2010–2019
Ki Besim tek Zoti
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Ki Besim tek Zoti

Mbështetja jonë e vetme e sigurt është t’i mirëbesojmë Zotit dhe dashurisë së Tij për fëmijët e Tij.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, një letër që e mora disa kohë më parë, paraqet temën e bisedës sime. Shkruesja po mendonte të martohej në tempull me një burrë, shoqja e përjetshme e të cilit kishte vdekur. Ajo do të ishte bashkëshortja e dytë. Ajo bëri këtë pyetje: A do të ishte ajo në gjendje të kishte vetë shtëpinë e saj në jetën tjetër, apo do t’i duhej të jetonte me bashkëshortin e saj dhe bashkëshorten e tij të parë? Thjesht i thashë t’i mirëbesonte Zotit.

Vazhdoj me një përvojë që e dëgjova nga një bashkëpunëtor i besuar, të cilën e tregoj me lejen e tij. Pas vdekjes së bashkëshortes së tij të dashur dhe nënës së fëmijëve të tij, një baba u rimartua. Disa fëmijë të rritur e kundërshtuan fort rimartesën dhe kërkuan këshillën e një të afërmi të tyre, i cili ishte një udhëheqës i respektuar i Kishës. Pasi i dëgjoi arsyet e kundërshtimeve të tyre, të cilat u përqendruan te kushtet dhe marrëdhëniet në botën e shpirtrave apo në mbretëritë e lavdisë që vijnë pas Gjykimit Përfundimtar, ky udhëheqës tha: “Ju po shqetësoheni për gjërat e gabuara. Duhet të shqetësoheni nëse ju do të arrini të shkoni në ato vende. Përqendrohuni te kjo. Nëse arrini atje, gjithçka do të jetë më e mrekullueshme nga sa mund ta përfytyroni.”

Çfarë mësimi ngushëllues! Mirëbesojini Zotit!

Nga letrat që kam marrë, e di se ka të tjerë që janë të shqetësuar nga pyetje që lidhen me botën e shpirtrave, ku ne do të banojmë pasi të vdesim dhe para se të ringjallemi. Disa hamendësojnë se në botën e shpirtrave do të vazhdojnë shumë prej rrethanave dhe çështjeve tokësore që ne përjetojmë në këtë jetë të vdekshme. Çfarë dimë me të vërtetë për kushtet në botën e shpirtrave? Unë besoj se një artikull i një profesori të fesë në UBJ mbi këtë temë kishte të drejtë: “Kur e pyetim veten se çfarë dimë për botën e shpirtrave nga veprat standarde, përgjigjja është – ‘jo aq shumë sa mendojmë shpesh’”1.

Natyrisht, nga shkrimet e shenjta ne dimë se pasi trupat tanë vdesin, ne vazhdojmë të jetojmë si shpirtra në botën e shpirtrave. Shkrimet e shenjta gjithashtu japin mësim se kjo botë e shpirtrave ndahet midis atyre që kanë qenë “të drejtë” ose “të vërtetë” gjatë jetës dhe atyre që kanë qenë të ligj. Ato gjithashtu përshkruajnë mënyrën se si disa shpirtra besnikë ua mësojnë ungjillin atyre që kanë qenë të ligj apo rebelë (shih 1 Pjetër 3:19; Doktrina e Besëlidhje 138:19–20, 29, 32, 37). Më e rëndësishmja, zbulesa moderne zbulon se puna e shpëtimit shkon përpara në botën e shpirtrave (shih Doktrina e Besëlidhje 138:30–34, 58) dhe, megjithëse ne nxitemi të mos e shtyjmë pendimin tonë gjatë vdekshmërisë (shih Alma 13:27), neve na mësohet se njëfarë pendimi është i mundur atje (shih Doktrina e Besëlidhje 138:58).

