Një Kësulë e Bardhë për Florencën
Autorja jeton në Miçigan, SHBA.
Trembëdhjetëvjeçarja Florenca Onijekue mbërriti në vendin e saj të zakonshëm, në tregun e hapur të mbushur me njerëz në Onitsha, Nigeri. Rruga ishte e mbushur me shitës që thërrisnin blerësit e ngarkuar. Gratë mbanin ekuilibrin me dengjet mbi kokë ndërsa ecnin. Shkolla sapo kishte mbaruar prej pushimeve dhe Florenca e dinte se miqtë e saj po e shijonin shkëputjen nga orët mësimore. Por Florenca i kaloi pushimet duke shitur barishte këtu në treg. Ishte mundësia e saj e vetme për të fituar para për tarifat e shkollës.
Megjithatë, Florenca nuk u ankua. Në fund të fundit, nëna e saj kalonte orë të shumta në treg çdo ditë duke shitur patate të ëmbla për të blerë ushqime për familjen. Nëna punonte shumë. Të dy prindërit e saj punonin shumë. Por ngaqë nuk kishin shumë arsimim, vetëm kaq mund të bënin. Florenca ishte thuajse duke e mbaruar shkollën 9 vjeçare. Ndoshta po të mund ta vazhdonte shkollën, ajo mund të gjente një punë me pagë të mirë dhe ta ndihmonte familjen e saj.
Kur u kthye në shtëpi, Florenca gjeti [ku ishin] prindërit dhe i pyeti: “A mendoni se mund të shkoj në shkollë të mesme? Dhe ndoshta në universitet?”
Mamaja pa nga Nnami (babai) dhe tundi kokën. “Universiteti kushton shumë më tepër nga sa kemi”, tha Nnami. Florenca uli sytë te këpucët. Ajo nuk donte që mamaja dhe Nnami ta shihnin se sa e zhgënjyer ishte.
Disa ditë më vonë, Florenca ndaloi në spital për të marrë disa ilaçe. Spitali ishte thuajse aq i ngarkuar sa tregu, ndonëse jo me aq zhurmë. Florenca ia nguli sytë infermiereve me kapele të vogla, të bardha. Ajo e përfytyroi veten me një uniformë të tillë, duke ndihmuar të sëmurët dhe duke u kujdesur për foshnjat në një spital të madh. Ndoshta ajo mund të bëhej infermiere.
Florenca e dinte se prindërit e saj kishin të drejtë – arsimimi i saj do të ishte e vështirë. Por Florenca dinte se si të punonte fort. Ajo vendosi të përpiqej.
Pavarësisht se sa shumë e zënë me punë ishte gjatë ditës, Florenca gjeti kohë për të studiuar. Ajo i kaloi provimet [e pranimit] për shkollën e mesme dhe Nnami mori borxh aq para sa duheshin që ajo të shkonte në shkollë. Më vonë ajo zbuloi se qeveria do të ndihmonte për të paguar shkollën e infermierisë. Ëndrra e saj ishte e mundur!
Por kur erdhi koha që të fillonte shkollën e infermierisë, Florenca ndjeu pak dyshim. Po sikur të ishte shumë e vështirë? Po sikur të ishte e vetme? Florenca përkuli kokën dhe u lut: “I dashur Perëndi, të lutem, më jep forcën për të shkuar në shkollën e infermierisë dhe për të punuar fort”.
Në shkollën e infermierisë, Florenca mësoi se si të jepte ilaçe dhe t’i mbante mjetet të pastra nga mikrobet. Ndonjëherë pacientët e saj përmirësoheshin por ndonjëherë nuk ndodhte. Florenca u lut shpesh për të marrë zemër. Pas tre vitesh të gjata, Florenca u diplomua me çmimin “Studentja e dalluar e klasës”. Ëndrra e saj ishte bërë realitet! Ajo arriti të vinte kësulën e bardhë të infermieres dhe ishte në gjendje të fitonte para të mjaftueshme për të ndihmuar familjen.
Shumë vite më vonë, Florenca vizitoi një degë të vogël në Misionin e Ganës, Akra. Bashkëshorti i saj, Kristofer Çukuarah, ishte president misioni atje. Florenca takoi disa fëmijë në degë që nuk mund të shkonin gjithmonë në shkollë. Ata nuk ishin të sigurt se çfarë të bënin në të ardhmen. Ata i kujtuan Florencës veten kur ishte fëmijë. “Çfarë mund të them për t’i ndihmuar?” Florenca u lut në heshtje.
Pastaj ajo ndjeu një nxitje të qartë: “Tregoju për jetën tënde”.
Florenca mendoi për jetën e vet. Ajo kishte punuar në spitalet në Nigeri dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo ishte martuar me një njeri të mirë dhe së bashku kishin gjetur Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo ishte bërë nënë. Tani ajo po i ndihmonte misionarët/et që të qëndronin të shëndetshëm/me dhe të punonin fort. Ati Qiellor e kishte ndihmuar atë të bëhej infermiere. Ai e kishte ndihmuar atë më shumë nga sa e kishte përfytyruar. Ai mund të bënte të njëjtën gjë për këta fëmijë.
Florenca pa fëmijët dhe buzëqeshi. “A i keni parasysh kësulat e bardha që mbajnë infermieret? Pashë një kësulë si ajo dhe vendosa të bëhem infermiere. …”