2020
Kini Parasysh Mirësinë dhe Madhështinë e Perëndisë
maj 2020


Kini Parasysh Mirësinë dhe Madhështinë e Perëndisë

Ju ftoj ta kujtoni çdo ditë madhështinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit, si dhe atë që Ata kanë bërë për ju.

Gjatë gjithë kohës, madje gjatë kohëve të vështira dhe veçanërisht gjatë tyre, profetët na kanë nxitur ta kujtojmë madhështinë e Perëndisë dhe të kemi parasysh atë që Ai ka bërë për ne si individë, si familje dhe si popull.1 Ky udhëzim gjendet gjatë gjithë shkrimeve të shenjta, por është veçanërisht i spikatur në Librin e Mormonit. Faqja e titullit shpjegon se një nga qëllimet e Librit të Mormonit është “për t’u treguar atyre që mbetën nga shtëpia e Izraelit çfarë gjërash të mëdha kishte bërë Zoti për etërit e tyre”2. Përfundimi i Librit të Mormonit përfshin thirrjen e Moronit: “Vini re, unë do t’ju këshilloj që kur t’i lexoni këto gjëra, … të kujtoni sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve … dhe t’i meditoni në zemrat tuaja”3.

Vazhdueshmëria e thirrjeve nga profetët që të reflektojmë mbi mirësinë e Perëndisë, është mbresëlënëse.4 Ati ynë Qiellor dëshiron që ne ta sjellim ndër mend mirësinë e Tij dhe të Birit të Tij të Dashur, jo për vetëkënaqjen e Tyre, por për ndikimin që ka mbi ne një kujtim i tillë. Duke e marrë parasysh mirësinë e Tyre, këndvështrimi ynë dhe kuptueshmëria jonë zgjerohen. Duke reflektuar mbi dhembshurinë e Tyre, ne bëhemi më të përulur, plot lutje dhe të palëkundur.

Një përvojë prekëse me një ish‑pacient tregon se si mund të na shndërrojë mirënjohja për bujarinë dhe dhembshurinë. Në vitin 1987 u njoha me Tomas Nilsonin, një burrë i mrekullueshëm që kishte nevojë për një transplant zemre. Ai ishte 63 vjeç dhe jetonte në Logan të Jutës në Shtetet e Bashkuara. Pas shërbimit ushtarak gjatë Luftës II Botërore, ai u martua me Dona Uillksin në Tempullin e Loganit në Jutë. Ai u bë një murator energjik dhe i suksesshëm. Në vitet e mëvonshme, ai kënaqej posaçërisht duke punuar me nipin e tij më të madh, Xhonatanin, gjatë pushimeve të shkollës. Ata të dy krijuan një lidhje të veçantë, pjesërisht ngaqë te Xhonatani Tomi shihte shumë gjëra të ngjashme me veten.

Tomi kuptoi se pritja për një zemër të dhuruar po e bezdiste. Ai nuk qe një burrë veçanërisht i durueshëm. Gjithmonë kishte qenë në gjendje të vendoste dhe të arrinte synime nëpërmjet punës së palodhur dhe vendosmërisë së plotë. Duke u ndeshur me problemin e zemrës, me jetën e vënë në pritje, Tomi nganjëherë më pyeste se çfarë po bëja që ta shpejtoja procesin. Me shaka, ai sugjeronte mënyra që mund t’i ndiqja, të cilat do ta vinin më shpejt në dispozicion të tij një zemër të dhuruar.

Një ditë të gëzueshme, por prapëseprapë të tmerrshme, një zemër ideale dhuruesi u vu në dispozicion për Tomin. Madhësia dhe lloji i gjakut përputheshin dhe dhuruesi ishte i ri, vetëm 16 vjeç. Zemra e dhuruar i përkiste Xhonatanit, nipit të dashur të Tomit. Më herët atë ditë, Xhonatani ishte dëmtuar për vdekje kur makina në të cilën udhëtonte, u godit nga një tren që po kalonte.

