2019
Tempulli i Lajes, Havai: Një Shekull Mbledhjeje
Tetor 2019


Tempulli i Lajes, Havai: Një Shekull Mbledhjeje

I përkushtuar 100 vjet më parë, Tempulli i Lajes në Havai u ka lejuar shenjtorëve të mblidhen për të marrë bekimet e tempullit teksa ungjilli filloi të përhapej në mbarë botën.

Pamja
Laie Hawaii Temple rendering

Skicë arkitekturale nga arkitektët Hajrëm Pop dhe Harold W. Barton.

Një nga misionet e mëdha të Kishës së Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme është që t’u sigurojë bekimet e tempullit njerëzve të botës, si të gjallëve, ashtu edhe të vdekurve. Profeti Jozef Smith dha mësim se “qëllimi i mbledhjes së … popullit të Perëndisë në çfarëdo epoke të botës … ishte ndërtimi i një shtëpie për Zotin, në të cilën Ai të mund t’i zbulonte popullit të Tij ordinancat e shtëpisë së Tij”1.

Në agimin e shekullit të 20‑të, vetëm katër tempuj në funksionim gjendeshin në tokë, që të gjithë me vendndodhje në Jutë. Kështu që, mbledhja fizike në Jutë ishte mjeti kryesor për të marrë qasje në bekimet e tempullit. Në vitin 1919, kjo gjë ndryshoi. Më 27 nëntor 1919, Presidenti Hiber J. Grant (1856‑1945) përkushtoi Tempullin e Lajes në Havai. Kjo shënoi një pikë kthese historike në Rivendosje pasi bekimet e tempullit u vunë në dispozicion të shumë kombeve.

Në shumë drejtime, Tempulli i Lajes në Havai ishte tempulli i parë ndërkombëtar. Ai menjëherë u shërbeu anëtarëve nga Havai, Zelanda e Re, Samoa, Tonga, Tahiti, Japonia dhe Australia. Teksa Kisha vazhdoi të rritet nëpër Paqësor dhe Azi, numri i vendeve të bekuara nga ky tempull vazhdoi të rritej.

Ky vit shënon 100‑vjetorin e këtij çasti kulmor të mbledhjes së Izraelit në të dyja anët e velit.

Mbledhja nga Samoa

Ishujt e Samoas shtrihen rreth 2 500 milje (4 023 km) larg nga Havai. Në vitin 1919, Xhon Q. Adams, presidenti i misionit në Samoa, tha: “Me përfundimin e tempullit në Laje, populli ynë duket se u pushtua nga një dëshirë e fortë për të mbledhur mjaftueshëm nga të mirat e kësaj bote sa për të shkuar në tempull”. Aulelio Anae, për shembull, kishte shërbyer si misionar pa pagesë për 20 vjet. Për shkak të viteve të tij të sakrificës, ai nuk kishte mjaftueshëm para sa të udhëtonte për në Havai. Kështu që Vëllai Anae shiti gjithçka zotëronte dhe ia doli që mezi të grumbullonte tok 600 a 700 USD.2 Vëllai Anae dhe samoas të tjerë sakrifikuan gjithçka mundën që të shpërnguleshin në Laje gjatë viteve 1920.

Një familje, familja Leota, mbërriti në Havai në ditën e Vitit të Ri 1923. Vailina Leota shtatëvjeçare kujtoi: “Hera e parë kur e [pamë] tempullin … ishte pamja më e bukur”3. Vetëm dy javë më vonë, prindërit e Vailinës, Aivao dhe Matala, morën dhurimet e tyre e u vulosën si çift dhe fëmijët e tyre iu vulosën atyre. Familja Leota shërbeu besnikërisht në shtëpinë e Zotit për 50 vjet dhe [pjesëtarët e saj] u varrosën “pranë tempullit që ata e donin kaq shumë”4. Sot, qindra prej pasardhësve të tyre besnikë jetojnë në mbarë Havain.

Një Detyrë e Pamundur

Ndërkohë që shumë anëtarë në Paqësor e lanë atdheun e tyre dhe emigruan për në Havai, shumë lagje dhe degë nga kombe të ndryshme organizuan udhëtime në grup, të quajtura ekskursione, për në tempull. Kjo formë shpirtërore e mbledhjes siguroi një mënyrë se si anëtarët e Kishës të udhëtonin për të marrë ordinancat e tempullit dhe pastaj të ktheheshin në shtëpi për ta ndërtuar Kishën në vetë kombet e tyre.

