2020
Çaste të Shënuara nga Konferenca
maj 2020


Çaste të Shënuara nga Konferenca

Siç premtoi Presidenti Rasëll M. Nelson, kjo konferencë e përgjithshme ishte e paharrueshme në shumë mënyra.1 Këtu janë disa prej çasteve të shënuara të konferencës.

Simboli i Ri

Presidenti Nelson shpalli një simbol të ri për Kishën (shih faqen 73). Simboli përfshin emrin e Kishës të futur brenda një drejtkëndori që përfaqëson një gur të qoshes. Mbi të qëndron një statujë “Kristus” nën një hark, që na kujton për Shpëtimtarin dhe varrin e Tij të zbrazët.

Proklamata në Dyqindvjetor

Presidenti Nelson lexoi dokumentin “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, e cila i fton njerëzit kudo qofshin që të mësojnë se ungjilli i Jezu Krishtit, për të cilin flitet në Dhiatën e Re, është përsëri në tokë sot. Përkthimi zyrtar mund të gjendet brenda kapakut të përparmë të këtij botimi në 12 gjuhë. Anëtarët që ende po presin për një përkthim zyrtar, mund të gjejnë përkthime paraprake të proklamatës në bisedën e Presidentit Nelson (shih faqen 91).

Kuvendi Solemn

Një “kuvend solemn” u mbajt në mëngjesin e së dielës si pjesë e kremtimit nga Kisha të dyqindvjetorit të Vegimit të Parë. Gjatë kësaj mbledhjeje të shenjtë, Presidenti Nelson i udhëhoqi shenjtorët në Thirrjen Hosana, një shprehje e bashkuar përlëvdimi, e përdorur në ngjarje të veçanta si përkushtimi i tempujve (shih faqen 92).

Agjërimi i Dytë Mbarëbotëror

Për herë të dytë brenda nëntë ditëve, Presidenti Nelson e ftoi botën për të agjëruar e për t’u lutur “që pandemia e tanishme të mund të kontrollohet, që kujdestarët e shëndetit të mbrohen, ekonomia të forcohet dhe jeta të normalizohet” (faqe 74). Ky agjërim i dytë mbarëbotëror ndodhi në të Premten e Mirë më 10 prill 2020.

Tempujt e Rinj

Presidenti Nelson njoftoi plane për të ndërtuar tetë tempuj të rinj anembanë botës (shih faqen 115). Në këtë kohë ka 167 tempuj në funksionim anembanë botës.

Folësit nga Rinia

Sesioni i mbrëmjes të së shtunës paraqiti biseda nga dy adoleshentë, Laudi Ruth Kouku dhe Enco Serhe Petelo, të cilët folën rreth mënyrës se si priftëria e bekon rininë (shih faqet 56 dhe 58). Kanë kaluar më shumë se 20 vjet që kur folës nga rinia u përfshinë në konferencën e përgjithshme.

Muzika e Fuqishme

Numrat muzikorë për konferencën ishin regjistruar paraprakisht. Shenjtorët përreth botës e mbyllën konferencën duke kënduar “Të Falemi, Zot, për Profetin” me kore në Ganë, Zelandën e Re, Meksiko‑Siti, Korenë e Jugut, Gjermani dhe Brazil (shih faqen 2).

Shënime

  1. Shih Rasëll M. Nelson, “Fjala e Mbylljes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 122