Mbrojtja e Fëmijëve
Çfarë mund të bëjmë për t’i mbrojtur dhe për t’u dhënë fuqi më mirë fëmijëve në jetën tonë?
Nga të gjithë grupet e njerëzve që Jezusi u dha mësim, e dimë se Ai i deshi veçanërisht fëmijët. Ai u kushtoi vëmendje fëmijëve edhe kur nuk ishte e volitshme. Ai i ftoi fëmijët të merrnin një bekim vetjak nga Ai. Ai i dënoi ata që i lëndonin fëmijët. Dhe Ai dha mësim se na nevojitet të bëhemi më shumë si fëmijët që të hyjmë në mbretërinë e qiellit.1
“Vini re të vegjlit tuaj”, u tha Ai njerëzve në kontinentin amerikan pas Ringjalljes së Tij. Qiejt u hapën dhe engjëj të dashur e mbrojtës zbritën dhe formuan një rreth përqark fëmijëve, duke i rrethuar me zjarr. (Shih 3 Nefi 17:23–24.)
Me të gjithë rreziqet [që janë] në botë sot, ne mund të urojmë që fëmijët tanë të mund të jenë vazhdimisht të rrethuar nga zjarri qiellor. Është vlerësuar se një në katër njerëz në mbarë botën është keqtrajtuar kur ishte fëmijë dhe se ai numër mesatar rritet kur shihni grupe të veçanta të cenueshme, të tilla si njerëzit me paaftësi.2 Lajmi i mirë është se ka shumë gjëra që ne mund të bëjmë për të marrë masa paraprake për mbrojtjen e fëmijëve.
“Përfytyrojeni në mendje një fëmijë që e doni”, tha Motra Xhoi D. Xhons, Presidente e Përgjithshme e Fillores. “Kur i thoni këtij fëmije: ‘Unë të dua’, çfarë do të thotë kjo? … Ne sigurojmë mbrojtje në mënyrë që të mund t’i ndihmojmë ata që i duam, që të bëhen më të mirët që munden dhe të përballen me sfidat e jetës.”3
Ndoshta duke e parë më nga afër shembullin e Shpëtimtarit, do të na lindin ide mbi mënyrën se si mund t’i mbrojmë më mirë fëmijët në jetën tonë.
Jezusi Gjeti Kohë për Ta
Jezusi la kohë mënjanë për t’u kushtuar vëmendje fëmijëve të vegjël dhe njerëzve të cenueshëm (shih Mateu 19:14). Ne gjithashtu mund të lëmë kohë mënjanë që t’i dëgjojmë fëmijët tanë dhe të përpiqemi t’i kuptojmë sfidat e tyre.
“Sa më shumë dashuri që të ndiejë fëmija, aq më e lehtë është për atë që të hapet”, tha Motra Xhons. “… Ne duhet ta fillojmë bashkëbisedimin dhe të mos presim që fëmijët të vijnë te ne.”4
Për një nënë qe e dobishme t’i pyeste fëmijët e saj çdo mbrëmje: “A dëgjuat sot ndonjë fjalë që nuk e kuptuat?”
Instinkti i parë i fëmijëve tanë mund të jetë që t’i kërkojnë përgjigjet në rrjet sepse interneti jep ndihmë të menjëhershme dhe nuk gjykon, por na nevojitet t’i bindim ata që ne jemi një burim informacioni më i besueshëm. Dhe kjo përfshin mosreagimin me tepri kur fëmijët tanë na thonë diçka të parehatshme. Për shembull, nëse kemi një shpërthim emocional kur fëmija jonë na rrëfen se ka kërkuar materiale pornografike, ai mund të mos vijë sërish te ne për ndihmë. Por nëse reagojmë me dashuri, kemi një mundësi për të dërguar një mesazh të qartë – se dëshirojmë që ata të na flasin ne për gjithçka.
Motra Xhons vërejti: “Telashe të vogla për të cilat diskutohet në një mënyrë plot dashuri, krijojnë një themel për një reagim të shëndetshëm, kështu që, kur vijnë telashe të mëdha, komunikimi është ende i hapur”5.