Gjatë përkushtimit, Presidenti Grant u lut që Zoti të hapte rrugën për shenjtorët në Zelandën e Re dhe në të gjithë ishujt e Paqësorit dhe për të siguruar gjenealogjitë e tyre kështu që ata të mund të vinin në tempull dhe të bëheshin shpëtimtarë për paraardhësit e tyre.

Ekskursionet për në tempull filluan me një grup shenjtorësh maori në Zelandën e Re vetëm gjashtë muaj pas përkushtimit. Edhe pse 5 000 milje (8 045 km) larg nga Havai, këta shenjtorë u ngazëllyen nga lajmi i përkushtimit.

Vaimate dhe Heeni Anaru ishin të etur të ishin pjesë e grupit të parë që udhëtonte për në tempull. Por detyra dukej e pamundur për shkak të varfërisë së familjes dhe shumës së kërkuar prej 1 200 paundësh të Zelandës së Re për udhëtimin – një shumë e majme. Atyre u nevojitej një mrekulli.

Për vite familja Anaru e ndoqi këshillën e profetit dhe mblodhi dokumentet e saj gjenealogjike. Këto dokumente pastaj mbetën në pirgje ndërkohë që familja Anaru priste të ndodhte një mrekulli. Biri i tyre, Vivini, e njihte besimin e prindërve të tij: “Nëna kurrë nuk u dëshpërua se një ditë [nuk] do të gjunjëzohej me Babanë në një altar tempulli”.

Një mrekulli ndodhi vërtet. Vaimate fitoi një kontratë nga qeveria e Zelandës së Re për një projekt të madh të zhvillimit të territorit. Të ardhurat e tij nga ky projekt siguruan të holla të mjaftueshme, të paguara paraprakisht, sa të mbulonin koston e udhëtimit për në Havai. Vaimate dhe Heeni e mposhtën frikën e tyre për udhëtimin nëpër oqean dhe shkuan në Havai me një grup prej14 shenjtorësh në maj 1920. Ata i morën dhurimet e tyre dhe u vulosën. E pamundura kishte ndodhur.

Historia e familjes Anaru është vetëm një nga mijëra historitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që udhëtuan për në Tempullin e Lajes në Havai për të marrë ordinancat dhe për të pretenduar premtimet e dhëna nga Zoti në shtëpinë e Tij. Kjo kërkoi sakrificë të madhe por bëri shenjtorë më të fortë që u kthyen në atdheun e tyre të përgatitur për ta udhëhequr Kishën.5

Ndërtimi i Lajes

Përpjekjet e Kishës për të krijuar Lajenë moderne vazhduan t’i bekojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme në mbarë Paqësorin. Në vitet 1950 dhe 1960, misionarë nga Havai, Tonga, Samoa, Zelanda e Re, Tahiti, Ishujt Kuk, Fixhi dhe Amerika Veriore u thirrën që të jepnin talentet e tyre kulturore dhe aftësitë për ndërtim që të ndihmonin për ndërtimin e Kolegjit të Kishës në Havai (tani Universiteti “Brigam Jang” – Havai), Qendrës Kulturore Polineziane dhe një qendre të re vizitorësh në tempull. Dyzet e shtatë misionarë nga Tonga dhe Samoa i morën ordinancat e tyre të tempullit më 3 maj 1960 – një shembull i bekimeve shpirtërore që e shoqëruan punën e tyre materiale (shih Building Missionaries in Hawaii, 1960–1963, Church History Library, Solt‑Lejk‑Siti, f. 100).

Një misionar, Mate Te‘o, u dogj keq përpara se të largohej nga Samoa, por ai erdhi në Havai gjithsesi. Mjekët patën frikë se mund të kishin nevojë ta pritnin dorën e tij të zhuritur. Shumë prej shokëve të tij misionarë u lutën për të. Ndërkohë që ishte në tempull, Vëllai Teʻo i thirri Zotit: “Preke këtë dorë”. “Rregulloje këtë dorë kështu që të mund të ndihmoj sado pak që të mundem.” Ai filloi të shërohej menjëherë. Sot dora e tij nuk ka asnjë vragë. Ai tani shërben si vulosës në Tempullin e Lajes në Havai dhe thotë: “Ky tempull … ka një ndikim të fuqishëm në mbarë këto komunitete jo vetëm këtu, por kudo nëpër Paqësor” (në Christensen, Stories of the Temple in Lāʻie, Hawaiʻi, f. 328–330).

