2019
Nga Mujsharë tek të Pagëzuar
Tetor 2019


Nga Mujsharë tek të Pagëzuar

Miqësia dhe shembulli juaj i drejtë do t’i bekojë shokët dhe shoqet tuaja dhe brezat që do të vijnë.

Pamja
young men tempting Hugo to smoke

Ilustrimet nga Brooke Smart

Kur isha 17 vjeç, u përballa me trysni të lartë nga bashkëmoshatarët në shkollën e mesme. Shokët që kisha, nuk kishin të njëjta vlera si të miat. Unë dhe shokët e mi morëm pjesë në shumë veprimtari të përshtatshme së bashku si duke luajtur basketboll ose futboll. Por ata gjithashtu pinin alkool dhe duhan – dy gjëra që nuk i bëja me ta.

Një ditë, grupi ynë ishte jashtë [ndërtesës së] shkollës duke studiuar për një provim që do të bënim më vonë atë ditë. Me mua ishin dy prej shokëve të mi më të ngushtë, Huani dhe Françiskoja (emrat janë ndryshuar). Në një çast, dikush nxori çakmak dhe cigare. Mendova se shokët e mi ishin mërzitur me studimin dhe kishin harruar që isha edhe unë atje. Mësova se e kisha gabim kur u kthyen nga unë dhe thanë: “Tani është koha që Hugoja të mësojë se si të pijë duhan”.

Përpara se madje të kisha mundësinë të reagoja, Huani dhe Françiskoja kërcyen drejt meje dhe më kapën krahët, secili nga njëra anë. M’i mbajtën krahët poshtë ndërsa njëri futi me forcë një cigare midis buzëve të mia. Trupi im menjëherë e refuzoi atë dhe e pështyva cigaren në tokë, larg nga vetja. Shpejt pas kësaj, ndjeva goditjen e një grushti drejt e në mollëz. Më kërcënuan, duke më thënë: “Do ta ndezim sërish cigaren dhe ti do të mësosh ta thithësh. Mos e flak në tokë. Po e bëre, nuk do të shkojë mirë kjo punë.”

Në atë çast, e dija që isha në telashe. Mbylla sytë dhe bëra një lutje të shpejtë duke kërkuar njëfarë ndihme. Sapo mbarova lutjen, makina e mësueses sonë frenoi dhe parkoi afër nesh. Mësuesja doli nga makina dhe na pyeti se çfarë po bënim. Shokët më lëshuan. “Po bëhemi gati për provimin”, e siguruan ata mësuesen. Shkuam në shkollë dhe e bëmë provimin dhe situata mori fund me aq.

Pavarësisht se sa e vështirë ishte ajo përvojë, i fala shokët e mi për atë që bënë. E dija se ata nuk i kuptonin standardet e mia dhe vendimin tim për ta jetuar Fjalën e Urtësisë, ndaj i fala dhe zgjodha që të mos kisha asnjë ndjenjë të keqe ndaj tyre. Kur mbaruam shkollën, u largova për në misionin tim por vazhdova të komunikoja me Huanin dhe Françiskon. U shkrova atyre letra të shpeshta duke iu treguar për ungjillin dhe dëshminë time për Jezu Krishtin. I ftova të pendohen dhe të marrin pjesë në Kishë. Për habinë time të madhe, njëri prej tyre faktikisht shkoi.

Shpesh i kisha ftuar shokët e mi në mbledhjet e së dielës më parë, por asnjëri nuk kishte pranuar deri atëherë. Ndonëse nuk mund të merrja pjesë me Huanin, vëllezërit e mi dhe babai im ishin atje për ta ndihmuar dhe për t’i bërë shoqëri. Familja ime e pranoi atë dhe Huani u ndje shumë rehat në kishë. Ai filloi të ndryshonte pak e nga pak derisa mori vendimin për t’u pagëzuar. Isha i ngazëllyer për të dhe madje edhe më i ngazëllyer kur më tha se kishte mësuar ta donte Jezu Krishtin për shkak të letrave të mia. Kur u ktheva në shtëpi nga misioni, i qëndrova pranë edhe Françiskos dhe pas njëfarë kohe, ai dhe gruaja e tij u pagëzuan gjithashtu. Sot, Huani dhe Françiskoja janë ende dy nga shokët e mi më të ngushtë.

Këto ngjarje ndikuan në jetën time. Mësova se mënyra më e mirë për të ndikuar në jetën [e të tjerëve] është të jetosh me drejtësi, t’i duash të tjerët dhe të ndihmosh. Broshura “Për Forcën e Rinisë” thotë: “Që të keni miq të mirë, jini një mik i mirë. Tregoni interesim të sinqertë për të tjerët; buzëqeshni dhe bëjuani të ditur se interesoheni për ta.”1 Kjo është ajo që më ndihmoi Zoti të bëja me Huanin dhe Françiskon. Për shkak të kësaj, unë kam dy shokët më të mirë që kam njohur ndonjëherë dhe tani po punojmë së bashku për të përkrahur mbretërinë e Perëndisë si anëtarë të Kishës.

Gjithnjë mbajini standardet e Kishës edhe nëse jeni në një situatë shumë të vështirë sikurse isha unë. Broshura “Për Forcën e Rinisë” udhëzon: “Ndërsa kërkoni që të jeni mik me të tjerët, mos bëni kompromis me standardet tuaja. Nëse miqtë tuaj ju nxisin të bëni gjëra që janë të gabuara, jini ai që me besim bën atë që është e drejtë.”2 Edhe nëse duket se çdo njeri tjetër po bën atë që është në kundërshtim me urdhërimet, qëndroni të fortë sepse shembulli juaj është i fuqishëm. Jini ai lloj shembulli për të cilin shokët dhe shoqet tuaja mund të mendojnë gjatë kohëve të tyre të nevojës. Në disa raste si rasti im, miqësia juaj mund të jetë pikërisht ajo që i ndihmon ata të mësojnë, të pendohen dhe të kthehen në besim.

Shënime

  1. Për Forcën e Rinisë (2011), f. 16.

  2. Për Forcën e Rinisë, f. 16.