2020
Sigurimi i një Gjykimi të Drejtë
maj 2020


Sigurimi i një Gjykimi të Drejtë

Që të sigurohet një gjykim i drejtë, flijimi shlyes i Shpëtimtarit do t’i heqë gëmushën e paditurisë dhe gjembat e dhembshëm të lëndimit të shkaktuar nga të tjerët.

Libri i Mormonit na Mëson Doktrinën e Krishtit

Tetorin e kaluar, Presidenti Rasëll M. Nelson na nxiti të merrnim në shqyrtim se si jeta jonë do të ishte e ndryshme nëse “njohuria [jonë] e fituar nga Libri i Mormonit do të hiqej befas”1. E kam përsiatur pyetjen e tij, sikurse jam i sigurt se e kanë përsiatur shumë prej jush. Një mendim më ka ardhur vazhdimisht – pa Librin e Mormonit dhe qartësinë e tij lidhur me doktrinën e Krishtit dhe flijimin e Tij shlyes, ku do të drejtohesha për paqe?

Doktrina e Krishtit – që përbëhet nga parimet dhe ordinancat shpëtuese të besimit te Krishti, të pendimit, pagëzimit, dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund – jepet mësim shumë herë në të gjitha shkrimet e shenjta të Rivendosjes, por me fuqi të veçantë në Librin e Mormonit.2 Doktrina fillon me besimin te Krishti dhe secili prej elementeve të saj varet nga mirëbesimi te flijimi i Tij shlyes.

Siç ka dhënë mësim Presidenti Nelson: “Libri i Mormonit jep kuptueshmërinë më të plotë dhe më të besueshme për Shlyerjen e Jezu Krishtit që gjendet në ndonjë vend”3. Sa më shumë që kuptojmë rreth dhuratës hyjnore të Shpëtimtarit, aq më shumë do të arrijmë të dimë, në mendjen tonë dhe në zemrën tonë4 për realitetin e sigurisë së Presidentit Nelson se “të vërtetat e Librit të Mormonit kanë fuqinë ta shërojnë, ngushëllojnë, rivendosin, ndihmojnë, forcojnë, përkrahin dhe gëzojnë shpirtin tonë”5.

Shlyerja e Shpëtimtarit i Plotëson të Gjitha Kërkesat e Drejtësisë

Një ndihmesë jetike dhe paqedhënëse e Librit të Mormonit kundrejt të kuptuarit tonë për Shlyerjen e Shpëtimtarit është mësimi prej tij se flijimi plot mëshirë i Krishtit i përmbush të gjitha kërkesat e drejtësisë. Sikurse shpjegoi Alma: “Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës, që të realizohet plani i mëshirës, për të plotësuar kërkesat e drejtësisë, që Perëndia të mund të jetë një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm”6. Plani i Atit për mëshirën7 – atë që shkrimet e shenjta e quajnë edhe plani i lumturisë8 ose plani i shpëtimit9 – nuk mund të përmbushej nëse nuk plotësoheshin të gjitha kërkesat e drejtësisë.

Por çfarë janë saktësisht “kërkesat e drejtësisë”? Merreni parasysh përvojën e vetë Almës. Mbani mend se kur ishte i ri, Alma po përpiqej lart e poshtë që “të shkatërronte kishën”10. Në fakt, Alma i tha të birit, Helamanit, se ai “mundohe[j] me dhimbjet e ferrit” ngaqë vërtet kishte “vrarë shumë prej fëmijëve të [Perëndisë]” duke i udhëhequr “ata drejt shkatërrimit”11.

Alma i shpjegoi Helamanit se paqja më së fundi i erdhi kur “mendja [e tij] po … përqendrohej” te mësimi i dhënë nga i ati “në lidhje me ardhjen e … Jezu Krishti[t] … për të shlyer mëkatet e botës”12. Alma i penduar u lut për mëshirën e Krishtit13 dhe më pas ndjeu gëzim e lehtësim kur e kuptoi se Krishti kishte shlyer për mëkatet e tij dhe kishte paguar gjithçka që e kërkonte drejtësia. Sërish, çfarë do të kishte kërkuar drejtësia nga Alma? Siç dha mësim Alma vetë më vonë: “Asnjë gjë e papastër nuk mund të trashëgojë mbretërinë e Perëndisë”14. Prandaj, pjesë e lehtësimit të Almës duhet të kishte qenë që, në qoftë se nuk ndërhynte mëshira, drejtësia do ta kishte penguar atë që të kthehej për të jetuar me Atin Qiellor.15

