2019
Dalja në Takime dhe Pornografia
Tetor 2019


Të Rinjtë në Moshë Madhore

Dalja në Takime dhe Pornografia

Ndihmë dhe shpresë për përballjen me pornografinë në marrëdhëniet që krijohen nga daljet në takime.

Pamja
young man speaking to a young woman

Fotografitë dhe ikonat nga Getty Images, përdorur për qëllime ilustruese, pozuar nga modelë

Si të rinj e të reja në moshë madhore, të gjithë ne e dimë se dalja në takime mund të jetë emocionuese, frikësuese, përmbushëse dhe stresuese, të gjitha në të njëjtën kohë. Kur fillojmë të flasim hapur me njëri‑tjetrin, natyrshëm dëshirojmë të dimë më shumë për njëri‑tjetrin dhe rritja e cenueshmërisë është e rëndësishme në ndërtimin dhe thellimin e marrëdhënieve. Cilat janë ëndrrat, gjërat që na frikësojnë dhe bindjet tona? Si ndihemi për martesën dhe familjen? Me çfarë sfidash jemi përballur në të shkuarën apo tani të cilat duhet t’ia tregojmë njëri‑tjetrit?

Sado frikësuese të mund të jetë të flasësh (ose të pyetësh) për problemet me pornografinë, të mos flasësh për të mund të çojë në probleme shkatërruese më vonë. Secili problem vetjak me pornografinë është i pashoq dhe sfidues dhe ju mundet që as mos ta dini a është problem apo si ta hapni diskutimin me personin me të cilin/ën po dilni në takime, kështu që është e rëndësishme që ju të kërkoni udhërrëfim nga Shpirti. Nuk ka një zgjidhje të vetme për çdo situatë, por në këtë artikull, ne japim disa sugjerime për ata prej jush që mund të jenë duke pyetur veten:

  • Si mund t’i qasem temës së pornografisë me personin me të cilin/ën po dal në takime? Dhe kur është e përshtatshme të pyes/tregoj?

  • Si mund ta di nëse duhet ta vazhdoj një marrëdhënie me dikë që ka një histori me përdorimin e pornografisë?

  • Si mund të punojmë së bashku për ta kapërcyer pornografinë?

Për Ata që Kanë Luftuar ose po Luftojnë Tani

Nëse keni luftuar me pornografinë në të shkuarën ose nëse po luftoni tani, mendimi që të dilni në takime mund t’ju sjellë një ndjesi të mungesës së shpresës ose një ndjesi ankthi. Por nëse keni një dëshirë të sinqertë që ta largoni pornografinë nga jeta juaj (ose e keni larguar tashmë atë), dijeni se me vetë përpjekjet tuaja dhe me ndihmë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, një marrëdhënie e shëndetshme që zgjat është e mundur për ju. Merrini parasysh pyetjet që vijojnë kur kërkoni një marrëdhënie.

1. A Kemi Vërtet Nevojë të Flasim për Të?

Një pyetje e zakonshme është: “A më duhet vërtet t’ia tregoj historinë time me përdorimin e pornografisë personit me të cilin/ën po dal në takime, edhe nëse jam penduar për të?” Ose: “A më duhet të flas për problemet e tanishme me pornografinë me personin me të cilin/ën po dal në takime?” Në përgjithësi është e nevojshme të diskutohet – në kohën e duhur dhe me ndjeshmëri. Teksa keni këtë bashkëbisedim, mbani në mendje disa parime të rëndësishme:

  • Koha – Bashkëbisedimi duhet të ndodhë kur marrëdhënia përparon te një fazë serioze që do ta kërkonte atë natyrshëm.

  • Ndershmëria – Marrëdhëniet duhet të bazohen te mirëbesimi dhe ndershmëria. Edhe pse personi me të cilin/ën po dilni në takime mund të zgjedhë t’i japë fund marrëdhënies, ai/ajo ka nevojë ta kuptojë natyrën e problemit, përparimin tuaj të tanishëm në trajtimin e tij dhe planin tuaj për t’u përballur me të nëse ju shfaqet sërish në të ardhmen.

