2020
Fuqia e Librit të Mormonit në Kthimin në Besim
maj 2020


Fuqia e Librit të Mormonit në Kthimin në Besim

Libri i Mormonit siguron ushqim shpirtëror, jep një plan veprimi dhe na lidh me Shpirtin e Shenjtë.

Pasi rishikova raportin nga një vizitë mjekësore e kohëve të fundit, mësova se më duhej të bëja disa ndryshime në stilin e jetesës. Për të më ndihmuar, mjeku im më dha një plan ushqimor dhe stërvitor që nëse zgjidhja ta ndiqja do të më shndërronte në një njeri më të shëndetshëm.

Nëse secili prej nesh do të bënte një kontroll shpirtëror, çfarë do të mësonim rreth vetes sonë? Çfarë përshtatjesh do të na jepte mjeku ynë shpirtëror? Në mënyrë që ne të bëhemi ata të cilët kemi nevojë të jemi, është thelbësore që të dimë se çfarë të bëjmë dhe të bëjmë atë që dimë.

Jezu Krishti është Kryemjeku.1 Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai i lidh plagët tona, i merr mbi vete dobësitë tona dhe e shëron zemrën tonë të thyer.2 Nëpërmjet hirit të Tij dobësia jonë mund të bëhet e fortë.3 Ai na fton ta ndjekim Atë4 duke mësuar për Të, duke i dëgjuar fjalët e Tij dhe duke ecur në butësinë e Shpirtit të Tij.5 Ai ka premtuar të na ndihmojë6 në këtë proces të kthimit në besim që zgjat gjithë jetën, i cili na shndërron dhe na sjell gëzim të përhershëm.7

Shpëtimtari na ka dhënë Librin e Mormonit si një mjet të fuqishëm për të ndihmuar në kthimin në besim. Libri i Mormonit siguron ushqim shpirtëror, jep një plan veprimi dhe na lidh me Shpirtin e Shenjtë. I shkruar për ne8, ai e përmban fjalën e Perëndisë me thjeshtësi9 dhe na tregon rreth identitetit, qëllimit dhe fatit tonë.10 Bashkë me Biblën, Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin11 dhe jep mësim se si mund ta dimë të vërtetën dhe të bëhemi si Ai.

Pamja
Vëllai Sau Polo

Vëllai Sau Polo ishte 58 vjeç kur ai u njoh me ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Kur u takova më të, ai kishte qenë duke shërbyer si president dege për disa vite, por mësova se ai nuk e kishte lexuar kurrë Librin e Mormonit sepse nuk ishte ende në dispozicion në gjuhën e tij amtare, birmanisht. Kur e pyeta se si e dinte që libri ishte i vërtetë pa e lexuar atë, ai u përgjigj duke thënë se e kishte studiuar librin me fotografi Ngjarjet e Librit të Mormonit çdo ditë duke parë ilustrimet, duke përdorur një fjalor për të përkthyer fjalët nga anglishtja dhe duke mbajtur shënim me kujdes atë që mësonte. Ai shpjegoi: “Sa herë që studioja, unë lutesha rreth asaj që mësoja dhe ndieja paqe e gëzim, mendja ime kthjellohej dhe zemra ime ishte e butë. E ndjeva Frymën e Shenjtë të më dëshmonte se ai ishte i vërtetë. Unë e di se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë”.

Ashtu si vëllai Sau Polo, secili prej nesh mund ta studiojë Librin e Mormonit sipas rrethanave tona. Teksa dëshirojmë të besojmë dhe përsiatim mësimet e tij në zemrën tonë, ne mund ta pyesim Perëndinë me besim nëse mësimet janë të vërteta.12 Nëse jemi të sinqertë në dëshirën tonë për të ditur dhe kemi qëllim të vërtetë për të vepruar, Ai do të na përgjigjet në zemrën tonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Është me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë që ne do të dimë të vërtetën e të gjitha gjërave.13 Kur ne marrim një dëshmi hyjnore të Librit të Mormonit, ne do të dimë me anë të po të njëjtës fuqi se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës, se Jozef Smithi është profeti i Tij dhe se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është kisha e Tij e rivendosur.14

Si një i ri, kur fillova shërbimin tim misionar, unë i hipa një aeroplani për në Australi. Duke u ndier shumë i vetmuar, në ankth dhe i papërshtatshëm por duke qenë i zotuar për të shërbyer, mua më duhej dëshpërimisht një siguri se ajo që besoja ishte e vërtetë. U luta dhe i lexova me zell shkrimet e mia të shenjta, por teksa fluturimi vazhdonte dyshimi për veten u shtua dhe gjendja ime fizike u përkeqësua. Pasi kisha qenë duke u përpjekur për disa orë, një shoqërues fluturimi eci nëpër korridor dhe ndaloi pranë ndenjëses sime. Ai e mori Librin e Mormonit që po lexoja nga duart e mia. E pa kapakun dhe tha: “Ai është një libër i mrekullueshëm!”, pastaj ma dha prapë librin dhe vazhdoi të ecte. Nuk e pashë më kurrë atë.