Shpëtimtari Shëron Plagët që Ne Nuk Mund t’i Shërojmë

Por, a u përqendrua gëzimi i Almës vetëm mbi vetveten – mbi shmangien e ndëshkimit ndaj tij dhe në të qenit i aftë që ai të kthehej tek Ati? Ne e dimë se Alma kishte agoni edhe për njerëzit që ai i kishte udhëhequr larg nga e vërteta.16 Por Alma vetë nuk mund të shëronte dhe të kthente të gjithë ata që i kishte çuar në udhë të gabuar. Ai vetë nuk mund të siguronte që atyre t’u jepej një mundësi e drejtë për të mësuar doktrinën e Krishtit dhe për t’u bekuar nëpërmjet të jetuarit të parimeve të tij të gëzueshme. Ai nuk mund të kthente ata që mund të kishin vdekur ende të verbuar nga mësimet e tij të rreme.

Sikurse dha mësim dikur Presidenti Bojd K. Paker: “Mendimi që e shpëtoi Almën, … është ky: ‘Rikthimi i asaj që ju nuk mund ta riktheni, shërimi i plagës që nuk mund ta shëroni, rregullimi i asaj që e thyet dhe nuk mund ta rregulloni, është pikërisht qëllimi i shlyerjes së Krishtit’”17. E vërteta e gëzueshme tek e cila u “përqendr[ua]” mendja e Almës, nuk ishte thjesht që ai vetë të mund të bëhej i pastër, por gjithashtu që ata të cilëve iu kishte bërë dëm, të mund të shëroheshin dhe të bëheshin të pacenuar.

Flijimi i Shpëtimtarit Siguron një Gjykim të Drejtë

Vite përpara se Alma të shpëtohej nga kjo doktrinë që jep siguri, mbreti Beniamin dha mësim rreth shkallës së gjerë të shërimit të ofruar nga flijimi shlyes i Shpëtimtarit. Mbreti Beniamin shpalli se “lajmet e gëzuara të gëzimit të madh” iu dhanë atij “nëpërmjet një engjëlli nga Perëndia”18. Mes atyre lajmeve të gëzuara ishte e vërteta që Krishti do të vuante dhe vdiste për mëkatet dhe gabimet tona për të siguruar që “një gjykim i drejtë të vi[nte] mbi fëmijët e njerëzve”19.

Çfarë kërkon saktësisht një “gjykim i drejtë”? Në vargun vijues, mbreti Beniamin shpjegoi se, që të sigurohet një gjykim i drejtë, gjaku i Shpëtimtarit shleu “për mëkatet e atyre që kanë rënë nga shkelja e Adamit” dhe për ata “që kanë vdekur pa ditur vullnetin e Perëndisë në lidhje me ta, ose që kanë bërë mëkat nga padituria”20. Ai dha mësim se një gjykim i drejtë gjithashtu kërkonte që “gjaku i Krishtit [të] shlye[jë] për” mëkatet e fëmijëve të vegjël.21

Këto shkrime të shenjta na mësojnë një doktrinë të lavdishme: flijimi shlyes i Shpëtimtarit shëron, si një dhuratë falas, ata që mëkatojnë në padituri – ata të cilët, sikurse e tha Jakobi, “nuk ka[në] ligj të dhënë”22. Përgjegjshmëria për mëkatin varet nga drita që na është dhënë, dhe është në varësi të aftësisë sonë për ta ushtruar lirinë tonë të zgjedhjes.23 Ne e dimë këtë të vërtetë shëruese dhe ngushëlluese vetëm për shkak të Librit të Mormonit dhe shkrimeve të tjera të shenjta të Rivendosjes.24

Sigurisht, atje ku është dhënë një ligj, atje ku nuk jemi të paditur për vullnetin e Perëndisë, ne jemi të përgjegjshëm. Siç e theksoi mbreti Beniamin: “Mjerë ai që e di se ngre krye kundër Perëndisë! Pasi shpëtimi nuk vjen tek asnjë i tillë, veçse nëpërmjet pendimit dhe besimit në Zotin Jezu Krisht.”25

