjoi disa prej shkronjave në një copë letre. Martin Harrisi e pyeti nëse mund t’ua tregonte shkronjat studiuesve që kishin një farë njohurie për gjuhët dhe qytetërimet e lashta. Martini mund të ketë menduar se certifikata e studiuesve për shkronjat do ta ndihmonte bashkëshorten e tij, e cila nuk e miratonte ndihmën e Martinit për Jozef Smithin në procesin e përkthimit. Martin Harrisi gjithashtu mund të kishte shpresuar që një certifikatë për vërtetësinë e shkronjave mund ta ndihmonte që të mblidhte të ardhura për të paguar për botimin e Librit të Mormonit. Nuk e dimë nëse kopja e paraqitur këtu është e njëjta që Martin Harrisi ua paraqiti studiuesve, ngaqë u bënë disa kopje të shkronjave.

  1. Kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Joseph Smith – Historia 1:63–65

    Isaia 29:10–12

Joseph Smith – Historia 1:63–65 jep tregimin e Martin Harrisit për takimin me studiuesit. Kjo ngjarje u profetizua nga profeti i lashtë Isaia. Lexojeni atë fragment të shkrimit të shenjtë; më pas lexoni Isaian 29:10–12. (Do të ishte e dobishme të lexoni edhe kreun e kapitullit te Isaia 29.) Ndërsa i lexoni këto fragmente, përmblidhni atë që po thuhet në kolonën përkatëse në tabelën tuaj. Kur t’i keni plotësuar të dyja anët e tabelës, kërkoni ngjashmëritë midis tregimit të Martin Harrisit dhe profecisë së Isaias dhe shënojeni atë që gjeni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Pamja
Jozef Smithi dhe Martin Harrisi

Çfarë të vërtete na mëson profecia e Isaias dhe tregimi i Martin Harrisit, që ua tregoi shkronjat studiuesve, rreth njohurisë paraprake të Perëndisë dhe profecive të shërbëtorëve të Zotit?

Ju mund të dëshironi ta shkruani thënien vijuese të së vërtetës në shkrimet tuaja të shenjta, në krah të këtij tregimi te Joseph Smith – Historia 1:63–65: Profecitë e shërbëtorëve të Zotit do të ndodhin. A mund të mendoni për një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë që na e mëson të njëjtën të vërtetë?

Dy fragmente të zotërimit të shkrimit të shenjtë, që na mësojnë se profecitë e shërbëtorëve të Zotit do të ndodhin, janë Doktrina e Besëlidhje 1:37–38 dhe Amosi 3:7. Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto referenca në shkrimet tuaja të shenjta në krah të Joseph Smith – Historisë 1:65.

Pasi Martin Harrisi ua tregoi shkronjat Profesorit Anton dhe Dr. Miçëllit, ai u kthye në Palmira me vendosmëri të ripërtërirë për të ndihmuar në botimin e Librit të Mormonit.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani disa fjali duke përmbledhur atë që mësuat në mësimin e sotëm dhe arsyen përse është e rëndësishme për ju. Merrni parasysh t’i tregoni për atë që shkruat familjes suaj ose një shoku.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Joseph Smith – Historinë 1:55–65 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: