2020
Një Ndriçim i Përkryer i Shpresës
maj 2020


Një Ndriçim i Përkryer i Shpresës

Për shkak se Rivendosja e ripohoi të vërtetën themelore që Perëndia punon njëmend në këtë botë, ne mund të shpresojmë, ne duhet të shpresojmë, edhe kur përballemi me gjasa shumë të pakta që diçka e mirë të ndodhë.

Tetorin e shkuar, Presidenti Rasëll M. Nelson na ftoi të shihnim përpara drejt kësaj konference të prillit 2020 duke vështruar secili nga ne prapa në mënyrën e tij për të parë madhështinë e dorës së Perëndisë në rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit. Motra Holland dhe unë e morëm seriozisht atë ftesë profetike. E përfytyruam veten duke jetuar në fillim të viteve 1800 duke parë bindjet fetare të asaj kohe. Në atë mjedis të përfytyruar, e pyetëm veten: “Çfarë mungon këtu? Çfarë do të donim të kishim? Çfarë shpresojmë njëmend se Perëndia do të na japë në përgjigje të dëshirimit tonë shpirtëror?”

Epo, si fillim, kuptuam se dy shekuj më parë do të kishim shpresuar fort për rivendosjen e një koncepti më të vërtetë të Perëndisë nga sa kishin shumica e njerëzve në atë kohë, i fshehur siç dukej shpesh se ishte Ai prapa shekujsh të tërë gabimesh dhe keqkuptimesh. Duke marrë hua një frazë nga Uilliam Ellëri Çeningu, një figurë e spikatur fetare e kohës, do të kishim kërkuar “karakterin prindëror të Perëndisë”, të cilin Çeningu e konsideronte “doktrinën e parë të madhe të krishterimit”1. Një doktrinë e tillë do ta kishte pranuar Hyjninë si një Atë përkujdesës në Qiell, në vend që ta njihte si një gjykatës të ashpër që ushtron një drejtësi të sertë ose si një pronar jo të pranishëm që dikur qe përfshirë në çështjet e tokës, por tani ishte i zënë diku tjetër në univers.

Po, shpresa jonë në vitin 1820 do të kishte qenë ta gjenim Perëndinë duke folur e duke udhërrëfyer aq hapur në të tashmen sa e kishte bërë në të shkuarën, një Atë të vërtetë në kuptimin më të dashur të asaj fjale. Ai me siguri që nuk do të kishte qenë një autokrat i ftohtë, arbitrar i cili paracaktoi pak njerëz të zgjedhur për shpëtim dhe më pas e la pjesën tjetër të familjes njerëzore në dënim. Jo, Ai do të ishte Dikush, çdo veprim i të cilit, sipas shpalljes hyjnore, do të ishte “për të mirën e botës; pasi ai e do botën”2 dhe çdo banor të saj. Ajo dashuri do të ishte arsyeja madhore e Tij për dërgimin e Jezu Krishtit, Birit të Tij të Vetëmlindur, në tokë.3

Duke folur për Jezusin, po të kishim jetuar në ato vitet e para të shekullit të 19-të, do ta kishim kuptuar duke u alarmuar shumë se dyshimet rreth vërtetësisë së jetës dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit po fillonin të zinin një vend domethënës brenda botës së krishterë. Prandaj, do të kishim shpresuar që të gjithë botës t’i vinin fakte që do ta vërtetonin dëshminë biblike se Jezusi është Krishti, Biri i mirëfilltë i Perëndisë, Alfa dhe Omega dhe i vetmi Shpëtimtar që do të njohë kjo botë. Do të kishte qenë një nga shpresat tona më të mëdha që të nxirrej një shkrim tjetër i shenjtë si fakt, diçka që mund të përbënte një dëshmi tjetër të Jezu Krishtit, duke e zmadhuar e zgjeruar njohurinë tonë për lindjen e Tij mrekullibërëse, shërbesën e mahnitshme, flijimin shlyes dhe Ringjalljen e lavdishme. Vërtet, një dokument i tillë do të ishte “drejtësi [e] dërg[uar] nga qiejt; [e] vërtetë [e] dërg[uar] nga toka”4.