Ky gjithashtu është lajmi i gëzuar i doktrinës së Krishtit. Jo vetëm që Shpëtimtari shëron dhe i rivendos ata që mëkatojnë në padituri, por edhe, për ata që mëkatojnë kundër dritës, Shpëtimtari ofron shërim me kushtin e pendimit dhe të besimit tek Ai.26

Alma duhet të jetë “përqendr[uar]” tek të dyja këto të vërteta. A do ta kishte ndier Alma vërtet atë që ai e përshkruan si “të ëmb[lin] … gëzim”27, në qoftë se mendonte se Krishti e shpëtoi atë, por i la të dëmtuar përgjithmonë njerëzit që ai i kishte udhëhequr larg nga e vërteta? Sigurisht që jo. Që Alma të ndiente paqe të plotë, ata të cilët ai i dëmtoi, gjithashtu kishin nevojë për mundësinë që të shëroheshin.

Por si do të shëroheshin saktësisht ata – ose si do të shërohen njerëzit që ne mund t’i dëmtojmë? Edhe pse nuk e kuptojmë tërësisht dinamikën e shenjtë me anë të së cilës flijimi shlyes i Shpëtimtarit shëron e rivendos, ne dimë vërtet se, që të sigurohet një gjykim i drejtë, Shpëtimtari do t’i heqë gëmushën e paditurisë dhe gjembat e dhembshëm të lëndimit të shkaktuar nga të tjerët.28 Nëpërmjet kësaj, Ai siguron që të gjithë fëmijëve të Perëndisë do t’iu jepet mundësia, me një vizion të paerrësuar, që të zgjedhin për ta ndjekur Atë dhe për të pranuar planin e madhërishëm të lumturisë.29

Shpëtimtari do të Ndreqë Gjithçka që Ne e Kemi Thyer

Janë këto të vërteta që do t’i kishin sjellë paqe Almës. Dhe janë këto të vërteta që gjithashtu do të na sjellin paqe të madhe. Si burra e gra të natyrshme, ne të gjithë goditemi, ose nganjëherë përplasemi, me njëri‑tjetrin dhe shkaktojmë dëmtim. Siç mund të dëshmojë çdo prind, dhembja e shoqëruar me gabimet tona nuk është thjesht frika për vetë ndëshkimin tonë, por frika që ne mund ta kemi kufizuar gëzimin e fëmijëve tanë ose në njëfarë mënyre t’i kemi penguar ata që të mos e shohin dhe kuptojnë të vërtetën. Premtimi i lavdishëm i flijimit shlyes të Shpëtimtarit është që, për sa u përket gabimeve tona si prindër, Ai i konsideron fëmijët tanë të pafajshëm dhe premton shërim për ta.30 Dhe, madje kur ata kanë mëkatuar kundër dritës – siç bëjmë ne të gjithë – krahu i Tij i mëshirës është i shtrirë31 dhe Ai do t’i shëlbojë nëse thjesht do të shohin tek Ai dhe do të jetojnë32.

Edhe pse Shpëtimtari ka fuqi ta ndreqë atë që ne nuk mund ta rregullojmë, Ai na urdhëron të bëjmë gjithçka mundemi për ta bërë dëmshpërblimin si pjesë të pendimit tonë.33 Mëkatet dhe gabimet tona zënë vendin jo vetëm të marrëdhënies sonë me Perëndinë, por edhe të marrëdhënieve tona me të tjerët. Nganjëherë përpjekjet tona për të shëruar dhe rivendosur mund të jenë po aq të thjeshta sa kërkimi i faljes, por herë të tjera rivendosja mund të kërkojë vite të përpjekjes së përulur.34 Prapëseprapë, për shumë prej mëkateve dhe gabimeve tona, ne thjesht nuk jemi në gjendje që t’i shërojmë tërësisht ata që i kemi lënduar. Premtimi i madhërishëm, paqedhënës i Librit të Mormonit dhe ungjillit të rivendosur është që Shpëtimtari do të ndreqë gjithçka që ne e kemi thyer.35 Dhe Ai do të na ndreqë edhe ne, në qoftë se kthehemi tek Ai me besim dhe pendohemi për dëmtimin që kemi shkaktuar.36 Ai i ofron që të dyja këto dhurata, sepse Ai na do ne të gjithëve me një dashuri të përsosur37 dhe sepse Ai zotohet që të sigurojë një gjykim të drejtë, i cili i nderon edhe drejtësinë edhe mëshirën. Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Fjala e Mbylljes”, Liahona, nëntor 2019, f. 122.