Kur i vizitova Tomin dhe Donën në spital, ata ishin të dërrmuar. Është e vështirë të përfytyroni se çfarë po përjetonin ata, duke e ditur që jeta e Tomit mund të zgjatej duke përdorur zemrën e nipit të tyre. Në fillim, as nuk pranuan që ta merrnin parasysh zemrën e ofruar nga prindërit e pikëlluar të Xhonatanit, nga bija dhe dhëndri i tyre. Sidoqoftë, Tomi dhe Dona e dinin se truri i Xhonatanit nuk funksiononte më dhe arritën ta kuptonin se lutjet e tyre për një zemër të dhuruar për Tomin nuk e kishin shkaktuar aksidentin e Xhonatanit. Jo, zemra e Xhonatanit ishte një dhuratë që mund ta bekonte Tomin në kohën e vet të nevojës. E kuptuan se diçka e mirë mund të rridhte nga kjo tragjedi dhe vendosën ta bënin transplantin.

Procedurat e transplantit shkuan mirë. Më pas, Tomi ishte një njeri tjetër. Ndryshimi shkoi përtej shëndetit të përmirësuar ose madje mirënjohjes. Më tha se çdo mëngjes mendonte për Xhonatanin, të bijën dhe të dhëndrin, për dhuratën që kishte marrë, dhe se çfarë ishte dashur për atë dhuratë. Ndonëse humori i mirë dhe vendosmëria e brendshme ishin ende të dukshme, unë vëzhgova se Tomi ishte më solemn, më i matur dhe më zemërmirë.

Tomi jetoi edhe 13 vjet të tjerë pas transplantit, vite që përndryshe nuk do t’i kishte pasur. Nekrologjia e tij përmendi se këto vite lejuan që ai ta prekte me bujari e dashuri jetën e pjesëtarëve të familjes së vet dhe të të tjerëve. Ai ishte një bamirës i fshehtë dhe një shembull optimizmi e vendosmërie.

Sikurse Tomi, secili prej nesh ka marrë dhurata të cilat nuk mund t’i siguronim vetë, dhurata nga Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, përfshirë shëlbimin nëpërmjet flijimit shlyes të Jezu Krishtit.5 Ne kemi marrë jetë në këtë botë; ne do të marrim jetë fizike në jetën pas kësaj dhe shpëtim të përjetshëm dhe ekzaltim – nëse e zgjedhim atë – të gjitha këto për shkak të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Sa herë që i përdorim këto dhurata, përfitojmë prej tyre ose madje mendojmë për to, ne duhet të kemi parasysh sakrificën, bujarinë dhe dhembshurinë e Atyre që i dhanë dhuratat. Nderimi për Ata që i japin dhuratat, bën për ne më shumë sesa thjesht të na bëjë mirënjohës. Të menduarit mbi dhuratat e Tyre mund dhe duhet të na shndërrojë.

Një shndërrim mbresëlënës ishte ai i Alma të Riut. Ndërkohë që Alma “po përpiqe[j] të ngrin[te] krye kundër Perëndisë”6, një engjëll u shfaq. Me “një zë rrufeje”7 engjëlli e qortoi Almën për përndjekjen e Kishës dhe “grabit[jen e] zemra[ve të] njerëzve”8. Engjëlli shtoi këtë këshillim: “Shko dhe kujto robërinë e etërve të tu … dhe kujto sa gjëra të mëdha ka bërë [Perëndia] për ta”9. Nga të gjitha këshillat e mundshme, kjo ishte ajo që theksoi engjëlli.

Alma u pendua dhe kujtoi. Më vonë ai ia tregoi këshillimin e engjëllit të birit, Helamanit. Alma këshilloi: “Unë doja që ti të bësh sikurse kam bërë unë, duke kujtuar robërinë e etërve tanë, pasi ata qenë në robëri dhe askush nuk mund t’i çlironte përveçse të ishte Perëndia i Abrahamit, … Isakut dhe … Jakobit; dhe ai me siguri i çliroi ata nga fatkeqësitë e tyre”10. Alma thjesht tha: “Unë vë besimin tim në të”11. Alma e kuptoi se duke kujtuar çlirimin nga robëria dhe përkrahjen në “sprova dhe në shqetësime të çdo lloji”, ne arrijmë ta njohim Perëndinë dhe sigurinë e premtimeve të Tij.12

Pak prej nesh kanë një përvojë aq dramatike sa ajo e Almës, prapëseprapë shndërrimi ynë mund të jetë po aq i thellë. Shpëtimtari na premtoi që nga lashtësia:

“Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq … zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.

