2019
Sjellja me Pornografinë: Mbro, Reago dhe Shëro
Tetor 2019


QËNDRIMI NDAJ PORNOGRAFISË: Mbro, Reago dhe Shëro

Nga një fjalim kryesor i mbajtur në konferencën e vitit 2018, Koalicioni i Jutës Kundër Pornografisë, në Solt‑Lejk‑Siti në Jutë.

Këto tri zbatime të dashurisë mund t’i ndihmojnë fëmijët tanë në takimet e befta me pornografinë me të cilat mund të përballen.

Pamja
mother and daughter hugging

Fotografia nga Getty Images, përdorur për qëllime ilustruese, pozuar nga modelë

Jam dhembshëm e vetëdijshme për ndikimin e pornografisë madje dhe mbi më të vegjlit në shoqërinë tonë – te fëmijët tanë. Një plagë me përmasa epike, pornografia mund të shkaktojë turpërim, mashtrim, ndjenja të shtrembëruara, humbje të vetëkontrollit, varësi dërrmuese dhe shpenzim të përgjithshëm të kohës, mendimit dhe energjisë. Ka një nevojë të madhe që të gjithë ne – prindër, familjarë, mësues, udhëheqës – vërtet t’i shohim, vlerësojmë dhe mbrojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë.

Dashuria është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë. Ta duam Perëndinë dhe ta duam të afërmin tonë janë dy urdhërimet më të mëdha që na janë dhënë nga Vetë Jezu Krishti. Dashuria, besoj unë, është gjithashtu arma jonë më e madhe në luftën kundër pornografisë.

Vërtet, ashtu si thotë motoja e njohur: “Pornografia e vret dashurinë”, por le ta kujtojmë gjithashtu se dashuria e vret pornografinë. Kjo nuk do të thotë se dashuria jonë për dikë tjetër mund ta ndryshojë varësinë ose madje sjelljen e tij apo të saj. Por dashuria mund të na japë shtysë – në mënyrën se si përgatitemi, si reagojmë, si dëgjojmë – veçanërisht me fëmijët tanë. Nëse do të kemi ndonjë shpresë për ta çrrënjosur këtë plagë nga bota, dashuria duhet të jetë edhe në ballë edhe në themel të të gjitha përpjekjeve tona.

Dëshiroj të sugjeroj tri zbatime të dashurisë ku shpresoj se do të përqendrohemi, të cilat do t’i përqafojmë dhe do t’i vëmë në veprim. Këto tri zbatime lidhen me tri faza të takimeve të befta me pornografinë me të cilat mund të përballen fëmijët tanë.

Së pari, ne themi: “Të dua”, duke i mbrojtur vërtet ata. Së dyti, themi: “Prapëseprapë të dua”, me anë të mënyrës se si reagojmë për ekspozimin e tyre ndaj pornografisë, qoftë i qëllimshëm ose jo. Dhe së treti, ne themi: “Gjithmonë do të të dua”, duke dhënë përkrahje plot dashuri për ata teksa punojnë për shërimin nëse kanë përjetuar përdorim me fiksim ose varësi. Në secilën fazë, dashuria është kyçi.

1. Mbrojtja: “TË DUA”

Përfytyrojeni në mendje një fëmijë që e doni. Kur i thoni këtij fëmije: “Të dua”, çfarë do të thotë kjo? Në thelb, kjo do të thotë se ne sigurojmë mbrojtje kështu që të mund t’i ndihmojmë ata që i duam, që të bëhen më të mirët që munden dhe të përballen me sfidat e jetës. Pjesë e mbrojtjes është të krijohen marrëdhënie mirëbesimi, të fuqishme dhe të qëndrueshme. Këto lloje marrëdhëniesh ndihmojnë për t’u afruar me fëmijët tanë. Teksa ndërtojmë marrëdhënie të forta mirëbesimi dhe i mbrojmë fëmijët dhe nipërit e mbesat tona – ose cilindo fëmijë – ne u japim atyre një vend të sigurt tek i cili të drejtohen. Kjo mbrojtje i ndihmon ta kuptojnë se cilët janë dhe i ndihmon ta marrin vesh marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Kur e ndiejnë se i vlerësojnë dhe i duan, kjo i ndihmon fëmijët ta përfytyrojnë një Atë përkujdesës Qiellor, që jep udhëzime për lumturinë e tyre, dhe të mbështeten tek Ai.