Puna e shpëtimit në botën e shpirtrave qëndron te çlirimi i shpirtrave nga ajo që shkrimet e shenjta shpesh e përshkruajnë si “robëri”. Të gjithë në botën e shpirtrave janë nën një lloj robërie. Zbulesa e mrekullueshme e Presidentit Jozef F. Smith, e kanonizuar në seksionin 138 te Doktrina e Besëlidhje, thotë se të vdekurit e drejtë, të cilët ishin në gjendje “paqe[je]” (Doktrina e Besëlidhje 138:22) teksa prisnin Ringjalljen (shih Doktrina e Besëlidhje 138:16), “e kishin parë mungesën e gjatë të shpirtrave të tyre nga trupat e tyre si një robëri” (Doktrina e Besëlidhje 138:50).

Të ligjtë vuajnë edhe një robëri tjetër. Për shkak të mëkateve për të cilat nuk u penduan, ata janë në atë që Apostulli Pjetër e përmendi si “burg[u]” i shpirtrave (1 Pjetër 3:19; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 138:42). Këta shpirtra përshkruhen si “të lidhur” ose si “të robëruar” (Doktrina e Besëlidhje 138:31, 42), apo si të “dëb[uar] në errësirën e mëtejshme” me “qarje dhe vajtime dhe kërcëllimë dhëmbësh” teksa presin ringjalljen dhe gjykimin (Alma 40:13–14).

Ringjallja për të gjithë në botën e shpirtrave sigurohet nga Ringjallja e Jezu Krishtit (shih 1 Korintasve 15:22), edhe pse ajo ndodh në kohë të ndryshme për grupe të ndryshme. Deri në atë kohë të caktuar, ajo që shkrimet e shenjta na tregojnë për veprimtarinë në botën e shpirtrave, kryesisht ka të bëjë me punën e shpëtimit. Shumë pak tjetër na është zbuluar. Ungjilli u predikohet të paditurve, të papenduarve dhe rebelëve, në mënyrë që ata të mund të çlirohen nga robëria e tyre dhe të shkojnë përpara drejt bekimeve që një Atë i dashur Qiellor i ka të ruajtura për ta.

Robëria në botën e shpirtrave që zbatohet për shpirtrat e drejtë të kthyer në besim, është se atyre u duhet të presin – dhe ndoshta madje u lejohet të nxitin – kryerjen e ordinancave të tyre mëkëmbëse në tokë, në mënyrë që ata të mund të pagëzohen dhe të shijojnë bekimet e Frymës së Shenjtë (shih Doktrina e Besëlidhje 138:30–37, 57–58).2 Këto ordinanca mëkëmbëse në vdekshmëri i fuqizojnë gjithashtu ata që të shkojnë përpara nën autoritetin e priftërisë për të zgjeruar ushtritë e të drejtëve, të cilët mund t’ua predikojnë ungjillin shpirtrave në burg.

Përveç këtyre koncepteve themelore, kanuni ynë i shkrimit të shenjtë përmban shumë pak rreth botës së shpirtrave që vjen pas vdekjes dhe përpara Gjykimit Përfundimtar.3 Pra, ç’gjë tjetër dimë për botën e shpirtrave? Shumë anëtarë të Kishës kanë pasur vegime ose frymëzime të tjera për t’i informuar ata se si funksionojnë ose janë të organizuara gjërat në botën e shpirtrave, por këto përvoja vetjake shpirtërore nuk duhet të kuptohen ose jepen mësim si doktrinë zyrtare e Kishës. Dhe, natyrisht, ka shumë spekulime nga anëtarë dhe njerëz të tjerë në burime të botuara si për shembull libra që flasin mbi përvojat e njerëzve që kanë qenë në prag të vdekjes.4

Sa për të gjitha këto, është e rëndësishme të mbahen mend paralajmërimet e mençura të Plakut D. Tod Kristoferson dhe Plakut Nil L. Andersen në mesazhe të konferencave të përgjithshme të mëparshme. Plaku Kristoferson dha mësim: “Duhet mbajtur mend se jo çdo deklarim i bërë nga një udhëheqës i Kishës, në të shkuarën ose në të tashmen, është doktrinë detyrimisht. Është përgjithësisht e kuptueshme në Kishë se një deklarim i bërë nga një udhëheqës mbi një rast të vetëm, shpesh përfaqëson një opinion vetjak, sado që është i menduar mirë, që nuk është e thënë të jetë zyrtar ose i detyrueshëm për të gjithë Kishën.”5

Në konferencën vijuese, Plaku Andersen dha mësim këtë parim: “Doktrina [jepet] mës[im] nga të 15 pjesëtarët e Presidencës së Parë e të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ajo nuk fshihet në një paragraf të turbullt të një bisede.”6 Proklamata e familjes, e nënshkruar nga të 15 profetët, shikuesit dhe zbuluesit, është një ilustrim i mrekullueshëm i atij parimi.

