2019
A ju Mungon kjo Pjesë Jetike e Dhënies së Shërbesës?
Tetor 2019


Parimet e Dhënies së Shërbesës

A ju Mungon kjo Pjesë Jetike e Dhënies së Shërbesës?

Të japësh shërbesë do të thotë të “gëzoh[esh] me ata që gëzohen” po aq sa të “qa[sh] me ata që qajnë” (Romakëve 12:15).

Pamja
man at a party holding a tray with people dancing on it

Ilustrimet nga Augusto Zambonato

Kur mendojmë për dhënien e shërbesës, është e lehtë të mendojmë për ndihmën ndaj njerëzve në nevojë. Ne flasim për të punuar në kopshtin e së vesë, për t’i çuar darkën një të sëmuri ose për t’u dhënë atyre që po hasin vështirësi. Ne e mbajmë mend këshillën e Palit që të “qa[jmë] me ata që qajnë”, por a përqendrohemi sa duhet te pjesa e parë e atij vargu – që të “gëzoh[emi] me ata që gëzohen”? (Romakëve 12:15.) Të gëzojmë me ata të cilëve u japim shërbesë – qoftë nëse ajo do të thotë të festosh suksesin e tyre ose t’i ndihmosh të gjejnë gëzim në kohë të vështira – është një pjesë e rëndësishme e dhënies së shërbesës siç do të bënte Shpëtimtari.

Ja tek janë tri ide që mund të ndihmojnë (dhe një për ta shmangur) kur përpiqemi të përqendrohemi tek e mira që Perëndia na jep në jetë.

1. Jini të Vetëdijshëm

Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, na ndihmon të kuptojmë se ne duhet t’i marrim në konsideratë njerëzit të cilëve u japim shërbesë – t’i marrim në konsideratë jo vetëm barrët dhe vështirësitë e tyre por edhe pikat e forta, talentet dhe sukseset e tyre. Ajo tha se ne kemi nevojë të jemi “një kampion dhe një njeri [i] besuar – si dikush që është në dijeni për rrethanat e tyre dhe i mbështet ata në shpresat e aspiratat e tyre”1.

Në shëmbëlltyrën e deles dhe cjepve, Shpëtimtari tha se atyre që do të gjenden në krahun e Tij të djathtë, do t’u bëhet pyetja: “Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm?” (Mateu 25:37–38.)

“Vëllezër e motra, fjala kyç është pamë”, tha Motra Kordën. “Të drejtët i panë njerëzit në nevojë ngaqë po vëzhgonin dhe po vërenin. Edhe ne mund të jemi syçelë për të shkuar në ndihmë e për të ngushëlluar, për të festuar e madje ëndërruar.”2

2. Gjeni Arsye për të Festuar

Festojini sukseset e mëdha ose të vogla. Ai mund të jetë mposhtja e kancerit ose marrja e vetes pas një ndarjeje, gjetja e një vendi të ri pune ose gjetja e një këpuce të humbur, mbijetesa një muaj pas humbjes së një njeriu të dashur ose mbijetesa një javë pa sheqer.

Telefononi për të përgëzuar, jepini një kartolinë ose dilni për drekë. Duke ia treguar bekimet tona njëri‑tjetrit, duke jetuar me mirënjohje dhe duke festuar për bekimet dhe sukseset e të tjerëve, ne “kemi gëzim në gëzimin e vëllezërve tanë” (Alma 30:34).

Pamja
woman clapping while people dance

3. Shiheni Dorën e Zotit

Ndonjëherë të gëzojmë me të tjerët do të thotë t’i ndihmojmë ata t’i shohin arsyet për t’u gëzuar – pavarësisht nga vështirësitë ose kënaqësitë që na vijnë në jetë. E vërteta e thjeshtë se Ati Qiellor është i vetëdijshëm për ne dhe gati për të na ngritur moralisht, mund të jetë një burim i jashtëzakonshëm gëzimi.

Ju mund t’i ndihmoni të tjerët ta shohin dorën e Zotit në jetën e tyre duke treguar se si ju vetë e keni parë atë në jetën tuaj. Jini aq të hapur sa të tregoni se si Ati Qiellor ju ka ndihmuar përgjatë sfidave tuaja. Kjo dëshmi mund t’i ndihmojë të tjerët ta dallojnë dhe ta pranojnë se si Ai i ka ndihmuar ata (shih Mosia 24:14).

4. Mos e Kufizoni Aftësinë Tuaj për të Gëzuar

Fatkeqësisht, ne ndonjëherë mund ta kufizojmë vetë aftësinë tonë për të gëzuar me të tjerët, sidomos kur ndihemi të pasigurt rreth asaj që kemi për të dhënë ose situatës sonë aktuale në jetë. Në vend që të gjejmë gëzim në lumturinë e të tjerëve, ne biem në kurthin e krahasimit. Dhe sikurse dha mësim Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Krahasimi i bekimeve është pothuaj e sigurt që do ta largojë gëzimin. Ne nuk mund të jemi në të njëjtën kohë mirënjohës dhe ziliqarë.”3

“Si mund ta mposhtim një prirje të tillë kaq të zakonshme thuajse te kushdo?” pyeti Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “… Ne mund të numërojmë bekimet tona të shumta dhe mund të duartrokasim për arritjet e të tjerëve. Mbi të gjitha, ne mund t’u shërbejmë të tjerëve, ushtrimi më i mirë që është këshilluar ndonjëherë për zemrën.”4 Në vend që të krahasohemi, ne mund t’i përgëzojmë njerëzit të cilëve iu japim shërbesë. Thuajeni pa drojë atë që vlerësoni tek ta ose pjesëtarët e familjes së tyre.

Siç na kujton Pali, ne të gjithë jemi pjesë e trupit të Krishtit dhe, kur “nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të” (1 Korintasve 12:26). Me ndihmën e Atit Qiellor, ne mund të jemi të vetëdijshëm për përvojat e të tjerëve, mund të festojmë për sukseset e mëdha dhe të vogla, t’i ndihmojmë ata që ta njohin dorën e Zotit dhe ta mposhtim xhelozinë në mënyrë që me të vërtetë të mund të gëzojmë së bashku për bekimet, talentet dhe lumturinë e të tjerëve.

Shënime

  1. Boni H. Kordën, “Të Bëhesh Bari”, Liahona, nëntor 2018, f. 75.

  2. Boni H. Kordën, “Të Bëhesh Bari”, f. 75.

  3. Quentin L. Cook, “Rejoice!” Ensign, nëntor 1996, f. 30.

  4. Jeffrey R. Holland, “The Other Prodigal”, Liahona, maj 2002, f. 64.