Jam e shqetësuar që shumë prindër mund të mos ta kuptojnë ende se sa e rrezikshme është me të vërtetë pornografia, ose mund të mendojnë se është problem vetëm për njerëzit e tjerë. Realiteti është se ky problem po ndikon te djemtë tanë dhe te vajzat tona dhe ne nuk po flasim mjaftueshëm për të.

Shumë vjet më parë, bashkëshorti im dhe unë dëgjuam një rrëfenjë kuptimplote që ua kemi përsëritur shpesh fëmijëve tanë. Rrëfenja është për një gjarpër të moshuar me zile, i cili i kërkoi një djali të vogël që po kalonte pranë, që ta mbartte deri te maja e malit që të shihte një perëndim të fundit të diellit përpara se gjarpri të vdiste. Djaloshi ngurroi por gjarpri me zile premtoi se nuk do ta kafshonte si këmbim për udhëtimin. Pas këtij lëshimi, djaloshi me dashamirësi e mbarti gjarprin deri në majë të malit ku ata e vështruan së bashku perëndimin e diellit.

Pasi e mbarti gjarprin sërish poshtë në luginë, djaloshi përgatiti një vakt ushqimi për veten dhe një shtrat për të kaluar natën. Në mëngjes, gjarpri pyeti: “Të lutem, djalë i vogël, a do të më çosh sërish te shtëpia ime? Është koha që tani unë të largohem nga kjo botë dhe dëshiroj të kthehem te shtëpia ime.” Djali i vogël e ndjeu se kishte qenë i sigurt dhe se gjarpri e kishte mbajtur fjalën, kështu që vendosi ta çonte gjarprin në shtëpi siç kërkoi.

Ai e mori gjarprin me kujdes, e mbajti pranë kraharorit dhe e mbarti sërish në shkretëtirë te shtëpia e tij që të vdiste [atje]. Pikërisht përpara se ta ulte poshtë, gjarpri me zile u kthye dhe e pickoi në kraharor. Djali i vogël bërtiti dhe e flaku gjarprin përtokë. “Zoti Gjarpër, përse e bëre këtë? Tani unë do të vdes me siguri!” Gjarpri me zile i ngriti sytë dhe u ngërdhesh: “Ti e dije se çfarë isha kur më more”.

Në botën e sotme, shoh shumë prindër që i dorëzojnë një gjarpër fëmijës së tyre. Po flas për telefonat inteligjentë. Ne nuk mund t’ua vëmë në duar telefonat celularë me qasje në internet fëmijëve të vegjël që nuk janë mjaft të rritur sa të kenë marrë mësim mjaftueshëm, që nuk i kanë ende aftësitë e domosdoshme për arsyetim dhe marrje vendimesh, si dhe nuk kanë kontrollin prindëror dhe mjete të tjera që t’i ndihmojnë për t’i mbrojtur. Xhejson S. Keroll, profesor për jetën familjare në Universitetin “Brigam Jang”, pohoi: “Ne i mbajmë të sigurt fëmijët tanë deri në kohën kur ata mund të ruhen vetë”. Baza e trurit që mban qendrat e kënaqësisë në tru, zhvillohet e para. Vetëm më vonë zhvillohen plotësisht aftësitë e arsyetimit dhe marrjes së vendimeve në koren ballore. “Kështu që fëmijët e kanë pedalin e gazit pa pedalin e plotë të frenave.”1

Çdo telefon duhet të ketë masa mbrojtëse, edhe ata të adoleshentëve. Kjo është gjithashtu një këshillë e mirë për të rriturit. Asnjë nuk është i paprekshëm nga pickimi i një gjarpri helmues. Disa prindër zgjedhin telefonat me palosje për fëmijët e tyre që ta kufizojnë përdorimin vetëm për thirrje telefonike dhe për shkëmbim mesazhesh.

Përveç telefonave inteligjentë ka pajisje të tjera të panumërta me të cilat mund të qasesh në media të padëshiruara nëpërmjet internetit. Një studim i kohëve të fundit tregoi se 79 për qind e [rasteve të] ekspozimit të padëshiruar ndaj pornografisë ndodhin në shtëpi.2 Fëmijët mund të ekspozohen ndaj saj në kompjutera dore, telefona inteligjentë, panele komandimi për lojëra, aparate DVD‑je portativë dhe televizorë inteligjentë, thjesht sa për të përmendur disa pajisje. Njoh familje që kanë caktuar një zonë të vetme, ku ndodhen shumicën e kohës, në shtëpinë e tyre, ku përdoren pajisjet elektronike. Këto familje e quajnë atë një “dhomë e medias” dhe të gjitha pajisjet e tyre i mbajnë të dukshme, në dritë. Asnjëherë nuk qëndron ndonjë person vetëm në dhomë me një pajisje ku sheh media.