Nga vëzhgimi i botës së krishterë në atë kohë, do të kishim shpresuar të gjenim dikë të autorizuar nga Perëndia me autoritet të vërtetë priftërie që të mund të na pagëzonte, të na jepte dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe të na administronte të gjitha ordinancat e ungjillit të nevojshme për ekzaltim. Në vitin 1820, do të kishim shpresuar t’i shihnim të përmbushura premtimet shprehëse të Isaias, Mikeas dhe profetëve të tjerë të lashtë në lidhje me rikthimin e shtëpisë madhështore të Zotit.5 Do të ishim ngazëllyer po të shihnim lavdinë e tempujve të shenjtë të ngrihej sërish, me Shpirtin, ordinancat, fuqinë dhe autoritetin për të dhënë mësim të vërteta të përjetshme, për të shëruar plagë vetjake e për t’i lidhur familjet së bashku përgjithmonë. Do të kisha kërkuar kudo dhe gjithkund për të gjetur dikë të autorizuar për të më thënë mua dhe Patrishës sime të shtrenjtë që martesa jonë në një mjedis të tillë qe vulosur për kohën dhe të gjithë përjetësinë, që kurrë të mos e dëgjonim ose të na ngarkohej mallkimi i pandashëm “derisa vdekja t’ju ndajë”. E di se “në shtëpinë e Atit [tonë] ka shumë banesa”6 por, duke folur për veten, nëse do të isha aq fatlum sa të trashëgoja njërën prej tyre, për mua ajo nuk do të mund të ishte më shumë se një kasolle e kalbur nëse Pati dhe fëmijët tanë nuk do të ishin me mua për ta ndarë bashkë atë trashëgimi. Dhe për paraardhësit tanë, disa prej të cilëve jetuan dhe vdiqën në lashtësi pa ia dëgjuar as emrin Jezu Krishtit, do të kishim shpresuar që të rivendoseshin konceptet më të drejta e më mëshirplota biblike – praktika e të gjallëve që ofrojnë ordinanca shpëtuese në emër të të afërmve të tyre të vdekur.7 Asnjë praktikë që mundem ta përfytyroj, nuk do ta demostronte me më tepër shkëlqim shqetësimin e një Perëndie të dashur për secilin nga fëmijët e Tij tokësorë pavarësisht se kur jetuan apo ku vdiqën ata.

Mirë, lista jonë e gjërave që do të shpresonim në 1820-ën, mund të vazhdojë, por ndoshta mesazhi më i rëndësishëm i Rivendosjes është që shpresa të tilla të mos kishin qenë më kot. Duke filluar nga Korija e Shenjtë e duke vazhduar në këtë ditë, këto dëshira filluan të vishen me realitet dhe u bënë, sikurse dhanë mësim Apostulli Pal e të tjerë, spiranca të vërteta për shpirtin, të sigurta e të patundura.8 Ajo për të cilën dikur veçse shpresohej, tani është bërë histori.

Ky ishte vështrimi ynë prapa te 200 vjet mirësi e Perëndisë ndaj botës. Po për sa i përket vështrimit tonë përpara? Ne përsëri kemi shpresa që nuk janë përmbushur ende. Edhe tani ndërsa flasim, po zhvillojmë një luftë “me të gjitha forcat e bashkuara” me virusin COVID‑19, një kujtues solemn që një virus9 1000 herë më i vogël sesa një grimcë rëre10 mund të bëjë që popullata të tëra dhe ekonomitë botërore të gjunjëzohen. Ne lutemi për ata që kanë humbur njerëz të dashur në këtë plagë moderne, si dhe për ata që janë aktualisht të infektuar ose të rrezikuar. Ne sigurisht lutemi për ata që po japin një kujdes kaq të mahnitshëm shëndetësor. Kur ta kemi mposhtur këtë – dhe do ta mposhtim – qofshim po kaq të zotuar për ta çliruar botën nga virusi i urisë, për t’i çliruar lagjet e kombet nga virusi i varfërisë. Shpresofshim për shkolla ku nxënësit marrin mësim – pa pasur tmerr se mbi ta do të qëllohet me armë – dhe për dhuratën e dinjitetit vetjak për çdo fëmijë të Perëndisë, të padëmtuar nga asnjë lloj forme paragjykimi racor, etnik ose fetar. Mbi të gjitha këto është shpresa jonë e pareshtur për përkushtim më të madh ndaj dy urdhërimeve më të mëdha prej të gjithave: ta duam Perëndinë duke e zbatuar këshillën e Tij dhe t’i duam të afërmit tanë duke treguar dashamirësi e dhembshuri, durim e falje.11 Këto dy direktiva hyjnore janë ende – dhe do të jenë gjithmonë – e vetmja shpresë reale që kemi për t’u dhënë fëmijëve tanë një botë më të mirë nga ajo që njohin tani.12