Ndërkohë që fjalët e tij bënë jehonë në veshët e mi, unë dëgjova dallueshëm dhe ndjeva në zemrën time fjalët: “Unë jam këtu dhe e di se ku je ti. Vetëm bëj më të mirën tënde sepse unë do të kujdesem për pjesën tjetër.” Në atë aeroplan mbi oqeanin Paqësor, unë mora një dëshmi vetjake nëpërmjet studimit tim të Librit të Mormonit dhe nxitjeve të Shpirtit të Shenjtë se Shpëtimtari im e dinte se kush isha dhe se ungjilli ishte i vërtetë.

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Të diturit se ungjilli është i vërtetë është thelbi i një dëshmie. Të qenit vazhdimisht i vërtetë ndaj ungjillit është thelbi i kthimit në besim”.15 Kthimi në besim kërkon që ne të jemi “bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues”16. Plani i veprimit i Zotit për ne – doktrina e Krishtit – jepet mësim më qartësisht në Librin e Mormonit.17 Ai përfshin:

  • Së pari, ushtrimin e besimit te Jezu Krishti duke i mirëbesuar Atij, duke i zbatuar urdhërimet e Tij dhe duke e ditur se Ai do të na ndihmojë.18

  • Së dyti, pendimin e përditshëm për mangësitë tona dhe përjetimin e gëzimit dhe të paqes kur Ai na fal.19 Pendimi kërkon që ne t’i falim të tjerët20 dhe na ndihmon të shkojmë përpara. Shpëtimtari ka premtuar të na falë sa herë që pendohemi.21

  • Së treti, bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet ordinancave të tilla si pagëzimi. Kjo do të na mbajë në shtegun e besëlidhjes që të çon tek Ai.22

  • Së katërti, marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë. Kjo dhuratë na lejon shoqërimin e vazhdueshëm të atij që na shenjtëron, ngushëllon dhe udhërrëfen.23

  • Dhe së pesti, durimi deri në fund duke shtyrë përpara me vendosmëri ndërkohë që ushqehemi me bollëk çdo ditë me fjalën e Krishtit.24 Duke u ushqyer me bollëk nga Libri i Mormonit dhe duke u kapur fort pas mësimeve të tij, ne mund t’i mposhtim tundimet dhe të marrim udhërrëfim e mbrojtje gjatë gjithë jetës sonë.25

Duke e zbatuar vazhdimisht doktrinën e Krishtit në jetën tonë, ne do të mposhtim inercinë që pengon ndryshim dhe frikën që zmbraps veprimin. Ne do të marrim zbulesë vetjake, sepse Fryma e Shenjtë “do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni”,26 dhe “fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”.27

Për 20 vite, vëllai Huang Junkong pati vështirësi me alkoolin, cigaret dhe me bixhozin impulsiv. Kur u njoh me Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur, Vëllai Huang dëshironte që të ndryshonte për hir të familjes së tij të re. Sfida e tij më e madhe ishte duhanpirja. Si një duhanpirës i rregullt, ai ishte munduar disa herë që ta linte duhanin, por pa sukses. Një ditë këto fjalë nga Libri i Mormonit ngecën në mendjen e tij: “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë”.28 Edhe pse përpjekjet e tij të mëparshme kishin dështuar, ai ndjeu se ndoshta mund të ndryshonte me ndihmë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Misionarët kohëplotë e bashkuan besimin e tyre me të tijin dhe siguruan një plan veprimi ndërhyrjesh praktike, së bashku me doza të mëdha lutjeje dhe studimi të fjalës së Perëndisë. Me sinqeritet dhe qëllim të vërtetë, vëllai Huang veproi me vendosmëri besimplotë dhe zbuloi se kur ai përqendrohej më shumë te zakonet e reja të cilat donte të zhvillonte, të tilla si studimi i Librit të Mormonit, ai përqendrohej më pak te zakonet që donte të hiqte.

Duke kujtuar përvojën e tij të 15 viteve më parë, ai vërejti: “Unë nuk e mbaj mend saktësisht se kur e lashë duhanin, por teksa përpiqesha fort çdo ditë për të bërë gjërat që e dija se duhet t’i bëja për të ftuar Shpirtin e Zotit në jetën time dhe vazhdoja t’i bëja ato, unë nuk isha më i tërhequr ndaj cigareve dhe nuk kam qenë që nga ajo kohë”. Nëpërmjet zbatimit të mësimeve të Librit të Mormonit, jeta e Vëllait Huang është shndërruar dhe ai është bërë një bashkëshort e baba më i mirë.

Pamja
Huang Junkong dhe familja

Presidenti Rasëll M. Nelson ka premtuar: “Kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. Ju premtoj se, teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj. Ju premtoj se, ndërsa e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës, përfshirë edhe murtajën dërrmuese të pornografisë dhe varësive të tjera që na mpijnë mendjen”.29

Të dashur miq, Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, dhe ne do t’i afrohemi më shumë Atij nëse e studiojmë atë.30 Teksa eksperimentojmë mbi fjalët e tij, ne do të marrim një dëshmi të vërtetësisë së tij.31 Teksa jetojmë vazhdimisht sipas mësimeve të tij, ne “nuk do të kemi më dëshirë për të bërë keq”.32 Zemra, pamja dhe natyra jonë do të shndërrohet për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari.33 Ju jap dëshminë time të sigurt që Jezusi është Krishti, Shpëtimtari, Shëlbuesi dhe Miku ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.