Mbledhja Shpirtërore nga Azia

Pas Luftës II Botërore dhe rivendosjes së Kishës në Japoni, shenjtorët e atjeshëm organizuan ekskursionin e parë të Azisë për në tempull. Në vitin 1965, një aeroplan plot me 165 shenjtorë të përkushtuar udhëtoi nga Tokioja për në Havai që të merrnin ordinancat e tempullit. Ky udhëtim solli si rezultat forcë të pabesueshme për Kishën në Japoni. Nëntëdhjetë e pesë për qind e këtyre anëtarëve mbetën aktivë në Kishë. Më vonë, pesë u bënë presidentë tempulli në atdheun e tyre, përfshirë Plakun Joshihiko Kikuçi, Autoritetin e parë të Përgjithshëm nga Japonia.6

Në vitin 1970, një grup anëtarësh koreanë udhëtuan për në Laje. Çoi Uok Uani, një president dege, tha: “Ne shkuam në tempull dhe ai na hapi mendjen e na bëri të vetëdijshëm mbi mënyrën se si mund të marrim shpëtim. Plani i përjetshëm u bë realitet, dëshmitë tona janë forcuar aq shumë sa është e vështirë të shpjegohet. Çfarë bekimi i madh është për njerëzit e Koresë që të kenë mundësinë të marrin pjesë në tempull!”7

Pamja
Laie Hawaii Temple at night

Fotografi e gdhendjes dekorative në Tempullin havajan me mirësinë e Bibliotekës së Historisë së Kishës; fotografia në mbrëmje e Tempullit të Lajes në Havai nga Carla Johnson.

Mbledhja e Farefisit Tonë të Vdekur

Kur ordinancat e tempullit vihen në dispozicion të një kombi, ato ua sjellin bekimet e Zotit jo vetëm atyre që jetojnë në atë vend, por edhe atyre njerëzve nga ai komb që janë tani në anën tjetër të velit. Ky bekim është ndier nga anëtarët në vendet aziatike, ku kultura e tyre ka regjistruar me përpikëri të dhëna gjenealogjike prej shekujsh.

Prindërit e Kuai Shun Lungut migruan nga Kina për në Havai. Ai u lind në Kauai në vitin 1894 dhe u pagëzua në vitin 1944 në ditëlindjen e tij të 50‑të. Vëllai Lung dha mësim për historinë familjare në kishë dhe i tregoi klasës së tij: “Pata një vegim një natë në të cilin pashë shumë nga njerëzit e vdekur të fisit tim që ma bënin me shenjë të punoja për ta”. Tri ditë më vonë, ai mori dokumentin e gjenealogjisë së tij nga tetoja e tij në Kinë, 22 faqe me shkrime kineze që zbulonin paraardhësit e tij deri në vitin 1221 ps. K. Bashkë me birin e tij, Glenin, dhe gruan e të birit, Xhulinën, ata kanë përfunduar mijëra ordinanca në tempull për familjen e tyre. Glen dhe Xhulina Lungu shërbyen më vonë besnikërisht si presidenti dhe kryekujdestarja e Tempullit të Lajes nga viti 2001 deri më 2004.8

Rrotulla që Nuk do të Digjej

Miçi Eguçi erdhi në Havai nga Japonia nga fillimi i viteve 1900 dhe solli me vete një rrotull mëndafshi japoneze. Mbesa e saj, Kanani Kasej, shërbeu në një mision në Japoni dhe më vonë zbuloi se rrotulla e gjyshes së saj gjurmonte prejardhjen e familjes së saj deri thuajse një mijë vjet më parë.

Në vitin 2013, shtëpia e Kananit u rrafshua nga zjarri. Ajo dhe familja e saj humbën thuajse gjithçka nga zjarri. Ata e kishin ruajtur dokumentin e tyre të gjenealogjisë në qese plastike poshtë krevatit të tyre. Pas zjarrit, ata u kthyen në shtëpi, por gjetën vetëm një mal me hi dhe blozë.

“E vetmja gjë që vërtet shpresova të gjeja, ishte kopja e rrotullës me përkthimet dhe historinë e saj”, tha Kanani. “Më kishin siguruar se e gjithë puna në tempull ishte kryer tashmë për paraardhësit e mi japonezë, por kopja e rrotullës ishte shumë e çmuar për mua.”