Do të vë brenda jush Shpirtin tim. …

… Ju do të jeni populli im, dhe unë do të jem Perëndia juaj.”13

Shpëtimtari i ringjallur u tregoi nefitëve se si fillon ky shndërrim. Ai përcaktoi një tipar thelbësor në planin e Atit Qiellor kur tha:

“Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë. …

Dhe për këtë shkak unë jam ngritur; prandaj, sipas fuqisë së Atit, unë do t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë.”14

Çfarë është e mjaftueshme për ju që të tërhiqeni te Shpëtimtari? Merreni parasysh nënshtrimin e Jezu Krishtit ndaj vullnetit të Atit të Tij, fitoren e Tij mbi vdekjen, marrjen mbi vete prej Tij të mëkateve dhe gabimeve tona, marrjen prej Tij të fuqisë nga Ati për të bërë ndërmjetësimin për ju dhe shëlbimin e Tij përfundimtar për ju.15 A nuk janë këto gjëra të mjaftueshme për t’ju tërhequr tek Ai? Për mua janë. Jezu Krishti “qëndron krahëhapur, duke shpresuar dhe i gatshëm të na shërojë, falë, pastrojë, forcojë, të na bëjë të kulluar dhe të na shenjtërojë [ju dhe mua]”16.

Këto të vërteta duhet të na japin një zemër të re dhe të na nxitin që të zgjedhim për ta ndjekur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Por edhe zemrat e reja mund të “priren për t’u endur, … priren për t’u larguar nga Perëndia që e duam”17. Për ta luftuar këtë prirje, na nevojitet që të mendojmë çdo ditë për dhuratat që kemi marrë dhe se çfarë është dashur për to. Mbreti Beniamin këshilloi: “Unë do të doja që ju të kujtoni dhe gjithmonë të mbani në kujtesë, madhështinë e Perëndisë dhe … mirësinë dhe keqardhjen e tij ndaj jush”18. Teksa e bëjmë këtë, ne kualifikohemi për bekime të mrekullueshme qiellore.

Të menduarit për mirësinë dhe mëshirën e Perëndisë na ndihmon të bëhemi më perceptues nga ana shpirtërore. Si rrjedhojë, ndjeshmëria më e madhe shpirtërore do të na lejojë ta dimë të vërtetën e të gjitha gjërave nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.19 Kjo përfshin një dëshmi për vërtetësinë e Librit të Mormonit, duke e ditur që Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë vetjak, dhe duke pranuar që ungjilli i Tij është rivendosur në këto ditë të mëvonshme.20

Kur e kujtojmë madhështinë e Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit, dhe atë që Ata kanë bërë për ne, ne nuk do t’i marrim Ata si të mirëqenë, ashtu sikurse Tomi nuk e mori si të mirëqenë zemrën e Xhonatanit. Në një mënyrë të gëzueshme dhe nderuese, Tomi e kujtoi çdo ditë tragjedinë që i solli atij jetë më të gjatë. Gjatë lumturisë së madhe nga dijenia se mund të shpëtohemi dhe ekzaltohemi, ne kemi nevojë të kujtojmë se shpëtimi dhe ekzaltimi erdhën me një çmim të shtrenjtë.21 Në mënyrë nderuese ne mund të jemi plot gëzim kur kuptojmë se pa Jezu Krishtin ne jemi të pashpresë, por me Të ne mund të marrim dhuratën më të madhe që mund të japë Ati Qiellor.22 Vërtet, ky nderim na lejon të marrim premtimin “e jetës së përjetshme në këtë botë” dhe përfundimisht të marrim “jetën e përjetshme … madje lavdi të pavdekshme” në botën që vjen.23