Përtej diçkaje aq zyrtare sa proklamata për familjen, mësimet profetike të Presidentëve të Kishës, të pohuara nga profetë dhe apostuj të tjerë, janë gjithashtu një shembull i kësaj. Sa i përket rrethanave në botën e shpirtrave, Profeti Jozef Smith dha dy mësime pranë përmbylljes së shërbesës së tij, të cilat janë dhënë mësim shpesh nga pasardhësit e tij. Një prej këtyre është mësimi i tij në predikimin e King Folletit se pjesëtarët e familjes që ishin të drejtë, do të jenë së bashku në botën e shpirtrave.7 Një tjetër është kjo deklaratë [që u bë] në një ceremoni varrimi në vitin e fundit të jetës së tij: “Shpirtrat e të drejtëve ekzaltohen në një punë më të madhe dhe më të lavdishme … [në] botën e shpirtrave. … Ata nuk janë larg nesh dhe i njohin e i kuptojnë mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona, dhe shpesh përjetojnë dhembje.”8

Pra, çfarë të themi për një pyetje si ajo që përmenda më parë, se ku jetojnë shpirtrat? Nëse kjo pyetje ju duket e çuditshme ose e parëndësishme, merrni parasysh shumë nga vetë pyetjet tuaja, ose edhe ato për të cilat jeni tunduar të përgjigjeni, në bazë të diçkaje që e keni dëgjuar nga një person tjetër diku në të kaluarën. Për të gjitha pyetjet rreth botës së shpirtrave, unë sugjeroj dy përgjigje. Së pari, mbani mend se Perëndia i do fëmijët e Tij dhe me siguri do të bëjë atë që është më e mira për secilin prej nesh. Së dyti, mbani mend këtë mësim të njohur nga Bibla, i cili ka qenë shumë i dobishëm për mua për një mori pyetjesh që janë pa përgjigje:

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5–6).

Në mënyrë të ngjashme, Nefi e përmbylli psalmin e tij të mrekullueshëm me këto fjalë: “O Zot, unë kam besuar te ti dhe unë do të besoj te ti përgjithmonë. Unë nuk do ta vë besimin tim në krahun prej mishi” (2 Nefi 4:34).

Të gjithë mund ta pyetim veten veçmas lidhur me rrethanat në botën e shpirtrave, ose madje të diskutojmë për këto apo pyetje të tjera që janë pa përgjigje, në familje ose në mjedise të tjera të ngushta. Por, le të mos ta japim mësim apo të mos ta përdorim si doktrinë zyrtare atë që nuk i plotëson standardet e doktrinës zyrtare. Bërja e kësaj nuk e çon më tej punën e Zotit dhe madje mund t’i shkurajojë individët që të mos kërkojnë ngushëllimin ose lartësimin e tyre përmes zbulesës vetjake, të cilën plani i Zotit e siguron për secilin prej nesh. Mbështetja e tepruar te mësimet apo spekulimet vetjake madje mund të na largojë nga përqendrimi tek të mësuarit dhe përpjekjet që do ta çojnë më tej të kuptuarit tonë dhe do të na ndihmojnë të shkojmë përpara në shtegun e besëlidhjes.

Mirëbesimi në Zot është një mësim i njohur dhe i vërtetë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ky ishte mësimi i Jozef Smithit kur shenjtorët e hershëm përjetuan përndjekje të mëdha dhe pengesa në dukje të pakapërcyeshme.9 Ky është ende parimi më i mirë që mund të përdorim kur përpjekjet tona për të mësuar ose orvatjet tona për të gjetur ngushëllim, ndeshen me pengesa në çështje që ende nuk janë zbuluar apo që nuk janë pranuar si doktrinë zyrtare e Kishës.