Përveç pasjes së këtyre dëshirave për të gjithë globin, shumë nga ata që po dëgjojnë sot, kanë shpresa thellësisht vetjake: shpresë që një martesë të përmirësohet ose nganjëherë thjesht shpresë për një martesë; shpresë që të mposhtet një varësi; shpresë që një fëmijë i pabindur të kthehet në udhën e duhur; shpresë që të ndalojë dhembja fizike ose emocionale prej qindra lloje shkaqesh. Për shkak se Rivendosja e ripohoi të vërtetën themelore që Perëndia punon njëmend në këtë botë, ne mund të shpresojmë, ne duhet të shpresojmë, edhe kur përballemi me gjasa shumë të pakta që diçka e mirë të ndodhë. Kjo është ajo që nënkuptonte shkrimi i shenjtë me frazën që Abrahami qe në gjendje të shpresonte kundër çdo shprese13 – kjo do të thotë se ai qe në gjendje të besonte pavarësisht nga çdo arsye për të mos besuar – se ai dhe Sara mund të ngjiznin një fëmijë kur ajo gjë dukej krejtësisht e pamundur. Ndaj, unë bëj pyetjen: “Nëse kaq shumë prej gjërave që shpresonim në vitin 1820, mundën të fillonin të përmbusheshin me një çast të shkurtër drite hyjnore ndaj një djali të thjeshtë që u gjunjëzua në një pyllishtë në rrethinat në veri të Nju-Jorkut, pse të mos shpresojmë ne që dëshirat e drejta dhe dëshirimet si të Krishtit munden ende të marrin përgjigje në mënyrë të mahnitshme e mrekullibërëse nga Perëndia i çdo shprese?” Të gjithë kemi nevojë të besojmë se ajo që dëshirojmë me drejtësi, mundet një ditë, në njëfarë mënyre, disi, të jetë e jona.

Vëllezër dhe motra, ne e dimë se cilat ishin disa prej mangësive fetare në fillim të shekullit të 19-të. Për më tepër, ne dimë diçka për të metat e sotme fetare që ende e nuk e ngijnë urinë dhe shpresën e disave. Ne e dimë se një larmi e atyre pakënaqësive të tilla po i shtyjnë disa të largohen nga institucionet tradicionale kishtare. Ne gjithashtu dimë, sikurse shkroi një herë një shkrimtar i zhgënjyer, se “shumë udhëheqës fetarë [të kohës] duken sikur nuk ia kanë idenë fare” si ta trajtojnë këtë lloj dobësimi, duke ofruar si përgjigje “një deizëm të qullët si terapi, aktivizëm simbolik të pavlerë, herezi të shprehur me kujdes, [ose nganjëherë vetëm] dokrra që nuk të frymëzojnë”14 – dhe të gjitha në një kohë kur botës i nevojitet shumë më tepër se kaq, kur brezi që po rritet meriton shumë më tepër dhe kur Jezusi në kohën e Vet ofroi shumë më tepër. Si dishepuj të Krishtit, ne mundemi në kohën tonë të ngrihemi më lart se ata izraelitë të lashtësisë të cilët u ankuan: “Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur”15. Njëmend, nëse ne përfundimisht e humbasim shpresën, humbasim zotërimin e fundit që na mban të fortë. Ishte pikërisht mbi vetë portën e ferrit që Dante shkroi një paralajmërim për të gjithë ata që do të udhëtonin nëpër veprën e tij Komedia Hyjnore: “Braktisini të gjitha shpresat”, tha ai, “o ju që hyni këtu”16. Vërtet, kur zhduket shpresa, ajo që na mbetet është flaka e ferrit që përhapet furishëm nga çdo anë.

Ndaj, kur të jemi me shpatulla pas murit dhe, sikurse thotë himni “kur tjetër ndihm’ s’ka dhe shkon çdo ngushʼllim”17, një nga virtytet tona më të domosdoshme do të jetë kjo dhuratë e çmuar e shpresës së lidhur pazgjidhshmërisht me besimin tonë në Perëndi dhe me dashurinë tonë hyjnore për të tjerët.

Në këtë vit që shënon dyqindvjetorin, kur vështrojmë prapa për të parë gjithçka na është dhënë dhe gëzohemi ngaqë kuptojmë se shumë shpresa na janë përmbushur, unë përsërit mendimin që një motër e re dhe e shkëlqyer misionare e kthyer na e tha në Johanesburg vetëm pak muaj më parë: “[Ne] nuk arritëm deri këtu vetëm për të ardhur deri këtu”18.