  2. Shih 2 Nefi 31; 3 Nefi 11:28, 32, 35, 39–40; Doktrina e Besëlidhje 10:62–63, 67–70; 68:25; Moisiu 6:52–54; 8:24; Nenet e Besimit 1:4.

  3. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 62.

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 8:2–3.

  5. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, f. 62.

  6. Alma 42:15.

  7. Shih Alma 42:15.

  8. Shih Alma 42:8.

  9. Shih Alma 24:14; Moisiu 6:62.

  10. Shih Mosia 27:8–10.

  11. Alma 36:13, 14.

  12. Alma 36:17, 18.

  13. Shih Alma 36:18.

  14. Alma 40:26; shih edhe 1 Nefi 15:34; Alma 7:21; 11:37; Helamani 8:25.

  15. Shih 3 Nefi 27:19; shih edhe Moisiu 6:57.

  16. Shih Alma 36:14–17.

  17. Boyd K. Packer, “The Brilliant Morning of Forgiveness”, Ensign, nëntor 1995, f. 19–20.

  18. Mosia 3:2, 3.

  19. Mosia 3:10; theksimi i shtuar.

  20. Mosia 3:11; shih edhe 2 Nefi 9:26.

  21. Mosia 3:16; shih edhe Mosia 15:25; Moroni 8:11–12, 22.

  22. 2 Nefi 9:25.

  23. Shih 2 Nefi 2:26–27; Helamani 14:29–30.

  24. Shih Nenet e Besimit 1:2; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 45:54. Duke menduar thellë për doktrinën e pagëzimit për të vdekurit, njëherë Profeti Jozef Smith tha: “Ndërkohë që një pjesë e racës njerëzore e gjykon dhe e dënon pa mëshirë pjesën tjetër, Prindi i Madh i universit e trajton të gjithë familjen njerëzore me kujdes dhe vëmendje atërore; Ai i konsideron ata si fëmijët e Tij. … Ai është një Ligjvënës i mençur dhe do t’i gjykojë të gjithë njerëzit, jo sipas ideve të kufizuara, zemërngushta të njerëzve. … Ai do t’i gjykojë ata, ‘jo sipas asaj që ata nuk e kanë, por sipas asaj që ata e kanë’; ata që kanë jetuar pa ligj, do të gjykohen pa ligj dhe ata që kanë një ligj, do të gjykohen sipas atij ligji. Ne nuk duhet të dyshojmë për urtësinë dhe inteligjencën e të Madhit Jehova; Ai do t’u japë gjykim ose mëshirë gjithë kombeve sipas meritave të tyre të ndryshme, mjeteve të tyre për të fituar inteligjencë, ligjeve sipas të cilave ata qeverisen, mjeteve të disponueshme për ta për të marrë informacionin e saktë dhe … ne të gjithëve do të na duhet të pranojmë se Gjykatësi i tërë tokës ka bërë drejtësi” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 432–433).

  25. Mosia 3:12; shih edhe 2 Nefi 9:27.

  26. Shih Mosia 3:12; Helamani 14:30; Moroni 8:10; Doktrina e Besëlidhje 101:78. Individët mund të jenë të paditur për urdhërime dhe besëlidhje të caktuara ose mund të jenë të paaftë për ta ushtruar lirinë e tyre të zgjedhjes në disa rrethana, por ata ende mund të jenë të përgjegjshëm në rrethana të tjera për shkak të Dritës së Krishtit që zotërojnë (shih 2 Nefi 9:25; Moroni 7:16–19). Shpëtimtari, i cili është gjykatësi ynë dhe i cili ka siguruar një gjykim të drejtë, do ta bëjë dallimin e këtyre rrethanave (shih Mormoni 3:20; Moisiu 6:53–57). Dhe Ai e ka paguar çmimin për të dyja – për të parën pa kushte dhe për të dytën me kushtin e pendimit.

