2019
Dy Faqe Plot me Mirënjohje
Tetor 2019


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Dy Faqe Plot me Mirënjohje

Elis Dalen

Jutë, SHBA

Pamja
man reading a letter

Ilustrimi nga Allen Garns

Babai im vuajti gjithë jetën nga vetëvlerësimi i ulët dhe ndjesia se ishte një njeri pa vlerë. Ai u rrit nga një baba i alkoolizuar, i cili shpesh i thoshte se sa i pavlerë mendonte se ishte ai. Fatmirësisht, babai im vetë kurrë nuk u bë i alkoolizuar, por ai asnjëherë nuk më tha mua dhe motrave e vëllezërve të mi se ishte krenar për ne ose të na lavdëronte për gjërat që kishim bërë mirë. Ndërsa rritesha, u përpoqa ta kënaqja, por gjithnjë ndieja se nuk mund të isha e mirë mjaftueshëm. Kjo na bëri të kishim një marrëdhënie të tensionuar.

Një vit, ia përmenda këtë peshkopit tim të urtë. Ai më këshilloi t’i shkruaja babai një letër duke i treguar atij të gjitha arsyet për të cilat isha mirënjohëse për të. Kjo nuk do të ishte aspak e lehtë për mua. Plagët e mia ishin të thella dhe nuk doja që letra ime e mirënjohjes të bëhej një letër pakënaqësie. Ndaj u luta. Me Shpirtin që më udhërrëfeu, arsyet për të cilat isha mirënjohëse për babanë tim, filluan të vërshonin. U desh kohë, por kur mbarova, kisha mbushur dy faqe plot.

E dërgova letrën time, duke mos e ditur se si do të reagonte babai. Por e dija se nuk mund ta zgjidhja reagimin e tij. Kisha nevojë thjesht të shihja brenda vetë zemrës sime dhe të kujtoja përse e kisha shkruar letrën.

Mëngjesin tjetër, mora një telefonatë nga njerka. Ajo po qante. Ajo më tha se babai e kishte lexuar letrën shumë herë. Ajo më tha se ai nuk mund të fliste me mua sepse po qante me dënesë.

“Faleminderit!” tha ajo. “Babai yt kishte nevojë për këtë.”

Më vonë atë ditë, babai më telefonoi për të më falënderuar. Ai më telefonoi çdo ditë, për ditë me radhë, për të shprehur se sa shumë domethënie kishte letra për të.

Do të doja të thosha që marrëdhënia jonë u rregullua për mrekulli, por ende kishim shumë punë për të bërë. Me kalimin e kohës, zemra ime filloi të shërohej dhe marrëdhënia jonë u përmirësua. Përfundimisht, isha në gjendje ta falja atë.

Disa vite më vonë, pas një beteje të jashtëzakonshme me kancerin, babai im vdiq. Jam e sigurt se tani ai po përjeton gëzim të madh ndërsa Shpëtimtari e ndihmon të shërohet nga vitet e keqtrajtimit. Unë e di se kam përjetuar shërim nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit. Shpëtimtari i kupton nevojat tona dhe mund të na ndihmojë ta heqim helmin e lëndimeve dhe pakënaqësive nga shpirtrat tanë. Unë e di se mirënjohja, falja dhe dashuria janë melheme të fuqishme.