2019
Të Jesh a të Kesh Qenë: Kjo Është Çështja
Tetor 2019


Të Jesh a të Kesh Qenë: Kjo Është Çështja

Pritet që ne të gjykojmë. Ne duhet [të gjykojmë]. Por ne nuk duhet të krijojmë stereotipa apo të etiketojmë ndokënd.

Pamja
variety of different people

Ilustrimet nga David Green

Disa vite më parë, bashkëshortja ime dhe unë po vizitonim kështjellën Kronborg në Elsinor të Danimarkës. Kjo kështjellë u bë e famshme nga vepra Hamleti e Uilliam Shekspirit. Teksa ecëm në sallat e kështjellës, mendja na u mbush me skena dhe dialog nga vepra, veçanërisht pyetja e famshme e Hamletit: “Të [jesh] a të mos [jesh], kjo është çështja”.

Por më pas mendova për një pyetje shumë më të përshtatshme për t’ia bërë vetes: “Të jesh a të kesh qenë: kjo është çështja”.

Lejojeni Përmirësimin

Për fat të keq, ne shpesh përdorim etiketa kur flasim për të tjerët. Për shembull, mund të themi gjëra të tilla si:

  • “Plaku [Elderi] Braun është një misionar dembel”. Në vend të kësaj, duhet të themi: “Plaku [Elderi] Braun nuk ka punuar shumë fort kohët e fundit, por besoj se ai mund të përmirësohet”.

  • “Meri nuk është një njeri i prirur ndaj fesë.” Ndryshe, mund të themi: “Meri nuk ka qenë e interesuar për fenë, por ajo mund ta ndiejë Shpirtin nëse ia tregoj dëshminë time asaj”.

Kur themi se dikush është diçka, mund të përfundojmë duke vënë etiketa ose stereotipa, duke gjykuar pa i lënë vend mundësisë për ndryshim dhe përmirësim. Por kur themi ka qenë, tregojmë se ne besojmë që rritja dhe përparimi janë të mundur.

A Është e Gabuar të Gjykosh?

Shumica e përkthimeve të Biblës japin variantin vijues për një mësim të Shpëtimtarit: “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni” (Mateu 7:1). Por Përkthimi prej Joseph Smith‑it jep një sqarim: “Mos gjykoni padrejtësisht …; por gjykoni me gjykim të drejtë” (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, PJS, Mateu 7:2; theksimi i shtuar).

Me të vërtetë është e pranueshme – dhe madje e pritshme – që ne të ushtrojmë gjykim teksa i çmojmë, i vlerësojmë e bëjmë dallimin e situatave dhe marrim vendime. Dhe është veçanërisht e rëndësishme që të ushtrojmë gjykim të drejtë teksa ndërveprojmë me njerëzit.

Për shembull, ne duhet ta vlerësojmë me kujdes personin me të cilin/ën do të martohemi, të përdorim dhuratën e të dalluarit për të kuptuar qëllimet e dikujt, ose të vlerësojmë aftësitë e dikujt për të përmbushur një detyrë profesionale.

Ne gjithmonë duhet t’i vlerësojmë veprimet ose karakteristikat e njerëzve sipas standardeve të Zotit, siç përmbahet në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Mbi të gjitha, duhet të jemi të sigurt që gjykimet tona nuk përpiqen të përkufizojnë me ashpërsi, të vendosin stereotipa me shpejtësi ose ta etiketojnë padrejtësisht ndokënd.

Të Aftë për të Ndryshuar

Ne ushtrojmë gjykim të padrejtë kur i portretizojmë të tjerët pasaktësisht, veçanërisht nëse, duke e bërë këtë, ne nënkuptojmë se ata nuk mund të ndryshojnë. Në të gjitha ndërveprimet tona me të tjerët, duhet të kujtojmë që, për shkak të sakrificës shlyese të Zotit, secili prej nesh e ka aftësinë për t’u përmirësuar. Merrini parasysh këta shembuj nga Shpëtimtari:

  • Ai i tha gruas që u kap në shkelje kurore: “Shko dhe mos mëkato më” (Gjoni 8:11).

  • Ai i tha njërit prej burrave që po kryqëzohej përkrah Tij: “Sot do të jesh me mua në parajsë” (Lluka 23:43).

  • Si një qenie e ringjallur, Ai vazhdoi ta shihte potencialin e Pjetrit dhe ta mësonte atë, edhe pse Pjetri e kishte mohuar tri herë (shih Mateu 26:34 dhe Gjoni 21:15–17).

  • Ai i tha Saulit, që i kishte përndjekur shenjtorët, që të pendohej. Sauli, që u bë Pali, u bind dhe u bë i drejtë. (Shih Veprat e Apostujve 9:3–6.)