Familje të tjera kanë zgjedhur rregulla të tilla si: “Nuk lejohen telefonat në dhomat e gjumit ose në tualete”. Disa thonë thjesht: “Asnjëherë të mos jesh vetëm me një telefon”. Të tjerë akoma e shtojnë shkallë‑shkallë qasjen në aplikacionet që mund t’i përdorin fëmijët e tyre, me programe të cilat lejojnë që telefoni i fëmijës të konfigurohet nga prindi. Në këtë mënyrë, ata japin mësim se mirëbesimi fitohet dhe se siguria e telefonit është e rëndësishme.

Cilatdo qofshin nevojat për familjet tona të veçanta, le ta mësojmë secilin pjesëtari të familjes që ta përdorë teknologjinë me urtësi dhe pozitivisht që nga fillimi – të zhvillojë një model të moralshëm mendimi. Le t’i edukojmë fëmijët me mënyra dobiprurëse që ta përdorin teknologjinë për mirë. Mund t’u mësojmë atyre të vlerësojnë duke e pyetur veten: “Përdorimi i kësaj a do t’i shërbejë një qëllimi të mirë?” Zgjedhjet tona për mënyrën se si u japim mësim familjeve tona tani, do të ndikojnë te brezat e ardhshëm.

Si prindër, unë shpresoj se do ta marrim parasysh rëndësinë e marrëdhënieve me fëmijët tanë dhe përpjekjeve të veçanta që po bëjmë për t’i mbrojtur ata. Teksa i forcojmë këto marrëdhënie të dashura, fëmijët do ta kuptojnë më mirë se përse Perëndia paralajmëron ndaj të ligave të pornografisë, ata do ta dallojnë se si ta shmangin atë dhe do të jenë të përgatitur nëse vërtet e hasin atë.

Pamja
father talking with his son

Fotografia nga Getty Images, përdorur për qëllime ilustruese, pozuar nga modelë

2. Reagimi: “PRAPËSEPRAPË TË DUA”

Krijim i bashkëbisedimeve mirëpritëse, të hapura e ftuese që i nxitin fëmijët t’ua tregojnë prindërve të tyre mendimet, përvojat dhe pyetjet e tyre, nuk është i lehtë. Ne mund t’i ftojmë fëmijët e të gjitha moshave që të vijnë e të flasin me ne nëse zhvillojnë në çfarëdo niveli një problem me pornografinë ose kur të ndodhë kjo – që nga ekspozimet e hershme, të shkujdesura në përdorim rastësor, deri te përdorimi i ngjeshur dhe më tej në përdorimin me fiksim. Diskutimet qysh herët janë më të mira dhe fëmijët do të shprehen me më shumë gatishmëri kur e dinë se i duan dhe se asgjë që thonë ose bëjnë, nuk mund ta ndryshojë atë dashuri.

Megjithatë, shumë rrallë një fëmijë shprehet vullnetarisht. Ajo ndodh zakonisht kur një prind vëzhgues e nxit fëmijën me [fraza të tilla si]: “A ka ndonjë gjë që nuk shkon?” ose “Nuk dukesh se po sillesh si zakonisht”. Sa më shumë dashuri që të ndiejë fëmija, aq më e lehtë është për atë që të hapet.

Kjo siguri për dashurinë është e ngulitur në mendjen e tyre nga përvoja të vogla që ndodhin vazhdimisht. Telashe të vogla për të cilat diskutohet në një mënyrë plot dashuri, krijojnë një themel për një reagim të shëndetshëm, kështu që, kur vijnë telashe të mëdha, komunikimi është ende i hapur. Më e rëndësishmja, fëmijët e dinë se reagimi juaj do të jetë: “Unë prapëseprapë të dua. Nuk do të resht së dashuri ngaqë ndodhi diçka. Unë gjithmonë të dua.”

Për njëfarë arsyeje, ne nuk flasim shumë me të rinjtë dhe fëmijët për një nga dëshirat më të forta dhe tundimet më të mëdha që ata do të hasin. Ngurrimi ynë bën që ata të marrin mësim kryesisht nga interneti, fëmijë ose adoleshentë të tjerë, ose madje mediat e njohura. Disa nga ne mund të jenë ngurrues që madje ta përdorin fjalën pornografi pranë fëmijëve në një përpjekje për ta mbrojtur dëlirësinë e tyre. Duket kaq e pavolitshme. Ndoshta prindërit tanë nuk na folën kurrë kaq hapur. Po sikur bashkëbisedimi ynë të nxitë kureshtjen? Po nëse ata duan të dinë më shumë? Si mund të presim që fëmijët tanë të flasin rreth pornografisë me ne, nëse ne kurrë nuk flasim rreth saj me ta?