Disa nga bashkëbisedimet më të rëndësishme e mbrojtëse që prindërit mund të kenë me fëmijët, janë mbi trupat e tyre. Këto bashkëbisedime duhet të përfshijnë fjalë të sakta për pjesët e trupit, informacion mbi higjienën dhe se çfarë ndryshimesh të presin në vitet e ardhshme. Ne duhet të flasim për seksualitetin dhe mënyrën se si intimiteti fizik dhe emocional janë një pjesë e mrekullueshme e planit të Atit Qiellor për ne. Ne gjithashtu mund të flasim për tema të tilla si keqtrajtimi dhe pornografia. Këto bashkëbisedime ka nevojë të jenë të përshtatshme me moshën dhe të udhërrëfehen nga pyetjet që kanë fëmijët tanë. Në mënyrë ideale, ne do të kemi shumë bashkëbisedime gjatë kohës duke dhënë informacion të mëtejshëm teksa fëmijët tanë rriten dhe kuptueshmëria e tyre shtohet. (Shihni fundin e këtij artikulli për burime të dobishme.)
Jezusi Dha Shembull për Ta
Jezusi dha një shembull të përkryer për cilindo (shih Gjoni 8:12). Si të rritur, ne gjithashtu kemi mundësinë dhe përgjegjësinë që të jemi shembuj. Një nga mënyrat më të mira se si ne mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë që të jenë të sigurt, është duke qenë vetë model për zgjedhje të sigurta. Fëmijët e vënë re mënyrën se si prindërit e tyre i trajtojnë të tjerët dhe se si i lejojnë të tjerët që t’i trajtojnë ata. Ju lutemi, nëse jeni në një marrëdhënie ose po luftoni me një varësi që ju vë në rrezik ju ose familjen tuaj, merrni ndihmë. Drejtojuni autoriteteve civile dhe profesionistëve të këshillimit, si edhe peshkopit tuaj ose presidentes së Shoqatës së Ndihmës, të cilët mund t’ju ndihmojnë të lidheni me burimet e përshtatshme të Kishës dhe komunitetit. Ju meritoni siguri dhe respekt.
Ne gjithashtu duhet të japim shembull përkujdesjeje për forcën tonë shpirtërore. A na shohin fëmijët tanë të lutemi? A e dinë ata se ne i lexojmë shkrimet e shenjta? A i kanë dëgjuar ata dëshmitë tona? A e veshim ne “gjithë armatimin e Perëndisë” si familje në mëngjes përpara se të drejtohemi jashtë në botë? (Shih Efesianëve 6:11–18; Doktrina e Besëlidhje 27:15–18.)
Jezusi Foli Haptas për Ta
Shpëtimtari foli hapur kundër atyre që i lëndojnë fëmijët (shih Mateu 18:6). Edhe ne mund të jemi avokatë për fëmijët në jetën tonë.
“Fëmijët kanë nevojë që të tjerët të flasin për ta”, dha mësim Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, “dhe ata kanë nevojë për vendimmarrës që ta vendosin mirëqenien e tyre përpara interesave egoiste të të rriturve.”6
Ndërkohë që nuk na nevojitet të kemi tepër frikë ose dyshim ndaj të tjerëve, duhet të jemi të vetëdijshëm për kërcënimet e mundshme dhe të marrim vendime të mençura për sigurinë. Udhëheqëset e Fillores duhet të ndjekin orientimet e Kishës për parandalimin e keqtrajtimit7 – pasja e dy mësuesve/eve në çdo klasë dhe e dikujt nga presidenca që i kontrollon klasat, siguron mbrojtje.
