2019
Miq që më Dhanë nga Drita e Tyre
Tetor 2019


Miq që më Dhanë nga Drita e Tyre

Autorja jeton në Baha Kalifornia, Meksikë.

Po ndihesha e frikësuar dhe vetmuar. Pastaj u shpërngula në një vend tjetër dhe shkova në Kishë për herë të parë pas një kohe të gjatë.

Po jetoja me mamin në një qytet të vogël në Meksikë ku të gjithë e njihnin njëri‑tjetrin. Dija ta dalloja të drejtën nga e gabuara, por isha e pështjelluar dhe e vetmja e re aktive në të gjithë qytetin.

Doja që të përshtatesha, ndaj bëra një gjë që atëherë kishte kuptim: të kisha një të dashur. Ky ishte vetëm njëri nga gabimet e para që fillova të bëja. Fillova t’i nënshtrohesha trysnisë së bashkëmoshatarëve dhe të besoja se isha aq e rritur sa të mendoja vetë, gjë që do të thoshte të bëheshe një e re joaktive, që jetonte në errësirë.

Jetova në errësirë për një vit, çdo ditë që kalonte bëhej më e zymtë. Vendimet e mia të këqija çuan në grindje me familjen dhe e kuptova se nuk mund të vazhdoja të jetoja më me ta. Por vetëm në kohën kur më vdiq një shok i ngushtë, shenjtor i ditëve të mëvonshme, e kuptova se po më mungonte diçka. Fatkeqësisht, fajësova Perëndinë dhe ungjillin. Ndalova së besuari se bekimet vijnë nga të qenit të bindur. E dija se po të mos vendosja që të filloja ta jetoja ungjillin, do të vazhdoja ta shpërfillja lidhjen time me Kishën dhe të vazhdoja të jetoja sipas mënyrës së botës.

Isha ulur në shtratin tim në një dhomë të errët, duke qarë dhe duke ndier keqardhje për veten kur e kuptova se kisha frikë – frikë ngaqë isha atje vetëm pa dikë me të cilin të flisja, frikë se nuk do të isha në gjendje t’i rregulloja të gjitha gabimet që kisha bërë, frikë se askush nuk do të më falte, veçanërisht Perëndia.

Përfundimisht, u shpërngula në Minesota, SHBA, te gjyshërit e mi, të cilët nuk janë anëtarë të Kishës. Njerku im udhëtoi me mua dhe të dielën e parë atje shkuam në kishë, por vetëm për mbledhjen e sakramentit. Nga fundi i mbledhjes e kisha vendosur tashmë që të mos shkoja më në Kishë, por për habinë time, pikërisht kur po shkonim te makina, pamë peshkopin të vraponte për të na arritur. Na bëri disa pyetje dhe na ftoi të vinim sërish të dielën e ardhshme – dhe ne shkuam.

Të dielën tjetër, sapo mbledhja e sakramentit po përfundonte, para se të çohesha, u rrethova nga të rejat e lagjes – të reja që do të më ndihmonin ta ndryshoja jetën.

Pamja
young woman by a path leading to a church in the distance

Ilustrimi nga Alberto Ruggieri

Papritur hyra në një botë krejtësisht ndryshe: një botë me një peshkop dhe një presidente të Të Rejave që u kujdesën për mua dhe, mbi të gjitha, të reja që u përpoqën ta jetonin ungjillin çdo ditë, që u përpoqën fort të jetonin standarde të larta dhe të qëndronin për të drejtën. Ata shkëlqyen aq shumë sa mund ta ndriçonin shtegun përpara meje.

Pikërisht në atë kohë e kuptova se çfarë duhej të bëja: “[Të lija] të shndri[ste] drita [ime] para njerëzve, që të shohin veprat [e mia] të mira dhe ta lëvdojnë Atin [tim] që është në qiej” (shih Mateu 5:16). Dhe kështu që fillova të shkoja në kishë dhe Aktivitetet e Përbashkëta çdo javë, ta lexoja Librin e Mormonit dhe të lutesha çdo ditë, të vishesha me thjeshtësi, të përdorja një fjalor më të mirë, të shkoja në tempull dhe të përgatitesha për të marrë bekimin tim patriarkal.

Kisha ndryshuar plotësisht, por nuk e kuptova këtë deri në kohën e kampit të Të Rejave kur e ndjeva Frymën e Shenjtë dhe zbulova se kisha një dëshmi – një dëshmi që do të më kujtonte se Perëndia më do, se Ai ka një plan për mua dhe se Ai nuk do që të jem vetëm. Një dëshmi aq e shndritshme dhe e fortë sa më ndryshoi. Një dëshmi për t’u treguar dhe që ndriçon jo vetëm shtegun tim por edhe atë të të tjerëve. Një dëshmi që nuk druhet të shkëlqejë në errësirë.