  27. Alma 36:21.

  28. Shih Mosia 3:11; shih edhe D. Tod Kristoferson, “Shëlbimi”, Liahona, maj 2013, f. 110; Alma 7:11–12 (“Ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij. … Dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre”); Isaia 53:3–5 (“Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona”); 61:1–3 (“Zoti më ka vajosur për … të lidh[ur] plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, … për t’u dhënë gëzim atyre që pikëllohen në Sion, për t’u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë”). Është udhëzuese që Shpëtimtari citoi nga këto vargje tek Isaia kur Ai shpalli se ishte Mesia: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaj” (shih Lluka 4:16–21).

  29. Në botën e shpirtrave, “ungjilli u predikohet të paditurve, të papenduarve dhe rebelëve, në mënyrë që ata të mund të çlirohen nga robëria e tyre dhe të shkojnë përpara drejt bekimeve që një Atë i dashur Qiellor i ka të ruajtura për ta” (Dallin H. Ouks, “Ki Besim tek Zoti”, Liahona, nëntor 2019, f. 27). Shih 1 Pjetër 4:6; 2 Nefi 2:11–16; Doktrina e Besëlidhja 128:19; 137:7–9; 138:31–35.

  30. Shih Moisiu 6:54. Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim këtë doktrinë për sa i përket vetëvrasjes: “Vetëm Zoti i di të gjitha hollësitë dhe është Ai që do t’i gjykojë veprimet tona këtu në tokë. Kur Ai të na gjykojë, unë mendoj se Ai do t’i marrë parasysh të gjitha gjërat: përbërjen tonë gjenetike dhe kimike, gjendjen tonë mendore, aftësinë tonë intelektuale, mësimet që kemi marrë, traditat e etërve tanë, shëndetin tonë e kështu me radhë. Ne mësojmë në shkrimet e shenjta se gjaku i Krishtit do të shlyejë për mëkatet e njerëzve ‘që kanë vdekur pa e ditur vullnetin e Perëndisë në lidhje me ta, ose që kanë bërë mëkat nga padituria’ (Mosia 3:11)” (“Suicide: Some Things We Know, and Some We Do Not”, Ensign, tetor 1987, f. 8; Tambuli, mars 1988, f. 18).

  31. Shih Jakobi [LiM] 6:5; Mosia 29:20; 3 Nefi 9:14; Doktrina e Besëlidhje 29:1.

  32. Shih Helamani 8:15.

  33. Shih Levitiku 6:4–5; Ezekiel 33:15–16; Helamani 5:17; Doktrina e Besëlidhje 58:42–43.

  34. Ishte pikërisht kjo lloj përpjekjeje në të cilën u përfshi vetë Alma (shih Alma 36:24).

  35. Presidenti Bojd K. Paker e dha mësim këtë parim në mënyrë të fuqishme:

    “Ka raste që nuk mund ta ndreqni atë që e keni thyer. Ndoshta fyerja ishte shumë kohë më parë ose i lënduari nuk e pranoi pendesën tuaj. Ndoshta dëmi qe kaq i rëndë saqë nuk mund ta ndreqni, sado skajshëm ta dëshironi.

    Pendimi juaj nuk mund të pranohet, në qoftë se nuk ka dëmshpërblim. Nëse nuk mund ta zhbëni atë që keni bërë, ju ziheni në grackë. Është e lehtë të kuptoni se sa të padobishëm e të pashpresë ndiheni atëherë dhe përse mund të donit të hiqnit dorë, pikërisht siç bëri Alma. …

    Si mund të rregullohet gjithçka, ne nuk e dimë. Mund të mos arrihet gjithçka në këtë jetë. Ne e dimë nga vegimet dhe vizitimet se shërbëtorët e Zotit e vazhdojnë punën e shëlbimit përtej velit.

    Kjo njohuri duhet të jetë po aq ngushëlluese për të pafajshmin, sa është për fajtorin. Unë po mendoj për prindër që vuajnë në mënyrë të jashtëzakonshme për gabimet e fëmijëve të tyre të pabindur dhe që po e humbasin shpresën” (“The Brilliant Morning of Forgiveness”, f. 19–20).

  36. Shih 3 Nefi 12:19; shih edhe Mateu 6:12; 3 Nefi 13:11.

  37. Shih Gjoni 15:12–13; 1 Gjon 4:18; Diter F. Uhtdorf, “Dashuria e Përsosur e Nxjerr Jashtë Frikën”, Liahona, maj 2017, f. 107.