Prindërit dhe udhëheqësit duhet të këshillohen së bashku dhe të vendosin nëse ka masa paraprake shtesë që mund të marrin për t’i zvogëluar në minimum kërcënimet e veçanta. Për shembull, shumë ndërtesa të Kishës kanë dritare në dyert e klasave. Nëse ndërtesa juaj nuk ka, mund të merrni parasysh t’i lini dyert pak të hapura gjatë orëve mësimore dhe të flisni me përfaqësuesin tuaj vendor përgjegjës për godinat për të parë nëse është një mundësi vendosja e dritareve. Pavarësisht nga thirrjet e tyre, të gjithë personat në moshë madhore mund jenë të vëmendshëm në kishë dhe të ndihmojnë kur nevojitet, si për shembull duke i mirëpritur vizitorët që po bredhin nëpër salla, ose duke e nxitur një fëmijë që po endet, që të kthehet në klasë.
Trishtueshëm, nganjëherë, fëmijët lëndohen nga fëmijë të tjerë. Nëse vëmë re çfarëdo forme të mujshisë ose kontaktit të papërshtatshëm fizik në kishë apo kudo qoftë, nevojitet të ndërhyjmë menjëherë. Nëse jemi udhëheqës, na nevojitet të jemi të gatshëm të bisedojmë me familjet e përfshira – edhe nëse bashkëbisedimet janë të parehatshme – për të siguruar që të gjithë fëmijët të jenë të sigurt. Flisni hapur me dhembshuri dhe qartësi që të ndihmoni të krijohet një kulturë mirësie.
Nëse besojmë se një fëmijë po keqtrajtohet, ne duhet t’ua raportojmë menjëherë këto shqetësime autoriteteve civile. Në shumë vende ekzistojnë linja të posaçme telefonike që bëjnë ndërhyrje në rast krize, japin informacion dhe shërbime përkrahjeje. Ne gjithashtu duhet t’i tregojmë peshkopit për keqtrajtimin e dyshuar, veçanërisht kur përfshin cilindo që mund të ketë qasje te fëmijët nëpërmjet Kishës. Përveç marrjes së masave për të parandaluar qasjen e një fajtori në të ardhmen te fëmijët, peshkopi mund t’u sigurojë ngushëllim dhe përkrahje viktimave dhe t’i ndihmojë ata të lidhen me burime shtesë nga Shërbimet për Familjen.
Jezusi i Bekoi Ata Një nga Një
Jezusi i njohu dhe i bekoi fëmijët një nga një (shih 3 Nefi 17:21). Po ashtu, ne duhet ta njohim secilin fëmijë dhe të përpiqemi ta ndihmojmë atë posaçërisht.
Si mund ta bëjmë kishën më të sigurt për fëmijët me probleme shëndetësore? A kemi një plan për t’i ndihmuar fëmijët e Fillores me paaftësi? A janë mësimet e Fillores që zhvillojmë, të ndjeshme ndaj gjendjeve të ndryshme familjare? Çfarë mund të bëjmë tjetër për të qenë më përfshirës?
Komentet raciste, vërejtjet nënvlerësuese për kultura të tjera dhe sjelljet dënuese ndaj anëtarëve të besimeve të tjera nuk duhet të kenë vend në mesazhet që japim. Në një klasë Filloreje, një djalë nuk e fliste shumë mirë të njëjtën gjuhë si fëmijët e tjerë. Për ta ndihmuar atë të ndihej i mirëpritur, mësuesit siguroheshin që t’i shtypnin fletushkat në të dyja gjuhët. Veprime të thjeshta kujdesi u tregojnë fëmijëve se ne i njohim dhe kujdesemi për ta individualisht dhe se këto veprime mund të japin një shembull për t’u ndjekur nga ata.
Mund të zbulojmë se disa fëmijëve u nevojitet ndihmë në një mënyrë të ngutshme. Për shembull, edhe pse disa luhatje të humorit janë pjesë normale e rritjes, nëse një fëmijë është i inatosur, i mbyllur në vetvete, ose i trishtuar për disa javë, mund të ketë një problem më të rëndë që ka nevojë për ndihmë profesionale. Ndërkohë që zakonet e drejta si lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta janë të rëndësishme, shpesh nevojitet më shumë përkrahje për ata që po merren me një sëmundje mendore e cila po shfaqet, ose po përballen me një traumë të fshehtë. Shpërfillja e situatës nuk do t’i përmirësojë gjërat. Në shumë zona, peshkopët mund t’u sigurojnë ndihmë financiare për këshillim individëve dhe familjeve nëpërmjet Shërbimeve për Familjen ose siguruesve të tjerë [të shërbimit].
