2019
Guri Kryesor i Qoshes i Besimit Tonë
Tetor 2019


Përgjigje nga Udhëheqësit e Kishës

Guri Kryesor i Qoshes i Besimit Tonë

Nga një fjalim në konferencën e përgjithshme të tetorit 1984.

Në çdo tempull të ri kemi një ceremoni për vendosjen e gurit të qoshes në harmoni me një traditë që daton në kohët e lashta. Para përdorimit të betonit në përgjithësi, muret e themelit të ndërtesës ndërtoheshin me gurë të mëdhenj. Hapej një hendek dhe gurët vendoseshin si themele. Duke u nisur nga një pikë e fillimit, muri i themelit ndërtohej duke mbajtur të njëjtin drejtim deri te një gur i qoshes; më pas formohej një qoshe prej nga ndërtohej muri deri në drejtim të qoshes tjetër, ku vendosej një tjetër gur, nga i cili, muri do të ndërtohej në drejtim të një qosheje tjetër dhe prej andej në pikën e fillimit. … Guri i fundit quhej guri kryesor i qoshes dhe vendosja e tij bëhej shkas për festime të mëdha. Pas vendosjes së këtij guri qosheje, themelet ishin gati për ndërtimin e pjesës së sipërme. Prej këtej vjen edhe analogjia që përdori Pali për të përshkruar Kishën e vërtetë:

“Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjes[ë]tarë të familjes së Perëndisë,

të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes,

mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin” (Efesianëve 2:19–21).

Ne kemi gurë bazë të qoshes mbi të cilat kjo Kishë e madhe e ditëve të mëvonshme është vendosur nga Zoti dhe është ndërtuar duke qenë “e lidhur mirë”. Ata kanë një rëndësi themelore në këtë punë, [janë] vetë themeli, spirancat mbi të cilat ajo qëndron. … [Por] unë po flas për gurin kryesor të qoshes, të cilin ne e njohim dhe e nderojmë si Zotin Jezu Krisht. …

Ai është guri kryesor i qoshes i Kishës që mban emrin e Tij, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Nuk ka asnjë emër tjetër që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit mund të shpëtohemi (shih Veprat e Apostujve 4:12). Ai është vepronjësi i shpëtimit tonë, Ai që jep jetë të përjetshme (shih Hebrenjve 5:9). Nuk ka asnjë të barabartë me Të. Kurrë nuk ka ekzistuar. Kurrë nuk do të ekzistojë. Falë i qofshim Perëndisë për dhuratën e Birit të Tij të Dashur, që dha jetën e Tij që ne të mund të jetojmë dhe që është guri kryesor e i palëvizshëm i qoshes i besimit tonë dhe i Kishës së Tij!