Prindër, ne duhet ta fillojmë bashkëbisedimin dhe të mos presim që fëmijët të vijnë te ne. Më pëlqen shumë sugjerimi që të bëjmë bashkëbisedime të rregullta, të shpeshta, të rehatshme në vend që të jetë një ngjarje që ndodh një herë të vetme. Përfitimet nga bashkëbisedimet plot kujdes janë që prindërit dhe udhëheqësit e besuar janë ekspertët, jo Google‑i; biseda mund të ndodhë në një mjedis të sigurt dhe biseda e rrit mirëbesimin e fëmijës. Ne dëshirojmë që fëmijët të ndihen të përgatitur dhe me fuqi, jo të trembur. Ne dëshirojmë të flasim me ta dhe jo t’u flasim atyre.

Si prindër dhe mësues, ne nuk mund t’i ndihmojmë fëmijët nëse nuk jemi të edukuar vetë. Dhënia mësim se çfarë [është pornografia] dhe përse [duhet ta shmangim] është thelbësore. Ne mund të mësojmë vetë dhe t’i ndihmojmë fëmijët ta kuptojnë se përse pornografia është e gabuar, përse është kaq e rrezikshme, përse ne nuk duam që ajo t’i lëndojë ata, dhe çfarë të bëjnë nëse e hasin atë.

A po u japim fëmijëve arsye të mjaftueshme për pyetjen përse, në mënyra të përshtatshme me moshën? Nëse e vetmja arsye që u japim atyre për ta shmangur pornografinë, është: “Është e keqe”, kjo mund të rezultojë një arsye e pamjaftueshme. Përkundrazi, duhet të paraqitim sa më shumë arsye përse që të mundemi, që të krijojmë një prirje morale që është shtysëdhënëse për rininë tonë.

Ka arsye të bollshme për ta shmangur pornografinë, por këtu janë vetëm disa shtysa nga organizata Fight the New Drug [Luftoje Drogën e Re], që mund të ngjallin interes për të rinjtë e të rejat tona:

  • Pornografia mund ta ndryshojë mënyrën se si funksionon truri juaj dhe studimet tregojnë se ajo madje mund ta zvogëlojë trurin tuaj dhe ta bëjë atë më pak aktiv.

  • Pornografia mund të jetë varësuese.

  • Pornografia do ta shkatërrojë mirëbesimin tuaj te vetja.

  • Pornografia mund t’ju lërë të vetmuar.

  • Pornografia mund t’i lëndojë njerëzit që i doni.

  • Pornografia mund ta shkatërrojë seksualitetin e shëndetshëm.

  • Pornografia është e lidhur me dhunën.

  • Pornografia mund të shkaktojë që njerëzit përfundimisht të bëhen të pandershëm.

  • Pornografia do t’jua grabitë kohën dhe energjinë tuaj.

  • Pornografia shkakton depresion, ankth dhe ndjenja turpërimi.

Do të shtoja se pornografia është kundër urdhërimeve të Perëndisë. Me këto dhe një mori arsyesh të tjera, ne po ngremë çështjen kundër pornografisë, por dijenia pa vënie në zbatim çon drejt zhgënjimit. Ne duhet të vendosim kufizime, kufij dhe pritshmëri të arsyeshme dhe të dobishme. Ndihma ndaj fëmijëve që të krijojnë arsyetimin e tyre të brendshëm për dëshirën që të qëndrojnë larg pornografisë, është thelbësore. Nëse një fëmijë nuk vendos për veten se ku të qëndrojë në këtë çështje, ai ose ajo me gjasë do të bëhet pjesë e statistikave tronditëse të tanishme.