Teksa Kanani dhe bashkëshorti i saj, Billi, kërkuan nëpër hi, ata më së fundi e gjetën një qese plastike blu. Brenda qeses ata gjetën kopjen e rrotullës bashkë me përkthimet dhe një libër të historisë familjare, në mënyrë mahnitëse ende të pacenuar. Rrotulla ishte vetëm pak e djegur tek anët, por ishte e vetmja gjë në dhomën e tyre të gjumit që mbijetoi.

Kanani e ndien se Zoti e ruajti rrotullën “për përfitimin e pasardhësve të mi si një dëshmi e dashurisë së Tij për ne dhe për të treguar rëndësinë që ka kryerja e punës për historinë familjare dhe e punës në tempull” (në Christensen, Stories of the Temple in Lāʻie, Hawaiʻi, f. 172–174).

Mbledhja nëpërmjet Arsimimit

Bekimet e Tempullit të Lajes në Havai u janë zgjatur edhe atyre që janë mbledhur në Laje për të marrë arsimim më të lartë. Që nga vitet 1950, dhjetëra mijëra studentë kanë ardhur nga mbarë Polinezia dhe Azia në atë që sot është UBJ – Havai. Shumë prej këtyre studentëve kanë kryer pagëzime për të vdekurit dhe kanë shërbyer si punonjës për ordinancat e tempullit. Tempulli i Lajes i ka ndihmuar studentët të zhvillojnë një dashuri për punën për historinë familjare dhe atë në tempull dhe i ka bekuar ata që të jenë më të përgatitur për të shërbyer kur tempujt të vijnë në atdheun e tyre.

Çun Çua Xhejmsi, me origjinë nga Singapori, erdhi në UBJ – Havai në vitet 1970 bashkë me motrën e vet. Që të dyja u martuan me burra nga vende të tjera në vitin 1978. Motra Xhejms reflektoi: “Martesa jonë në Tempullin e Lajes i bëri bashkë për kohën dhe gjithë përjetësinë dy të kthyer në besim dhe dy kultura – fillimi i asaj që ne shpresojmë se do të jetë një trashëgimi e gjatë e bekimeve të tempullit në familjen tonë. Martesat tona janë vetëm dy nga shumë qindra martesa të përjetshme që përfshijnë studentë nga UBJ – Havai, që janë kryer në Tempullin e Lajes, ndoshta një nga trashëgimitë e tij më të madhërishme gjatë gjashtëdhjetë vjetëve të ekzistencës së universitetit” (në Christensen, Stories of the Temple in Lāʻie, Hawaiʻi, f. 236).

Mbledhja Vazhdon

I vendosur në udhëkryqet e Paqësorit mes Amerikës dhe Azisë, Tempulli i Lajes në Havai ua ka hapur derën shumë kombeve për bekime të tempullit. Kështu që, mbledhja e Izraelit u bë kryesisht një mbledhje shpirtërore teksa anëtarët janë në gjendje të marrin bekimet e tempullit dhe pastaj të kthehen dhe ta ndërtojnë Kishën në vendet e tyre amtare. Kjo mundësi i ka dhënë ndihmesë zgjerimit të ungjillit të rivendosur te shumë kultura dhe popuj në të dyja anët e velit.

Teksa kremtojmë 100‑vjetorin e Tempullit të Lajes në Havai, kemi privilegjin të dëshmojmë një çast kulmor në Rivendosje dhe përmbushjen e profecisë së profetit Jakob në Librin e Mormonit: “Të mëdha janë premtimet e Zotit për ata që janë në ishujt e detit” (2 Nefi 10:21).

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 444–445.

  2. Shih James Adams Argyle, përmb., “The Writings of John Q. Adams”, f. 14, FamilySearch.org.

  3. Vailine Leota Niko, në Clinton D. Christensen, përmb. Stories of the Temple in Lāʻie, Hawaiʻi (2019), f. 70–71.

  4. Aivao Frank Leota (1878–1966), FamilySearch.org.

  5. Shih Christensen, Stories of the Temple in Lāʻie, Hawaiʻi, f. 64–65.

  6. Shih Christensen, Stories of the Temple in Lāʻie, Hawaiʻi, f. 114–117.

  7. Choi Wook Whan, në “Going to the Temple Is Greatest Blessing”, Church News, 17 prill 1971, f. 10.

  8. Shih Christensen, Stories of the Temple in Lāʻie, Hawaiʻi, f. 166.