  • Falja – Të qenit të ndershëm me personin me të cilin/ën po dilni në takime mbi faktin që përdorni pornografi, nuk do të thotë se nevojitet të jepni hollësi të gjalla kur diskutoni për të. Nëse jeni penduar dhe e ndieni se keni marrë falje, nuk duhet të ndiheni më fajtor/e për të. Zoti nuk i kujton mëkatet tona pasi ne të jemi penduar për to (shih Doktrina e Besëlidhje 58:42), kështu që diskutimi juaj me personin me të cilin/ën po dilni në takime, ka të bëjë më pak me “rrëfimin” dhe më shumë me ndërtimin e mirëbesimit, të treguarit e planeve tuaja për një proces përtëritjeje në vazhdim dhe sigurimit të përkrahjes së tij/saj.

  • Shërimi – Edhe pse jeni penduar, përdorimi i zgjatur ose i ngjeshur i pornografisë mund të ketë pasoja afatgjata biologjike, psikologjike, shoqërore dhe shpirtërore. Procesi i shërimit mund të kërkojë shumë punë dhe kohë të gjatë, por përtëritja e plotë dhe shërimi i vërtetë janë të mundur. Gjatë atij procesi, juve do t’ju nevojitet ndihmë dhe përkrahje e përshtatshme, të cilat duhet ta përfshijnë bashkëshortin/en tuaj të mundshëm/me.

2. A Jam Gati për një Marrëdhënie Serioze?

Një nga ndryshimet më të mëdha mes dikujt që është gati për një marrëdhënie serioze dhe dikujt që nuk është, është gatishmëria e tij/saj për të qenë transparent me personin me të cilin/ën po del në takime. Nëse po luftoni me pornografinë, ju mundeni që ose ta lejoni frikën ta çojë marrëdhënien tuaj në një pikë mosbesimi ose ta përdorni besimin për t’i përballuar sfidat së bashku.

Edhe pse mund të jetë e parehatshme dhe e frikshme ta tregoni historinë tuaj me pornografinë, shmangia e kësaj mundet që vetëm t’i thellojë ndjenjat tuaja të frikës dhe turpit. Frika juaj se mos e humbni atë person madje mund të bëjë që ju ta mohoni ose ta shmangni tregimin e të gjithë historisë, gjë që mund ta thyejë mirëbesimin dhe ta dëmtojë marrëdhënien tuaj më vonë.

Nga ana tjetër, kur e respektoni lirinë e zgjedhjes së personit me të cilin/ën po dilni në takime, ju do ta respektoni zgjedhjen e tij/saj për ta vazhduar marrëdhënien duke i ditur që të dyja, të mirën dhe të keqen. Ju ende mund t’i frikësoheni asaj që mund të ndodhë, por është e rëndësishme ta dalloni se, pasi është dhënë gjithë informacioni, personi tjetër gjithashtu mund t’ju ndihmojë në përpjekjet dhe dëshirën tuaj për ta larguar pornografinë nga jeta juaj. Por qoftë nëse marrëdhënia funksionon ose jo, me ndihmën e Perëndisë, ju mund të vazhdoni në shtegun e përtëritjes.

Për Ata që po Dalin në Takime me Dikë që Ka Pasur Probleme

Për shkak se mosha mesatare e ekspozimit të parë ndaj pornografisë është rreth moshës 11 vjeç dhe është kaq e lehtë qasja, shumica e të rinjve dhe të rejave kanë qenë të ekspozuar ndaj pornografisë në ndonjë mënyrë deri në moshën 18 vjeç. Kjo mund të jetë shqetësuese për sa i përket daljes në takime. Por ekspozimi nuk është njëlloj si varësia dhe ka nivele të ndryshme të përfshirjes me pornografinë (shih Dallin H. Ouks, “Shpëtimi nga Kurthi i Pornografisë”, Liahona, tetor 2015, f. 50–55). Lajmi i mirë është se Shlyerja e Jezu Krishtit mund të sigurojë forcë dhe shërim për të gjithë ata që e kërkojnë atë. Këtu janë disa pyetje për t’u marrë parasysh teksa marrëdhënia juaj përparon.

1. Kur dhe Si Duhet të Pyes Unë për Pornografinë?

Marrja e vendimit mbi çastin dhe mënyrën se si ta hapni këtë diskutim me personin me të cilin/ën po dilni në takime, mund të jetë diçka që ta diskutoni me prindërit tuaj, motrat e vëllezërit më të mëdhenj, udhëheqësit e Kishës, ose cilindo tjetër ku keni mirëbesim që të japë këshillë të mirë. Gjeni një mënyrë që duket e drejtë për ju dhe pastaj bëjeni atë bashkëbisedim në një kohë të përshtatshme, teksa i kushtoheni vetëm kësaj marrëdhënieje ose bëheni më seriozë në marrëdhënien tuaj.

