2019
Një Bekim nga Shpërblimi
Tetor 2019


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Një Bekim nga Shpërblimi

Roberto Atunkar Nieto

Limë, Peru

man holding bags of food

Ilustrimi nga Ale + Ale, Morgan Gaynin

Gruaja ime, Karmeni, dhe unë sapo u bëmë me fëmijën tonë të parë kur u thirra për të qenë peshkopi i lagjes sonë. Në atë kohë, kishim probleme financiare. Për mua u bë stresuese të siguroja të ardhura për familjen dhe në të njëjtën kohë t’i mbikëqyrja dhe të kujdesesha për anëtarët e lagjes sonë.

Një të diel, vura re një nënë të pamartuar me katër fëmijët e saj të vegjël në mbledhjen e sakramentit. Ajo u ul në stolin e fundit të sallës kishtare dhe u përpoq me sa mundi që t’i mbante fëmijët të qetë. E dija që dhe ajo kishte probleme financiare, por asnjëherë nuk kërkoi ndihmë. Kaluan javë dhe çdo të diel ajo erdhi në kishë me fëmijët e saj.

Një ditë, mora rrogën. I bekuar që mora një shpërblim, vendosa t’i përdorja paratë shtesë për të blerë furnizime për meremetimet aq të nevojshme në shtëpinë time. Por ndërsa po shkoja drejt tregut, më erdhën në mendje kjo motër dhe fëmijët e saj. Ndjeva se duhet t’i përdorja paratë shtesë për të blerë ushqime për ta. I telefonova Karmenit dhe i tregova se çfarë ndjeva se duhej të bëja. Ajo ra dakord.

Ndërsa bëja pazar, sytë më shkuan te disa ëmbëlsira. Mendova se ndoshta fëmijëve do t’u pëlqenin disa gjëra të ëmbla. Mbusha dy çanta me ushqime dhe mora rrugën për në shtëpinë e kësaj motre.

Trokita disa herë në derën e konsumuar prej druri. Kur isha gati të largohesha, dera më në fund u hap. “Peshkop”, tha motra, “habitem që të shoh këtu.” Në çast fëmijët e saj dolën me vrap nga prapa saj.

“Ju solla disa ushqime”, i thashë.

Njëra nga vajzat gjeti biskotat dhe bërtiti: “Biskota!” Vëllezërit dhe motrat e saj u mblodhën përreth të emocionuar. Vajza shtatëvjeçare më përqafoi. “Faleminderit, Peshkop!” tha ajo.

Hodha sytë brenda shtëpisë dhe pashë që kjo motër i kishte larë rrobat në një legen në dysheme. Familja nuk kishte tavolinë dhe flinte në një dyshek në dysheme. E kuptova se sa nevojtarë ishin. Bëra përgatitjet që të sigurohesha që të kishin një tavolinë dhe që secili pjesëtar i familjes të kishte një shtrat.

Kjo përvojë më ndihmoi të kuptoja se Zoti i udhërrëfen dhe i bekon shërbëtorët e Tij. Nuk kemi nevojë për një thirrje të veçantë me qëllim që t’i ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona. Thjesht duhet të jemi në harmoni me Shpirtin, ta dallojmë se kush ka nevojë për ndihmën tonë dhe të jemi të gatshëm të jemi mjete në duart e Zotit.