2019
Fati Hyjnor
Tetor 2019


Fati Hyjnor

Autorja jeton në Francë.

Shoqja ime zakonisht ishte e lumtur gjatë gjithë kohës. Vallë çfarë mund ta shqetësojë atë?

Pamja
girls under umbrella

Ilustrimi nga Reginald Swinney

Unë jam nga Franca, por unë dhe motra ime kaluam një vit në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara si studente në programe shkëmbimesh. Gjatë asaj kohe, takuam shumë njerëz, por personi që më la më shumë përshtypje, ishte një vajzë që quhej Destini [nga anglishtja përkthehet Fati]. Ajo u bë një nga shoqet e mia më të ngushta. Ne bëmë gjithfarë gjërash së bashku, gjatë shkollës dhe pas shkolle dhe me motrën time. Destinia ishte përherë e lumtur. Kjo ishte gjëja që më pëlqente më shumë tek ajo.

Pastaj një ditë e pashë atë në një gjendje të shqetësuar që nuk e kisha parë kurrë më parë. E pyeta se çfarë nuk shkonte. Ajo tha se nuk donte të fliste për këtë. Pastaj vura re një letër në dorën e saj. E mora dhe e lexova.

Dikush i kishte shkruar gjëra të këqija sa nuk besohet. Shënimi anonim thoshte se ajo ishte e shëmtuar, se askush nuk e pëlqente atë, se nuk kishte arsye pse të jetonte dhe se duhej me doemos ta vriste veten. Kurrë nuk do ta kisha besuar se dikë si atë do ta sulmonin në atë mënyrë. U preka thellë kur mora vesh dhembjen që po kalonte ajo.

Nga ajo kohë e tutje, bëra një përpjekje edhe më të madhe për të qenë shoqja e Destinisë – jo thjesht që të kaloja kohë me të, por që përherë të isha atje për të dhe veçanërisht të isha e sinqertë. I shpjegova asaj se është një bijë e Perëndisë, e bekuar me natyrë hyjnore, e denjë për t’u admiruar dhe e aftë për gjëra të mëdha.

Është e vështirë ta duash veten kur të tjerët të trajtojnë keq dhe të kritikojnë. Kur shoqërohesha me Destininë, mësova se ndonjëherë mënyra më e mirë për t’i ndihmuar të tjerët është thjesht t’i duam ata dhe t’i ndihmojmë ta dinë se kush janë me të vërtetë.

Në fund të vitit, kur duhej të kthehesha në Francë, Destini më tha diçka që do e ruaj përherë si thesar. “Ema”, tha ajo, “ti më shpëtove. Përpara se të vije ti, doja të vrisja veten. Por pastaj ti dhe motra jote më ndihmuat shumë, thjesht duke u kujdesur. Sot e dua veten dhe të kam për zemër.”

Ka shumë fëmijë në shkollë të cilët durojnë mujshime, të cilët i keqtrajtojnë ose i veçojnë. Gjeni një mënyrë për t’i ndihmuar ata. Flisni me ta, mendoni për ta, jini të sjellshëm me ta. Kjo është ajo që Shpëtimtari do të bënte dhe ndonjëherë thjesht një përshëndetje e thjeshtë ose një buzëqeshje mund të ndryshojë gjithçka.