2019
Pa Drojë për ta Thënë të Vërtetën
Tetor 2019


Pa Drojë për ta Thënë të Vërtetën

I armatosur me një dëshmi për ungjillin dhe bekimet e tij, Fabiani nuk ka lejuar që mosha e tij e re ta pengojë që të bëhet një anëtar misionar i fuqishëm dhe i patrembur.

Pamja
Fabian with missionaries

Dielli po perëndon në Las Tomas, një lagje e ndërtuar mbi shpate ranore që ngrihen mbi Antofagastën. Poshtë dritat po fillojnë të shkëlqejnë ndërsa dita mbyllet në këtë qytet-port detar në Kilin verior.

Është mbrëmje, ditë e shtunë dhe Fabian H.‑ja, 13‑vjeçar, mund të ishte duke dalë me shokët e tij. Por Fabiani, një anëtar i ri i Kishës, përkundrazi zgjedh që ta kalojë mbrëmjen me misionarët kohëplotë. Është koha që “të ndihmo[jmë] që Izraeli të mblidhet”1.

Nga të gjithë anëtarët misionarë të përkushtuar me të cilët Kellen VanNateri dhe Xhordan Sheltoni kanë punuar gjatë misioneve të tyre kohëplota në Kili, Fabiani qëndron mbi të tjerët.

“Nëse kishte kohë të lirë, ai ishte jashtë me ne duke bërë punë misionare”, thotë Kelleni. “Kur mbaruan pushimet e verës, ai ishte i trishtuar jo vetëm se do të kthehej në shkollë, por edhe se nuk kishte aq shumë kohë për të dalë me ne.”

Xhordani, i cili kaloi disa muaj si shoku misionar i Kellenit, shton: “Fabiani ndoshta doli me ne katër ose pesë herë në javë – çdo javë – ndërsa shërbyem së bashku në Antofagasta. Ai ishte anëtari misionar më i mirë me të cilin kemi punuar ndonjëherë.”

Çfarë e bën një të ri kaq të gatshëm për të bërë punë misionare pavarësisht nga përbuzja nga shokët e klasës dhe shpërfillja nga të huajt? Për Fabianin, përgjigjja gjendet te bekimet që ai dhe familja e tij kanë marrë që nga koha kur e pranuan ungjillin – bekime që ai dëshiron t’ua tregojë të tjerëve.

Pamja
Fabian teaching with missionaries

“Gëzim i Pashpjegueshëm”

Fabiani filloi t’i merrte mësimet me misionarët pak kohë pasi misionarët kohëplotë erdhën e trokitën. Ai ende e kujton mbledhjen e tij të parë të sakramentit.

“Nuk njihja asnjë njeri kur hyra në godinën kishtare, kështu që isha pak në siklet”, thotë ai. “Por ndjeva diçka të mrekullueshme. Ndjeva se kisha qenë në Kishë për muaj ose vite.”

Gjatë pagëzimit të tij disa javë më vonë, [ai thotë]: “Unë ndjeva një gëzim të pashpjegueshëm kur u zhyta në ujë dhe dola sërish nga uji. U ndjeva si një njeri tjetër, duke e ditur se do të ndiqja Jezu Krishtin dhe do të bëja më të mirën time për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.”

Kur prindërit e pamartuar të Fabianit, Leonardoja dhe Anxhela, u bashkuan me djalin e tyre gjatë mësimeve me misionarët, ata mësuan për martesën në tempull dhe familjet e përjetshme. “Një javë më vonë, babai im caktoi ditën e martesës”, thotë Fabiani. “Mami ishte shumë e lumtur.”

Katër muaj pasi Fabiani u bashkua me Kishën, Anxhela vijoi pas tij në ujërat e pagëzimit. “Ky ishte një bekim i mrekullueshëm”, thotë ai.

Bekime të tjera pasuan menjëherë. Leonardoja, i cili ishte pagëzuar kur ishte i ri, u kthye në aktivitet në Kishë. Studimi i ungjillit u bë një element kryesor në shtëpinë e tyre. Pjesëtarët e familjes u afruan më shumë. Leonardoja gjeti punë të qëndrueshme. Dhe Fabiani mori Priftërinë Aarone.

“Më pëlqen shumë të mbaj priftërinë në mënyrë që të mund t’ua shpërndaj sakramentin anëtarëve të lagjes dhe t’i ndihmoj ata t’i përtërijnë besëlidhjet e tyre”, thotë Fabiani. “Jam sidomos i lumtur kur duhet t’ia shpërndaj familjes sime dhe pleqve që më dhanë mësimet. Shikimi krenar që më hedh babai ndërsa më sheh të shpërndaj sakramentin, më bën shumë të lumtur.”