Zoti Jezu Krisht është përkrahës i flaktë i mundësive të dyta – dhe gjithashtu i mundësive të treta e të katërta. Ai na dha mësim të falim “deri shtatëdhjetë herë shtatë” (Mateu 18:22). Ai është i vetmi individ që jetoi një jetë të përkryer në këtë tokë, por për shkak të jetës së Tij, mësimeve të Tij, sakrificës së Tij shlyese dhe Ringjalljes së Tij, si dhe nëpërmjet ordinancave të ungjillit të Tij, ne gjithashtu mund të bëhemi të përkryer një ditë. Kur u drejtohemi vëllezërve e motrave tona në një mënyrë që përçon mosbesim në aftësinë e tyre për të ndryshuar, kjo do të përçonte gjithashtu mosbesim në fuqinë e Shpëtimtarit dhe të Shlyerjes së Tij.

Së Jashtmi dhe së Brendshmi

Është një fakt i jetës se ne shpesh gjykojmë (dhe na gjykojnë) nga pamja e parë. Megjithatë, rrezikojmë të gjykojmë padrejtësisht kur gjykojmë bazuar vetëm te pamja e parë dhe nuk ia dalim ta vlerësojmë karakterin e vërtetë të një personi.

“Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen [e jashtme], kurse Zoti shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7). Jezusi iu drejtua hipokritëve në kohën e Tij si “varre … të zbardhuara, që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot … gjithfarë papastërtish” (Mateu 23:27).

Shpëtimtari nuk po jepte mësim se një pamje e jashtme pozitive dhe modeste nuk është një gjë e mirë, por se karakteri i brendshëm i një burri apo gruaje (gjendja morale dhe shpirtërore) është shumë më i rëndësishëm. Mendoni për tempujt tanë madhështorë – territoret janë të bukura, por shumë më të rëndësishme janë ordinancat që kryhen brenda tyre.

Misionarëve gjithashtu u kërkohet të mbajnë standarde të veshjes dhe paraqitjes së jashtme. Duke qenë të pastër, duke u veshur me thjeshtësi dhe duke përdorur fjalor të duhur, ata japin një shembull të mirë për ata njerëz tek të cilët paraqitja e ungjillit të Jezu Krishtit do të vijë nëpërmjet asaj që shohin dhe dëgjojnë nga misionarët.

Ushtrimi i Aftësisë së të Dalluarit

Teksa përpiqemi të bëjmë gjykime të drejta, është e rëndësishme të përdorim aftësinë e të dalluarit. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta thotë se të dalluarit është “të kuptosh ose të dish diçka me anë të fuqisë së Shpirtit. … A[i] përmban dallimin e karakterit të vërtetë të njerëzve dhe burimin dhe kuptimin e shfaqjeve shpirtërore” (“Dalluar(it), Dhuratë e të”).

Ndonjëherë, njerëzit që janë të ligj së brendshmi, përdorin pamjen si të botës në përpjekje për të na mashtruar që të mendojmë se ata janë të denjë për t’i marrë si shembull. Ata janë “të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes” (Isaia 5:21; 2 Nefi 15:21). Shpëtimtari qe në gjendje të shihte përtej kësaj fasade dhe qe në gjendje të dallonte forcën e karakterit dhe qëllimin e ndershëm të zemrës madje dhe mes më të përulurve dhe të shtypurve.

Alma e ushtroi një aftësi të tillë të të dalluarit kur u foli atyre që ishin të “përbuz[ur] nga të gjithë njerëzit për shkak të varfërisë së tyre” por sërish të bekuar sepse ishin bërë të përulur dhe “të pezmatuar në zemër” (shih Alma 32:5–8).

Ne duhet të mbajmë mend se “gjërat që janë të Frymës së Shenjtë … [dallohen] frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Kur i shohim të tjerët ashtu siç i sheh ata Ati ynë në Qiell, aftësia e të dalluarit na lejon të ushtrojmë gjykim të drejtë.

Gjykimi i Drejtë

Çdo ditë të jetës sonë, ne gjykojmë duke çmuar, vlerësuar dhe dalluar. Megjithatë, Zoti pret që ne ta bëjmë atë drejtësisht. Si dishepuj të Zotit Jezu Krisht, fjalët dhe veprimet tona duhet të tregojnë se ne jemi të mëshirshëm, të dashur dhe të gatshëm të ndihmojmë.

Si gjykatës të drejtë, na nevojitet të sigurojmë se i kushtojmë më shumë vëmendje karakterit të një njeriu sesa pamjes së tij të jashtme. Në të njëjtën kohë, ne duhet të mbajmë mend se çdo ditë krijojmë mbresa të para nëpërmjet mënyrës se si dukemi dhe fjalëve që përdorim. Shumë njerëz do të tërhiqen për të zbuluar më shumë për karakterin tonë dhe mesazhin e ungjillit nëse pamja jonë e pasqyron vlerën e lartë të mesazhit tonë.

Zoti dhe Mjeshtri ynë, Jezu Krishti, na ka treguar modelin e përkryer për ta ndjekur teksa përpiqemi fort të gjykojmë drejtësisht. Ne duhet –ashtu si Ai – ta drejtpeshojmë atë që shohim në sipërfaqe, me atë që ka brenda çdo person.