Po ai parim zbatohet për pyetjet pa përgjigje rreth vulosjeve në jetën tjetër ose ripërshtatjeve të dëshiruara për shkak të ngjarjeve apo shkeljeve në vdekshmëri. Ka kaq shumë gjëra që ne nuk i dimë, saqë mbështetja jonë e vetme e sigurt është t’i mirëbesojmë Zotit dhe dashurisë së Tij për fëmijët e Tij.

Si përfundim, ajo që vërtet dimë për botën e shpirtrave është se puna e shpëtimit e Atit dhe Birit vazhdon atje. Shpëtimtari ynë e filloi punën duke u shpallur liri robërve (shih 1 Pjetër 3:18–19; 4:6; Doktrina e Besëlidhje 138:6–11, 18–21, 28–37) dhe ajo punë vazhdon teksa lajmëtarë të denjë e të kualifikuar vazhdojnë t’u predikojnë ungjillin, përfshirë pendim, atyre që kanë ende nevojë për ndikimin e tij pastrues (shih Doktrina e Besëlidhje 138:57). Synimi i të gjithë kësaj përshkruhet në doktrinën zyrtare të Kishës, dhënë në zbulesën moderne.

“Të vdekurit që pendohen, do të shëlbehen, nëpërmjet bindjes ndaj ordinancave të shtëpisë së Perëndisë,

Dhe pasi e kanë paguar gjobën për shkeljet e tyre dhe janë pastruar, do të marrin një shpërblim sipas veprave të tyre, sepse ata janë trashëgimtarë të shpëtimit” (Doktrina e Besëlidhje 138:58–59).

Detyra e secilit prej nesh është të japim mësim doktrinën e ungjillit të rivendosur, t’i zbatojmë urdhërimet, ta duam dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të bëjmë punën e shpëtimit në tempujt e shenjtë.

Unë dëshmoj për të vërtetën e asaj që kam thënë këtu, dhe për të vërtetat që janë dhënë mësim e që do të jepen mësim në këtë konferencë. Kjo e gjitha është bërë e mundur për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ashtu siç e dimë nga zbulesa moderne, Ai e “përlëvdon Atin dhe i shpëton gjithë veprat e duarve të tij” (Doktrina e Besëlidhje 76:43; theksimi i shtuar). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “What’s on the Other Side? A Conversation with Brent L. Top on the Spirit World”, Religious Educator, vëll. 14, nr. 2 (2013), f. 48.

  2. Shih Teachings of the Prophet Joseph Smith, përz. Joseph Fielding Smith (1976), f. 309–310; Joseph Smith, “Journal, December 1842–June 1844; Book 2”, f. 246, The Joseph Smith Papers, josephsmithpapers.org.

  3. Një zbulesë që iu dha Jozef Smithit, e cila citohet shpesh rreth botës së shpirtrave thotë: “Dhe po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje” (Doktrina e Besëlidhje 130:2). Kjo mund të përshkruajë një mbretëri lavdie më shumë sesa botën e shpirtrave, meqenëse vazhdon: “Veçse do të jetë me lavdi të përjetshme, lavdi të cilën nuk e gëzojmë tani” (vargu 2).

  4. Për shembull, George G. Ritchie, Return from Tomorrow (1978) dhe Raymond Moody, Life after Life (1975).

  5. D. Tod Kristoferson, “Doktrina e Krishtit”, Liahona, maj 2012, f. 88; shih edhe Joseph F. Smith, Gospel Doctrine, bot. 5‑të, (1939), f. 42. Shih, për shembull, përshkrimin te Doktrina e Besëlidhje 74:5 të një mësimi vetjak nga Apostulli Pal.

  6. Nil L. Andersen, “Prova e Besimit Tuaj”, Liahona, nëntor 2012, f. 41.

  7. Shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 182.

  8. History of the Church, 6:52; përfshirë te Teachings of the Prophet Joseph Smith, f. 326; shpesh cituar, si te Henry B. Eyring, To Draw Closer to God (1997), f. 122; shih edhe Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), kapitulli 38, “The Spirit World”.

  9. Shih Mësimet: Jozef Smith, f. 243–245.