3. Shërimi: “GJITHMONË DO TË TË DUA”

Kur fëmijët ekspozohen ndaj pornografisë dhe zihen në grackë nga ajo, ata përpiqen të reagojnë, ta marrin veten dhe të shërohen. Nevojitet përkrahje e sinqertë, e zellshme, e vazhdueshme, e qëndrueshme dhe me durim teksa fëmijët marrin përgjegjësinë për ta marrë veten dhe për të vazhduar të ecin përpara. Asnjë nuk mund ta sigurojë këtë lloj përkrahjeje ashtu si mund ta bëjë një prind. Pasi ne ta kemi dhënë mësim me kujdes dhe personalisht të vërtetën, pasi me butësi të kemi ndërtuar mirëbesim dhe të kemi nxitur bashkëbisedime, atëherë fëmijët kanë nevojë ta dinë se, pavarësisht nga gabimet dhe zgjedhjet e tyre, sigurimi ynë do të jetë: “Unë gjithmonë do të të dua pavarësisht gjithçkaje”.

Më kujtohet një rast i thjeshtë që ndodhi në familjen tonë vite më parë. Bashkëshorti im dhe unë kishim dalë nga shtëpia dhe biri ynë më i madh po kujdesej për fëmijët e tjerë. Morëm një telefonatë nga një fqinj i shqetësuar që na dha alarmin se një makinë zjarrfikëse ishte te shtëpia jonë. Ne nxituam për në shtëpi dhe pamë se biri ynë 10‑vjeçar kishte qenë duke luajtur në oborrin e pasmë pranë një fushe prej dy hektarësh e gjysmë me bar të gjatë e të thatë. Ai po përpiqej të shihte nëse mund të ndizte një zjarr me shkëndija.

Sigurisht që e bëri! Në kohën kur mbërritëm ne, zjarri i vogël ishte fikur nga zjarrfikësit, ata i kishin dhënë mësim birit tonë dhe fqinjët kishin filluar të shpërndaheshin. Biri ynë ishte në siklet, i frikësuar, plot lot dhe e dinte se sigurisht ishte në telashe.

Të gjithë ne shkuam në shtëpi. Biri ynë ishte kaq i frikësuar saqë, edhe pse gjendja ishte e rëndë, gjithçka mund të bënim ishte ta rroknim në krahët tona këtë djalë të ëmbël dhe ta siguronim për dashurinë tonë dhe lehtësimin tonë që ai nuk ishte lënduar.

Kur fëmijët ekspozohen ndaj pornografisë dhe veçanërisht kur kapen në rrjetën e saj, edhe ata do të jenë në siklet, të frikësuar dhe plot lot. Është e vështirë ta marrësh diçka që ka qenë në errësirë dhe ta ekspozosh atë ndaj dritës. Ajo të shkakton turp dhe të bën të ndihesh i cenueshëm. Ata mund të kenë dështime dhe sfida përgjatë rrugës teksa marrin veten dhe shërohen. Nevoja e tyre për dashuri të vazhdueshme është vendimtare. Megjithatë, prindërit kanë nevojë të jenë të vetëdijshëm se dashuria e tyre do të ndihmojë gjithmonë por nuk do të jetë gjithçka që nevojitet.

Gjatë shërimit, juve do t’ju duhet ta kanalizoni një pjesë të asaj dashurie që keni për fëmijën tuaj, drejt gjetjes së burimeve të drejta për ndihmë. Dashuria juaj është një themel për atë që ka nevojë të ndodhë, por nëse dikush që e doni është zënë në grackë, ka gjasa që të keni nevojë të kërkoni profesionistë të cilët mund t’i ndihmojnë njerëzit tuaj të dashur dhe gjithashtu t’ju ndihmojnë ju. 

Teksa ju dhe njerëzit tuaj të dashur kërkojnë shërim, shpresoj se ju do të gjeni forcë tek i Vetmi që ka fuqinë t’i shërojë të gjitha plagët, t’i lidhë njerëzit së bashku dhe të krijojë marrëdhënie krejt përtej aftësisë sonë të tanishme për ta përfytyruar. Shpëtimtari ynë, Shëruesi i dashur, ka fuqinë të shpëtojë. Ne mund të jemi prindër për fëmijët tanë dhe t’i drejtojmë ata tek Ai, por vetëm Ai mund të jetë Shpëtimtari i tyre. Dhe gjëja e mrekullueshme është se Ai i do fëmijët tanë edhe më shumë përsosurisht nga sa i duam ne – pavarësisht të gjithave.

Pamja
Jesus with children

Hollësi nga I Lini Fëmijët e Vegjël të Vijnë tek Unë, nga Carl Heinrich Bloch

Shënime

  1. Jason S. Carroll, në Lisa Ann Thomson, “Eight Strategies to Help Children Reject Pornography”, Liahona, gusht 2017, f. 19.

  2. “The Facts about Online Threats”, Parents Television Council Watchdog (ditar në internet), 21 qershor 2017, w2.parentstv.org/blog.