Kjo nuk do të thotë se keni nevojë ta filloni një dalje të parë në takime me një marrje në pyetje për të shkuarën e tij/saj, por teksa marrëdhënia juaj përparon, ju mund të kërkoni frymëzimin e Shpirtit për t’ju ndihmuar ta dini se në ç’mënyrë dhe kur të kërkoni për historinë e tij/saj me pornografinë.

Pamja
hands holding two torn pieces of a photograph

2. Si Duhet të Reagoj?

Kur ju dhe personi me të cilin/ën po dilni në takime, filloni të tregoni ndjenjat tuaja të ndershme, kjo mund të sjellë shërim. Është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për vetë mendimet dhe ndjenjat tuaja teksa nxirret në shesh përdorimi i pornografisë – kjo mund të shkaktojë që ju të bëheni kritikues/e, i/e inatosur, i/e mpirë, apo të ndiheni i/e mashtruar. Por në të njëjtën kohë, nxjerrja në shesh prej tyre gjithashtu mund ta rritë mirëbesimin, dhembshurinë, dashurinë dhe ndjeshmërinë mes jush. Merrini parasysh ndjenjat e tij/saj dhe tuajat teksa reagoni.

3. Si të Bëj Përpara?

Të zbuloni se personi me të cilin/ën po dilni në takime, ka një problem me pornografinë duhet të jetë një arsye për t’u shqetësuar, por mos e tradhtoni mirëbesimin e tij/saj duke ia treguar luftën vetjake të tij/saj njerëzve të tjerë. Komunikimi në mirëbesim me një peshkop apo terapist, ose, me lejen e personit me të cilin/ën po dilni në takime, me një mik ose udhëheqës të mirëbesuar, mund të jetë gjithashtu i dobishëm.

Kur të vendosni a ta vazhdoni marrëdhënien ose jo, ju vazhdimisht duhet të kërkoni udhërrëfim nga Shpirti. Por sugjerimet vijuese gjithashtu mund të jenë të dobishme:

  • Pyetini ata se sa shumë ka ndikuar pornografia te jeta e tyre dhe se ku janë në procesin e shërimit. Ka nevojë që ata ta kenë treguar dëshirën e tyre për ta hequr pornografinë nga jeta e tyre duke ndërmarrë çfarëdo veprimesh të duhura e të domosdoshme.

  • Dallojeni se disa forma të përdorimit të pornografisë (për shembull pornografia me fëmijë) janë një tregues madhor se personi ka nevojë për ndihmë profesionale dhe mund të jetë i/e rrezikshëm/me.

  • Kuptojeni se fuqia e Shlyerjes së Shpëtimtarit është e vërtetë. Ju mund të falni dhe ata mund të shërohen.

  • Merrni vendim se ju nuk do të zgjidhni asgjë tjetër përveç ndershmërisë së plotë në marrëdhënien tuaj dhe denjësisë për t’u martuar në tempull.

  • Kuptojeni se shërimi dhe përtëritja do të kërkojnë kohë. Përsëritjet e sjelljes mund të ndodhin dhe ata që po përpiqen në procesin e përtëritjes, do të kenë nevojë për përkrahje. Kjo përfshin të kuptoni faktorët e tyre shkrepës (gjërat që mund të shkaktojnë që ata t’i kthehen pornografisë) dhe t’i përkrahni ose ndihmoni që të marrin masat mbrojtëse të përshtatshme.

  • Nëse marrëdhënia juaj po përparon drejt martesës, sigurohuni që, që të dy, të bini dakord se pornografia është e papranueshme dhe nuk pasqyron një marrëdhënie seksuale martesore të shëndetshme.

Pjesa më e rëndësishme e bërjes përpara është mbështetja në atë që Fryma e Shenjtë ju nxit të bëni, e cila mund të jetë çfarëdo lloj gjëje, që nga vazhdimi i marrëdhënies me një kuptueshmëri se përdorimi i materialeve pornografike duhet të ndalojë, deri te përfundimi i marrëdhënies por vazhdimi i përkrahjes së përpjekjeve të tjetrit/ës për të ndryshuar. Çfarëdo që të vendosni, personi me të cilin/ën po dilni në takime, duhet ta kuptojë se gjërat mund të ndryshojnë në varësi nga përparimi i tij/saj ose mungesa e përparimit për kapërcimin e pornografisë.