Kur e kemi parasysh mirësinë e Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit, mirëbesimi ynë tek Ata rritet. Lutjet tona ndryshojnë ngaqë e dimë se Perëndia është Ati ynë dhe ne jemi fëmijët e Tij. Ne nuk kërkojmë ta ndryshojmë vullnetin e Tij, por që ta përputhim vullnetin tonë me vullnetin e Tij dhe të sigurojmë për veten tonë bekimet që Ai dëshiron të na i japë, me kushtin që ne t’i kërkojmë ato.24 Ne përpiqemi të jemi më të përulur, më të pastër, më të palëkundur, më shumë si Krishti.25 Këto ndryshime na kualifikojnë për bekime të tjera qiellore.

Duke e ditur se çdo gjë e mirë vjen nga Jezu Krishti, ne do t’ua komunikojmë besimin tonë në mënyrë më të efektshme të tjerëve.26 Ne do të kemi guxim kur përballemi me detyra dhe rrethana të pamundura në dukje.27 Ne do ta forcojmë vendosmërinë tonë për t’i mbajtur besëlidhjet që i kemi bërë për ta ndjekur Shpëtimtarin.28 Ne do të mbushemi me dashurinë e Perëndisë, do të duam t’i ndihmojmë njerëzit nevojtarë pa qenë gjykues, do t’i duam fëmijët tanë e do t’i rritim ata në drejtësi, do të mbajmë një heqje të mëkateve tona dhe do të gëzohemi gjithmonë.29 Këto janë frytet e mrekullueshme nga që kujtojmë mirësinë dhe mëshirën e Perëndisë.

Në dallim, Shpëtimtari paralajmëroi: “Dhe në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë apo kundër askujt nuk ndizet zemërimi i tij, përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka”30. Nuk mendoj se Perëndia preket në sedër kur ne e harrojmë Atë. Në të kundërt, mendoj se Ai zhgënjehet thellësisht. Ai e di se ne i kemi hequr vetes mundësinë që të afrohemi më pranë Tij kur nuk e kujtojmë Atë dhe as mirësinë e Tij. Atëherë ne nuk e kemi mundësinë që Ai të na afrohet më pranë dhe nuk i marrim bekimet e veçanta që ka premtuar Ai.31

Ju ftoj ta kujtoni çdo ditë madhështinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit, si dhe atë që Ata kanë bërë për ju. Lejojeni vlerësimin tuaj për mirësinë e Tyre ta lidhë më fort zemrën tuaj endacake me Ta.32 Përsiatni për dhembshurinë e Tyre dhe ju do të bekoheni me ndjeshmëri më të madhe shpirtërore dhe do të bëheni më shumë si Krishti. Të menduarit për dashamirësinë e Tyre do t’ju ndihmojë të “qëndro[ni] besnikë deri në fund”, derisa ju të jeni “marrë në qiell” që të “jeto[ni] me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund”33.

Ati ynë Qiellor, duke iu drejtuar Birit të Tij të Dashur, tha: “Dëgjoje Atë!”34 Kur veproni sipas këtyre fjalëve dhe e dëgjoni Atë, mbani mend, me gëzim e nderim, se Shpëtimtari dëshiron shumë që të rivendosë atë që ju nuk mund ta rivendosni; Ai dëshiron shumë të shërojë plagë që ju nuk mund t’i shëroni; Ai dëshiron shumë që të ndreqë atë që është thyer në mënyrë të pariparueshme35; Ai dëmshpërblen për cilëndo padrejtësi të shkaktuar mbi ju36 dhe Ai dëshiron shumë që t’i shërojë përgjithmonë edhe zemrat e thyera37.

Teksa kam menduar për dhuratat nga Ati ynë Qiellor dhe nga Jezu Krishti, unë kam arritur të njoh dashurinë e Tyre të pafundme dhe dhembshurinë e Tyre të cilën nuk arrijmë dot ta kuptojmë, për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.38 Kjo njohuri më ka ndryshuar mua dhe do t’ju ndryshojë edhe ju. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.