Duke parafrazuar një nga fjalimet më frymëzuese të lamtumirës që është shënuar ndonjëherë në shkrimet e shenjta, unë them bashkë me Nefin dhe atë motër të re:

“Vëllezërit e mi të dashur [dhe motra], pasi ju të keni [marrë këto frytet e para të Rivendosjes], unë do t’ju pyesja nëse gjithçka është bërë? Vër re, unë [ju] them [juve], Jo. …

… Ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. … Në qoftë se [e bëni], … thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.”19

U jap falënderime vëllezërve e motrave të mia për gjithçka që na është dhënë në këtë periudhë të fundit ungjillore e më të madhërishmen, periudhën ungjillore të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Dhuratat dhe bekimet që rrjedhin nga ai ungjill, janë gjithçka për mua – gjithçka – ndaj në një përpjekje për ta falënderuar Atin tim në Qiell për to, kam “premtime për të mbajtur dhe kilometra për të bërë përpara se të shkoj për të fjetur dhe kilometra për të bërë përpara se të shkoj për të fjetur”20. Shkofshim përpara me dashuri në zemër, duke ecur në “ndriçim të … shpresës”21 që e ndrit shtegun e pritjes së shenjtë në të cilën kemi qenë për 200 vjet. Dëshmoj se e ardhmja do të jetë po aq e mbushur me mrekulli dhe e bekuar me begati sikurse e kaluara. Ne i kemi të gjitha arsyet për të shpresuar për bekime edhe më të mëdha sesa ato që kemi marrë tashmë, sepse kjo është puna e Perëndisë të Plotfuqishëm, kjo është Kisha e zbulesës së vazhdueshme, ky është ungjilli i hirit dhe mirëdashjes së pakufizuar të Krishtit. Unë jap dëshmi për të gjitha këto të vërteta e për shumë të tjera, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “The Essence of the Christian Religion”, në The Works of William E. Channing (1888), f. 1004.

  2. 2 Nefi 26:24.

  3. Shih Gjoni 3:16–17.

  4. Moisiu 7:62.

  5. Shih Isaia 2:1–3; Ezekiel 37:26; Mikea 4:1–3; Malakia 3:1.

  6. Gjoni 14:2.

  7. Shih 1 Korintasve 15:29; Doktrina e Besëlidhje 128:15–17.

  8. Shih Hebrenjve 6:19; Ethëri 12:4.

  9. Shih Na Zhu e të tjerë, “A Novel Coronavirus from Patients with Pneumonia in China, 2019”, New England Journal of Medicine, 20 shkurt 2020, f. 727–733.

  10. Shih “Examination and Description of Soil Profiles”, në Soil Survey Manual, red. C. Ditzler, K. Scheffe dhe H. C. Monger (2017), nrcs.usda.gov.

  11. Shih Mateu 22:36–40; Marku 12:29–33; shih edhe Levitiku 19:18; Ligji i Përtërirë 6:1–6.

  12. Shih Ethëri 12:4.

  13. Shih Romakëve 4:18.

  14. R. J. Snell, “Quiet Hope: A New Year’s Resolution”, Public Discourse: The Journal of the Witherspoon Institute, 31 dhjetor 2019, thepublicdiscourse.com.

  15. Ezekiel 37:11.

  16. Kjo është fraza ashtu sikurse është përkthyer gjerësisht. Megjithatë, përkthimi më i fjalëpërfjalshëm është “Çdo shpresë braktiseni, ju që hyni këtu” (Dante Alighieri, “The Vision of Hell”, në Divine Comedy, përkth. Henry Francis Cary [1892], kënga III, rreshti 9).

  17. “Me Mua Rri!” Himne, nr. 94.

  18. Judith Mahlangu (konferencë shumëkunjëshe pranë Johanesburgut, Afrikë e Jugut, 10 nëntor 2019), në Sydney Walker, “Elder Holland Visits Southeast Africa during ‘Remarkable Time of Growth’”, Church News, 27 nëntor 2019, thechurchnews.com.

  19. 2 Nefi 31:19–20; theksimi i shtuar.

  20. “Stopping by Woods on a Snowy Evening”, rreshtat 14–16, në The Poetry of Robert Frost: The Collected Poems, red. Edward Connery Lathem (1969), f. 225.

  21. 2 Nefi 31:20.