Pamja
Fabian with missionaries talking to a young man

“Kjo do të Ishte e Mrekullueshme”

Fabiani filloi të bënte punë misionare si anëtar madje përpara se të pagëzohej.

“U thashë tre prej shokëve të mi se do të pagëzohesha. Dy prej tyre erdhën”, thotë ai. “Më pëlqen ta shpërndaj ungjillin në mënyrë që shokët e mi të kuptojnë se çfarë besojmë ne dhe çfarë bëjmë në Kishë kështu që ata të mund të mësojnë për ungjillin, të pagëzohen dhe të kenë jetë të lumtur. Do të isha shumë i lumtur nëse ndonjëri prej tyre pagëzohet dhe bëhet një nga anëtarët e kuorumit tim. Kjo do të ishte e mrekullueshme.”

Fabiani mban një Libër Mormoni me vete në shkollë dhe ai mban broshura të misionarëve për t’ua dhënë shokëve dhe shoqeve. Ai është i lumtur t’u përgjigjet pyetjeve rreth Kishës dhe i fton shokët dhe shoqet në mbledhjet e së dielës dhe në mbrëmjet me aktivitete për të rinjtë dhe të rejat. Dhe nuk druhet që t’u qaset njerëzve në rrugë dhe, siç e kanë mësuar misionarët, i fton ata të mësojnë për Kishën dhe të përgatiten për pagëzimin.

“Fabianit nuk i intereson nëse dikush mendon se ai është i çuditshëm që e shpreh dëshminë e tij”, thotë Kelleni. “Ai e di se po bën gjënë e duhur. Ai e di se gjërat shpirtërore janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër.”

Kur Fabiani e shpreh dëshminë e vet, Xhordani thotë se ai merr fuqi nga kthimi i tij në besim, dashuria e tij për ungjillin dhe bekimet e tij.

“Ai i pa bekimet që i erdhën familjes së tij, dhe kjo është ajo që e frymëzon atë që të jetë kaq i guximshëm dhe i hapur për ta shpërndarë ungjillin te shokët e tij”, thotë Xhordani. “Një herë ai po i dëshmonte një kërkuesi rreth asaj se çfarë bekimi i madh ishte për prindërit e tij që të martoheshin, por sa e vështirë ishte për të që të priste katër muaj pas pagëzimit të tij që mamaja të pagëzohej. Emocionet e tij e mposhtën dhe ai shpërtheu në lot. Ai më pas dëshmoi se, nëse i zbatojmë urdhërimet, Perëndia do të kujdeset për ne.”

“Dëshmia e Fabianit e bën atë një anëtar misionar të fuqishëm”, shton Kelleni.

“Ai nuk thotë gjëra të tilla si: ‘O, dëgjova dikë në kishë të thotë këtë’. Përkundrazi, ai është përherë duke treguar vetë përvojat e tij vetjake – si [për shembull] mënyrën se si u ndje kur shkoi në kishë për herë të parë dhe se si ndihet kur lexon Librin e Mormonit. E gjitha është shumë e vërtetë dhe reale.”

“Përherë Ndihem më Mirë”

Për Fabianin, shpërndarja e ungjillit sjell një tjetër bekim.

“Ndonjëherë më ndodhin gjëra të këqija në shkollë, por pastaj misionarët vijnë e trokasin në derën time dhe më pyetin a do të isha i gatshëm t’i ndihmoja për të dhënë mësim”, thotë ai. “Pasi dal me ta, ndihem sikur nuk kam asnjë problem. Përherë ndihem më mirë kur dal me ta, kur i lexoj shkrimet e shenjta me ta dhe i ndihmoj ta shpërndajnë ungjillin. Shpërndarja e ungjillit dhe historia e kthimit tim në besim e forcojnë dëshminë time. Dhe dhënia mësim e ungjillit më jep mundësinë të jem një shembull për të tjerët, përfshirë motrën time të vogël.”

Nuk është çudi që njëri nga synimet më të mëdha të Fabianit është të bëhet vetë një misionar kohëplotë pasi të diplomohet nga shkolla e mesme.

“Dua t’ua tregoj të vërtetën atyre që nuk e dinë atë”, thotë ai. “Dua t’i ftoj ata të pastrohen nga mëkatet e tyre. Dua t’u mësoj atyre se si të mund të jenë një familje e përjetshme. Dua t’i ftoj ata të jenë të lumtur tani dhe të jetojnë në një gjendje lumturie të pafundme pas kësaj jete.”