Puna së Bashku për ta Kapërcyer Pornografinë

Kapërcimi i pornografisë mund të kërkojë kohë dhe shumë punë, por është i mundur. Dhe së fundi, puna së bashku për ta kapërcyer atë, mund ta forcojë marrëdhënien tuaj teksa ju të dy fitoni një kuptueshmëri më të thellë për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe mësoni ta përkrahni njëri‑tjetrin përmes kundërshtive. Merrini parasysh sa vijojnë teksa punoni për ta kapërcyer atë së bashku:

  • Faqja e internetit e Kishës overcomingpornography.ChurchofJesusChrist.org jep shumë burime (përfshirë informacion mbi programin e Kishës për shërimin nga varësitë) që mund t’ju ndihmojnë që të dy ju të lundroni në këtë proces shërimi.

  • Merreni parasysh të keni një vend dhe kohë të veçantë që të diskutoni mbi pornografinë, kështu që kjo gjë të mos bëhet qendra e marrëdhënies suaj. Kur të flisni për të, mos e poshtëroni tjetrin/tjetrën as mos e trajtoni me përçmim. Marrëdhënia juaj duhet të jetë një vend i sigurt ku ju që të dy të mund ta ndieni se ju duan dhe ju përkrahin, jo ku ju marrin në pyetje ose jua ulin vlerat.

  • Praktikat shpirtërore mund të ndihmojnë për të siguruar një mbrojtje kundër tundimit. Nxiteni njëri‑tjetrin që të mbani e forconi zakone të rregullta shpirtërore – përfshirë studimin kuptimplotë të shkrimeve të shenjta dhe adhurimin në tempull (kur është e mundur), respektimin e ditës së Shabatit, shërbimin ndaj të tjerëve, agjërimin e qëndrueshëm dhe lutjen e sinqertë – me një dëshirë në rritje për ta forcuar marrëdhënien tuaj me Shpëtimtarin dhe Atin Qiellor. Ajo marrëdhënie mund të ndihmojë për ta pakësuar ndikimin e pornografisë në jetën tuaj. Dishepullimi është një kërkim që zgjat gjithë jetën dhe forca që marrim si ndjekës të Krishtit do të na ndihmojë t’i kapërcejmë të gjitha sfidat tona në jetë, jo vetëm pornografinë.

  • Nëse vetë përpjekjet tuaja nuk dalin me sukses, mos kini frikë apo turp të kërkoni ndihmën e një profesionisti të shëndetit mendor të trajnuar në fushën e varësisë seksuale. Ai mund të jetë në gjendje t’ju ndihmojë për të marrë më shumë këndvështrim për trajtimin e përdorimit të pornografisë dhe zgjidhjen e shkaqeve nga ka ardhur kjo.

  • Kujtoni se jemi të rrethuar nga materiale të papërshtatshme argëtuese që na tundojnë të mëkatojmë. Nëse personi me të cilin/ën po dilni në takime, i rikthehet përdorimit, koha se sa shpejt kthehet në rrugën e drejtë është një tregues i mirë i zotimit të tij/saj për ta shporrur pornografinë nga jeta e tij/saj. Por nëse filloni ta ndieni se keni më shumë shtysë për të parë ndryshim nga sa ka ai/ajo, ju duhet ta rishqyrtoni vazhdimin e marrëdhënies suaj që krijohet nga dalja në takime.

  • Ndikimi juaj te personi me të cilin/ën po dilni në takime, mund të jetë shumë i fortë, por ai nuk duhet të jetë arsyeja kryesore për ndryshimin e sjelljes prej tij/saj. Dëshira e tij/saj për ndryshim duhet të vijë nga brenda, jo nga ju.

Mbi të gjitha, kërkoni udhërrëfim nga Ati Qiellor dhe kujtoni se ka gjithmonë shpresë nëpërmjet Shpëtimtarit. Hiri i Tij mjafton për të na shëruar e ndryshuar. Shlyerja e Tij është në dispozicion për të dy ju që t’ju japë forcë dhe t’ju ndihmojë të falni. Megjithatë, personi që po kalon probleme me pornografinë, ka nevojë ta kërkojë në mënyrë aktive ndihmën e Shpëtimtarit që ta kapërcejë atë. Askush tjetër nuk mund ta bëjë atë për të. Kini besim dhe mirëbesojini Atit Qiellor. Ai do t’ju udhërrëfejë në situatën tuaj të pashoqe.