Jezusi u Dha Fuqi Atyre
Ndërsa po i mbronte fëmijët, Jezusi gjithashtu u dha fuqi atyre. Ai i tregoi fëmijët si shembuj (shih Mateu 18:3). Pas vizitës së Tij në kontinentet amerikane, fëmijët e vegjël qenë të aftë t’u mësonin të rriturve “gjëra të mrekullueshme” (3 Nefi 26:16).
Ne mund t’u japim fuqi fëmijëve që njohim, duke u mësuar atyre të dallojnë se si Shpirti u flet atyre dhe pastaj ta ndjekin Shpirtin kur marrin vendime – duke i ndihmuar të zhvillojnë një filtër të brendshëm që t’i udhërrëfejë në veprimet e tyre. Siç dha mësim Motra Xhons: “Ndihma ndaj fëmijëve që të krijojnë arsyetimin e tyre të brendshëm për dëshirën që të [marrin vendime të parrezikshme], është thelbësore”8. Këtu janë disa ide që u dhanë fuqi familjeve të tjera:
-
Një nënë u mësoi fëmijëve të saj t’u kushtonin vëmendje “ndjenjave të tyre të dyshimit a frikës” dhe të ishin të kujdesshëm pranë njerëzve që dukeshin si “të dyshimtë”. Kjo pati rezultat pozitiv kur disa njerëz u përpoqën ta bindnin djalin e saj që t’i ndiqte në një tualet dhe ai ua vuri veshin ndjenjave të tij paralajmëruese dhe nuk pranoi.
-
Disa familje krijuan paraprakisht një plan rrugëdaljeje për ta përdorur kur të ndesheshin me diçka të dëmshme. Për shembull, planin për rrugëdalje të një familjeje e quajtën “fike dhe trego” dhe ishte që ta fiknin ekranin e kompjuterit dhe t’i tregonin menjëherë një prindi nëse një figurë e keqe do të dilte papritmas. Fëmijëve të tyre nuk iu desh kurrë të vrisnin mendjen mbi mënyrën se si të merreshin me materialet e këqija argëtuese – ata e dinin se çfarë të bënin.
-
Një familje tjetër krijoi një fjalë të koduar që fëmijët e tyre mund t’ua dërgonin me SMS prindërve ose ta thonin në telefon nëse do t’u duhej që prindërit t’i merrnin menjëherë [nga vendi ku ishin].
-
Ju mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të ushtrohen që të thonë: “Jo!” kur dikush përpiqet t’i bindë të bëjnë diçka që i bën të mos ndihen rehat. Çdo fëmijë duhet ta dijë se mund të kërkojë ndihmë dhe ata duhet të vazhdojnë ta kërkojnë derisa të jenë të sigurt.
Roli Ynë si të Rritur
Le ta kujtojmë sërish skenën te 3 Nefi 17 kur Jezusi “i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta. … Dhe ata qenë të rrethuar nga zjarri; dhe engjëjt u shërbyen atyre” (vargjet 21, 24). Ndoshta një pikë kyç e kësaj historie është që jo vetëm të na mësojë ne se sa të rëndësishëm janë fëmijët, por edhe të tregojë se cili duhet të jetë roli ynë si të rritur. Ne jemi kujdestarët e brezit të ardhshëm. Ne duhet të jemi engjëjt që i rrethojnë dhe u japin shërbesë fëmijëve. Le të vazhdojmë të shohim te Jezusi si shembulli ynë i përkryer dhe pastaj të bëjmë më të mirën që mundemi për t’i rrethuar të vegjlit tanë me dashuri dhe mbrojtje.